Ku po shkon Turqia?

Denion Meidani  Një histori, sa e rëndësishme, po aq alarmante, po zhvillohet aktualisht në Turqi. Në qendër të saj qëndron fati i kryeminis...

Denion Meidani

 Një histori, sa e rëndësishme, po aq alarmante, po zhvillohet aktualisht në Turqi. Në qendër të saj qëndron fati i kryeministrit turk Rexhep Tajip Erdogan, që për një dekadë ka mbizotëruar skenën politike turke. Në krye të qeverisë, ai ka ndikuar jo pak në rajonin përreth dhe më gjerë. Por, pyetja që shtrohet sot është: a po i vjen fundi autoritarizmit të tij në drejtimin e shtetit turk? Akoma është e paqartë, por Erdogani pasi monopolizoi pushtetin në Turqi, futi gjithçka nën influencën dhe komandën e tij. Deri vonë, vetë Erdogani ka menduar se asgjë më s’do ta pengonte atë në akumulimin e të gjithë pushteteve. Ai, si Phaethon në mitologjinë greke, kishte bindjen se mund ta drejtonte karron e Apolonit me diellin në të; por, në fakt, nga gabimet e bëra, mund të digjet po si ky “çuni” i diellit, që duke drejtuar karron, provokoi në tokë herë flakë e djegie, herë akull e ngrirje, herë përmbytje, aq sa Zeusi e shkrumboi atë me një rrufe…
 Një mega-skandal korrupsioni
Muajt e fundit, në media janë ekspozuar mori historish të rënda korrupsioni në Turqi. Ato po e formatojnë skenën politike atje. Në këto skandale janë përfshirë zyrtarë të lartë të AKP-së (partisë së Erdoganit), ministra të saj e familjarë të tyre, por po akuzohet edhe vetë Erdogani e djali i tij për përzierje në afera të pista. Edhe pse mega-skandali i fundit ishte tepër tronditës, reagimi i Erdoganit ka qenë akoma më arrogant por dhe tepër shqetësues, në të njëjtën kohë. Në kuadër të përpjekjeve për të rezistuar me zor, fatkeqësisht ai e ka thelluar synimin për instalimin e një sistemi autokratik tepër kërcënues për vetë thelbin e demokracisë turke. Për më tepër, me lëvizjet që po kryen Erdogani po dëshmon një vendosmëri të qartë në prekjen e parimeve demokratike të ndarjes së pushteteve dhe të kontroll – balancimit të  tyre. Në një mënyrë apo tjetrën ai po synon të dobësojë, deri të zhdukë disa institucione demokratike të vendit, pavarësisht protestave të brendshme dhe kritikave ndërkombëtare në rritje. Turqia, që duhej të shërbente si model për vlerat demokratike në rajon, sot po rrezikon të kthehet si shumë nga fqinjët e saj në një regjim të shformuar të drejtuar nga një lider i fortë, që nuk shfaq as pretendimin më të vogël për të qenë demokrat. Ndërkohë, për ironi, qeveria turke atë që po ndodh sot e quan njëgrusht shteti të gulenistëve ndaj demokracisë e shtetit turk, dhe reformat autokratike si të justifikuara me synimin e goditjes dhe eliminimit të rrjetit gulenist (të Fethullah Gulenit), të infiltruar, sipas erdoganistëve, në çdo qelizë të shtetit.
Disa masa shtrënguese antidemokratike
Ndryshimet në kabinetin e Erdoganit, largimi nga puna i më shumë se 1000 policëve të përfshirë në hetimet për aferat qeveritare të korrupsionit, i mjaft drejtuesve në zyra kyçe në Stamboll, Ankara, Izmir e qytete të tjera; pushimi nga puna i Prokurorit të Përgjithshëm dhe i prokurorëve të tjerë të këtij hetimi, përfshirë dhe prokurorin që lëshoi urdhrin e arrestit për djalin e Erdoganit, ishin vetëm një pjesë e masave të ndërmarra. Por, Erdogani nuk u mjaftua me kaq; ai shkriu njësinë e hetimit të korrupsionit në Ministrinë e Thesarit si dhe filloi një gjueti shtrigash brenda AKP-së e radhëve të deputetëve të saj, të cilët kishin guxuar ta kritikonin për këto masa represive dhe kërkonin transparencë.
