SEKTI I ASASINËVE / Hashash, infiltrime dhe intriga politike
Super killer-a. Fanatikë, helmues, spiunë. Origjina e fshehtë, aktet e pamundur të organizatës terorriste më të lashtë në Lindjen e Mesme Ng...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/sekti-i-asasineve-hashash-infiltrime.html
Super killer-a. Fanatikë, helmues, spiunë. Origjina e fshehtë, aktet e pamundur të organizatës terorriste më të lashtë në Lindjen e Mesme
Nga Mesjeta e deri sot, sekti i Asasinëve, aktiv nga shekulli VIII deri në shekullin XI ka shkaktuar terror. Dhe bashkë me të imazhin e luftëtarëve shumë fanatikë dhe të zotë, të gatshëm edhe për sakrificën supreme vetëm që të eleminonin armikun. Në imagjinatën popullore, Asasinët janë “super killera”, ekspertë në cdo teknikë infiltrimi dhe intrige politike, të udhëhequr nga një “Plak i maleve” fantazmë, në gjendje të manipulonte mendjet me drogë dhe hipnotizëm. Për disa, emri i sektit buron nga hashinshin, që në gjuhën arabe do të thotë “ngrënës të hashashit”. Një lidhje kjo eksplicite me përdorimin e drogërave nga ana e pjesëtarëve, që në këtë mënyrë, prej premtimit për kënaqësitë e parajsës, humbisnin cdo instikt vetëpërmbajtjeje. Tradita letrare dhe kinematografike perëndimore është joshur jo pak prej këtyre legjendave, të rrëfyera në versione të ndryshëm. Po cila është e vërteta?
Historia e Asasinëve është vërtetë e errët. Eshtë e rëndësishme të mbahet parasysh që Perëndimi i krishterë ka patur kontakte me Asasinët mbi të gjitha në vitet e periudhës së rënies së Jeruzalemit (1187) dhe të Kryqëzatës së Tretë (1189-1192) kundër Saladinit. Për më tepër, vetëm me degën siriane të sektit, që kishte ngritur bastionet e tij mes mbretërisë së Egjiptit, udhëhequr nga dinastia Fatimide dhe një serie kështjellash të fortifikuara në Tokën e Shenjtë, nga të cilat më e njohura ishte Masyaf. Kjo ishte një kështjellë e pathyeshme, shumë pranë asaj të një tjetër urdhëri luftarak: Templarëve. Masyaf, në fakt ndodhej vetëm disa kilometra shkretëtirë larg nga Krak-u i Kalorësve, bosht i fuqisë së Reynaud de Chatillon, Mjeshtër i Madh i Urdhërit të Templarëve në Tokën e Shenjtë. Përplasje të përgjakshme, por edhe lidhje të padyshimta mes sektit dhe urdhërit ishin të pashmangshme, duke qenë se të parët shihnin tek të dytët aleatë të mundshëm në luftën për pushtet në botën islamike. Por historia e Asasinëve kishte filluar shumë shekuj më herët, në luginat e asaj që dikur kish qenë perandoria e pakufi dhe e fuqishme e Persisë.
