Lojërat e luftës të Krimesë

The Wall Street Journal Si udhëheqës autoritar që është, Putini është i paparashikueshëm. Por ai mund të ctensionojë me po të njëjtën lehtës...

The Wall Street Journal
Si udhëheqës autoritar që është, Putini është i paparashikueshëm. Por ai mund të ctensionojë me po të njëjtën lehtësi që vendosi të konfrontojë qeverinë e re ukrainase këtë javë. Problemi është se në cdo front, qoftë në mbrojtjen raketore në Europën Lindore apo në Siri, kjo Shtëpi e Bardhë ka bërë lëshime ndaj dëshirave të tij dhe nuk i ka dhënë asnjëherë arsye që të respektojë vullnetin e Amerikës

Përgjigja se si do të përgjigjej Vladimir Putini ndaj poshtërimit që pësoi javën që kaloi në Ukrainë, erdhi me rrokullimën e ngjarjeve të të enjtes. Të paktën SHBA dhe Bashkimi Europian nuk mund të kenë më dyshime në lidhje me qëllimin e udhëheqësit të Rusisë, për të provokuar një konflikt të dhunshëm në Europë.
Gjatë natës, në gadishullin e Krimesë në Ukrainë, dhjetëra njerëz të armatosur dhe të mirë-organizuar dëbuan rojet e parlamentit rajonal si dhe të qeverisë lokale, dhe ngritën një flamur rus në të dy ndërtesat e kryeqytetit, Simferopol. Shtatë autoblinda, që ndodheshin pranë flotës ruse të Detit të Zi u nisën në të njëjtën kohë nga baza pranë qytetit, por u rikthyen mbrapsht pasi u mësua se “pushtuesit” kishin hyrë të sigurtë. Po në të njëjtën kohë, parlamenti i zgjedhur i Krimesë votoi për të mbajtur një referendum mbi statusin e rajonit në muajin maj. Operacioni kishte kudo shenjat e forcave speciale ruse.
Më vonë atë ditë, presidenti i rrëzuar i Ukrainës, Viktor Janukovic, u shfaq pasi ishte zhdukur për një javë, me një deklaratë për dy agjenci shtetërore ruse të lajmeve. Duke u vetëquajtur “udhëheqësi i ligjshëm” i Ukrainës, ai shkruante: “Jam i detyruar t’i kërkoj Federatës Ruse që të garantojë sigurinë time personale nga veprimet e ekstremistëve”. Dhe me sa duket Rusia “u bind”. Sot, Janukovici pritet të mbajë një konferencë shtypi në një qytet jugor të Rusisë.
Ish presidenti u largua nga Kievi të premten që kaloi, pasi aleatët e tij dhe policia e braktisi. Më pas, Parlamenti votoi për ta larguar nga detyra. Prokurorët duan ta gjykojnë për vrasjen e 100 protestuesve. Provat e korrupsionit që kanë dalë hapur që me largimin e tij, e kanë shndërruar në një lloj Bokassa ukrainas. Mes tyre, edhe një tualet të florinjtë që zotëronte në rezidencën e tij private në periferi të Kievit. Putini nuk është shumë nazeli sa i përket shoqërisë së Janukovicit. Ky i fundit mund të jetë një gur shahu në ekzil, në lojën ruse të destabilizimit të Krimesë, dhe ndoshta edhe rajoneve lindore rusishtfolëse, që dikur ishinbaza politike e udhëheqësit të rrëzuar. Ukrainasi iu kundërvu protestave me plumba javën që kaloi, me mbështetjen e Moskës dhe me ndihmë të drejtpërdrejtë nga këshilltarë ushtarakë rusë, sic e treguan edhe dokumentat që u gjetën pas rrëzimit të tij. Ndoshta Putini mendon që nëse e “lëshon” Janukovicin, atëherë mund të humbasë ndikimin edhe tek shokët e tij autoritarë në Bjellorusi dhe në Azinë Qendrore.
Krimea është shndërruar tashmë në pikën e nxehtë të konfliktit mes dy fqinjëve të mëdhenj. Shumica e banorëve të Krimesë janë rusë etnikë, por aty jeton edhe një minoritet jo i vogël ukrainas dhe tartar. Rajoni ka qenë i qetë prej kohësh, por fundjavën që kaloi aty u mbajt një protestë e madhe proruse, ndërkohë që të mërkurën pati një kundërprotestë edhe më të madhe nga ana e tartarëve. Tani, ka lajme për “vullnetarë” që janë nisur drejt Krimesë, si dhe që janë ngritur pika kontrolli me besnikë rusë të armatosur.

Kjo krizë e fabrikuar e kap Ukrainën në një moment të dobët. Qeveria e tranzicionit u votua të enjten në Kiev. Presidenti i përkohshëm dha një paralajmërim kundër “agresionit ushtarak” dhe u bëri thirrje trupave ruse të qëndrojnë në bazat e tyre. Ukraina ka polici dhe forca të tjera sigurie në Krime. Por, telashet atje, u largojnë vëmendjen udhëheqësve ukrainas nga përmbushja e premtimeve për të spastruar qeverinë dhe shpëtuar një ekonomi që po fundoset. Gjë që, pa dyshim, është qëllimi i Putinit.
Kremlini po teston reagimin e Perëndimit, ashtu sikurse dhe atë të Ukrainës. Putini pa që Europa dhe Uashingtoni bënë shumë pak për të ndihmuar Gjeorgjinë, kur Rusia e pushtoi në 2008-ën dhe këta ishin flegmatikë gjatë tre muajve të protestave në Ukrainë. Lëvizjet e kësaj jave tregojnë se apo po mendon një ndarje territoriale të Ukrainës, që është një mënyrë për të garantuar që ajo do të qëndrojë jashtë BE-së dhe NATO-s.
Nuk është në tipin e tij ndoshta, por Presidenti Obama mund të njoftojë Putinin se nëse vepron kështu, cmimi për t’u paguar do të jetë i konsiderueshëm. Rubla pësoi një rënie rekord këtë javë dhe ekonomia ruse është e goditshme prej sanksioneve perëndimore. Cdo provokim i dhunshëm në Ukrainë, një shtet europian me 46 milionë banorë, do ta bënte Rusinë jo të mirëpritur në G-8 dhe në vende të tjerë të qytetëruar.
Si udhëheqës autoritar që është, Putini është i paparashikueshëm. Por ai mund të ctensionojë me po të njëjtën lehtësi që vendosi të konfrontojë qeverinë e re ukrainase këtë javë. Problemi është se në cdo front, qoftë në mbrojtjen raketore në Europën Lindore apo në Siri, kjo Shtëpi e Bardhë ka bërë lëshime ndaj dëshirave të tij dhe nuk i ka dhënë asnjëherë arsye që të respektojë vullnetin e Amerikës. Një cicërrimë nga selia e NATO-s dhe një deklaratë e John Kerryt të enjten, në lidhje me Krimenë, nuk e ndryshon këtë fakt.
Këtu në lojë është e ardhmja e demokracisë në Ukrainë, dhe ndoshta e paqes në Europë. Administrata Obama më në fund u zgjua para sfidës së Putinit në Ukrainë gjatë dy javëve të fundit, por tani Putini po e ngre sërish stekën. Në Krime po bie alarmi./bota.al

Related

Shtypi i huaj 8306457128668731337

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item