ENIGMAT E MH 370 / Arratia. Pilotët. Dy korridorët. Sinjalizimet e cuditshëm. Rrëzimi. Misteri Afrikan
Ka fluturuar deri në orën 8.11 të të shtunës, 8 mars, më shumë se 7 orë pasi kishin humbur kontaktet me kullën e kontrollit të Kuala Lumpuri...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/03/enigmat-e-mh-370-arratia-pilotet-dy.html
Ka fluturuar deri në orën 8.11 të të shtunës, 8 mars, më shumë se 7 orë pasi kishin humbur kontaktet me kullën e kontrollit të Kuala Lumpurit, Boeingu 777-200 i Malaysia Airlines. Pas një javë me thashetheme, lajme të vërtetë dhe falsë, heshtje, përgënjeshtrime dhe dëshpërim, kryeministri malajzian ka pranuar se fluturimi MH370 nuk mbërriti në Pekin “për shkak të veprimeve të qëllimshëm të dikujt që ishte në avion”. Por, ata që e rrëmbyen përfunduan në fund të detit, apo kanë arritur të fshihen në ndonjë pistë fati?
Detaje
Në orën 1.07, më pak se një orë pas ngritjes, një dorë e panjohur ka fikur transponderin ACARS-në, aparati me të cilin avioni mban kontaktet me stacionet në tokë. 14 minuta më vonë, ka qenë radha e transponderit që lëshon sinjale identifikimi. Dy ngjarje jo të njëkohëshme, pra nuk kanë ndodhur prej ndonjë aksidenti të papritur, thonë analistët. Për ditë të tëra u kërkua përgjatë brigjeve vietnamezë. Më pas, një burim i shërbimeve të fshehtë i tha shtypit amerikan se motorrët Rolls Royce të Boeingut kanë vazhduar të lëshojnë “blip”-e e përdorur nga ndërtuesi për të verifikuar funksionimin, jo për të kontrolluar pozicionin. Tani vjen lajmërimi që një satelit e ka pikasur Boeingun deri në orën 8.1. Përvec kërkimeve për avionin, po investigohet edhe për pirateri e terrorizëm, po studiohen profilët e ekuipazhit dhe pasagjerëve.
Arrati nëpër natë
Të dhënat satelitore thonë se fluturimi MH370 ka ndryshuar disa herë drejtim dhe lartësi në mënyrë dramatike dhe jo rastësore. Kontrollorët malajzianë kishin thënë se e kishin humbur kur ishte 35 mijë këmbë lartësi, kuota normale. Por tani zbulohet se menjëjerë më pas kishte shkuar në 45 mijë këmbë (13700 metra), mbi limitin e miratuar për Boeingun 777, duke marrë një kthesë drejt perëndimit. Më vonë rishfaqet në 23 mijë këmbë (7 mijë metra) nën kuotën sipas rregullores, përpara se të ringrihej dhe drejtohej për në veriperëndim, mbi Gjirin e Malakës, drejt Oqeanit Indian. “Dikush që bën kësi manovrash përpiqet të fshehë pozicionin e tij”, thonë burimet nga shërbimet e fshehtë. Po kush? Ekspertë të pilotazhit.
Pilotët
Në komandë ishin dy pilotë shumë të përgatitur. Kapiteni, Zaharie Ahmad Shah, 53 vjec ndër të cilët 30 të kaluar tek Malaysia Airlines, kishte 18365 orë fluturim dhe ishte aq i apasionuar pas punës së tij, saqë kish ndërtuar një simulator fluturimi në shtëpi. Bashkëpiloti, Fariq Abdul Hamid, 27 vjec, sapo ishte kualifikuar për Boeingun 777 pasi kish akumuluar 2763 orë në avionë të tjerë. Ishte duke u martuar, thotë imami i xhamisë që frekuentonte në Kuala Lumpur dhe e mban mend si “një djalë të mirë, një mysliman i mirë dhe i qetë”. Megjithatë, ka një farë dyshimi për aftësitë profesionale të Tariq: një pasagjere afrikanojugore ka thënë se në vitin 2011, oficeri e kishte ftuar në kabinë së bashku me një shoqen e saj, gjatë një fluturimi nga Fukeja në Kuala Lumpur. “Qeshëm, pimë duhan dhe flirtuam”, ka thënë vajza që ka treguar edhe fotografi që ishin bërë në kabinë. Tani kryeministri malajzian thotë se duhet investiguar me më shumë vëmendje ekuipazhi dhe pasagjerët dhe policia ka bërë një vizitë në shtëpitë e pilotëve.