Luginat e Asasinëve
Emri më i përshtatshëm për të përcaktuar sektin e Asasinëve është Ismailitë Nizarë. Kjo rrymë shiite e kishte origjinën në fshatrat e papërshkueshëm, që eksploruesja Freya Stark (1893-1993) i ka përshkruar në mënyrë mjeshtërore në rrëfimet e saj të udhëtimeve “Luginat e Asasinëve”. Diku nga mesi i shekullit VI, Profeti më i lartë Muhamed kishte arritur të përhapte në botën arabe, përmes Kur’anit një fe të re, Islamin, i cili brenda disa shekujve ribashkoi të gjithë fiset dhe mbretëritë e shkretëtirës, duke krijuar një fuqi pa të ngjashëm mes Azisë së Vogël dhe Afrikës së Veriut. Pas vdekjes së Muhamedit, përhapja e Islamit vazhdoi, duke prodhuar megjithatë një ndarje fetare. Nga njëra anë ishin sunnitët, ruajtës të ortodoksisë islamike, nga ana tjetër ishin shiitët, të cilët ishin të bindur se në detyrat më të larta islamike duhej të ngjiteshin vetëm ata që i përkisnin familjes së Profetit dhe pasardhësve të tij. Sekti i vogël i Ismailitëve e pati origjinën mes shiitëve, në malet e Persisë së lashtë dhe e mori emrin nga Ismaili, bir i një Imami që ishte vetëshpallur pasardhës direkt i një linje njerëzish të ditur që, përmes Muhamedit, ngjitej deri tek Adami. Të konsideruar si heretikë si nga sunnitët, ashtu edhe nga vetë shiitët, ata u persekutuan në të gjithë botën islamike, megjithëse vizioni i tyre fetar u adoptua si zyrtar në Kalifatin Fatimid në Egjipt, në periudhën mes viteve 909 dhe 1171.
Për ta bërë edhe më të fragmentuar skenarin politik islamik, shërbeu mbërritja në Persi, në shekullin e dhjetë, e turqve Selgiukidë. Këta, me forcën e armëve nënshtruan sunnitët dhe, duke nisur nga kalifati i Bagdadit, vendosën një version radikal të islamizmit bazuar në Xhihadin, luftën e shenjtë, me synim të pushtoheshin apo të asgjësoheshin të gjithë të pafetë. Në ndërkohë, luftërat për pasardhësin pas vdekjes së kalifit fatimid Al-Mustansir sollën një tjetër carje në brendësi të botës Ismailite. Ngjitja në pushtet e birit të Kalifit, Nizar u mbështet nga një prej elementëve fetarë më me ndikim, Hasan-i Sabbah, i cili mbështeste një ideal revolucionar dhe luftëdashës të doktrinës dhe që, në vitin 1090 kishte pushtuar kështjellën e Alamut në veri të Persisë. Ai u vu në krye të Nizaritëve, të cilët njiheshin më mirë si Asasinët.
Doktrinë dhe guerilje
Në kështjellën e pathyeshme të Alamut, një emër që buron nga Allah-amut “foleja e shqiponjës”, Hasani përpunoi doktrinën e tij duke u shkëputur gjithmonë e më shumë nga Islami tradicional. E gjithë disiplina bazohej në marrëdhënien e bindjes dhe nënshtrimit mes dai’ duat (mësuesi) dhe fidaisët (nxënësit) të cilët edukoheshin dhe përgatiteshin për luftë.
Duket se ndoshta duhet përjashtuar që në këtë periudhë Asasinët përdornin hashash, i cili, ashtu si gjithë drogërat, ishte i ndaluar nga feja ortodokse, por disiplina e Hasanit impononte gjithësesi një bindje fanatike në këmbim të një parajse të mirash materiale përtej vdekjes. Lufta me selgiukidët në dekadat e parë ishte një guerilje e mencur, që synonte të zgjaste sa më shumë fuqinë dhe ndikimin e sektit deri në Siri dhe në të gjithë Afrikën Veriore. Në vijim, lufta u përkeqësua dhe Hasani kreu gabimin e kalimit nga guerilja në terrorizëm, duke humbur kështu mbështetjen e popullsive që në fillim kishin qenë armiqësore ndaj turqve.
Me vrasjen, në vitin 1092 të vezirit të sulltanëve selgiudikë al-Mulk, praktika e vrasjes politike u institucionalizua mes Ismailitëve. Por tashmë asasinët ishin të izoluar si nga pikëpamja ushtarake, ashtu edhe ajo ideologjike sepse pas vrasjes së Hasanit, asnjë mësues nuk kish arritur të shfaqte karizmën e tij.
