Plava e Gucia, vendi që po zhbëhet!
Nga Ali Cenaj Bukuritë përrallore aq të përfolura të Plavës e Gucisë, aty janë. Liqeni piktoresk mes bjeshkëve që zhdirgjen teposhtë tek ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/plava-e-gucia-vendi-qe-po-zhbehet.html
Nga Ali Cenaj
Bukuritë përrallore aq të përfolura të Plavës e Gucisë, aty janë. Liqeni piktoresk mes bjeshkëve që zhdirgjen teposhtë tek përfundojnë me lëndina të buta e shtëpi të bukura buzë liqenit, të krijojnë pamje gati idilike. Pamje të një vendi me aq bukuri e potenciale ku banorët s’kanë si të ndjehen ndryshe përveçse të lumtur e me shkumë fat. Në syrin e dikujt që për herë të parë shijon pamje të tilla, ashtu duket, por që në takimin e parë me vendasit e kupton shpejt se ata as që e kanë mendjen te bukuritë e broçkullat e tilla.
Të zhgënjyer me të gjithë/Ata kanë halle të tjera. Shumë më të mëdha. Halle jetike, sepse po e ndjejnë se me shpërngulje e asimilim kanë shkuar tepër larg. Aq larg sa tanimë ndjehen të alarmuar. Të harruar nga të gjithë. Jo vetëm nga qeveria e Malit të Zi, shtetit nën të cilin gjallërojnë që nga ato betejat ndoshta më të përgjakshme të saj kohe, por edhe nga dy qendrat shqiptare, Prishtina e Tirana. Malit të Zi të cilit i ndihmuan shumë për rimëkëmbjen e shtetësisë por sërish që i ka lënë në fundin e listës të viseve më të varfra e të pazhvilluara, nuk i hidhërohen aq, mbase nga përvoja se prej andej nuk u ka ardhur ndonjë e mirë por më shumë fajësojnë dy qendrat shqiptare nga të cilat pritjet, siç po duket, paskan qenë tepër të mëdha edhe pse kërkesat duken fare modeste. Së paku të hapen rrugët e nisura me Kosovën e Shqipërinë. Rruga për rrugët që, siç shpresojnë, do t’i nxirrte nga izolimi i plotë në këtë vend të mbyllur me decenie të tëra. Rrugët që Plavën e Gucinë do t’i bënin vend transit, si dikur që këndej kalonin karvanët jo vetëm për Shkodër e Shkup por më tej drejt Greqisë e Turqisë. Rrugët që, shpresojnë ata, do të krijonin hapësirë që kjo zonë e mbajtur në izolim të plotë t’i kthehet, siç shprehen, ambientit të natyrshëm jetësor, rajonit të Dukagjinit përmes Deçanit e Pejës dhe rajonit të Shkodrës përmes rrugës tashmë të nisur por të lënë përgjysmë, pas ndërrimit të qeverisë në Tiranë. Ata nuk mund ta kuptojnë pse Prishtina, përveç në kohë fushatash, nuk po tregon interesimin për hapjen e rrugës që Deçanin do ta afronte vetëm në 34 kilometra me Plavë e Guci duke hapur edhe perspektiven e zhvillimit të potencialeve turistike. Ose, nuk mund të kuptojnë pse rruga e shkurtër përmes Çakorrit që do t’i lidhte me Pejën ende mbahet e mbyllur. Madje, në vend që jetë e kundërta, që Kosova të inicionte rihapjen e këtij kalimi kufitar, është Mali i Zi ai që pjesën e vet e ka asfaltuar deri në majë të Çakorrit e pala kosovare nuk po gjen kohë e mjete të asfaltojë vetëm disa qindra metra që kanë mbetur. Ata ndjehen të zhgënjyer edhe me “paritë” e veta partiake që, si gati në të gjitha mjediset tjera shqiptare, me sindromën e bajraktarizmës mbjellin përçarje deri në armiqësi edhe pse gojën gati të gjithë e kanë përplot patriotizëm por krejt kjo shpesh përfundon me një interes të vogël personal. Një e tillë ndërlidhet me kishën që malazeztë të cilët në këtë anë deklarohen serbë po synojnë të rindërtojnë në fshatin Martinaj me arsyetimin se aty paska pasur një kishë të tillë, e ndërtuar në vitin 1934, në pronë të nacionalizuar të një shqiptari por të cilën ndërkohë kanë arritur që ”me “letra” ta bartin në pronë kishën serbe në Mal të Zi. Kundërshtimi i vendasve deri në konfrontim personat që kishin nisur rindërtimin e kishës që në kujtesën e vendasve është sinonim i krimit, dhunës, vrasjeve të të parëve të vetë dhe pamjet e rrahjeve e arrestimeve të banorëve të fshatit nga forcat e Policisë që kishin shkuar aty për të siguruar punimet e nisura, Martinajt dhe banorët e tij i qiti në krye të lajmeve.
