Analiza: Rruga perandorake e Putinit, drejt rrënimit ekonomik
Aventura e Putinit në Krime duket se ka qenë një improvizim, një taktikë e pamenduar më parë. Duket gjithashtu se Putini nuk është i vetëdij...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/analiza-rruga-perandorake-e-putinit.html
Aventura e Putinit në Krime duket se ka qenë një improvizim, një taktikë e pamenduar më parë. Duket gjithashtu se Putini nuk është i vetëdijshëm për pasojat që mund të ketë kjo lëvizje, veçanërisht në termat e kostos ekonomike
SERGEI GURIEV, Project Syndicate
Debati rreth Krimesë nuk është i bazuar më te ligji ndërkombëtar: Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, e ka pranuar tashmë hapur se nuk ndihet i detyruar përballë këtij ligji dhe nuk shqetësohet nëse pjesa tjetër e botës i konsideron veprimet e tij ilegale. Ajo që nuk është e qartë, është nëse ekonomia e Rusisë mund ta mbajë barrën e objektivave të Putinit mbi Ukrainë.
Pavarësisht përgjigjes së Perëndimit ndaj krizës së Krimesë, dëmi ekonomik për Rusinë do të jetë i madh. E para, ka kosto direkte të operacioneve ushtarake dhe të mbështetjes për regjimin e Krimesë dhe ekonomisë thellësisht ineficiente (e cila është subvencionuar rëndë prej qeverisë së Ukrainës për vite me radhë.) Duke parë pasigurinë përreth statusit të ardhshëm të Krimesë, këto kosto janë të vështira për t’u vlerësuar, megjithëse gjasat janë se do të arrijnë në shumë miliardë dollarë në vit.
Një kosto e drejtpërdrejtë e këtyre përmasave është më pak se 0.5 për qind e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Rusisë. Megjithëse jo e lehtë, Rusia mund ta përballojë këtë. Rusia sapo shpenzoi 50 miliardë dollarë në Lojërat Olimpike të Soçit dhe planifikon të shpenzojë edhe më shumë se kaq për Kampionatin Botëror 2018. Ajo ishte e gatshme t’i japë qeverisë së Ukrainës dhe ish-presidentit Viktor Janukoviç 15 miliardë dollarë kredi, si dhe t’i jepte 8 miliardë dollarë në vit në formën e çmimit më të ulët të gazit.
Pastaj janë kostot e lidhura me ndikimin e sanksioneve mbi tregtinë dhe investimet. Megjithëse përmasat e sanksioneve mbeten të paqarta, efekti mund të jetë i madh. Hyrjet vjetore të investimeve të huaja të drejtpërdrejta në Rusi vlerësohet se kanë arritur në 80 miliardë dollarë më 2013-n. Një rënie domethënëse e investimeve – të cilat nuk sjellin vetëm para, por edhe teknologji moderne dhe aftësi menaxheriale – mund ta godasin Rusinë dhe rritjen ekonomike afatgjatë. Dhe mohimi i aksesit të bankave ruse në sistemin bankar amerikan (dhe ndoshta edhe atë europian) – në formën e sanksioneve më të ashpra të zbatuara ndaj Iranit, mund të ketë pasoja shkatërrimtare.
Në termat afatshkurtra, gjithsesi, është tregtia ajo që ka më shumë rëndësi sesa investimet. Eksportet vjetore të Rusisë (më së shumti naftë, gaz dhe lëndë të tjera të para, vlejnë gati 6000 miliardë dollarë, ndërsa importet vjetore arrijnë në 500 miliardë dollarë.
Çdo sanksion tregtar (përfshirë sanksionet mbi institucionet financiare të Rusisë), do të kenë shumë më tepër ndikim të dhimbshëm sesa kostoja direkte e subvencionimit të Krimesë. Natyrisht, sanksione të tilla do të dëmtojnë edhe partnerët tregtarë të Rusisë. Por varësia e Rusisë nga tregtia me Perëndimin është me siguri shumë më e madhe sesa varësia e Perëndimit nga tregtia me Rusinë.
Për më tepër, burimi më i madh potencial i dëmtimit të ekonomisë së Rusisë gjendet gjetkë. Bizneset ruse dhe të huaja janë shqetësuar gjithmonë mbi paparashikueshmërinë e udhëheqësisë politike të vendit. Mungesa e besimit te politikëbërësit e Rusisë është arsyeja kryesore për largimin e kapitalit, çmimit të ulët të aseteve të vendit, rënies së investimeve dhe ngadalësimit ekonomik, të cilat kriza e Krimesë ka shumë gjasa se do t’i përshpejtojë.
Në të vërtetë, përgjigjja e Rusisë ndaj ngjarjeve në Ukrainë ka tejkaluar pritshmëritë më të këqija të atyre që sakaq po vinin në pyetje faktin nëse, siç e shprehu Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, “është në kontakt me realitetin” apo jo.
