“Modeli” grek dhe miopia shqiptare - MIRELA OKTROVA

MIRELA OKTROVA   Diskutimi publik për median publike në Shqipëri, me sa duket, nuk shpëton dot së qeni manipulativ. Koniunktura politike dhe...

MIRELA OKTROVA
  Diskutimi publik për median publike në Shqipëri, me sa duket, nuk shpëton dot së qeni manipulativ. Koniunktura politike dhe interesat klanore, pa iu shmangur dot trendit, vazhdojnë të prodhojnë arsyetime absurde dhe opsione sa problematike, aq edhe të rrezikshme. Qasjet sporadike drejt një debati profesional e zhgënjyen shpejt shpresën e vijimit të tyre serioz dhe parimor, duke ia lënë vendin modelit famëkeq, ku të gjithë pretendojnë se dinë të bëjnë, po në fakt dëshmojnë se duan të zhbëjnë. “Sipari” i opsioneve ofron larmi të hatashme: nga “mbyllja” te “copëtimi” – nga adhurimi për modelin e Italisë tek identifikimi me “rrugën” e Greqisë, nga “modeli” editorial i “dopio-politizimit” te precedenti i rrezikshëm i “injorimit”, nga opsioni i privatizimit te dëshira e asgjësimit. Zërat pjesëmarrës në debat operojnë me “miopi” të larmishme: dhe kështu, miopisë deri tani rezistente nga Perëndimi, ka ca kohë që i është shtuar dhe miopia rishtare nga Jugu. Larg – sytë s’na shohin, ose na shohin turbull. Aq turbull, sa harrojmë që transmetuesi publik është pjesë eksplicite e Traktatit të Amsterdamit të BE-së dhe shihet i lidhur ngushtë “sa me nevojat demokratike, sociale dhe kulturore të çdo shoqërie, ashtu edhe me nevojën e ruajtjes të pluralizmit në media”. Aq turbull, sa harrojmë se fqinji i Jugut kishte të paktën pretekstin e “shndërrimit” të statusit të medias nga “shtetërore” në “publike”, me të cilin mezi iu argumentua donatorëve të vet anatemues.    

* * *
Publikut gjysmë të çartur nga të pavërtetat 
    dhe gjysmë të vërtetat mediatiko-taktiko-strategjike, thënë e mbledhur tryezash jotransparente, sigurisht që nuk i sqarohet se goditja e transmetuesit publik – opsion i ofruar herë si “rithemelim” dhe herë si ndjekje e modelit grek – qoftë edhe për faktin se publikohet dhe propagandohet para së gjithash nga “simotrat” private, u shkon për shtat pikërisht këtyre të fundit. Vetëm pak njohuri dhe informacion rreth sfidës së gjithanshme që paraqet në vetvete për secilin prej aktorëve të tregut audioviziv shqiptar tranzicioni nga transmetimet analoge në ato numerike, do t’i bënte transparente si motivet e adresimit, ashtu dhe qasjet e rrjedhura prej tyre. 
Natyrisht, shoqëria dhe tregu shqiptar i medias nuk janë të vetmit ku publikja përplaset sa me interesat e tregut, aq edhe me politikën. Ish-drejtori i Përgjithshëm i BBC (2000-2004), Grek Dyke – do të pohonte në takimin e drejtorëve të TV europiane, në Kopenhagë, se BBC i shpëtoi diktatit të manjatit ndërkombëtar të medias, Rupert Murdok, vetëm pas skandalit të përgjimeve telefonike. Dyke, gazetar, producent dhe studiues, që mbahet mend si menaxher i shkathët, dha dorëheqjen pas publikimit të raportit hetimor Hutton për vetëvrasjen e ekspertit britanik të armatimeve, David Kelly, i cili e informoi BBC-në se raporti për armët e shfarosjes në masë të Sadam Huseinit ishte manipuluar nga qeveria britanike. Raporti hetimor shfajësoi qeverinë dhe akuzoi BBC-në për raportim të pambështetur në fakte. Pasi BBC e pranoi raportin dhe kërkoi ndjesë, duke injoruar juristët e BBC-së që kërkonin kundërproces, për ta kundërshtuar në 12 pika raportin, Greg Dyke, drejtor i Përgjithshëm dhe Gavyn Davies, kryetari i bordit drejtues, vendosën të jepnin dorëheqjen. 

