“Makartizmi” ka ardhur në Turqi"
Mustafa Akyol* Për disa muaj, Turqia ka qenë e mbërthyer nga një luftë civile. Polemika më e fundit buron prej ekspozimit sistematik në inte...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/makartizmi-ka-ardhur-ne-turqi.html
Mustafa Akyol*
Për disa muaj, Turqia ka qenë e mbërthyer nga një luftë civile. Polemika më e fundit buron prej ekspozimit sistematik në internet të një serie bisedash telefonike të rregjistruara mes Kryeministrit, Rexhep Taip Erdogan dhe pjesëtarëve të rrethit të tij të ngushtë. Rregjistrimet u përhapën me shpejtësinë e erës dhe u konfirmuan miliona turqve, se zërat që kishin dëgjuar për ndërhyrjen e qeverisë në media dhe gjyqësor ishin të vërtetë.
Në një prej bashkëbisedimeve të rregjistruar, Erdogani i telefononte Fatih Saracit, një drejtues i Haberturkut, ndër kanalet televizivë më popullorë, për ta kritikuar për faktin që kishte transmetuar mendimet kritikë të një udhëheqësi të opozitës. Saraci, një njeri i besuar i Erdoganit që krejt papritur u bë drejtor i Haberturk në 2012, i kërkoi falje Kryeministrit, duke i thënë: “Po zotëri, do ta heq për dy minuta, zotëri”. Më pas, ai bëri shpejt e shpejt një telefonatë, për t’u thënë vartësve që ta hiqnin nga transmetimi. Në një tjetër telefonatë, Erdogani pyeste Saracin për një lajm tek Haberturku që kritikonte reformat shëndetësore të qeverisë. Gazetari dhe redaktori përgjegjës për lajmin u pushuan shumë shpejt nga puna.
Në një tjetër bisedë të rregjistruar, Erdogani dëgjohej tek i kërkonte ministrit të tij të Drejtësisë që të siguronte një dënim të rëndë kundër Aydin Doganit, një bos i pabindur i medias që përballej me akuza për evazion fiskal. Ministri i Drejtësisë iu përgjigj se fatkeqësisht gjykatësi që ka cështjen nuk mund të kontrollohej sepse ishte një alavit – një minoritet fetar që është kundër qeverisë së dominuar prej sunnitëve.
Më tronditës është fakti që Erdogani ka konfirmuar hapur vërtetësinë e shumë prej bisedave (ai mohoi vetëm njërën mes tij dhe të birit ku flisnin për një shumë të madhe parash të vendosur në apartamentin e djalit).
Në një konferencë për shtyp, Erdogani pranoi se i kishte telefonuar drejtuesve të Haberturkut për t’u thënë që të mos publikojnë “fyerje” kundër tij. “Duhet t’u japim mësime”, tha ai duke iu referuar medias. Në lidhje me përpjekjen e tij për të ndërhyrë në cështjen e Doganit, Erdogani edhe një herë tha, pa kërkuar falje: “E cfarë mund të ketë më të natyrshme se kjo? Më duhet ta kërkoja këtë gjë në emër të vendit dhe kombit tim”.
Të gjithë këto konfirmuan që, pasi kaq shumë vitesh në pushtet, sistemi që krijoi Erdogani është një shembull për libra shkollorë i demokracisë joliberale – një sistem ku sundimtari vjen në pushtet përmes zjedhjeve, por nuk i bindet sundimit të ligjit dhe tregon pak respekt për të liritë qytetare. Eshtë shumë më i ngjashëm me Rusinë e Vladimir V. Putinit, se sa demokracitë liberale të Europës Perëndimore, me të cilat Turqia shpreson të matet.
E megjithatë, ky nuk duket se është problem për shumë votues turq. Surprizat janë gjithmonë të mundshme, por sondazhet tregojnë që Erdogani është ende popullor dhe Partia e tij për Drejtësi dhe Zhvillim, e njohur si AKP, nuk do të pësojë humbje dramatike në zgjedhjet lokale të 30 majit. Ndonëse është votë për bashkitë, Erdogani e ka quajtur si test për popullaritetin e tij.
