Al Haji: Fronti i shqiptarëve në luftën e Sirisë

  Intervistoi Eljan Tanini Intervistë me Yasser Al Haji, gazetar dhe zyrtar i Këshillit Ushtarak të Alepos, i cili thotë se kryengritësit ja...

 Intervistoi Eljan Tanini
Intervistë me Yasser Al Haji, gazetar dhe zyrtar i Këshillit Ushtarak të Alepos, i cili thotë se kryengritësit janë tradhtuar e braktisur prej gjithkujt, por ata do ta fitojnë luftën. Çfarë di ai për shqiptarët që kanë shkuar të luftojnë në Siri dhe përfshirjen e Al-Kaedas?

 Yasser Al Hajin e njoh prej kontakteve të mikut tim, reporterit të luftës, Vedat Xhymshiti. Sa herë që
kontaktojmë bashkë, ai thotë se ka një dhembje që nuk i mbaron. Yasser Al Haji është aktivist politik dhe zyrtar i Këshillit Ushtarak të Alepos nga Ushtria e Lirë Siriane dhe thotë se këta po e fitojnë luftën dhe se nuk ka shumë shpresa te takimet e paqes në Gjenevë. Gruaja e tij, deri sa të marrë fund lufta jeton në Stamboll, ndërsa ai vetë gjendet mes rrënojave me të birin. Nuk kanë dashur të lëvizin për luftën që duan të bëjnë ende. Ushqehen me çaj dhe bukë. 
Zt. Al-Haji, ju falenderoj që pranuat të intervistoheni. A mund të na tregoni se cili jeni ju dhe çfarë keni bërë para se të ndizej konflikti në Republikën e Sirisë? Çfarë po ndodhte atje, në kohën kur ju u rikthyet?
Jam një aktivist i Revolucionit dhe një aktivist i medias. Përpara se të niste Revolucioni, punoja për një gazetë qeveritare në Nju-Jork, në Kombet e Bashkuara. Kur nisi lufta në Siri, u riktheva për të dhënë kontributin tim në prill të vitit 2011. Po ndodhte një demonstratë. Ishin rreth njëzet a pesëdhjetë veta që bënin demonstratë, dhe që atëherë, demonstrata u rrit gjithmonë e më shumë. Më pas Shërbimet Sekrete nisën të na sulmonin, dhe na u desh rreth nja një vit që të armatoseshim.
Cila është përqindja e territorit që kontrollojnë forcat kryengritëse? A u jeni bashkuar ndonjëherë luftëtarëve në beteja? Cila është beteja më e madhe e zhvilluar gjer më sot?
90% e rrugicave të Aleppo-s është nën kontrollin e UÇS-së (Ushtria Çlirimtare e Sirisë), si dhe rreth 65% e qytetit në përgjithësi. Po, u jemi bashkuar luftëtarëve, por jo me armë, me kamera. Si gazetarë. Ka ndodhur në lindje dhe perëndim të Aleppo-s dhe nëse do të flasim për Sirinë, është beteja e Damaskut lindor. Këto janë betejat më të mëdha në Siri.

