Një program hapësinor për Libanin e vogël

Një pedagog fizike dhe një grup studentësh nisën eksperimente të thjeshta për lëshim raketash, u ndihmuan nga ushtria dhe arritën në hapësir...

Një pedagog fizike dhe një grup studentësh nisën eksperimente të thjeshta për lëshim raketash, u ndihmuan nga ushtria dhe arritën në hapësirë, para se lufta civile t’ia shkatërronte ëndrrën
Richard Hooper, BBC

Gjatë viteve 1960, SHBA-ja dhe Bashkimi Sovjetik konkurruan për supermacinë në hapësirë. Por ka pasur edhe një garues tjetër në këtë fushë – Shoqërinë Libaneze të Raketave, një klub shkencëtarësh nga universiteti i Bejrutit, temë e një filmi të prodhuar së fundmi.
Vizioni im qe të eksploroja hapësirën – Libani mund t’ia dilte”.
Manug Manugian (Manoug Manougian) mund të krenohet dhe të ngjajë i pabesueshëm, por 50 vjet më parë ai dhe një grup studentësh e gjetën veten si pionierë të tillë të hapësirës në botën arabe. Pavarësisht një buxheti shumë të vockël, ata zhvilluan një raketë të aftë për të mbërritur në cep të hapësirës.
“Ja ku qe Libani i vockël, i aftë të bëjë atë që pjesa tjetër e botës arabe nuk e ka bërë”, thotë Manugian. “Ne qemë të rinj, në të njëzetat, duke bërë diçka të pabesueshme”.
Pasioni i Manugian për hapësirën filloi si fëmijë në vitet 1940 kur po rritej në Xheriko, Bregu Perëndimor. Frymëzuar nga novelat e Zhyl Vernit, ai ngjitej në Malin e Tundimit aty pranë për të parë qiellin gjatë natës. Si fëmijë ai zhgarraviste raketa në bankën e tij.
Një diplomë në matematikë dhe fizikë nga Universiteti i Teksasit pasuan para se Manugian të kthehej në Liban për një post pedagogu në kolegjin e vogël Haigazian të Bejrutit në moshën 25-vjeçare. Në një përpjekje për të shtuar radhët, në nëntor 1960 ai riemëroi klubin e shkencës në Shoqëria e Raketave të Koleshit Haigazian.
“Për habinë time, disa studentë vendosën të bashkohen”, thotë ai. “Unë nuk kisha financat dhe kishte shumë pak mbështetje për diçka të tillë. Por unë kuptova se mund të zhysja dorën te paga ime e paktë dhe të bindja bashkëshorten për të blerë atë që kisha nevojë për eksperimentet”.