Shpërngulja, kjo lëngatë e rëndë/Për të mos përfunduar me kaq ngjarja tjetër, që , megjithatë, nuk e qiti nën hije problemin me kishën, erdhi shumë shpejt. Tashmë ishte deponia e mbeturinave mbi fshatin Martinaj si problem që i ka tejkaluar suazat lokale dhe, falë rrjeteve sociale, është bërë një nga temat më të trajtuara dhe më të nxehta aktualisht në këto anë. Ndryshe nga problemi i kishës që, së paku përkohësisht, i bashkoi të gjithë “armiqtë” partiakë, puna e deponisë doli të jetë aq komplekse sa të përçajë deri në armiqësi fshatarët e Martinajve që tanimë janë të ndarë në dy tabore. Deponia, mënyra e marrjes së vendimit që ajo të ndërtohej mu mbi Martinaj dhe dredhitë deri te marrja e vendimit dhe interesat personale të ndonjërit nga faktorët lokalë, ka bërë që të përçahen keq edhe miqtë e deridjeshëm. Madje edhe fqinjët që tashmë janë ndarë në ata që janë kundër dhe të tjerët që nuk shohin ndonjë rrezik nga deponia dhe natyrisht, janë pro. Këshilli i Fshatit kundër deponisë pas konfrontimeve fizike, përleshjes me policinë që i arrestoi disa nga pjesëtarët e Këshillit duke i liruar më vonë pasi kishin paguar gjobat, tashmë ka ngritur çështjen deri në Gjykatën Kushtetuese dhe kërkojnë anulimin e vendimit për ndërtimin e deponisë mbi fshat, edhe pse një pjesë e “parisë” lokale jo vetëm që aty nuk sheh diçka të keqe por edhe ka marrë pjesë në ndërtimin e saj. Në këtë situatë,varësisht me kë flet, ata shprehen të zhgënjyer edhe me disa nga përfaqësuesit politikë që më shumë vrapojnë pas interesave personale. Në një gjendje të tillë apatike, ata shprehen të tradhtuar dhe zhgënjyer edhe nga bashkëvendësit, që në disa valë emigrimesh, kanë bërë që në këto treva të mbetet vetëm një pjesë e vogël e banorëve të dikurshëm të kësaj ane. Edhe pse askush nuk ka ndonjë statistikë të saktë sepse regjistrime të emigracionit nuk janë bërë kurrë, me bindje të plotë këtu të thonë se mbi 70 për qind e popullatës tashmë ka ikur, ka emigruar, në atë valën e parë kryesisht në SHBA dhe pak vite më vonë edhe në vende të ndryshme perëndimore nëpër Evropë. Të tjerë janë rehatuar kryesisht nëpër Kosovë apo diku në bregdet. Edhe këta që kanë mbetur po zvogëlohen me teorinë e progresivitetit ashtu që tashmë “me letra” e gjithë kjo krahinë e gjerë e Plavës e Gucisë është reduktuar në vetëm 13 mijë banorë edhe pse realisht janë më pak. Madje, nëse vazhdohet me këtë trend, e pranon edhe vetë kryetari i komunës, brenda dhjetë vitesh, edhe ky numër i përgjysmuar do të përgjysmohet sërish. Shpërngulja, asimilimi, ngatërresat partiake, varfëria e faktorë të tjerë kanë bërë që tashmë rrugëve të Plavës rrallë e tek veshi të zë ndonjë fjalë shqip. Madje as në ditë tregu si të premten e kaluar, kur ishim atje, edhe pse jo pak malësorë e malësore kishin zbritur për të tregtuar diçka,kryesisht djathë, mish të terur, mjaltë, raki, sanzë e barishte tjera mjekuese, gjuha shqipe duket e përhumbur mes boshnjakishtes në atë zallahinë e tregut tipik ballkanik.