Dy korridorët
Hartat, të ripara pas zbulimit se Boeingu ka fluturuar mbi shtatë orë pas ndërrimit të drejtimit, evidentojnë një rreze kërkimesh shumë të madhe përgjatë dy korridorëve: në veri deri në Kazakistan dhe Turkmenistan duke nisur nga Tailanda, në jug mes Indonezisë dhe jugut të Oqeanit indian. Burimet malajziane kanë folur për një zonë në kufirin mes “Kirgistanit dhe Kinës”. Korridori në veri përshkon ose prek disa prej zonave më të militarizuara dhe të paqëndrueshme të botës, të kontrolluar nga guerrilje të ndryshme. Por janë edhe rajone me përqëndrim shumë të lartë ushtarak, me sisteme eficientë të mbrojtjes ajrore, që nga India, Pakistani, e deri tek Irani dhe Afganistani.
Sinjalizime të cuditshëm
Mëngjesin e të shtunës, 8 mars, ishin përhapur zëra sipas të cilëve Boeingu kishte zbritur për emergjencë në Vietnam. Tony Fernandes, drejtor i përgjithshëm i AirAsia kishte shkruajtur në Tëitter se radio në bord kish patur një problem, por që të gjithë ishin shëndoshë e mirë. Informacioni ishte përgënjeshtruar menjëherë nga Malaysia Airlines dhe mesazhi ishte fshirë menjëherë. Më pas, një tjetër sinjalizim. Ulje emergjence në Nanning, në Kinë, sërish e përgënjeshtruar. Por tani, dikush shpreson që në një farë mënyre Boeingu të mos ketë përfunduar në fund të oqeanit.
Pista në ishuj
Në det nuk gjenden mbetje të avionit. Pra, në teori mund të jetë rrëzuar në një prej xhunglave të hsumta të zonës, ose të jetë ulur normalisht. Ron Carr, me 40 vite përvojë në aeronautikën ushtarake dhe më pas civile në SHBA, dhe tani docent në universitetin e Floridës, ka thënë se “ka shumë fusha aviacioni të braktisura pas Luftës së Dytë Botërore atje, dhe në këtë pikë nuk mund të përjashtosh që avioni MH370 ka arritur të ulet ose që ka provuar”.
Hipoteza e rrëzimit
Nuk përjashtohet që pasi është pikasur avioni “i heshtur”, të jetë vendosur të interceptohet dhe rrëzuar për të shmangur një tjetër 11 shtator. Chen Cheng, drejtor i kanalit kinez të aviacionit Sina.com ka deklaruar për Xinhua: “Përgjithësisht nëse zbulohet një avion i paidentifikuar, dërgohet një gjuajtës, por pa urdhërin për të goditur direkt”. E drejtë, por është po aq e vërtetë që askush nuk ka nxitim dhe dëshirë t’i deklarojë botës “që u detyruam ta ndalim me një raketë”. Lista e atyre që mund të kenë urdhëruar veprimin drastik është po aq e gjatë sa rruga e përshkuar nga Boeingu 777.
Plani
Eshtë një akt terrorizmi? Amerikanët, që dinë shumë, e konsiderojnë një prej versioneve, malajzianët flasin vetëm për “veprim të qëllimshëm”. Megjithatë, është misterioz fundi i operacionit. Ditët e kaluara ishte vlerësuar mundësia që në shënjestër të kishin qenë Kullat Binjake Petronas në Kuala Lumpur, por avioni, sipas burimeve, ishte larguar menjëherë drejt perëndimit. Apo Boeingu duhej (ose duhet) të shërbejë për një manovër të befasishme, të përgatitur prej kohësh? Dhe kjo do të shpjegonte mungesën e dikujt që të marrë përsipër. Pastaj ka një datë historike që të con sërish në Kuala Lumpur. Pikërisht në 5 janar 2000. Për disa ditë, Navaf al Hazmi dhe Khalid al Midhar, dy prej kamikazëve të ardhshëm të 11 shtatorit morën pjesë në një takim me disa eksponentë të al Kaedës pikërisht për të përcaktuar misionet e ardhshëm.
Misteri afrikan
Në historinë e vonë të aviacionit janë rregjistruar raste misteriozë. I pari është rrëmbimi në 1996 i një avioni etiopian që përfundoi më pas në det sepse i kish mbaruar karburanti. Piratët donin të shkonin në Australi. Pastaj rasti i Helios, Boeingu 737 që përfundoi në Athinë pasi pilotët ishin trembur nga rrjedhja e një gazi për shkak të një avarie. Në fund historia më intriguese. Ajo e një Boeingu 727 që u rrëmbye në pistën e Luandës në Angola, në vitin 2003 nga Ben Charles Padilla. Nuk u gjet asnjëherë. Motra e pilotit ka thënë gjithmonë se avioni mund të ketë përfunduar në ndonjë pyll të Afrikës. E vetmja siguri: shërbimet e fshehtë të vendeve të përfshirë kanë zbuluar shumë më pak nga sa dijnë. Ishin 154 pasagjerë kinezë në bord. Dje natën, në Pekin të afërmit kanë filluar të shpresojnë që të jenë rrëmbyer: një ëndërr e dëshpëruar./bota.al