Fotokopja, problemi më i madh për librin në Shqipëri
Valeria Dedaj Seminar kombëtar mbi të drejtën e autorit dhe industrinë e botimeve. Botuesit flasin për problematikat që hasin në treg si, sh...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/fotokopja-problemi-me-i-madh-per-librin.html
Valeria Dedaj
Seminar kombëtar mbi të drejtën e autorit dhe industrinë e botimeve. Botuesit flasin për problematikat që hasin në treg si, shpërndarja, TVSH-ja dhe frekuentimi i bibliotekave
Gjendja aktuale e shtëpive botuese në Shqipëri, mënyra se si operojnë në treg, kuadri ligjor vendas, industria e botimit, problematikat, por edhe pritshmëritë ishin disa nga temat, që u diskutuan dje në seminarin kombëtar të organizuar nga Zyra Shqiptare e të Drejtave të Autorit dhe nga Organizata Botërore e Pronësisë Intelektuale. Pas prezantimit të tematikës dhe të referuesve nga Mujë Buçpapaj, drejtor i Zyrës Shqiptare për të Drejtat e Autorit, u diskutuan nga botuesit dhe autorët pjesëmarrës mangësitë që ka tregu i librit në Shqipëri. Botuesja Irena Toçi, gjatë fjalës së saj bëri një përmbledhje të ndryshimeve që kanë ndodhur në nenet e Ligjit të Librit, që nga viti 2005, deri më sot.
Sipas Toçit, gjendja e industrisë së librit në Shqipëri ndeshet me problematika të përgjithshme, por edhe me specifike. “Problematikat janë të shumta. Por një prej problemeve më të mëdha ngelet informaliteti i tregut të botimit dhe i shitjeve të librit”. Pse informalitet? Sepse, sipas Toçit, thuajse jo të gjitha libraritë punojnë me dokumentacion të rregullt për furnizimin e shitjeve të librit. “Me përjashtim të pak librarive dhe të shtëpive botuese. Nuk ka ende standarde evropiane për shpërndarjen me efikasitet të librit. Deri më tani nuk kemi mundur ende të bëjmë ndonjë marrëveshje të favorshme me “Postën Shqiptare”, që të mund të kthejë në faktor pozitiv dhe nxitës, shpërndarjen e librit në çdo pikë të Shqipërisë, me kosto minimale dhe në kohë rekord”.
Toçi përmend si shembull rastin e Hungarisë, ku prej më shumë se dhjetë vjetësh aplikon tarifa shumë të ulëta brenda territorit të saj. Gjithashtu ajo thotë se: “Pengesë për këtë hallkë janë edhe tarifat e larta që aplikohen për dërgesat ndërkombëtare, por edhe për aplikimin e shitjeve online të librave në gjuhën shqipe”. Sipas saj, ekzistojnë dy apo tri përpjekje serioze të sajteve për shitje online, por asnjë shtëpi botuese nuk ka mundur të realizojë shitje të produktit. Kriza globale ka ndikuar negativisht në fushën e botimeve, në disa drejtime. Toçi tregon se për shkak të kësaj krize, por edhe të mungesës së likuiditeteve libraritë janë gjithmonë dhe më pak të frekuentuara.
Kjo, jo në bazë të të dhënave të sakta statistikore, por në bazë të të ardhurave që marren nga shitjet. Ato kanë qenë gjithmonë dhe më të pakta, sidomos gjatë dy-tre vjetëve të fundit. Një problematikë tjetër është edhe fotokopjimi. “Konkurrenca është absurde, fyese dhe e pamoralshme.
Kjo duket tek ajo që ndodh me botimet në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni në të gjitha pikat e fotokopjimit, që shesin produktin dhe vjedhin pa të drejtë punën e autorëve dhe të botuesve”. Ky problem sipas Toçit, vazhdon të jetë më i madh në tregun e librit. Më të dëmtuarit janë autorët e librave universitarë. Problem tjetër ngelet edhe fakti që shtëpitë botuese shqiptare nuk janë subjekte të TVSh-së. “Shtëpitë botuese nuk e aplikojnë TVSh-në në dokumentacionin e furnizimit të librave dhe libraritë i shesin librat pa e aplikuar TVShnë. Në pamje të parë duket sikur është një masë e mirë e marrë nga shteti që konsiston në mos taksimin e librit dhe të kulturës së shkarkuar, por në të vërtetë nuk është aspak kështu”.
Ajo tregon se libri duhet shtypur në shtypshkronjë dhe botuesit për të pranuar librin e tyre duhet t’i paguajnë shtypshkronjës, një 20 për qind të TVSh-së. Duke iu referuar raporteve të Bibliotekës Kombëtare dhe statistikave të Zyrës së ISBN-së, të ngritur prej saj, Toçi bën një përmbledhje të ecurive të shtëpive botuese nga viti 2007 deri në vitin 2012. Rezulton se nga viti 2007 kur kriza ekonomike filloi të shfaqet në Europë, deri më vitin 2013, numri i shtëpive botuese, herë është ulur dhe herë është rritur. “Pozitiv është fakti që në fund të vitit që lamë pas, numri i shtëpive botuese është rritur me 8 shtëpi botuese të reja, krahasuar me vitin 2007.
Numri i përgjithshëm i titujve të rinj gjatë kësaj periudhe ka qenë 607”. Kjo statistikë i referohet kontratave të lidhura pranë zyrës së ISBN-ës në Bibliotekën Kombëtare. Tirazhet e qarkullimit të librit janë ulur në minimum. “Shumë tituj botohen vetëm në 500 kopje, sidomos të përkthyerit. Titujt e rinj të autorëve shqiptarë shkojnë deri në 200 kopje”. Këto tirazhe të ulëta sipas Toçit, pengojnë realisht botuesin shqiptar, që të bëjë pagesën e përkthyesve, redaktorëve dhe të korrektorëve, sipas një minimumi standard evropian.
“Nëse ky standard i kërkuar shumë herë publikisht nga këto shtresa të interesit, do të duhej të zmadhohej në kushtet e tirazheve minimale, çmimet e shitjeve në librari do të rriteshin katër herë më shumë se sa janë aktualisht. Një roman me 250 faqe nuk do të shitej 700 lekë, por 28 000 lekë”. Sipas saj, e vetmja rrugë për realizimin e këtyre përkthimeve nga gjuhët e huaja në shqip, me çmim të pranueshëm janë aplikimet për programet e shteteve të ndryshme të Bashkimit Europian.