* * *
Edhe një prej figurave më të shquara të poli
    tikës gjermane të pasluftës, kancelari Konrad Adenauer, njihet për marrëdhënien e sforcuar me median publike. Kufizimet kushtetuese dhe struktura e decentralizuar e ARD – Bashkimi i Transmetuesve publikë Gjermanë – e shtynë Adenanuerin të tentonte krijimin e një televizioni të dytë publik, më afër qeverisë, për t’i ardhur në ndihmë propagandës së Luftës së Ftohtë në theksimin e përparësive të Perëndimit ndaj Lindjes. Po opinioni dhe media publike u ndien të kërcënuar, bënë padi në Gjykatën Kushtetuese dhe i ashtuquajturi “Televizion i Adenauerit” u bllokua. ZDF – me një menaxhim të centralizuar dhe detyrimin për të mos konkurruar ARD-në, u krijua vite më vonë në plotësim të ofertës publike audiovizive. 
Po nëse në demokracitë e sipërpërmendura, zgjedhja e modelit nuk ushqen dilema joparimore, për shkak të prioritetit të konsoliduar të interesit publik dhe mbështetjes mbarëshoqërore për personalitetet dhe opsionet sfidante, në kushte tranzicionesh shoqërore, teknologjike dhe ligjore – si në rastin tonë – ka rëndësi ekzistenciale për demokracinë që menaxhimi i medias publike dhe politikat radiotelevizive të dominohen prej interesave publike dhe jo prej parametrave të tregut, prej standardeve edukative dhe jo prej kritereve të konkurrencës.
Po që në një shoqëri mediatike interesat publike të dominojnë interesat e grupeve dhe individëve të tregut, që modeli i synuar prej të gjithë aktorëve të jetë jo thjesht i synuar, por të funksionojë realisht dhe që zhvillimi të jetë i qëndrueshëm e real dhe jo thjesht i propaganduar, tregut i nevojiten disa masa rregulluese. Nëse rregullimi orientohet nga interesi publik dhe konkurrenca e ndershme, RTSH – nevoja e reformimit të të cilit nuk vihet në dyshim – mund të luajë rol modeli, nëse jo, RTSH është i dëmtuari i parë. Por po kaq të dëmtuar janë edhe vetë privatët – të paktën ata privatë që u mbahen rregullave dhe investojnë për perspektivën. Që as transmetuesi publik dhe as privatët të mos minojnë apo kontaminojnë njëri-tjetrin, kërkesat shoqërore ndaj reformës së RTSH duhet të shkojnë paralelisht me rregullimin e tregut dhe shoqërisë mediatike shqiptare, nisur nga emergjencat. 
* Kështu, në tregun mediatik shqiptar duhet të fillojë urgjentisht të matet realisht në mënyrë elektronike audienca. Kjo nuk i vlen vetëm RTSH-së, e cila shihet në 20% të territorit ku nuk shihen të tjerët, por dhe aktorëve të tjerë të tregut, pasi u jep fund spekulimeve për audiencën, pret ndarjen arbitrare të reklamës, shëndosh ndërmarrjet mediatike dhe rregullon tregun mbi konkurrencën e ndershme. 
*Autoritetet rregullatore duhet të verifikojnë bilancet e bizneseve, që kërkojnë licenca mediatike. Kushdo që fsheh të ardhurat, mashtron me çmimet, fut mallra kontrabandë ose lan para, e përdor licencën mediatike si armë dhe kërcënim për shtetin ligjor dhe prish tregun me superinvestime pa vrarë mendjen për rentabilitet.
 *Operatorët privatë duhet të paguajnë përdorimin e infrastrukturës së RTSH për vendosjen e antenave të veta. RTSH ka detyrim ligjor që tepricën e infrastrukturës t’ua vendosë në dispozicion të tretëve, por detyrimi që RTSH t’u shërbejë konkurrentëve sipas kritereve dhe çmimeve që i përcaktojnë të tjerët, dëmton pozicionin e RTSH në treg dhe ul të ardhurat nga shfrytëzimi i aseteve të saj. 
*AMA, Inspektorati i Punës dhe Ministria e Mirëqenies duhet të denoncojnë punësimin ilegal në media, shkeljen e të drejtave të njeriut, diskriminimin gjinor, mungesën e librave të pagave dhe arbitraritetin e përshkrimit të profesioneve të medias. Inspektorati i Punës duhet të adresojë orarin skllavërues të punonjësve të medias shqiptare – ku s’njihet mbikoha, siguria në punë e sëmundjet profesionale. (RTSH është ndërmarrja e vetme mediatike me kontrata pune, Libër pagash dhe Libër honoraresh, që paguan rregullisht paga, sigurime shoqërore dhe mbikohë të për të gjithë punonjësit e saj, model që duhet imponuar në treg.)
*AMA, Ministria e Financës, Drejtoria e Doganave etj. duhet të verifikojnë burimet e hyrjes së teknologjisë në vend dhe të garantojnë respektimin e ligjeve të konkurrencës. (RTSH ka modelin e transparencës së plotë të burimeve të teknologjisë, që duhet imponuar në treg.)
*AMA dhe Zyra për Mbrojtjen e të Drejtave të Autorit duhet të verifikojnë blerjen e të drejtave të transmetimit, nëpërkëmbjen e të drejtave të autorit, piratimin e produkteve/ ideve dhe falsifikimin e kontributeve. (RTSH është aktori i vetëm i tregut me standarde plotësisht të respektuara dhe transparencë të plotë për monitorime të çdokohshme.)
*AMA duhet të përfshijë detyrime publike (formate sensibilizuese jorentabël) në detyrimet e licencës për operatorët privatë. Fjala është për programe që nuk sjellin të ardhura, por shkojnë në interes të shtresave vulnerabël (sipas modelit të medias publike, ndonëse në përqindje të kufizuar të veprimtarisë). Enti duhet edhe të monitorojë etikën e komunikimit në media, praninë e dhunës, seksit, banaliteteve dhe modeleve antiedukative. (RTSH është aktori i vetëm i tregut me standarde të respektuara e transparencë të plotë për monitorime të çdokohshme në këtë aspekt.)

