Çka po shkakton turbulencë në tregjet në zhvillim?
Nga Charles Recknagel Nëse diçka është emërues i përbashkët këto ditë në tregjet në zhvillim, atëherë ajo është turbulenca. Por, shtrohet ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/cka-po-shkakton-turbulence-ne-tregjet.html
Nga Charles Recknagel
Nëse diçka është emërues i përbashkët këto ditë në tregjet në zhvillim, atëherë ajo është turbulenca. Por, shtrohet pyetja se sa e përhapur është kjo turbulencë? Prej fillimit të vitit, investitorët janë larguar nga tregjet në zhvillim në mbarë botën për shkak të shqetësimeve për dobësitë në ekonomi dhe trazirat politike. Turbulenca nuk ndjehet në secilin treg në zhvillim, por është mjaft e përhapur për ta shtruar atë si fenomen global. Javën e kaluar kanë ndodhur veçanërisht shembuj dramatikë. Më 24 janar, rubla e Rusisë ka rënë në nivelin më të ulët në pothuajse pesë vitet e fundit në krahasim me dollarin amerikan, ndërsa lira e Turqisë ka rënë 1.6% vetëm për një ditë.
Po këtë ditë, randi i Afrikës Jugore ka rrëshqitë në nivelin më të ulët prej tetorit të vitit 2008.Pezosi i Meksikës, njëra nga monedhat e fuqishme në tregjet në zhvillim, ka rënë në nivelin më të ulët në krahasim me dollarin amerikan, prej qershorit të vitit të kaluar. Shtrohet pyetja se ku qëndron problemi? Eksperti Neil Shearing, nga Capital Economics me seli në Londër, thotë se pjesë e problemit është rënia e besimit të investitorëve për shkak të dy arsyeve: “E para është për shkak të shqetësimeve për drejtimin e ekonomisë kineze dhe për mundësinë e rëndë për vendosje atje. E dyta ka qenë fokusi i ripërtërirë nga investitorët një uljet nga Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara dhe ndërrimi kah politika monetare më e ashpër në Shtetet e Bashkuara”, tha eksperti Shearing. Shqetësimet për rritjen ekonomike të Kinës, e cila është parë si makinë për shumë tregje të tjera në zhvillim, janë rritur pasi Kina,në muajin dhjetor, ka pasur shkallë të ngritjes më të vogël se që kishte shpresuar. Kjo i ka frikësuar investitorët ndërkombëtarë me aksione në gjithë Azinë, duke ndikuar në disa prej tyre, që kapitalin e tyre ta tërheqin duke i shitur aksionet dhe duke u liruar nga monedha lokale. Njëherësh, Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara, që është ekuivalent i bankave qendrore në vendet e tjera, i ka shpallur planet për uljen dhe eventualisht përfundimin e politikë së “lehtësimit kuantitativ” të injektimit të parave në ekonominë amerikane. Kjo politikë deri tash ka mundësuar rezerva për kreditim, përfshirë edhe në vendet në zhvillim. Investitorët ndërkombëtarë kanë frikë se këto rezerva do të shteren dhe, rrjedhimisht, do të shtohen problemet financiare në vendet në zhvillim, siç janë Turqia, Brazili, India, Afrika Jugore dhe Indonezia, që mbështeten në kreditë e lehta të jashtme, për ta mbajtur deficitin e lartë qeveritar, që nga ana tjetër është jostabil. Por, në disa vende, problem shkaktojnë edhe kushtet lokale, më tepër se faktorët globalë. Ja se çka thotë eksperti Shearing për këtë çështje: “Çështja kryesore në të gjithë këtë situatë është se duhet bërë dallime ndërmjet tregjeve të ndryshme në zhvillim dhe ndjeshmëritë me të cilat ato ballafaqohen. Për shembull, sfida më e madhe me të cilën ballafaqohet Rusia së fundit, është përpjekja për të gjetur burime të reja për rritje, e jo për shkak të aksionit të Rezervave Federale të Shteteve të Bashkuara”, thotë Shearing.
Turqia ka probleme për shkaqe të tjera. Liria e saj ka rënë afro 20% prej 17 dhjetorit, kur u bënë publike hetimet për korrupsion kundër aleatëve të kryeministrit Recep Tayyip Erdogan, dhe për shkak të goditjes së Erdoganit, me ç’rast janë shkarkuar shumë prokurorë dhe zyrtarë policorë të involvuar në hetime. Këto zhvillime e kanë lëkundur besimin në qeverinë e Turqisë. Banka Qendrore e Turqisë i ka rritur shkallët e interesit këtë javë, me qëllim që ta mbështesë monedhën e vet, ashtu siç kanë vepruar edhe Afrika Jugore dhe India.