UKRAINE / Europa dhe Rusia i tremben “ballkanizimit”
Najell Ferguson, WSJ Ideja e një ndarjeje të Ukrainës jo vetëm sikletos, por edhe tremb si në lindje, ashtu edhe në perëndim. Do të ishte n...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/ukraine-europa-dhe-rusia-i-tremben.html
Najell Ferguson, WSJ
Ideja e një ndarjeje të Ukrainës jo vetëm sikletos, por edhe tremb si në lindje, ashtu edhe në perëndim. Do të ishte një krater i hapur në qendër të Europës.
Do të ishte një makth për të dy palët “ndërluftuese” në këtë lloj lufte të ftohtë, e cila rinisi që kur, tre muaj më parë, filluan trazirat në sheshin Majdan. Ngjarjet dhe deklaratat kundërthënëse kanë shkaktuar jo pak shqetësim, pa nxitur për të menduar më të keqen. 20 mijë manifestuesit në Sevastopoli, të ngritur kundër lëvizjes nacionaliste në Kiev, të cilët kërkuan dje emërimin e një kryebashkiaku rus, kanë rikthyer edhe një herë në qendër të vëmendjes thirrjet e vjetra secesioniste të Krimesë. Ashtu sikurse, në krah të kundërt tashmë, deklarata e kreut të përkohshëm të shtetit, në të cilën pohohet vullneti për të vazhduar bashkëpunimin me Rusinë, por në kuadrin e një “zgjedhjeje europiane”, mund të ketë mërzitur si Kremlinin, ashtu edhe provincat lindore filoruse.
Bashkëbisedimi i fundit mes Angela Merkelit dhe Vladimir Putinit ka patur një efekt sigurues. Ndonëse, në krizat e pazgjidhura, deklaratat e personaliteteve të përfshirë kanë një vlerë relative dhe shpesh herë jetëshkurtër. Kancelarja gjermane i telefonoi presidentit rus në mbyllje të lojërave të Sochit për ta përgëzuar, por edhe për të testuar humorin e tij pas humbjes së regjimit filorus në Kiev, dhe rrëzimin e kreut të tij, Viktor Janukovic. Pak më herët, Merkel kishte folur me Julia Timoshenkon, e sapoliruar pas 30 muajsh burgimi, kështu që ka mundur të përcjellë edhe qëndrimin dhe qëllimet e heroinës së këtyre orëve në Kiev. Vladimir Putini u përgjigj se shpreson për krijimin e shpejtë të një qeverie në Kiev si dhe që është në favor të integritetit të Ukrainës.
Pasi këshilltarja për sigurinë e Shtëpisë së Bardhë, Suzën Elisabetë Rajs ndjeu nevojën të deklarojë qartë se rusët nuk duhet të ndërhyjnë ushtarakisht në Ukrainë, fjalët e Putinit ftohin disi atmosferën ndërkombëtare, por gjithësesi ato humbasin në zhurmën ukrainase. Ideja e ndarjes qarkullon prej kohësh. Atë e ushqejnë ndarjet e vjetra historike, kulturore, gjuhësore, të cilat mbizotërojnë në momente të pasionit politik, por që kur është arsyeja ajo që dominon, ridimensionohen prej ndjenjës së përbashkët kombëtare. Në këto ditë entuziasmi, hakmarrjesh dhe pasigurish, me barrikadat që ende nuk janë hequr në sheshin Majdan, dhe me grupet radikalë (supernacionalistë dhe ekstremistë të djathtë) që kanë marrë zemër prej suksesit dhe pjesërisht të integruar në forcat e rendit, situata mbetet gjithësesi e padeshifrueshme.
Në kryeqytet mbizotëron nxitimi. Parlamenti nuk humbet kohë. Zakonisht revolucionet, apo kthesat politike, u japin ansambleve imazhin e tyre. Në Kiev parlamenti ekzistues është përshtatur me ngjarjet. Ka larguar presidentin e tij, Vladimir Ribak (i larguar së bashku me Janukovicin dhe Prokurorin e Përgjithshëm) dhe ka emëruar një tjetër. Transformimi i ansamblesë prej 450 deputetësh ka qenë i menjëhershëm dhe radikal.
Një valë oportunizmi ka mbërthyer parlamentin. JO më kot Viktor Janukovic ka akuzuar të tijtë për tradhëti. Edhe sepse këta votuan rrëzimin e tij dhe zgjodhën pas vetëm pak minutash si kryetar të përkohshëm të shtetit ish presidentin e parlamentit, Oleksandër Turkinov, dikur krahu i djathtë i Julia Timoshenkos. Ky do të qëndrojë në detyrë deri në zgjedhjet e 25 marsit. Ndërkohë, ka ftuar deputetët të krijojnë sa më shpejtë një shumicë me qëllim që të martën të votohet qeveria e re. Mendohej që Kryeministre do të ishte Timoshenko, por ajo e ka përjashtuar, ndoshta edhe për shkak të shëndetit jo të mirë. Thuhet vazhdimisht se revolucioni ukrainas ndodhi në mënyrë legjislative. Por është mirë të saktësohet që Parlamenti iu bind revoltës. Prokurori i ri i përgjithshëm kërkon ndjekjen penale të Janukovic, pikërisht atë që kërkohet në sheshin Majdan.
Orët e fundit dukej se në vend po ravijëzoheshin dy forca të dallueshme qartë, e të destinuara të parathonin një ndarje të mundshme. Ajo e Kievit, e mbështetur nga provincat perëndimore nacionaliste të quajtura “europiane”, u qartësua me emërimin e kreut të përkohshëm të shtetit si dhe krijimin e shpejtë të një qeverie të re, në të cilën pritet të mësohet se cfarë detyrash do të kenë ekstremistët e Majdanit. Ata janë integruartashmë me detyra të ruajtjes së rendit publik bashkë me policinë.
Qendra e dytë e pushtetit, ajo e provincave lindore filoruse është ende fantazmë. Pasi ka lënë vilën e tij superluksoze në Mezhgorie, në portat e Kievit, Janukovici është vendosur në Kharviv, qyteti i dytë më i madh i Ukrainës. Por tani ai ndodhet në Donetsk, qendra industriale ku ka lindur dhe ku mbizotëron gjuha ruse, të cilën ai e flet shumë më mirë se sa atë ukrainase. Prej atyre provincave, ai ka deklaruar se është ende president i Republikës dhe ka akuzuar për tradhëti anëtarët e partisë që i kanë kthyer krahët. Por shumë pak lajme ka për të. Nuk dihen marrëdhëniet me autoritetet lokalë, por ajo që dihet është se nuk ka patur manifestime pro tij.
Heroina e momentit është Julia Lutishenko, e lindur edhe ajo në provincat lindore por që nuk njihet si filoruse. Ndonëse ka qenë në opozitë me regjimin e Janukovicit, ajo përshkruhet si një personazh që rusët e marrin në konsideratë. Sidomos Putini, me të cilin ka patur të bëjë kur ishte Kryeministër. Domethënë, një personazh me të cilin Kremlini mund të bisedojë. Pergatiti, E.Gjini/ Bota.al/