Në fakt, që në ditët e para të ardhjes në pushtet, strategjia e Erdoganit ka qenë kundër ndarjes së pushteteve. Ai ndërhynte edhe aty ku nuk i takonte në funksion të akumulimit të një pushteti gjithnjë më të madh në duart e tij. Edhe para skandalit, ai ishte përpjekur që të godiste në çdo rast pushtetin gjyqësor dhe pavarësinë e tij, sidomos kur vendimet e dhëna ishin kundër interesave e pikëpamjeve të tij, që nga privatizimet deri tek amendamentet kushtetuese. Tashmë, duke reaguar ndaj skandalit, ai, me forcën e kartonëve, e shtoi presionin për nënshtrimin e presidentit të vendit dhe hartoi një legjislacion që i rriti kompetencat e ekzekutivit mbi pushtetin gjyqësor dhe prokurorinë. Për më tepër, qeveria e Erdoganit ka miratuar masa drastike, që kufizojnë marrjen e informacionit mbi hetimin e këtij mega-skandali. Me udhëzim të veçantë porta e drejtorisë së policisë së Stambollit është e mbyllur për gazetarët dhe këdo që kërkon informacionin e duhur. Po ashtu, çdo oficer policie është i detyruar të informojë Ankaranë zyrtare para se të fillojë një hetim kriminal, një nonsens ky i denjë për një republikë bananesh! U arrit deri aty, që në vrazhdën e “reformave” të tilla post skandal, të formuloheshin një serë masash e ligjesh për censurimin e Internetit në vend. Po ashtu, po përdoret në vazhdimësi trysnia, kërcënimi e frika për të mbyllur gojën e gazetarëve. Madje,  për të dytin vit, Turqia ka numrin më të madh të gazetarëve të burgosur, duke ia kaluar (sipas Komitetit Botëror për Mbrojtjen e Gazetarëve) Rusisë, Kinës, Ukrainës, deri Sirisë e Iranit. Kjo sjellje e Erdoganit e ka larguar së tepërmi Turqinë nga aspiratat e popullit turk dhe nga procesi i integrimit në BE. Është ironike po të mendosh që në vitet e para të qeverisjes së tij, Erdogani ka bërë më shumë se çdo qeveri tjetër për të nxitur anëtarësimin e vendit në BE, deri duke bërë të mundur, në vitin 2005, hapjen e negociatave të anëtarësimit. Pra, gjatë asaj kohe ai e mbështeti fuqishëm këtë proces, duke e përdorur atë edhe si kartë për të thyer dominimin e fuqishëm të ushtrisë në skenën politike turke. Por, që nga ajo kohë, marrëdhëniet me BE-në kanë ardhur duke u përkeqësuar, veçanërisht pas referendumit kushtetues (2010), që kishte si qellim fuqizimin e mëtejshëm të pushtetit të tij. Agresiviteti i këtij pushteti u pa qartë gjatë shtypjes brutale të protestave në Gezi Park, në maj 2013. Edhe më parë, nga analistë të politikës janë shfaqur dyshime mbi përpjekjet e Erdoganit për procesin e integrimit në BE. Sipas tyre, ai nuk e donte futjen e Turqisë në BE, duke e quajtur këtë organizim një projekt të dështuar. Dëshira e tij, në fakt, ishte për të krijuar, sipas modelit oruellian, një  perandori të re që do të mund të rivalizonte Amerikën e Kinën. Kjo linjë u bë më evidente kohët e fundit, kur Erdogani i kërkoi presidentit Putin futjen e Turqisë si anëtare në Organizatën për Bashkëpunim të Shangait.

Turqia është larg të qenit një model për rajonin
SHBA dhe BE janë përpjekur, për shumë kohë, që të jepnin idenë e një Turqie – histori suksesi në Lindjen e Mesme, pra të një Turqie që do të shërbente si model për rajonin. Pra, për të dëshmuar se që një demokraci e stilit perëndimor me ndarje pushteti dhe kontroll-balancim të tij mund të lulëzonte dhe të sillte prosperitet e stabilitet në vendet e rajonit. Në fakt, këto “dëshira” tashmë janë zbehur jo pak, përfshirë dhe shpresën e një Turqie – shembull për vendet e pas konfliktit të Pranverës Arabe apo për ato në tranzicion në Azi e Kaukaz. Sot, deri diku, Turqia i ngjason më shumë Egjiptit të Mubarakut sesa një vendi aspirant për t’u anëtarësuar në BE. Po ashtu, Turqia e Erdoganit  i është kundërvënë klasës së mesme, të edukuar dhe sekulare në të gjithë Lindjes Mesme. Ajo mbështeti Morsin në 2013 apo grupet rebele fundamentaliste në Siri. Shqetësues ishte dhe orkestrimi i hetimeve hakmarrëse ndaj grupeve liberale të biznesit…
Parë me këtë sy, pozicioni dhe roli ndërkombëtar i Turqisë është tashmë në udhëkryq. Në favor të Erdoganit, por edhe për të keqen e Turqisë, me gjithë protestën popullore e kritikën e fortë ndërkombëtare, në Turqi nuk ka akoma sot një opozitë të mirë-organizuar, të aftë për t’u përballur me pushtetin autokratik të Erdoganit. As dhe protestat masive të verës së kaluar nuk arritën të kanalizoheshin në një rrymë të qartë politike. Por, as dhe kemalistët e CHP me grupime të tjera politike si partia pro kurde BDP nuk krijuan dot një koalicion të përbashkët. Ato nuk arritën dot as dhe një marrëveshje të thjeshtë xhentëlmenësh për zgjedhjet lokale e ardhshme. Për më tepër, nuk ka shenja që, së shpejti, të lindë apo të krijohet ndonjë formacion i ri opozitar. Në skenarin më optimist, shpresa mbetet tek fronti opozitar që po krijohet brenda vetë AKP, i cili duke u ndarë dhe bashkuar me opozitën mund të bëhet një pikë e fortë kondensimi. Veçse historia politike e Turqisë moderne nuk ofron shpesh shembuj politikanësh e partish me kurajën e nevojshme dhe kapacitetin e domosdoshëm të kompromisit.