Pas një serie luftërash vëllavrasëse dhe akteve të terrorit kundër turqve në fundin e shekullit XIII, mjeshtri Khur-Shah, nuk lidhi aleancë me khanin mongol Hulagu për të luftuar turqit por, në të njëjtën kohë lejoi dorëzimin e Alamutit dhe kështjellave të tjera që deri atëherë kishin qenë të pathyeshme. Fuqia e sektit që nga ai moment në Siri u bë gjithmonë e më e vogël, komuniteti u shpërnda në grupe të izoluar, gjithmonë nën kërcënimin e persekutimit nga ana e myslimanëve ortodoksë.
Mjeshtrat e terrorit
Në perëndim, kulmi i famës së asasinëve përkoi me ngjitjen në Lindje të Saladinit, sulltani i fesë sunnite që në shekullin XII vendosi që nga Bagdadi pushtetin e tij, si mbi dinastinë Fatimide, të fesë ismailite, ashtu edhe mbi të krishterët. Në vitin 1187, Saladini pushtoi Jeruzalemin duke i shtyrë kalorësit dhe mbretërorët europiane që të shkonin drejt Tokës së Shenjtë, ku kishin ende pushtet urdhëri i Templarëve dhe mbretëritë e krishtera.
Pikërisht në këtë skenar fiton karizmë figura e Rashid al Sinanit, prijës i Masyafit dhe Mësues i Madh i Ismailitëve Nizarë të Sirisë. Ai solli një përkeqësim të mëtejshëm të luftës mistike të Asasinëve dhe strategjive të tyre të terrorit, duke u bërë aleat sipas rrethanave, herë me kryqëzatat dhe herë me sunnitët, të cilët gjithësesi i konsideronte të dy armiq. Gjatë mbretërimit të tij (1162-1193) Sinani u konsiderua një shtrigan, një njeri shumë i aftë në hipnotizëm. Pikërisht nën komandën e tij, ndjekësit filluan të përdorin hashashin si dhe fituan emrin që i ka bërë të famshëm në Perëndim. Sinani quhej Plaku i Malit, nga Sheik’ Jabal, që do të thotë edhe një njeri me dije të larta.
Ndjekësit dhe luftëtarët ishin në fakt vetëm ekzekutorë të thjeshtë, të aftë, por të udhëhequr nga një fe e verbër, shpesh herë e imponuar me hipnotizëm dhe drogë. Në majë të piramidës qëndronte Mjeshtri i Madh.
Saladini, që shpesh herë u bë objekt i atentateve të dështuar nga ana e Asasinëve, nuk pranoi të kryejë një fushatër ushtarake kundër fortesave të tyre, pasi një mëngjes kishte gjetur një kamë të helmuar në cadrën e tij, një shenjë kjo e faktit që Asasinët infiltroheshin sipas dëshirës në ushtrinë e tij.
Në të njëjtën kohë, aftësitë e tyre ishin në shitje. Vrasësve të dërguar nga Asasinët nuk u shpëtoi në fakt, në vitin 1192, mbreti i Jeruzalemit, Corrado di Monferrato, por ndjekësit e sektit bënë që të qarkullojë teoria që eleminimi i Corrados ishte koordinuar në të vërtetë nga Rikard Zemërluani.
Mes Templarëve dhe Asasinëve kishte në fakt një lidhje: Masyafi u paguante një harac Kalorësve të Tempullit dhe duket se këta, shpesh herë përdornin shërbimet e Asasinëve për të kryer krime politikë në brendësi të mbretërive të krishtera. Këta dyshime janë mbështetur shpesh herë nga Kalorësit e Urdhërit të Spitalorëve që ishin rivalë të egër të Templarëve dhe dolën sërish në sipërfaqe në vitin 1312, kur Kisha në bashkëpunim me sovranin francez Filipin, shkatërroi Urdhërin duke e shpallur heretik. Pikat e kontaktit mes Asasinëve dhe Templarëve nuk ishin vetëm të rendit ushtarak.
Aleatë apo kundërshtarë?