Çdo gjë për projektin duhej të ndërtohej nga zero. Raketat prototip bëheshin prej kartoni dhe copa tubash dhe testoheshin në një fermë në malin mbi Bejrut.
“Kolegji erdhi të shohë kur ne kryem lëshimet e para”, thotë Manugian. “Sapo ndezja u krye, raketa – e cila po varej në një shtrat lëshimi shumë primitiv, – u mënjanua dhe u nis përpjetë malit derisa ra jashtë një kishe”.
Manugiani dhe skuadra e tij prej shtatë studentësh korrigjuan skicat e tyre dhe lëshimet e raketave u rritën më ambiciozë. Çdo student u ngarkua me një aspekt të ndryshëm të raketës dhe nga prilli i vitit 1961, raketat e tyre qenë në gjendje të arrinin në lartësinë 1 mijë metra. Raketa e radhës arriti në 2 mijë metra.
Fjala u përhap dhe ushtria e Libanit u interesua. Ata ofruan shërbimet e Jusef Uehebe, një llejtënant i ri i specializuar në balistikë.
“Ne na thanë se kishim nevojë për një zonë të sigurt nga të kryenim lëshimet”, thotë Manugian. “Ata na dhanë një poligon të vjetër artilerie dhe na siguruan transport për atje”.
Uehebe qe në gjendje të merrte komponentë nga Franca dhe SHBA-ja, të cilat në situatë normale nuk do të qenë të arritshme. Ai u bë komandant i një fabrike ushtarake për të lejuar ndërtimin e raketave më komplekse. Gjithsesi, Manugian vlerësonte ende se projekti qe një përpjekje e pastër shkencore.
“Të gjitha lëshimet tona u ndoqën nga publiku dhe ushtarakët”, thotë ai. “Ushtarakët pyesnin gjithmonë sa larg mund të shkojë ajo nëse ishe në një vend dhe se cila qe ngarkesa që mund të mbante maja. Por përgjigjja ime qe se ky nuk qe një operacion ushtarak, qe për t’u mësuar studentëve shkencë. Ky qe misioni që unë kisha”.
Tashmë Shoqëria e Raketave të Kolegjit Haigazian është bërë burim krenarie kombëtare. Manugian u ftua në një pritje të mbajtur nga Presidenti Çehab ku iu tha se Ministria e Arsimit do t’i jepte financime të kufizuara për vitet 1962 dhe 1963. Ajo u riemërua Shoqëria Libaneze e Raketave dhe emblema kombëtare u vu në programin raketor të Kedrës.
Libani u bashkua kështu në garën hapësinore – megjithëse po luante në korsinë e ngadaltë.
“Ne po lëshonim raketa me tri faza”, thotë Manugian. “Ato nuk qenë më lodra dhe mund të shkonin lehtë përtej kufijve. Ne mund të mbërrinim në termosferë. Një herë mora një telefonatë nga zyra e Presidentit ku na u kërkua të siguroheshim që ne nuk po shkonim shumë tepër pranë Qipros: thotë Manugian.
“Kështu ne u zhvendosëm pak më në jug, gjë që qe shqetësuese, sepse në këtë rast po afroheshim me Izraelin”.
Raketa Kedra IV u lëshua më 1963 dhe qe aq e suksesshme sa u përkujtua në një pullë poste. Ajo arriti lartësinë e 145 kilometrave, duke arritur pothuajse lartësinë e satelitëve në orbitë të ulët.
Por pa dijeninë e Manugianit, ushtria e Libanit kishte plane të tjera për shoqërinë e tij. Ata sakaq kishin krijuar një komitet për të vendosur se si mund të përshtatej raketa për të mbajtur një armë – Jusef Uehebe po vepronte si njeriu i tyre brenda programit. Manugian, gjithsesi, po ëndërronte për një ngarkesë të një lloji tjetër.
“Kjo qe koha kur sovjetikët dhe amerikanët po lëshonin kafshë dhe njerëz në orbitë”, thotë ai. “Ne kishim trajnuar një mi të quajtur Miki për t’i mbijetuar shpejtësisë së lartë. Ne menduam ta fusnim atë në këndin e majës.
Unë pyeta bashkëshorten time nëse ajo mund të krijonte një parashutë. Ajo më pyeti, ‘çfarë po mendoni se do të sillni poshtë?’ Unë i thashë për miun dhe se si ne deshëm ta rikthenim në tokë shëndoshë e mirë. ‘Vetëm mbi trupin tim të vdekur’, tha ajo. ‘Ju nuk do të lëshoni një mi në hapësirë!’”
Mi apo jo, klubi i vogël i Manugianit po dilte gjithnjë e më shpesh në lajmet e Libanit. Çdo lëshim po shoqërohej me një festë të madhe në Bejrut.
Por ndërsa profili i Manugian u rrit, kështu bëri edhe niveli i vëmendjes së padëshiruar. Ai dyshonte se agjentë të huaj po monitoronin punën e tij dhe zbuloi se dokumentet në zyrën e tij qenë hapur gjatë natës. Vende të tjera arabe qenë shumë të interesuara për të përdorur aftësitë e tyre për programet e veta të armatimeve.