Por, a është Turqia një histori suksesi në një këndvështrim ekonomik?
Turqia, duke u krahasuar me mjaft vende të tjera gjatë krizës globale, mund të konsiderohet në një këndvështrim të ngurtë ekonomik si një histori suksesi. Në fakt, që me ardhjen e Erdoganit në pushtet PBB-ja (GDP) është rritur mesatarisht çdo vit me 5%. Investimet e huaja të drejtpërdrejta (FDI) janë rritur në mënyrë të dukshme. Inflacioni ka qenë i ulët dhe sektori bankar i konsoliduar. Klasa e mesme turke ka parë një rritje serioze të bazës së saj si asnjëherë më parë. Programi simulues i Rezervës Federale, që furnizoi tregjet financiare ndërkombëtare me dhjetëra miliardë dollarë në çdo muaj, futi ekonominë turke, të bazuar tek dollari, në një erë të re zhvillimi. Investimet afat shkurtra, të stimuluara nga ky program, aplikimi i interesave të ulëta të kreditimit dhe rritja e konsumit, bëri që PBB-ja të arrinte vlerën 9% në periudhën 2010-2011, para se të binte në vitet pasues në nivelin 2.2% (në 2012) dhe 3% (në 2013). Po pse kjo rënie? Në fakt, skandalet e shumta, konfliktet e ndryshme e mjaft ligje jo demokratike dhanë efektin e tyre mbi ekonominë dhe lirën turke. Madje, nëse ndodh lëvizja logjike e radhës -ajo e largimit të investitorëve të mëdhenj apo e pezullimit të investimeve të tyre- do të shtohen shanset që vendi të shkojë drejt recesionit.
Sipas Brookings Institution, nga hetimet po rezulton ajo që shumë njerëz brenda e jashtë Turqisë dyshonin se po ndodhte – kompanitë afër Erdoganit kanë përfituar nga projektet e mëdha të zhvillimit duke lënë pak hapësirë për të tjerët, aq më pak për drejtësi e barazi. Nga ana tjetër, vazhdimësia e efektit rënës në ekonomi lidhet edhe me perceptimin mbi ndryshimet e sotme që po eliminojnë ndarjen e pushteteve dhe po prekin të drejtat e liritë në vend, duke cenuar kështu edhe klimën e bërjes biznes në Turqi. Kjo e ul gatishmërinë për investime në një klimë të tillë. Për më tepër, probleme e mësipërme janë gjeneruar në kohën më të keqe për ekonominë turke, pikërisht në momentin kur Rezerva Federale ka vendosur të tërhiqet nga programi i saj stimulues dhe të reduktojë ndjeshëm blerjen e bondeve, duke e parë një gjë të tillë si të panevojshme për ekonominë e rimëkëmbur amerikane. Ky vendim, ndër të tjera, do të sjellë rritje në vlerën e dollarit amerikan dhe atë te interesave bankare në SHBA, duke tërhequr kështu investitorët dhe investimet në SHBA. Pritet që efektet e tij të ndjehen dukshëm në Turqi, ku është përfituar së tepërmi nga ai program; sidomos tani kur ekonomia turke është më vulnerabël dhe varet shumë nga huazimi i parasë nga jashtë. Pra, me mbylljen e këtij programi do të “thahet” edhe kapitali që po rridhte në Turqi, duke lënë pas një ekonomi të varur prej kredive të lira dhe një llogari deficiti prej mbi 60 miliardë dollarësh. Bizneset dhe konsumatorët që kanë marrë kredi në valutë papritur do të jenë para një mali me borxhe. Po ashtu, në fund të vitit 2013, volumi i kredive bankare e ka kaluar vlerën prej 450 miliardë dollarë (një rritje dyfish që nga 2010), ndërkohë që kursimet kanë arritur në nivelin më të ulët në 30 vitet e fundit. Edhe fitimet e kësaj periudhe kanë shkuar më së shumti në duar të gabuara apo janë keq shpenzuar duke shkelur ligjësitë bazë të ekonomisë së tregut (p.sh., projektet masive në infrastrukturë.) Nga ana tjetër, në