Si po ecën revolucioni juaj? E kam fjalën për armët dhe mjetet e tjera luftarake. Mund të na thoni diçka për logjistikën e revolucionarëve?
Askush nuk i ka mbështetur revolucionarët deri tani. Vetëm fjalë na kanë dhënë Perëndimi dhe të tjerët. Çdo ditë na vrasin me avionë luftarakë, armë kimike apo quajini si të doni ato që regjimi po përdor kundra nesh. Të vetmet armë që ne kemi, janë ato që kemi konfiskuar nga qeveria. Qeveritë perëndimore na kanë premtuar se do të na ndihmonin, por akoma askush s’ka bërë asgjë.
A mund të përmendni një qeveri perëndimore, që ka premtuar se do ta pajisë Ushtrinë e Lirë Siriane me logjistikë armative?
Po, SHBA na kanë premtuar, por na kanë gënjyer gjatë gjithë kohës. Vazhdojnë të bëjnë premtime, por ende nuk kanë sjellë asgjë. Vetëm fjalë. Është turp! Ata po gënjejnë. Njerëzit vriten përditë. Janë vrarë rreth 100 000 njerëz, prej tyre 60 mijë burra, 12 mijë gra, 13 mijë fëmijë, dhe të tjerë e askush nuk ka bërë asgjë. Është një regjim kriminal ky i Bashar al Assad-it. Po përdor të gjitha llojet e armëve për të vrarë edhe më tepër njerëz.
Teksa flasim së bashku, ju gjendeni ne Marea, në veri të Sirisë. Si mund ta përshkruani situatën e tanishme atje dhe, a mund të përmendni një numër të njerëzve, si për shembull refugjatët që janë përfshirë në konflikt?
Marea ka kohë që është çliruar. Por shpesh, avionët luftarak vijnë natën dhe qëllojnë me mitraloza ajrorë, duke vrarë kështu shumë civilë. Kjo ndodhi edhe rreth tri ditë më parë. Ata hodhën dy raketa në Marea, dhe patëm shumë fat që nuk vdiqëm atë ditë. Brenda Sirisë janë rreth 5-6 milionë njerëz dhe hamendësoj se janë edhe rreth gjysmë milionë në vendet e huaja. Shumica e popullsisë, në një mënyrë a një tjetër, është prekur nga Revolucioni, nga konflikti që ka përfshirë Sirinë. Nuk e dimë sa njerëz nuk e mbështesin më regjimin.
Përse ka kaq shumë keqinformim për luftën tuaj? Çfarë po raportohet keq për atë që po ndodh atje?
Është shumë e thjeshtë: Qeveria ka 5 mijë vetë që punojnë në media. Ata nxjerrin video të rreme dhe lajme jo të vërteta për të gjithë. P.sh: Ata që janë terroristë, njëherë i quajnë fëmijë, dhe më vonë, i quajnë terroristë. Për momentin, nuk kemi një mbulim të gjerë mediatik, ne jemi shumë pak gazetarë. Tani është bërë më keq sepse disa gazetarë janë marrë peng. Nga ana tjetër, qeveria po i fton të gjithë që të tregojnë për disa gjoja aksidente të caktuara, por gjithsesi ata propagandojnë për qeverinë.
Meqë po flasim për marrjen peng të gazetarëve, përse mendoni se po ndodh kjo? Kush i rrëmben gazetarët? Sepse di edhe nga miku im, reporter i luftës Vedat Xhymshiti, që është mbështetur nga Ushtria e Lirë Siriane. Por ajo që po përpiqem t’ju pyes është se, a ka ndonjë rast që Ushtria e Lirë Siriane është angazhuar për të çliruar gazetarët nga duart e rrëmbyesve?
Nuk e di kush, por kushdo qoftë, ai po mbështetet nga qeveria, sepse ata duan që e vërteta të mos dalë në shesh, nuk duan që faktet të zbulohen. Në fakt, nuk është Ushtria e Lirë Siriane që rrëmben gazetarët; përkundrazi, ajo i mbështet. Mbajtjet peng kanë nisur kohët e fundit. Po, është orvatur shumë herë. Sipas një gazetari hungarez dhe një gazetari Spanjoll, ata janë rrëmbyer, ndaj Ushtria e Lirë Siriane i ka shpëtuar. Ka ndodhur disa herë, por tani është bërë e vështirë. Nuk është më aq e lehtë.
Si mendoni, çfarë do t’i ndodhë më vonë Asadit? Do të ketë një fund si të gjithë diktatorët e tjerë? Do ta vrasin, do ta ndëshkojnë, apo do të jetojë i lirë?
Nuk e di, na mbetet vetëm të shpresojmë, sepse tani ai është mbështetur nga qeveritë perëndimore. Më 2012, disa qeveri europiane i dërguan atij armë kimike. Unë të paktën, shpresoj që ai të ndëshkohet një ditë për krimet e tij.
Ju përmendët se disa qeveri europiane i kanë shitur armë kimike Asadit më 2012. Cilat janë konkretisht qeveritë, dhe a ka ndonjë rast të konfirmuar? Sa herë janë përdorur armët kimike?
Më 2011-2012 ishte Gjermania, dhe pas saj i dërgoi Italia disa armë kimike dhe municione. Të mos harrojmë, se Rusia e mbështet Asadin akoma në misione; Irani po e mbështet me ushtarë, po ashtu edhe Iraku. Konfirmohet se armët kimike janë përdorur 14 herë. E kam hetuar vetë një herë; gjashtë njerëz vdiqën atë ditë. Intervistova mjekë dhe infermierë. Një tjetër ndodhi në Damaskun lindor; 13 mijë njerëz vdiqën.
