NJË LIGJ MBI TRASHËGIMINË KULTURORE QË DUHET RISHKRUAR

Bajram Peçi Bëhet fjalë për ligjin nr.9048, datë 7.4.2003, ”Për Trashëgiminë Kulturore”. Në kohën kur iniciativa ligjvënëse e Ministrisë së ...

Bajram Peçi

Bëhet fjalë për ligjin nr.9048, datë 7.4.2003, ”Për Trashëgiminë Kulturore”. Në kohën kur iniciativa ligjvënëse e Ministrisë së Kulturës përgatitej për të marrë formën ligjore, askush prej institucionit nuk u këshillua me grupet e interesit, ku shumica ishin e janë subjekte shtetërore dhe vetëm një prej tyre është grup i interesuar që mbron e zotëron objekte private të trashëgimisë, koleksionistët. Kjo shtresë e kufizuar e shoqërisë tonë ruan dhe ka objekte, si numizmatika dhe filatelia, të cilat ligji i përfshin në kreun ”Trashëgimia Kulturore e luajtshme”, neni 19, që paradoksalisht ligji i trajton siç i kanë trajtuar shtetet totalitare. Një varg nenesh të ligjit ruajnë dhe kanë frymën e shtetit të centralizuar, janë me qasje konservatore dhe pengojnë veprimtarinë e anëtarësisë së Shoqatës të Koleksionistëve të Shqipërisë.
 Në një demokraci të plotë njerëzit nuk mund të kufizohen në lirinë e hobeve dhe pasioneve vetjake.
 …përndryshe nënkuptohet se vazhdon të jetë e pranishme hija e dhunës së shtetit ndaj individit. Pasi me të drejtë në ligj përcaktohen disa rregulla bazë për organizimin, si inventarizimi i objekteve, regjistrimi i tyre, kartela e identifikimit (pasaporta) etj., në Nenin 7 bëhet përcaktimi jo i qartë (ndaj dhe ai kurrë nuk gjeti zbatim) se: ”… Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore, …bëjnë përcaktimin e vlerave të objekteve të trashëgimisë kulturore të luajtshme e të paluajtshme, të shpallura të tilla, pronë e çdo personi fizik ose juridik, si dhe dokumentimin e tyre…Këto objekte, në mënyrë të detyrueshme, duhet të regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, e cila lëshon pasaportën e objektit në bazë të këtyre të dhënave… Çdo ndryshim i pronësisë së objektit duhet të regjistrohet në Qendrën Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore”. E kam vendosur në korsiv  përcaktimin ligjor, ”të shpallura të tilla”, sepse këtu qëndronpaaftësia e institucioneveAsnjëherë institucioni i lartpërmendur nuk bëri përcaktim vlerash konkrete të një objekti filatelik apo numizmatik. Atë që në pikën “dh”, ligji e thotë në përgjithësi, “koleksionet e ndryshme filatelike, numizmatike, të artit, me vjetërsi mbi 25-vjeçare”, nuk e specifikuan. Për rrjedhim, ligji përfshin çdokënd që fillon e koleksionon pulla poste e monedha (meqenëse në Shqipëri çdo koleksion filatelik e numizmatik automatikisht është me objekte më të vjetra se kaq dhe nuk ekziston koleksion që të mbledhë vetëm pullat e këtyre 20 vjetëve!?) dhe nëse ato nuk janë të regjistruara dhe të pasaportizuara, siç janë në fakt, ligji i çon mbajtësit e tyre në ferr.
 Ligji është plot kontradikta, disa nene të tij përdoren si mjet diskriminimi, shoqëruar me ndalime e kufizime, pasojë e një burokracie të zvetënuar.