këto 10 vitet e fundit, reformat strukturale në mbështetje të ekonomisë kanë mbetur relativisht prapa, diku dhe kanë dështuar. Edhe popullsia në rritje e Turqisë, që ka qenë një avantazh ekonomik tradicional i saj, nuk rezulton më e tillë; madje, Turqia, sipas statistikave, shkollimin mesatar të moshës 25 vjeçare e ka afro 6.5 vjet, duke mbetur shumë prapa në listën e 187 vendeve anëtare të OKB-së, sipas Indeksit të Zhvillimit Njerëzor (HDI) për vitin 2013. Një tjetër numër jo i favorshëm është dhe ai i përqindjes së pjesëmarrjes së gruas (29%) në forcën e punës në këtë vend.
Në fakt, FMN-ja, që në vitin 2011, pati paralajmëruar se pa reforma në edukim e punësim, pa respektimin e barazisë gjinore, pa investime në teknologji dhe pa përmirësim të klimës biznesit, Turqia do ta kishte të vështirë një rritje të PBB-së mbi 3 %. Një shqetësim të ngjashëm ka shfaqur edhe M. Yilmaz, kryetari i Dhomës së Tregtisë. Sipas tij, Turqia ka hyrë në ujëra të rrezikshme. Për të, ndikimi i ligjit nuk është më aq absolut dhe i pavarur, madje mekanizmat e drejtësisë kanë pushuar së funksionuari sipas normave evropiane, kurse pavarësia e institucioneve rregullatore është dëmtuar rëndë. Ai ngriti, po ashtu, zërin për presionet e ushtruara ndaj biznesit dhe medias, për gjobitjet e ndëshkimet nga autoritetet financiare e policore, ndryshimet e papritura në procedurat e prokurimit publik, etj. Sipas tij, një klimë e tillë biznesi është e papranueshme, sidomos për tërheqjen e investimeve të huaja. Por, për fat të keq, shqetësime të tilla u pagëzuan nga Erdogani si “tradhti” apo si pohime “tradhtarësh” të Turqisë.
Në të vërtetë, me ç’ shihet sot, Erdogano-ekonomia (Erdonomics) po e mbyll me dështim ciklin e saj të suksesitAjo ka nevojë për rregullime të shpejta strukturore, krahas rikthimit të ideve kemaliste dhe rikthimit të frymëmarrjes demokratike.   
 Përplasja Erdogan- Gulen
Për shumë analistë, rrënjët e orientimit politik të kryeministrit Rexhep Tajip Ergodan gjenden tek lëvizja transnacionale e Vëllazërisë Myslimane (të themeluar ne Egjipt në 1928). Atyre u bashkëngjiten, në kohë, veprimet jo demokratike e autokratike të tij në krye të Turqisë. Ndërsa, në sjelljen politike të mendimtarit Fethullah Guleni mbizotëruese ka qenë në vite toleranca e kompromisi, fryma e bashkëveprimit të ndërsjellë, në respekt të plotë me civilizimet dhe fetë e tjera. Në ndryshim prej tij, për Erdoganin (një student i devotshëm e ndjekës i linjës ideologjike të Nexhmetin Erkabanit dhe tezave kryesore të manifestit të tij) Turqia duhet t’i largohet Perëndimit dhe të ndërtojë një aleancë politike, ekonomike e ushtarake me vendet me popullsi dhe gjuhë të afërt me atë turke. Bazuar në ide të tilla me orientim “neo-otoman”, fanatizmi e nacionalizmi turk duhet të ushqehet më tej si kundërvënie ndaj ideologjisë dhe demokracisë  perëndimore, gjë që ishte në kundërshtim të qartë me predikimet e Gulenit dhe orientimet pragmatiste të lëvizjes së tij. Kjo e fundit mbështet mendimin kritik si themel të dijes për besimin e zotit, madje e konsideron shkencën, veçanërisht matematikën, një nevojë e mjet të myslimanit të devotshëm në përmbushjen e detyrës së tij fetare e qytetare në shërbim të përmirësimit të gjendjes ekonomike të familjes e shoqërisë. Aty, feja merrte vlerë dhe luante rolin e saj të rëndësishëm në dialogun social.