Shqipja, si rrallë e tek/Vetëm kur dëgjojnë të flasësh shqip, e sidomos nëse vjen nga Kosova, çdo gjë ndryshon. Secili zbulon nga një rrëfim të vetin që e lidh me Kosovën. Dikush si Aliu që ka punuar dikur në Prishtinë, dikush si Zoja që del të jetë bijë e Zahaçit afër Pejës, dikush si Esad Purishiq që ka kryer, dikur moti, shkollën në Pejë etj. Dhe të gjithë shprehen të befasuar këndshëm që dikujt u paska rënë ndër mend për ta. Fjalët, llafet vargohen gjatë e gjatë, me të nisur bisedën, zakonisht me atë pyetjen klishe: Si kaloni? Si i keni punët... “Disi po mbahemi por edhe sa nuk dimë. Si shumë jemi rralluar. Na mbyti shpërngulja, pastaj asimilimi”, thotë ish- punëtori i “Voqarit” të dikurshëm, Ali Prelvukaj që vite më parë ishte kthyer dhe tash merrej me bujqësi. Njëjtë shprehet edhe Esadi, boshnjak, siç e thotë edhe vetë me prejardhje shqiptare, që e ka brengën se shumë lehtë po ia kthejmë vendit shpinën dhe se “si shumë po lëshojmë pe”. Të njëjtat brenga dalin në sipërfaqe me këdo që takon në këtë vend me të kaluar të lavdishme e perspektivë të zymtë. Edhe në takimin e parë me Rifatin, atë që për dy ditë do të na bëhej udhëheqës dhe organizues i takimeve në këto anë, ende pa pirë kafenë, biseda nis me të njëjtat halle.
Frika mos jemi vonuar/Në takimin e parë me të “zotin” i shtëpisë, kryetarin e komunës së Plavës, Orhan Shahmanoviq nga Partia Boshnjake biseda si pavërejtshëm rrëshqet mu te shpërnguljet që po i shkretojnë këto anë. Shpërnguljet, zbrazja e vendit është preokupim i madh edhe i tij. Ai premton angazhim të veçantë për të ndalur trendin e shpërnguljeve. “Megjithatë, kam frikë se mos jemi vonuar. Numrin më të madh të popullatës vitale tashmë e kemi jashtë Plavës” thotë ai. “Dikur në ditë tregu, si është sot, nuk ke mundur të kalosh nga njerëzit. E sot, e patë edhe vetë, ditë normale, gati i zbrazët” thotë kryetari që kishte lindur m’u aty në qendër të shehrit të dikurshëm. Me regjistrimin e fundit të vitit 2003, Plava kishte 51 për qind boshnjakë, 36 shqiptarë, 10 serbë ndërkaq malazez janë fare pak pasi shumica deklarohen serbë. Dikur struktura ishte ndryshe por trendet e shpërnguljeve dhe vendosjeve të ardhacakëve e kanë bërë të veten. Megjithatë, edhe serbët shpërngulen, thotë ai duke përmendur katundin Meteh që ishte gati etnikisht i pastër me serbë e tash ka mbetur me vetëm dy shtëpi. Boshnjakët e shqiptarët janë shpërngulur, që në vitet ‘70, kryesisht në Amerikë ndërkaq në vitet e 90-ta në vendet evropiane. Kur flitet për popullatën boshnjake e shqiptare, pasi nuk ka shënime zyrtare, konsiderohet se në Amerikë ka trefish më shumë se sa këtu në vendlindje. Diku rreth 30 mijë.
