Tualet

EDMOND TUPJA      Të martën e kaluar paska qenë Dita Ndërkombëtare e Nevojtoreve dhe këtu nuk ka asgjë për të qeshur, përkundrazi, është për...

EDMOND TUPJA


     Të martën e kaluar paska qenë Dita Ndërkombëtare e Nevojtoreve dhe këtu nuk ka asgjë për të qeshur, përkundrazi, është për t’i qarë hallin njerëzimit ose, më saktë, shoqërisë njerëzore bashkëkohore: sipas statistikave të OKB-së, mbi dy miliardë njerëz nuk kanë nevojtore në shtëpi, pra, shkojnë e lehtësohen ku të mundin. Sigurisht, këtë lajm e dëgjova së pari në valët e RFI-së (Radio France Internationale, 102 FM) dhe termin “toilettes” e kam përkthyer këtu me fjalën mirëfilli shqipe “nevojtore” dhe jo me huazimin e viteve të fundit “tualet”. Por nuk e di se ç’dreqin më shtyu t’u drejtohesha fjalorëve të gjuhës shqipe lidhur me këtë fjalë; kështu, në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe”, Tiranë, 1980, pra, 12-13 vjet para se të shembej diktatura hoxhiste, fjalën “tualet” nuk e gjen askund të shkruar. Megjithatë, asokohe, kjo fjalë bënte pjesë në “fjalorin” e përditshëm femëror në kuptimin e trajtimit kozmetik të fytyrës së vajzave e të grave: pak pudër, pak të kuq buzësh, ndonjë krem, laps sysh a diçka e ngjashme për përkujdesjen apo mirëmbajtjen e lëkurës së tyre; shprehjet më të përdorshme, në këtë rast, ishin: “bëj pak tualet”, “tualet i lehtë”, “tualet i rënduar” e ndonjë tjetër. Nuk dua të humb kohë për të gjetur arsyen (purizëm gjuhësor apo puritanizëm moralist?) e kësaj mangësie leksikografike. Pastaj iu ktheva “Fjalorit të gjuhës shqipe”, Tiranë, 2006, pra, i botuar 15 vjet pas shembjes së diktaturës hoxhiste. U gëzova vërtet kur pashë se kjo fjalë ishte e pranishme, veçse, për çudi, jo në kuptimin e lartpërmendur, por si sinonim i fjalës mirëfilli shqipe “nevojtore”. Çfarë padrejtësie! – thashë me vete, por e frenova zhgënjimin tim duke arsyetuar se, në fund të fundit, pasurim është për shqipen kur një fjale të saj i shtohet një sinonim, qoftë edhe i huazuar nga gjuhët e tjera, por me kusht që të sjellë diçka të re në rrafshin kuptimor. Dhe pyeta veten: Çfarë sjell më shumë fjala “tualet”, si kuptim, sesa fjalët “nevojtore, banjë dhe WC”? (Po i lë mënjanë sinonimet “hale” si term bisedor, “avdeshane” e “qenef” si arkaizma, dhe shprehjen “derë e vogël” me ngjyrim krahinor). E tora pak gjatë këtë hyrje me qëllim që lexuesi im i vëmendshëm dhe tejet i ndjeshëm, midis të tjerash, edhe ndaj projektit skandaloz e kriminal të asgjësimit të 1000 tonëve gaz sarin në Shqipëri, të mobilizohet në dy drejtime: së pari, për të hedhur një hap më tej në ndërgjegjësimin e opinionit publik lidhur me ndotjen e papërmbajtshme që po i bëhet nga vetë shqiptarët mjedisit të Republikës së Shqipërisë, sepse toka, uji dhe ajri po kthehen në nevojtore, WC apo tualet të përmasave gjigante, si t’ua ketë ënda, shija dhe qejfi atyre që vazhdojnë të hedhin kudo plehra, objekte plastike, kimikate e lëndë të tjera të helmëta (bateri, vajra makinash etj.), pasojat e të cilave kanë filluar të ndihen prej disa vitesh dhe, me shumë gjasë, do të rëndohen në të ardhmen. Së dyti, me gjithë fitoren e arritur në betejën kundër projektit asgjësues të gazit sarin, kërkohet syçeltësi përballë orvatjeve të qeveritarëve tanë, të majtë apo të djathtë qofshin, për të kurdisur prapaskena në nivel ndërkombëtar me synim përpunimin apo eliminimin, në vendin tonë, e mbetjeve toksike të tipave të ndryshëm me pasoja fort të rrezikshme e të pandreqshme jo vetëm për ne që jemi gjallë, por edhe për ata të cilëve do t’u lëmë trashëgim këtë vend që ende quhet Shqipëri. Së fundi, le të më lejojë lexuesi im i duruar të përmend proverbin “Midis dy të këqijave, duhet zgjedhur më e vogla”. Me gjithë dashurinë e pakufishme që kam për gjuhën time amtare, parapëlqej që më mirë të importohen, qoftë edhe pa të drejtë, fjalë apo shprehje të huaja, sesa të importohen substanca të helmëta, të prodhuara nga të tjerë, për t’u asgjësuar në vendin tonë tashmë të ndotur nga ne vetë. Më konkretisht, le ta përdorim fjalën “tualet” në vend të asaj “nevojtore”, nuk bëhet kiameti, nuk helmohet njeri nga ky zëvendësim! Çështja është që të mos importojmë mut, shit, merde, merda, mierda apo scheisse, quajeni si të doni, sepse po të importojmë këtë lloj lënde, detyrimisht do ta hamë dhe na bëftë mirë, sidomos në Ditën Ndërkombëtare të Nevojtoreve, më falni, të Tualeteve!

Related

Opinione 6196172491644060928

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item