Arsyeja kryesore për jetëgjatësinë mbresëlënëse politike të Erdoganit përballë protestave dhe investigimeve është se shumica e votuesve turq nuk duan t’ia dijnë për autoritarizmin e tij apo për korrupsionin e partisë, sa kohë që ekonomia ecën mirë. Vec kësaj, shumica e konservatorëve fetarë e mbështesin për refleks, thjeshtë sepse ndajnë botëkuptimin dhe ideologjinë e tij. Së fundi, Erdogani ka qenë i suksesshëm edhe në galvanizimin e bazës, përmes strategjisë “sulmi është mbrojtja më e mirë”. Ai argumenton se të gjithë bisedat e rregjistruara, si dhe një hetim i mëhershëm për korrupsion që kish në shënjestër disa prej ministrave të tij dhe të birin, janë në fakt një “komplot për grusht shteti” kundër qeverisë së zgjedhur që ai kryeson.
“Grusht shteti” është një mbivlerësim, por Erdogani ka një farë të drejte. Vetë ekzistenca e rregjistrimeve konfirmon që ka një përpjekje për të vënë në siklet qeverinë e tij. Dikush ka rregjistruar Kryeministrin dhe rrethin e tij të ngushtë (bashkë me mijëra të tjerë) duke i arkivuar këto rregjistrime dhe duke i hedhur në internet për konsum publik.
Për Erdoganin dhe shumë të tjerë në Turqi, ky dikushi është shumë i qartë. “Shteti paralel” që supozohet të jetë krijuar brenda policisë dhe degëve të tjera kyce të burokracisë, nga ndjekësit fetarë të Fethullah Gulen, një predikues i moderuar Islamik që jeton në Pensilvani.
Prandaj Erdogani gjatë muajve të fundit ka dënuar vazhdimisht “shtetin paralel”, ka riemëruar mijëra policë si dhe ka penguar punën e prokurorëve që nisën hetimin për korrupsion kundër tij. Ai e ka përshkruar “shtetin paralel” jo si një rival të brendshëm, por si një kolonë të pestë të “fuqive të huaja” që sipas tij duan të dobësojnë Turqinë. (Media pro Erdoganit i quan fuqitë e huaja si “lobi i normave të interesit”, “neokonservatorët” dhe “Sionizmi”).
Ai ka shkuar aq larg sa të kërkojë ndihmën e ushtrisë, një institucion që qeveria e tij e ka lënë sistematikisht mënjanë gjatë dekadës së fundit. Këshilltarë të Erdoganit deklaruan ditët e fundit se spastrimet e zgjeruar në ushtri janë kryer nga “shteti paralel” tradhëtar, dhe Parlamenti miratoi një ligj që lironte dhjetëra të burgosur, përfshirë ish shefin e shtabit, Gjeneralin Ilker Basbug, të cilët ishin në burg nën akuzat e formimit të juntave ushtarake.
Në 30 mars, Erdogani shpreson të fitojë një tjetër mandat të fortë dhe të nisë një spastrim më të gjerë të kundërshtarëve politikë, gjë që fare mirë mund të kthehet në një gjueti Makartiste shtrigash.
Ai ka deklaruar se lufta e tij kundër “shtetit paralel” është në fakt lufta e “dytë e Turqisë për clirim” – pas të parës që Mustafa Qemal Ataturku luftoi 90 vjet më parë kundër ushtrive të huaja pushtuese. Fatkeqësisht, nëse shumë votues e pranojnë këtë deklaratë të Kryeminsitrit në mesin e një “beteje të tillë hsitorike”, ankesat e liberalëve për mungesën e sundimit të ligjit apo të drejtave e lirive civile do të injorohen si thjeshtë vogëlsira, ose do të quhen jopatriotike. (NYT)/bota.al
* MUSTAFA AKYOL është autor i “Islami pa ekstreme: Një argument mysliman për lirinë”