 Disa gabime kritike të Erdoganit
Në qeverisjen e sotme të Erdoganit, Turqia është kthyer në një vend ku vatrat e pavarura të pushtetit, pasuria, influenca, pastërtia, ndershmëria e besnikëria ndodhen jo pak në rrezik. Ato përballen, sot, gjithnjë e më shpesh, me prirjen për uzurpim, nënshtrim, shtypje prej mekanizmave të administratës së drejtuar nga Erdogani. Madje, janë të zakonshme kërcënimi, përgjimi, shantazhi, gjobat, arrestimet, provat e fabrikuara, burgu, etj. Tashmë, skandalet e njëpasnjëshme dhe aferat e mëdha të korrupsionit, por dhe pakënaqësia popullore kanë marrë dhenë. Mesa duke ai e ka humbur statusin dhe aurorën e tij. Erdogani po bën gabim mbas gabimi e llogaritje të nxituara, në vazhdimësi. Në sytë e popullit, ai po shfaqet si një lider tashmë relativisht i izoluar, tepër autoritar, aspak njerëzor, bile që rrezaton panik e frikë. Po ashtu, për herë të parë, ai po shfaq shenja dobësie elektorale. Erdogani si kryeministër, përveç një sjellje politike megalomane, në goditje të demokracisë dhe shkeljes së parimit të ndarjes së pushteteve, ka bërë dhe një gabim tjetër kritik. Ai vendosi ta shtypë revoltën popullore, me sajesën e një konspiracioni të organizuar prej Gulenit dhe ithtarëve të tij. Për më tepër, ai dhe mbështetësit e tij në qeveri, media dhe gjetkë, filluan një sulm virulent kundër politikës së SHBA-së, BE-së, disa kompanive me peshë dhe medias më të fuqishme ndërkombëtare (si Financial TimesReutersCNN,Economist, etj.). Për Erdoganin, kushdo që nuk i bashkohet kësaj veprimtarie reaktive mund të konsiderohet si ushtar i të keqes, madje edhe mund të burgoset e dënohet. Nisur nga tendencat e tij autoritare, ai, me sa duket, nuk e ka kuptuar thellësinë e pakënaqësisë popullore, përfshirë dhe problemet ekonomike akute në Turqi. Por, ai beson se manovrat e tij autoritare e agresive do ta solidifikojnë bazën elektorale të partisë së tij për zgjedhjet e ardhshme. Më e keqja është se ai nuk e ka kuptuar akoma dëmin e madh, që i ka bërë imazhit të Turqisë në botë, sidomos me përplasjen e saj me një aleat strategjik si SHBA. Uashingtoni dhe kryeqytetet evropiane nuk i kanë gëlltitur dot akuzat e Erdoganit për rolin e tyre brenda një master-plani për rrëzimin e tij – të kësaj “pengese” të vetme për përfitime të tyre në kurriz të Turqisë dhe popullit turq.
A është Guleni  një shpëtimtar i Turqisë?
Për të mbuluar skandalet e fundit, Erdogani i çoi në “stratosferë” akuzat e tij ndaj ish-aleatit të vjetër, Gulenit. Ky i fundit, dikur një mbështetës i madh i tij, madje dhe një bashkudhëtar në rrugën drejt pushtetit, më vonë, nisur dhe nga zhvillimet e mëtejshme të ngjarjeve, iu kundërvu ashpër etjes së tepruar për pushtet apo mungesës së moralit të kryeministrit Erdogan. Sidomos, aleanca Erdogan- Gulen u dëmtua seriozisht kur, me zbythjen e influencës së ushtrisë turke në sferën politike turke, Erdogani e mbushi shpejt këtë “vakum”, duke synuar një akumulim në vazhdimësi të pushtetit prej tij. Kjo e shndërroi Gulen në një armik të vërtetë të pushtetit autoritar e autokratik të kryeministrit. Aq sa, në median amerikane, mjaft analistë e quajnë Gulenin një Martin Luther King të Turqisë. Sidoqoftë, përplasja midis këtyre dy burrave pritej që kohë më parë, aq më tepër që në sytë e analistëve perëndimorë ata shiheshin si rivalë politikë e ekonomikë.