“Mua më ofruan gjithçka në kuptimin e parave dhe mbështetjes – një shtëpi të madhe për të jetuar dhe një laborator të dizajnuar sipas qejfit tim”, thotë ai për një ofertë të caktuar nga një vend arab që nuk përmendet me emër. “Unë i refuzova ato. Kuptova se komplikimet do të qenë të shumta për shkak se unë isha ashpër kundër dhunës të çdo lloji”.
Manugian po bëhej gjithnjë e më i shqetësuar, sepse projekti i tij po merrte një drejtim tjetër. Por ngjarjet që ndodhën në korrik 1964 ndërsa ai gjendej jashtë vendit – në mënyrë periodike kthehej në SHBA për të vijuar studimet master – në fund e bindën atë se shoqëria që ai pati themeluar tashmë qe jashtë kontrollit të tij.
“Një nga shtyrësit qe një kimikat shumë i fuqishëm”, thotë ai. “Qe i rrezikshëm për shkak se çdo fërkim mund të shkaktonte ndezje, kështu u thashë studentëve të mos e përdornin atë.
“Nuk kishte mbikëqyrje gjatë mungesës sime dhe kur unë u ktheva gjeta se një nga studentët kishte vendosur të përgatiste një raketë duke përdorur kimikatin e rrezikshëm”.
Në zjarrin që pasoi, një student i quajtur Hampar Karaguzian humbi një sy dhe dogji rëndë duart e veta.
“Një student i dytë jashtë laboratorit shkoi dhe e shpëtoi atë”, thotë Manugian “por edhe i dyti u dogj gjithashtu – kjo qe një katastrofë e rëndë”.
Pati edhe një lëshim final rakete për shoqërinë libaneze të raketave. Edhe kjo gati sa nuk përfundoi në tragjedi. Më 1966 një raketë u lëshua në Lindje e Mesme, në dukje në një distancë të sigurt nga Qipro. Por trajektorja u gjend drejtpërsëdrejti kundër një anijeje britanike që po monitoronte lëshimin dhe u ul, – thotë Manuguan – vetëm pak metra larg saj.
“Kjo qe koha për ta mbyllur”, thotë ai. “Për mua, ai qe gjithmonë një program për të nxitur studentët”.
Manugian u paralajmërua nga miqtë e vet në ambasadën e SHBA-së  “ata quheshin atashe kulturorë, por ne e dinim se qenë të CIA-s” – se një përleshje e re me Izraelin qe pranë. Në këtë kohë Lufta e Gjashtë Ditëve më 1967 filloi dhe Manugian shkoi në SHBA ku qëndroi për pjesën tjetër të karrierës së tij akademike.
Kujtimet e Shoqërisë Libaneze të Raketave shpejt u humbën dhe materialet arkivore u shkatërruan gjatë luftës civile të vendit. Shumë nga studentët u larguan për të punuar jashtë. Vetëm kur një dokumentar i prodhuar së fundmi u publikua, interesi mbi eksplorimet e Manuguan u rigjallërua dhe sot ai është i lumtur që shënimet historike vënë në dukje rolin e Libanit në garën hapësinore.
“Unë mendoj se shoqëria e raketave i nxiti studentët të ndjekin shkencën nga një këndvështrim që përbën sukses”, thotë ai. “A do të më pëlqente të arrija hënën? Duke qenë realist, mendoj se nuk qe e mundur – Libani nuk i kishte financuar. Por natyrisht ata mund të kishin ndjekur shkencën dhe eksplorimin hapësinor. Ata mund të kishin vendosur satelitë në orbitë.
“Po, ai qe një vend i vogël, por Libani mund t’ia kishte dalë”.

Këndvështrimi i shkencëtarëve

Dr. Robert Masej (Massey) është zëvendëssekretari ekzekutiv i Shoqërisë Astronomike Mbretërore.
Deri në vitet 1980 njerëzit mendonin se lëshimet hapësinore qenë pothuajse prestigj ekskluziv i projekteve nga dy superfuqitë. Programi i harruar libanez është frymëzues dhe natyrisht, tragjik, në atë se vendi kishte talente të tilla të mrekullueshme dhe pastaj i humbi shumicën e tyre gjatë luftës civile.
Shkencëtarët libanezë panë raketat e tyre që kaluan në atë që konsiderohet si kufiri i hapësirës – vija Karman, e cila është 100 kilometra mbi sipërfaqen e Tokës – pra mund të qe thjesht çështje kohe para se ata të dërgonin një satelit në orbitë.
Nëse do ta bënin diçka të tillë, ajo do të qe një arritje mbresëlënëse për një projekt gjysmë-amator që përdorte burime shumë të vogla të një vendi të vogël.

Related

Lajme 2494550882325419881

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item