Një bërthamë e Albanologjisë në Budapest
Dr. Musa Ahmeti Në katedrën më të re të Albanologjisë në Evropë themelohet Biblioteka e Albanologjisë e mbështetur nga Shqipëria e Kosova. D...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/nje-berthame-e-albanologjise-ne-budapest.html
Dr. Musa Ahmeti
Në katedrën më të re të Albanologjisë në Evropë themelohet Biblioteka e Albanologjisë e mbështetur nga Shqipëria e Kosova. Donacionin e parë me dhjetëra tituj botimesh nga shtëpitë botuese kosovare e bëri ministri i Diasporës së Kosovës z. Makolli. Drejtuesja e Albanian Studies prof. Dr. Etleva Lala pohon se vetëm për një kurs këtë vit ka 20 student që ndjekin leksionet pranë Albanian Studies.
Albanologjia në Hungari ka një traditë të lashtë. Albanologët hungarezë kanë qenë ndër më të shquarit lëvrues të historisë dhe gjuhës shqipe në përgjithësi, dhe këtu mund të veçojmë Nopcsën, Thalloczin, Daniel Gjergj, Istvan Schutz etj. Edhe pse i re, Katedra e Albanologjisë – Albanian Studies ka hapur një horizont të ri për studimet shqipe, duke rizgjuar një interes të veçantë për kulturën, traditën, etnografinë, historinë dhe gjuhën shqipe të studentët e studiuesit hungarezë të ditëve të sotme, por edhe tek studiues të tjerë nga mbarë bota sepse përveç studentëve hungarezë këtu kanë ndjekur leksione edhe studentë nga Argjentina, Venezuela, Finlanda, Turqia, Gjermania, Spanja, Polonia, Rumania, Bullgaria në kuadrin e programit Erasmus Mundus. Gjatë këtyre dy viteve sa ekziston kjo Katedër, rreth 20 studentë kanë ndjekur lëndët për historinë e kulturën shqipe dhe albanologjinë. Këtë semestër madje, në lëndën “Hyrje në historinë moderne shqiptare” janë regjistruar 20 studentë, një dëshmia kjo e mirë për interesin që ka në këtë universitet për historinë, kulturën shqiptare dhe albanologjinë. Misioni i kësaj katedre është të thellojë marrëdhëniet akademike, kulturore, ekonomike, turistike, diplomatike midis shqiptarëve dhe hungarezëve për një bashkëpunim më efikas në të ardhmen; të bëjë të njohur historinë e lashtë të popullit shqiptar, të mësojë gjuhën shqipe që është një gjuhë e lashtë indoevropiane të hulumtojë traditat e zakonet e popullit shqiptar, dhe të krijojë ura komunikimi bazuar mbi pikëtakimet e përbashkëta me popullin hungarez dhe popujt e tjerë evropianë.
Gjatë vizitës së tij pranë Universitetit Shtetëror të Budapestit – ELTE, ministri i Diasporës së Kosovës z. Ibrahim Makolli u prit nga dekani prof. dr. Tomas Dezső i cili theksoi që vendet e vogla, si Hungaria dhe Kosova, të cilat nuk shquhen për ushtri të madhe, duhet të investojnë në diplomaci dhe në arsimim. Në këtë kuptim, universiteti ELTE ka për mision të përgatisë elita. Studentët që mbarojnë studimet në këtë universitet zënë pozicionet më të mira të punës jo vetëm në vend por edhe jashtë vendit. Dekani Dezső tregoi gatishmëri për të bashkëpunuar në të gjitha nivelet, qoftë me institucione të arsimit të lartë në Kosovë qoftë me ministrinë e Diasporës.
Në fjalën e tij, ministri Makolli bëri një përshkrim të shkurtër të historisë së Kosovës dhe të problemeve me të cilat përballet një shtet i ri me një popullsi të re, i sapo-dalë nga një luftë, dhe në përpjekje për të ndërtuar një demokraci solide, por me kufizime në lëvizje të njerëzve jashtë Kosovës, gjë që e bën akoma më të vështirë progresin duke shtuar problemet sociale në vend dhe jashtë vendit. Në këtë pritje dekani Dezső i dhuroi ministrit Makolli një dekoratë mirënjohje prej argjendi, në të cilën ishte gdhendur emri i themeluesit të universitetit, Eötvös Loránd. Ministër Makolli i dhuroi dekanit në mënyrë simbolike një libër, duke premtuar që së shpejti pranë Albanian Studies do të dërgohen një sasi e konsiderueshme e librave në gjuhën shqip e angleze. Gjatë vizitës në Katedrën e Albanologjisë ministri z. Makolli dhuroi dhjetëra tituj të librave në gjuhën shqipe, gjest ky shumë domethënës sepse këto libra do shërbejnë si gurë themel për themelimin e bibliotekës së albanologjisë këtu në këtë universitet. Librat e dhuruar përbëjnë vetëm nismën e parë sepse në të ardhmen siç u shpreh z. Makolli kjo bibliotekë do të pasurohet me literaturë tjetër të specializuar që trajton historinë, lashtësinë, të kaluarën dhe të tashmen e popullit shqiptar jo vetëm në Kosovë, por në tërë trojet etnike. Duhet theksuar se iniciativën për dhurimin e librave dhe vizitën e ministrit z. Makolli e ka organizuar ambasada e E Kosovës në Budapest, përkatësisht ambasadori z. Ukelli e konsulli për kulturë e diasporë z. Zajmi në bashkëpunim me drejtuesen e katedrës dr. Etleva Lalen. Pos dhurimit të librave ministri z. Makolli mbajti edhe një leksion të hapur.
Edhe institucionet shtetërore e kulturore shqiptare pos mbështetjes financiare që i bëjnë Albanian Studies kanë premtuar mbështetje me literaturë e botime të ndryshme për të plotësuar fondet e kësaj biblioteke të re por me perspektivë të madhe.
Aty ku është libri është dija, aty ku është dija është kultura, aty ku është kultura e dija është miqësia, mirëqenia dhe dëshira për të njohur njëri-tjetrin dhe vetveten më mirë.