Nga kjo përplasje, siç ndeshet dhe në mjaft tituj mediash ndërkombëtare, liberalizmi islamik ka marrë goditje serioze. Bile, duket sikur ai po përjeton sot një gjendje kome. Modeli islamik turk që përfaqësonte martesën e supozuar midis liberalizmit e islamit është duke u shembur nën peshën e vet. Dy komponentët qendrorë të këtij modeli, komuniteti Gulen dhe rrethi i Erdoganit janë duke i dhënë goditje fatale njëri tjetrit, pra dhe vetë këtij modeli.
Në fakt, çfarë e bën të veçantë islamizmin turk nuk ka qenë thjesht esenca e tij më liberale në krahasim me vatrat e tjera përreth, por forma e tij konvergjente në përplasjen e traditave islamike me përpjekjet pragmatiste për t’u bërë konkurrues në ekonominë globale. Në njëfarë mënyre, në Turqi, liberalizmi gjeti mishërimin e tij tek komuniteti Gulen duke e kthyer atë në një lëvizje të vërtetë popullore, madje dhe në një projekt socio-politik që mund ta transformonte vendin dhe të gjithë botën islame. Por, dukshëm kjo lëvizje që deri atëherë, në rastin më të mirë, mund të influenconte deri diku institucionet, arriti të mobilizonte vullnetin e popullit kur u bashkua me konservatorizmin e radikalizmin islam të Erdoganit dhe të partisë AKP. Veçse, lufta e lindur midis këtyre dy faktorëve vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë dhe mbijetesën e konvergjencës, për rrjedhojë vetë pragmatizmin e integrimit të shtresës myslimane me kapitalizmin global.
Edhe pse Erdogani e ka përdorur me tepricë retorikën politike islame, në fakt, është Guleni ai që është përpjekur të japë kontributin e tij si një intelektual në zhvillimin e shkollës islame moderne, që unifikon fenë me vlerat liberal- demokrate, racionalen, shkencën, ekonominë e tregut. Kurse, Erdogani dhe mbështetësit e tij duan ta pikturojnë lëvizjen fetare të Gulenit “Hizmet” (“Shërbimi”) si një lëvizje politike konspirative, si ndërtim shteti brenda shtetit. Madje, kjo lëvizje është për ta përgjegjëse për fabrikimin e skandaleve të korrupsionit dhe hetimet pasuese. Sot, Erdogani sheh tek çdo gjykatës, prokuror dhe polic, që ka hetuar e heton këto skandale, një gulenist të infiltruar në këto struktura pushteti. Këto akuza janë të vështira të materializohen, aq më tepër që lëvizja Hizmet përbëhet nga vullnetarë pa ndonjë anëtarësim formal, pa zyra qendrore e hierarki të brendshme. Kjo e bën  gati të pamundur deklarimin mbi përkatësinë e një punonjësi të shtetit në këtë lëvizje, por dhe e bën akoma më të vështirë mundësinë e organizimit të pjesëtarëve të kësaj lëvizje në një puç antishtet, siç dhe po akuzohen ata sot. Në rastin më të mirë, ata mund të konsiderohen si persona e organizime civile, që preferojnë e ndjekin mësimet e Gulenit, por jo pjesëtarë të ndonjë organizatë kulte, siç pretendon Erdogani me të vetët. Është e kuptueshme që një pjesë e mirë e biznesmenëve të rinj vendas, të lindur gjatë revolucionit kapitalist të disa dekadave më parë, i ka përqafuar mësimet e Gulenit sepse teologjia dhe mësimet e tij e konsiderojnë normale bashkëveprimin, të bërit biznes, dialogun dhe ndërveprimin, në kuadër të ekonomisë së tregut e institucioneve demokratike, midis njerëzve të besimeve fetare të ndryshme. Bile, që në vitet 60-të si predikues në një xhami, ai ishte kundër përdorimit të fesë si vegël për të akumuluar fuqi politike. Ai mbështeste plotësisht mësimin e shkencave moderne në shkollat islame, gjë që binte ndesh me predikimet e Vëllazërisë Myslimane në Lindjen e Mesme (për kontrollin e shtetit nga islami, mësimet bazike islame si jurisprudencë shtet-formuese). Pas arrestimit nga ushtria në 1970, me ndihmën e disa miqve të tij, ai hapi kurse private mbi përgatitjen e nxënësve për provimet e pranimit në universitete, kurse më vonë hapi shkolla të mesme e të larta, shtëpi botuese për materiale shkollore, etj. Madje, pas kërkimit të azilit politik në 1999, në ShBA, ai krijoi gradualisht një perandori financiare të mbështetur në një rrjet të gjerë shkollash e universitetesh. Sot, këto shkolla janë më shumë se 1500 dhe janë shtrirë në 120 vende të ndryshme, përfshirë këtu Shqipërinë, Austrinë, Amerikën, Indonezinë, Japoninë, Meksikën, etj.