Asasinët dhe Templarët, në narrativën popullore kanë qenë gjithmonë kundërshtarë. E mira dhe e keqja. Po a ka qenë vërtetë kështu? Distanca e vogël mes kështjellave të tyre në Tokën e Shenjtë favorizonte sigurisht shkëmbime dhe kontakte. Madje edhe mënyra mistike e luftës i bashkonte edhe në bindjet fetare, në dukje të ndryshme. Në fakt, thuhet që me kalimin e shekujve besnikëria ndaj Islamit dhe ndaj Kishës u zbehën duke i lënë vend kultit të hyjnisë demoniake të Bafometit si dhe riteve të fshehtë që ngjanin shumë me magjinë e zezë. Por, këto ndoshta ishin vetëm akuza të kundërshtarëve të tyre. Asasinët dhe Templarët kishin në fakt të përbashkët, një ndarje të njëjtë në tre pjesë të rangjeve të tyre. Nëse mes Ismailitëve dominonte hierarkia mes fillestarëve, ndjekësve dhe Mjeshtrit (Plaku i Malit), mes Kalorësve të Tempullit pushteti ndahej mes Priorëve, Priorëve të Mëdhenj dhe Mjeshtrit të Madh. Të ngjashme ishin edhe strategjitë e betejave, në mënyrë të vecantë përdorimi ngushtësisht luftarak i kështjellave dhe fortesave.
Në mesin e shekullit XIII u përhapën zërat që Kalorësit Templarë kishin “urdhëruar” vrasjen e mbretit të Francës, Luigji IX, për t’u kryer nga Asasinët. I paralajmëruar për rrezikun, mbreti organizoi atë që do të ishte Kryqëzata e Pestë në 1244 dhe Asasinët dërguan në Francë dy ndjekës të tyre për të ndalur vrasësit. Përse kishte ndryshuar situata? Përgjigja mbetet një mister por duhet theksuar që në kohën e Kryqëzatës së Pestë, Templarët kishin marrëdhënie të ngushta dhe fitimprurëse biznesi me mbretërinë e Francës dhe intriga politike, përvec problemeve të ndërlikuar që lidheshin me luftën, duhet të ketë ndryshuar planet dhe strategjitë.
Me kalimin e shekujve Asasinët u bënë gjithnjë e më shumë figura legjendare, vrasës që kishin zotësi të jashtëzakonshme dhe aftësi që lidheshin me teknikat e infiltrimit dhe të vrasjes. Pas pushtimeve mongoliane, sekti humbi rëndësinë politike, por asnjëherë nuk u zhduk përfundimisht. Fanatizmi, vendosmëria për të sakrifikuar deri edhe jetën në luftën kundër të pafeve mbeten edhe sot e kësaj dite dhe në një pjesë të madhe duken si ide të përshtatura edhe prej grupeve modernë integralistë.
Ndoshta duhet të pyesim cfarë mbetet nga ai fanatizëm antik në veprimet e kamikazëve të sotëm dhe nëse një legjendë e nisur shumë shekuj më parë është varrosur me të vërtetë në shkretëtirën mes Sirisë dhe Iranit. Me kalimin e shekujve, legjenda e asasinëve ka lënë një gjurmë, e cila largohet gjithnjë e më shumë prej gjurmëve të lëna në librat e historisë. Në të gjithë Lindjen janë të përhapur zëra dhe histori për sekte spiunësh, vrasësish profesionistë dhe terroristësh fanatikë. Legjenda që kanë ardhur nëpër shekuj të mbështjella nga një cohë fshehtësie. Forca e Asasinëve qëndronte pikërisht në aftësinë për t’u fshehur, për të kallur frikë nëpërmjet zërave dhe pëshpërimave, për të mbetur të pakapshëm.
Por fanatizmi, aftësia e krerëve për të manipuluar vullnetin e ndjekësve deri sa i shtyjnë drejt vetëvrasjes për të realizuar misionin, ka mbërritur deri tek ne. Nuk duhet përjashtuar që terrorizmi modern islamik, i lindur edhe mes sekteve më të papërkulur të vahabitëve, ka gjurmë edhe të këtyre traditave të lashta. Ndryshojnë armët, jo strategjitë./bota.al