Shekulli XXI dhe edukimi shqiptar

Edi Puka Diskutojmë dhe flasim shpesh për rigjenerimin e rinisë shqiptare dhe nevojën për të patur individë profesionalisht dhe personalisht...

Edi Puka

Diskutojmë dhe flasim shpesh për rigjenerimin e rinisë shqiptare dhe nevojën për të patur individë profesionalisht dhe personalisht të mirëformuar dhe miredukuar, të cilët janë një domosdoshmëri për rinovimin e klasës politike, profesionale dhe njerëzore të një shoqërie në zhvillim si kjo e jona. Kërkojmë dhe shpresojmë, por nga ana tjetër nuk i japim vëmendjen e duhur genetikës të këtij problemi, që është një arsimim cilësor. Kjo jo për faktin se nuk kemi individë të arsimuar “institucionalisht”, i kemi dhe po përparojmë drejt dijes pa kufi, por problematika që ndeshim është se me çfarë çmimi po arrihet kjo? Me çmimin që po diplomohen, pa kufi, studentë të cilët vetëm emrin kanë të tillë, pasi raportin me studimin e kanë opsional, nuk çmojnë veçantinë e të qenit studentë universitarë dhe nuk kanë asnjëlloj vendosmërie në ndjekjen e objektivave që vetë ata i kanë vënë vetes. Aktualisht në shumicën e universiteteve tona, me disa përjashtime të vogla, nuk zhvillohet mësim, nuk u jepet rëndësia e nevojshme objektivave studentorë dhe ata nuk përfshihen në asnjëlloj vendimmarrjeje. Virtyti i gjendur është ai i të mos-studiuarit dhe i të mos-ndjekurit të leksioneve, pasi ato nuk nevojiten për të patur një të ardhme joshëse dhe sidomos një të ardhme të famshme. Atëherë cila është zgjidhja? Përgjigja është reality show. Të futemi të gjithë nëpër kafaze, të jetojmë të gjithë nëpër kafaze dhe të sillemi si paraardhësit tanë: shimpanzetë. Është e çuditshme, por e vërtetë, pasi kemi arritur të gjitha aftësitë e zhvillimit mendor, social dhe fizik, kuptojmë që është më e thjeshtë të mos i përdorim. Sipas këtij koncepti na lind nevoja e një kthimi mbrapsht në shkallët e evolucionit. Por, a është kjo nevojë e qenies? Mendoj se po, derisa kemi homo sapiens të cilët në vend që zhvillimin cerebral dhe fizik ta vënë në përdorim të vetvetes dhe zhvillimit shoqëror, e vënë në dispozicion të ofertave televizive. Por problematika kryesore është: pse ia bëjmë këtë vetvetes? Përse ndjejmë nevojën e të qenit në qendër të vëmendjes pavarësisht çmimit që paguajmë dhe sakrificës njerëzore që kryejmë? Është e vështirë të përgjigjesh. Mbase shoqëria e sotme shqiptare nuk i përkushton vëmendjen e duhur brezave të rinj, apo vlerave morale dhe objektivave që iu përkasin. Mendoj që përgjigjja e të gjitha disfatave njerëzore, siç janë humbja e vlerave morale dhe shoqërore, humbja e një shprese për të ardhmen, mungesa e një përzgjedhjeje bazuar në meritokraci është: mungesa e një arsimi cilësor dhe formues. Por ç’kuptojmë me arsim cilësor? Shpeshherë mendohet që arsimi është i lidhur vetëm me auditorin, domethënë, shpjegimi i njohurive përkatëse. Ky është një fakt demoralizues, pasi edukimi, si shkencë, e ka tejkaluar këtë fazë prej shumë dekadash. Nevojitet të reformohen jo vetëm shkollat dhe universitetet, por edhe mentalitetet konceptuale shoqërore në lidhje me procesin edukativ. Zgjidhja nuk është vetëm akreditimi i institucioneve arsimore, por mbi të gjitha rikonceptimi i qëllimit dhe objektivave që duhet të mbartin institucionet edukative formale dhe joformale, siç janë shkolla dhe familja. Edukimi dhe shkollimi duhen kuptuar si një koncept i pandashëm, domethënë, nuk mund të kemi një shkollim cilësor pa patur edhe një formim njerëzor. Në radhë të parë duhet të kuptojmë funksionin që secili prej nesh ka në shoqërinë aktuale, që si i tillë është ai i të qenit njeri. Jo pse kemi lindur të tillë, falë evolucionit, por sepse të tillë duhet të jemi, dhe këtë duhet ta tregojmë nëpërmjet sjelljes, komunikimit, gjuhës dhe aftësive personale dhe profesionale. Si rrjedhojë duhet që të rinjve t’iu ringjallen shpresat dhe t’iu jepet besueshmëria në vetvete. I gjithë ky proces i rëndësishëm duhet të kalojë nëpërmjet edukimit, por jo siç është konceptuar deri më tani, por si një rikonceptim bazuar në vlerat e të qenit njeri, që si i tillë është superior ndaj marketingut fitimprurës televiziv dhe që nuk mund të përkufizohet thjesht si një shimpanze e stërvitur me iPod.
 *Prof. As. Dr. Edi Puka është pedagog në Universitetin Europian të Tiranës.   

Related

Opinione 2119149116526852644

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item