Një aleancë e përkohshme: Dy konceptime të ndryshme
Në thelb, Guleni, që në fillim, ka promovuar demokracinë, tolerancën kulturore e fetare, ka ushqyer bindjen e çdo myslimani të devotshëm në mbështetje të ligjit, por dhe të kontribuuesit në transmetimin e ideve të mira në shërbim të së ardhmes. Vetë investimi i tij në institucionet shkollore e parashkollore private ka si themel promovimin e një shoqërie civile të pavarur, zhvillimin e mendimit racional dhe njohjen matematiko-natyrore. Nuk duket çudi pse Guleni dhe lëvizja e inspiruar prej tij, në vitin 2002, pa një aleat tek Erdogani dhe AKP-ja. Ata kërkonin, në atë kohë, më shumë liri ekonomike e fetare për Turqinë; për më tepër, ata, si dhe Guleni, e shihnin pushtetin ushtarak dhe elitat e vjetra si një pengesë për progresin e mëtejshëm demokratik e social-ekonomik të Turqisë. Por, me të fituar zgjedhjet, filloi në Turqi një gjueti shtrigash me futjen në burg, nëpërmjet proceseve gjyqësore të montuara, të mjaft ushtarakëve e biznesmenëve. Ka shumë zëra që thonë se maja e ushtës e fushatës disa vjeçare të AKP-së për të margjinalizuar e nënshtruar ushtrinë Turke ishin vetë gulenistët.
Sidoqoftë, për herë të parë në histori, ky bashkim solli ngritjen, fuqizimin dhe popullaritetin e interpretimit pragmatist, me orientim kapitalist të islamizmit. Ky islamizëm liberal jo vetëm që arriti të mundte rojën e vjetër sekulare, që ishte tashmë një partner jo i preferuar i Perëndimit, por dhe të margjinalizonte mjaft interpretime të padëshiruara ekstremiste të islamit duke e futur në të njëjtën kohë vendin në shinat e zhvillimit e rritjes së qëndrueshme. Ai e rriti fort edhe ndikimin e Turqisë në sferat diplomatike e ushtarake. Modeli u duk premtues dhe SHBA e BE kërkonin ta eksportonin atë në pjesën tjetër të botës myslimane, duke e menduar si një ilaç ndaj “islamizmin revolucionar” të Iranit apo atit të dhunshëm të al-Qaeda. Gazetat e mëdha si New York TimesEconomistLe Monde, në unison ngrinin në qiell këtë mrekulli turke.
Por, ky model e kjo aleancë nuk mund të zgjaste për një kohë të gjatë. Midis dy faktorëve kishte filluar me kohë përplasja për ndarjen e pushtetit e “plaçkës së luftës”, por dhe për qëndrimin ndaj çështjes kurde. Ndërkohë, në rrethet e Erdoganit, po ringjalleshin temat e dikurshme islamiste, në veçanti ideja e krijimit të një shteti islamik. Pse ndodhi kjo ringjallje? Mbas pranverës arabe, AKP-ja ishte tepër e destabilizuar dhe e dyzuar nëse duhet të vazhdonte në rrugën e nisur, sidomos pas problemeve ekonomike të vitit 2009, aq më tepër që edhe sforcimet e përplasjet brenda saj ishin të mëdha. Baza e partisë që mbështeste rritjen ekonomike  filloi të lëkundej kur një pjesë e partisë me në krye Erdoganin kërkoi rikthimin e temave të islamizmit e nacionalizmit në funksion të pushtetit vetjak, por dhe për të justifikuar ndërhyrjen e Turqisë në vendet e Pranverës Arabe. Për më tepër, për Erdoganin, si nxënës i devotshëm i Erbakanit (që ka përfaqësuar lëvizjen anti-perëndimore kundër demokracisë dhe ekonomisë së tregut), Turqia duhet t’i largohet Perëndimit dhe të lidhë një aleancë politike, ekonomike dhe ushtarake me vendet myslimane, pra duhet të rindërtohet apo të ringjallet ëndrra neo-osmane. Sipas kësaj linje, fanatizmi e nacionalizmi turk duhen ushqyer për t’iu kundërvënë ideologjisë perëndimore e demokracisë së saj, krejt ndryshe nga predikimet e Gulenit. Kurse, vetë gulenistët kishin një botëkuptim të  ndryshëm nga AKP-ja për identitetin turk dhe lidhjen e tij me fenë islame si kolona të një shteti demokratik modern. Pra, kursi i brendshëm aspak demokratik dhe një politikë e tillë e jashtme konflikti solli një përplasje të natyrshme mes dy aleatëve të dikurshëm. Sidomos, frustrimi i lëvizjes