Realisht as dhjetë mijë/“Me regjistrimin e fundit krejt komuna i ka 13 mijë banorë. Madje në letër sepse realisht as kaq nuk i ka, thotë ai” duke shtuar se ky është territori i vetëm që ka më shumë votues në listat zgjedhore se sa banorë. Thjeshtë, nga fakti se kur bëhet regjistrimi familjarët që kanë mbetur këtu i regjistrojnë edhe ata që me vite të rëra jetojnë jashtë. “Për shembull në Vuthaj ka të regjistruar 630 votues. Të gjithë kanë dalë dhe kanë votuar por nuk ishin më shumë se 230 edhe pse disa madje atë ditë kanë ardhur nga Kosova ku jetojnë. Do të thotë nga të regjistruarit , as një e treta nuk janë këtu” thotë shoqëruesi ynë Rifati. Edhe kryetari konsideron se realisht nuk janë as 13 mijë banorë .“Unë nuk besoj se në Plavë, Guci e Murinje ka më shumë se 10 mijë banorë, thotë ai. Madje, nëse trendi vazhdon kështu për dhjetë vjet edhe kjo pak popullatë do të përgjysmohet. Rreth asaj se a do të brengosej Mali i Zi më shumë nëse një trend i këtillë i shpërnguljeve të ndodhte edhe me malazeztë e jo vetëm me shqiptarët e boshnjakët, përkatësisht do të bënte sehir apo do të gjente masat që të ndalonte këtë trend, kryetari është shumë i drejtpërdrejtë. “Po të ndodhte kjo edhe me malazeztë, shteti sigurisht se ndryshe do të reagonte,” thotë ai pa ngurrin duke besuar se me kapacitetet që ka kjo anë mund të ndalet shpërngulja. Shpërngulen të gjithë, shqiptarë e boshnjakë por normalisht se kjo më së shumti i godet pakicat. “Sigurisht ka pas një qëllim që në këto hapësira të mos jetojnë më ata që këtu kanë qenë me shekuj. Këso bukurish natyrore që vetë zoti i ka dhënë për zhvillimin e turizmit sigurisht se nuk shfrytëzohen edhe për shkak të strukturës së popullsisë këtu” thotë ai. Ne përpiqemi t’i tregojmë Malit të Zi dhe të gjithë të tjerëve se Plava meriton të jetë në krye të piramidës turistike dhe ekonomike. Kemi mjaft njerëz të shkolluar. Madje jemi vendi që për nga përqindja ka më së shumti akademikë dhe të tjerë me tituj të doktorëve e magjistrave të shkencave. Është e çuditshme, e pashpjegueshme pse njerëzit tanë, kudo të shkojnë jashtë dëshmohen shpejt, janë biznesmenë të suksesshëm e këtu në vendin e vet assesi të gjejnë veten, thotë ai. Shteti duhet të gjejë masat. Që investitorëve potencialë t’u japë benifite dhe të investojnë këtu ose të na tregojë qartë se çka na pret, thotë ai duke treguar një sekuencë nga takimi me zyrtarët qeveritarë në Podgoricë. “Ju lutëm ose të ndërmerret diçka ose jepni fund kësaj pune. Na i shkurtojini vuajtjet. Hajde, të ndërtojmë një hidrocentral dhe ta përmbysim krejt këtë rajon. Dhe të na hiqni qafe, një herë e përgjithmonë” ose ndërmerrni diçka, thotë kryetari duke sjellë një sekuencë nga biseda me qeveritarët në Podgoricë. Sot heroizëm është të qëndrosh, të jetosh këtu. Dhe vazhdimisht e pandërprerë t’ia përsërisim këtij shteti se ne jemi pjesë e këtyre hapësirave dhe ne duhet t’i shijojmë të mirat e këtij vendi, thotë kryetari që megjithatë shpreson se, pa marrë parasysh të gjitha vështirësitë, këtu megjithatë do të mbesin njerëzit që këtu kanë jetuar me shekuj. “Ne e kemi obligim të mbesim këtu, pa marrë parasysh vështirësitë”, thotë kryetari Shahmanoviq.
Marrë nga e përditshmja e Prishtinës “Zëri”