* * *
Marrja e këtyre masave do të sillte: stan
    dard dhe start të njësuar për të gjithë, pra edhe për RTSH; vlera etike e profesionale, që vlejnë për të gjithë, jo vetëm për RTSH; parametra financiarë dhe ligjorë, që vlejnë për të gjithë, jo vetëm për RTSH; detyrim kontrolli dhe monitorimi, që vlen për të gjithë, jo vetëm për RTSH; vlerësim perspektiv njësoj për të gjithë, pra edhe për RTSH.
Në një komunitet mediatik të rregulluar në mënyrë të tillë, edhe problemet e medias publike do të ishin më të lehta për t’u adresuar dhe akoma më të lehta për t’u zgjidhur. Në një treg mediatik të tillë, do të ishin transparente dhe motivet e adresimit, pasi konkurrentët jo vetëm që s’do të kishin kohë të merreshin me njëri-tjetrin, se do t’iu duhej shumë punë për të qenë rentabël dhe shumë aftësi për të mbijetuar, por do t’i pengonte dhe ligji i konkurrencës.
Tregut të sakatosur mediatik shqiptar i vlen një RTSH e reformuar me tipare modeli, që do të ndikonte dukshëm edhe proceset e normalizimit të shoqërisë mediatike shqiptare, dhe jo një RTSH e përdorur nga politika apo e shtypur nga privatët. Sidomos këta të fundit kanë këtu pak për të thënë. Ato që duhet të flasin janë standardet e botës nga po synojmë të shkojmë – dhe natyrisht jo standardet e vendeve që prodhojnë modele krizash – modele që zë dhe pëlqen syri ynë miop, por standardet e botës së zhvilluar, që prodhon e promovon modele stabiliteti.
Me pak fjalë: 
Syri dhe forcat duhet të na kapin më shumë se buka që hamë sot!
Koha do ta tregojë se sa seriozisht e kemi!

Related

Opinione 8280498895238029204

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item