Gulen me “lojën e kungulleshës” së Erdoganit për të ndërmarrë bisedime serioze në kuadër të integrimit evropian, aq më tepër ndjekja e një kursi largimi prej këtij bashkimi nxori në sipërfaqe thelbin e konfliktit midis këtyre dy orientimeve. Edhe politikat shtrënguese të censurimit të internetit apo cenimit të pavarësisë së gjyqësorit janë elementë të tjerë të antagonizmit me gulenistët. Një pozicionim tjetër që solli shqetësime serioze në Perëndim, por dhe në lëvizjen Gulen, ishte mbështetja e Erdoganit për Vëllazërinë Myslimane në Egjipt apo grupet fundamentaliste në Siri e Liban. Një front tjetër lufte u bë dhe ai që lidhej me shkeljen e të drejtës së fjalës, të lirisë së medias, me persekutimin e burgosjen e gazetarëve. Qeverisja e Erdoganit nuk mbetet mbrapa edhe në sulmet e presionet e qëllimshme, inspektimet e orientuara, gjobat arbitrare e kërcënimet ndaj biznesit, sidomos atij të medias, publikimeve, organizatave jo fitimprurëse, etj. Është arritur deri aty që “Alliance for Shared Values” të pohojë se në historinë e Turqisë nuk ka pasur person e parti që të ushtronte më parë një trysni të tillë, një përpjekje agresive për nënshtrimin e medias dhe të shoqërisë civile. Kurse, shtypja brutale e protestave masive popullore në Gezi Park ishte dhe pika kulmuese e konfliktit të qeverisë Erdogan me gulenistët dhe Perëndimin. Vetë media dhe gulenistët kanë ngritur zërin kundër  veprimeve e politikave abuzive të Erdoganit dhe rrethit të tij. Brenda një emocioni tepër negativ, Erdogani u deklaroi luftë të hapur Gulenit e ndjekësve të tij. Ai miratoi disa ligje antidemokratike e arbitrare për të mbyllur në Turqi rrjetin e shkollave private, një nga përbërëset e bizneseve, në zemër të kësaj lëvizje, me rol me peshë në përhapjen e ideve të Gulenit. Ndërkohë që media në nëntor të vitit kaluar botoi një material sekret të viti 2004 të Këshillit të Sigurimit Turk, të firmosur nga vetë Erdogani, ku rekomandoheshin një sërë masash me qëllim mbajtjen në kontroll dhe rrudhjen e lëvizjes guleniste, gjë që pasqyron qartë qëllimet, paranojën dhe hilen e Erdoganit që në fillimet e kësaj aleance. Por, se si do rezultojë kjo përplasje nuk dihet por është e sigurt që do të përkeqësohet, sidomos duke pasur parasysh që vendi ndodhet para një sërë sprovash të rëndësishme elektorale, siç janë zgjedhjet lokale të këtij muaji dhe ato presidenciale e parlamentare pak më vonë. Erdogani, me shpatulla pas muri, duket i gatshëm të abuzojë duke shfrytëzuar të gjithë arsenalin shtetëror që disponon. Nëse në zgjedhjet e ardhshme AKP-ja do të humbasë kontrollin e qyteteve kryesore, por dhe do të zvogëlohet ndjeshëm përfaqësimi parlamentar, ky do të ishte dhe verdikti i popullit kundër ëndrrës së Erdoganit për t’u bërë një “sulltan” i ri i Turqisë. Nga ana tjetër nuk duket se Guleni do të tërhiqet nga kjo luftë, veçse mbetet për t’u parë nëse lëvizja e tij do të fuqizohet apo dobësohet brenda kësaj fushate të re sulmi të Erdoganit ndaj shtetit ligjor dhe demokracisë në vend. Gjërat nuk duket sikur do zgjidhen thjeshtë me forcën e votës. Provokimet nuk do mungojnë dhe populli mund të zbresë, përsëri, shumë më fuqishëm në rrugë e sheshe. Po ashtu, AKP-ja është e fragmentuar, klasa politike e acaruar dhe policia mbase jo më aq e gatshme për të dhunuar protestuesit. Por, pavarësisht rezultatit të kësaj lufte, në këtë histori veprimesh autokratike, antidemokratike, shkeljesh e skandalesh korrupsioni, humbësi më i madh është Turqia, vetë populli turk. Është ky i fundit, që i ushqyer me idetë e Ataturkut, nuk duhet të lejojë abuzimin në kurriz të tij, të lirisë dhe aspiratave të veta demokratike.

Related

Shtypi i huaj 7266185772391247207

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item