Jahjaga u prit nga Mbreti Abdullah i Jordanisë
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot me nderime të larta shtetërore në oborrin mbretëror të Mbretërisë Hashemite...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/jahjaga-u-prit-nga-mbreti-abdullah-i.html
Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, u prit sot me nderime të larta shtetërore në oborrin mbretëror të Mbretërisë Hashemite të Jordanisë, nga Mbreti Abdullah, me ftesë të të cilit po qëndron në vizitë dyditore.
Jahjaga dhe Mbreti Abdullah, theksuan rëndësinë e zhvillimit të marrëdhënieve të mira ndërmjet dy vendeve, thellimit të bashkëpunimit në fusha të ndryshme, si dhe diskutuan për çështjen e konsolidimit të mëtutjeshëm ndërkombëtar të Kosovës dhe ndihmën që Jordania mund t'i japë në fushën e njohjeve të mëtutjeshme.
Jahjaga vlerësoi se vizita në Jordani mund të shërbejë për forcimin e marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve, ndërsa përgëzoi Mbretin Abdullah për ulësen në Këshillin e Sigurimit të OKB-së.
Ajo tha se Kosova në gjashtëvjetorin e pavarësisë, Kosova është konsoliduar si shtet dhe se aspiron anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare, në veçanti OKB, BE dhe në NATO. Presidentja Jahjaga theksoi se është me rëndësi që edhe KS i OKB-së të vlerësojë të arriturat në Kosovë dhe ta shoh atë si një vend me demokraci të konsoliduar.
Duke folur për rëndësinë e konsolidimit ndërkombëtar të Kosovës dhe njohjet e deritashme të pavarësisë së saj, Jahjaga vlerësoi se Jordania mund të ndihmojë në këtë fushë përmes ndikimit që ka në rajonin e Lindjes së Mesme dhe tek ato vende me të cilat ka marrëdhënie të mira bilaterale.
Presidentja tha se Kosova dhe Jordania ndajnë vlera të përbashkëta kur bëhet fjalë për tolerancën ndërfetare dhe se ato duhet të ndihmojnë njëra-tjetrën në kultivimin e këtyre vlerave dhe në përballjen me sfidat që mund të sjellin ekstremizmat në botë.
Mbreti i Jordanisë e vlerësoi të rëndësishme vizitën e Jahjagës dhe tha se vendi i tij është i gatshëm ta ndihmojë Kosovën në proceset nëpër të cilat ajo po kalon, duke e mbështetur në konsolidimin ndërkombëtar.
Ai tha se Jordania mund të bashkëpunojë me Kosovën në fushën e shëndetësisë, bujqësisë, të arsimit dhe në atë të sigurisë. Ndërsa, shprehu gatishmërinë edhe për ta vizituar Kosovën.