Lëvizja për të aneksuar Krimenë ka përmbysur çdo përfitim të mundshëm në formën e pushtetit të butë (soft power), që Putini mund të ketë fituar nga Lojërat Olimpike të Soçit dhe faljet e dhëna (në dhjetorin e kaluar)) për kundërshtarët e burgosur si Mikhail Khodorkovski dhe anëtaret e bandës muzikore “Pussy Riot”.
Sakrifica e këtyre arritjeve sugjeron se aventura e Krimesë nuk është pjesë e një plani të menduar afatgjatë. Përkundrazi, qëkur filloi kriza, udhëheqësia e Rusisë, në mënyrë të përsëritur, ka përgënjeshtruar deklarata të mëparshme, është tërhequr, ka ndryshuar qëndrim dhe ka mohuar fakte lehtësisht të verifikueshme.
Të gjitha këto sugjerojnë se udhëheqësit politikë të Rusisë nuk kanë strategji dhe nuk parashikojnë pasoja për vendimet e tyre. Edhe vetë mbështetësit e Kremlinit pranojnë se Putini “po improvizon”.
Është gjithashtu e qartë se vendimet për të dhunuar ligjin ndërkombëtar, pavarësisht rrezikut për izolim ekonomik, u morën në mënyrë të papritur nga rrethi më i ngushtë i Putinit. Për shembull, Valentina Matvijenko, kryetarja e Këshillit të Federatës (Dhoma e Lartë e Parlamentit), njoftoi se Rusia nuk do të dërgojë trupa në Ukrainë – vetëm dy ditë para se këshilli i saj të votonte unanimisht për të autorizuar Putinin të bënte pikërisht këtë. Dhe Matvijenko është një nga 12 anëtarët e përhershëm të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Rusisë, autoriteti i vendimmarrjes supreme mbi çështje të tilla.
Pavarësisht faktit nëse Kremlini është thjesht joracional apo i painformuar, politikat e tij në Krime u dërgojnë një sinjal të pagabueshëm investitorëve: udhëheqësit politikë të Rusisë janë të pamundur të parashikohen. Kjo do të minojë më tej besimin e investitorëve të huaj ndaj Rusisë dhe do të rrisë largimin e kapitalit, gjë që nuk mund të vinte në një kohë më të keqe sesa sot.
Me shpenzimin konsumator të furnizuar nga tregu i kreditit në dobësim, – motori që solli rritjen ekonomike që nga viti 2010 – ekonomia po ndalon.
Ndërkohë, investimet janë ende poshtë maksimumit të shënuar më 2008-n. Pavarësisht mundësive të mëdha për mirëqenie në të gjithë ekonominë e Rusisë, klima armiqësore ndaj biznesit të këtij vendi – përfshirë burokracitë e fryra, korrupsionin e gjithëpërhapur dhe zgjerimin e kompanive nën pronësi shtetërore – ka dobësuar incentivat e investitorëve të huaj në Rusi për të filluar projekte të reja apo për të zgjeruar ato ekzistueset. Të kuptuarit se Putini ka hyrë “në një botë tjetër”, siç tha Merkel, thjesht sa do t’i bëjë gjërat edhe më keq.
A do t’i vënë re rusët kostot ekonomike të irracionalitetit të Kremlinit? Rritja ekonomike sakaq është ngadalësuar dhe mund të kthehet negative. Tregu i aksioneve ka rënë ndjeshëm dhe mund të bjerë edhe më tutje. Natyrisht, pronësia e aksioneve në Rusi është shumë e ngushtë; shumica e rusëve as nuk i ndjekin lajmet mbi ecurinë e bursave. Por rritja e largimit të kapitaleve do të prekë edhe diçka për të cilën rusët e zakonshëm janë të shqetësuar: normën e këmbimit të rublës.
Të hënën, pasi filloi aventura e Krimesë, Banka Qendrore e Rusisë thuhet se shpenzoi 11.3 miliardë dollarë për të mbrojtur rublën. Një mbështetje në përmasa të tilla është dukshëm e papërballueshme. Në fakt, Banka Qendrore njoftoi se do ta lejojë rublën të luhatet, gjë që nënkupton se do të respektohet kursi i këmbimit i përcaktuar nga kërkesë-oferta. Kjo përcaktohet në masë të gjerë nga pritshmërisë e tregjeve mbi çmimet e naftës dhe flukseve kapitale të pritshme.
Kështu, shqetësimet mbi Putinin, i cili ka humbur kontaktin me realitetin”, nënkupton jo vetëm një rritje ekonomike më të paktë apo negative, por edhe një monedhë më të dobët, gjë që ka efekte të menjëhershme, duke rritur çmimet e të gjitha mallrave të importit. Të gjithë rusët do t’i ndiejnë së shpejti pasojat; nëse kjo do ta sjellë Presidentin sërish në këtë botë apo jo, kjo është çështje tjetër.