Ç’kuptim ka për kauzën tuaj marrëveshja SHBA-Rusi për Sirinë?
Sigurisht, ata duan që Siria të shkatërrohet. Mendoj kështu, sepse gjer tani ata nuk kanë bërë asgjë që ta mbrojnë Sirinë. Nëse Siria do të shkatërrohet plotësisht, kjo do të ishte në të mirë të Izraelit, sepse Izraeli do të ishte i sigurt për 20-30 vitet e ardhshme. Është një marrëveshje e pistë. Ata kanë armët kimike dhe asgjë tjetër nuk u intereson. Kjo është një katastrofë për njerëzimin. Pas kësaj marrëveshjeje, qeveria amerikane dhe ajo ruse, ua dha dritën jeshile qeverisë së Asadit për të vrarë sa më shumë njerëz në mënyrë agresive.
Mund të pohoni se askush nuk po e mbështet Ushtrinë e Lirë Siriane?
Askush nuk po i mbështet ata. Të vetmet armë i kemi marrë kur  bastisim bazat qeveritare.
Sa mendoni se do të zgjasë lufta? Do të mbarojë ndonjëherë? I mbani shpresat tek Gjeneva?
Ata po flasin me Gjenevën, ku do të diskutohet për këtë temë për ndryshimin e qeverisë, përfshirë edhe Presidentin. Diçka serioze duhet të dalë nga kjo. Që lufta të përfundojë, unë nuk i kam shpresat tek Gjeneva, sepse ka mbetur shumë pak kohë që qeveria të rrëzohet.
A njihni ndonjë shqiptar që po lufton në Siri?
Po, kam dëgjuar për këtë në sezonin e verës, ata luftonin në aeroportin e Minieg-ut, ku edhe e kishin çliruar disa muaj më herët.
E keni takuar ndonjëherë Asadin? Keni biseduar me të?
Po, e kam takuar një herë në Greqi. Ishim me një grup njerëzish dhe shkëmbyem vetëm disa fjalë për pak minuta.
Kush po e mbron tani familjen e diktatorit? A ka ndonjë sirian që ende e do Asadin?
Ju lutem, nëse sirianët do ta donin, atëherë pse këtu vijnë ushtarë nga Iraku dhe Irani? Kjo tregon që ai nuk e ka më mbështetjen e popullit sirian dhe atij i duhet të marrë të huaj që të luftojnë për të. Kohët e fundit është rritur numri i njerëzve që nuk duan të shërbejnë më për të. Së shpejti, atij do t’i duhet të largohet.
A e mbështet Turqia konfliktin në Siri dhe, a gjenden mercenarë midis kryengritësve?
Ajo e mbështet vetëm politikisht, por jo ushtarakisht, sepse asnjëherë nuk ka sjellë armë.
Kur ne nuk kemi mundësi të blejmë armë, si mund të kemi dollarë për të paguar mercenarët?! Ata, qeveria i sjell nga Jemeni, Irani, Hezbollahu etj, por qeverisë nuk ia mban xhepi t’i paguajë.
Sa besim keni se shtetet e tjera mund ta zgjidhin problemin e Sirisë?
Ne nuk kemi aspak besim. Ata flasin për liri dhe demokraci, kurse ne kemi tre vjet që nuk shohim as liri, as demokraci. Ata nuk na ndihmojnë, prandaj nuk kemi fare besim.
Kur do të kemi mundësinë ta shohim Sirinë pa konflikt? Nëse lufta do të mbarojë, si duhet qeverisur Siria pas lufte?
Kjo do të kërkojë shumë kohë. Regjimi ka shkatërruar shumicën e strukturave të saj. Në një rast dua të jua rrëfej se në rrugën kryesore ushtria kishte shkruar: “Ose Assadin, ose do ta shkatërrojmë Sirinë”. Kjo varet nga populli sirian. Ne duam ta shohim Sirinë një shtet demokratik.
Nëse rebelët humbasin luftën, çfarë do të ndodhë me ju po qe se qeveria largohet që nesër, a do të ketë akuza për krime kundër njerëzimit për të dyja palët?
Kjo nuk është pyetje! Rebelët nuk do ta humbasin luftën, ne jemi në krahun e fitimtarëve. Ne po luftojmë për qëllime të mëdha; është një diktator kriminel dhe para tij ka qenë i ati, po ashtu një diktator kriminel. Sigurisht që kjo do të ndodhë. Janë shkelur të drejtat e Njeriut, dhe ne do të kujdesemi që të japim provat se Asadi është përfshirë në krimet kundër njerëzimit.
Mediat thonë se dhe Al-Kaeda është përfshirë në konfliktin në Siri. Mund të na e konfirmoni këtë, ju lutem?
Po, janë disa të Al-Kaeda-s në Siri tani, por nuk e di me siguri. Ka disa liderë që megjithatë shkaktojnë konfuzion në këtë situatë, por po, kemi diçka nga Al-Kaeda në Siri. Por nuk janë të konfirmuara.
Çfarë do të bëni pas kësaj interviste?
Dua të fle deri në orën 9 të mëngjesit, por nuk ia dal dot. Gjithmonë ka shumë tension, frikë. Pyetja është nëse do të mbijetoj gjer nesër. Çdo ditë bëjmë të njëjtën pyetje.
Sa është temperatura tani? Ka shumë njerëz rrugëve atje, apo jo?
-2 gradë Celsius. Sigurisht. Ka shumë njerëz të pastrehë. Ndonjëherë bie shi, borë… Jemi në kushte të vështira.
 (Fotot janë realizuar nga reporter i luftës, Vedat Xhymshiti)

Related

Intervista 2221388959785206624

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item