Arka që qëndrojnë të mbushura në bodrumet e muzeumeve apo koleksione private?
Ligjvënësit europianë ka kohë që i kanë kthyer përgjigje kësaj pyetjeje. Në Europë, me ngritjen e qytetërimit, u formuan edhe koleksionet e para të monedhave, sepse çdo popull i arsimuar ndjen nevojën për të zgjuar kujtimet e së shkuarës dhe të mësojë historinë e atyre që na kanë paraprirë. Në mesjetë, rrallë mund të ndeshje me ndonjë familje patricësh që të mos kishte koleksion monedhash. Ato ishin shndërruar në modë. Koleksionistët europianë kanë mbajtur gjithmonë monedha të lashtësisë, por për shkak se prejardhja mund të konsiderohej e paligjshme, shteti vuri rregulla. Çdo objekt i gjetur në nëntokë për një kohë të gjatë pati statusin e pronës shtetërore.
Monedhat lejoheshin, duke u shoqëruar me një varg rregullash e ligjesh, interpretimi i të cilave mund të shpërdorohej lehtë, derisa përfundimisht u la i lirë. Fqinji ynë perëndimor, Italia,  mbledhjen dhe koleksionimin e monedhave të lashta e ka të ligjshme dhe njihet nga “Kodi i Trashëgimisë Kulturore”, i ligjëruar nga “Dekreti legjislativ i 22 janarit 2004”, ku ndër të tjera përcaktohet interesi kulturor-numizmatik dhe ku vendoset praktikisht se monedha e lashtë, greke, romake, mesjetare apo e Rilindjes, lirisht mund të jetë subjekt i koleksioneve private dhe se vetëm disa prej tyre ose disa koleksione, duhet të merren parasysh si “objekte të trashëgimisë kulturore” dhe për këtë arsye subjekti gëzon mbrojtjen sipas ligjit. Kur thuhet, “…vetëm disa prej tyre…”, instancat përkatëse u kanë vënë gishtin tregues atyre monedhave, rrallësisa e të cilave i detyron pronarët t’i regjistrojnë. Monedhat jashtë këtij konteksti janë të lira për koleksionim, pa qenë e nevojshme të shoqërohen me ndonjë dokument. Ndërsa, një koleksion monedhash konsiderohet nga ligji i mbrojtur kur ka një vlerë tregu prej më pak se 46,598 euro dhe vetëm për ato koleksione që janë me interesa të jashtëzakonshme artistike, historike, tepër të rralla dhe me rëndësi të veçantë.
Ligji italian dhe ai anglez në mënyrë eksplicite thonë se: vetëm objekti që ka rendësi historike ose arkeologjike duhet të mbahet ose shitet i shoqëruar me certifikatën e prejardhjes ligjore. Kështu, si mbajtësi dhe shitësi marrin përgjegjësinë ligjore që objekti nuk është i vjedhur e as vjen nga gërmimet klandestine. Organi përkatës bën specifikimin e atyre objekteve monedhë që kanë vlerë historike. Të tjerat, ato qe janë me shumicë dhe nuk përbëjnë rrallësi, përjashtohen. Ligji ynë i fut në një thes të gjitha, duke i dhënë çdo monedhe statusin potencial të rëndësisë historike.
Ka qindra vite që mbledhja dhe koleksionimi i monedhave të vjetra nga bota e qytetëruar vlerësohet si një mënyrë e mrekullueshme për të eksploruar historinë  e vendit. Mësues, historianë e psikologë janë të një mendjeje kur thonë se përmes koleksioneve njerëzit pasurojnë kulturën e tyre personale dhe bëhen më të ditur. Nëpërmjet studimit të monedhave, ju mund të rritni së tepërmi kulturën tuaj dhe si pasojë, kulturën kombëtare. Ishte ky përfundimi ku arriti shoqëria e emancipuar europiane kur vendosi sa sipër, ndaj pyetjes se ku është më mirë të qendrojnë monedhat e lashtësisë, në arkat e bodrumeve muzeale apo në koleksione private?, ligji ju përgjigj: në koleksione!
Madje, jo vetëm koleksionimi i lirshëm i monedhave të lashtësisë, pa pasur nevojë për asnjë lloj dokumenti, por dhe kërkuesit amatorë sistemi ligjor i anglezeve i lë të lirë, gjë që tek ne nuk konceptohet dot kurrë. BBC botonte në datën 16 janar 2014 një artikull ku informohej lexuesi se si e në ç’mënyrë funksionon kërkimi amator me detektorë metalesh; se si kërkuesit amatorë ftohen t’i dorëzojnë për katalogizim dhe vlerësim objektet që gjejnë; se si autoritetet i vlerësojnë nëse janë të rëndësishme; se si të kontaktojnë me muzetë e ndryshme për të gjetur blerës. Natyrisht, gjetësi zotëron pronësinë e objektit të gjetur. Nga viti 1997, kur filloi të funksionojë skema, 900 mijë objekte njofton BBC, janë raportuar nga arkeologjia amatore.
Po në Shqipëri? Këtu, nëse ke një monedhë bakri ose bronzi, DYR (Dyrrah), APOLONITAN, nga të cilat qarkullojnë dhjetëra-mijëra, që nuk është deklaruar e regjistruar, e pasaportizuar (?!)je fajtor në kundërvajtje, mbase penale?! Më e pakta, objekti sekuestrohet.

Kultura e re numizmate në Shqipëri dhe denigrimi që iu është bërë mbledhësve
 Kur shteti i diktaturës vendosi të mos lejojë mbajtjen e monedhave të lashta nga individë, mori gjatë 40 vjetëve formë bindja e gabuar se monedha të lashta ilire, greke dhe romake kishte nxjerrë nga nëntoka vetëm arkeologjia shtetërore; se ato nuk mund të kishin pronarë tjetër përpos se shtetin. Ky qëndrim ishte një deformim i të vërtetës. Përmes shkrimeve dhe kujtimeve mësojmë se Kisha Françeskane në Shkodër ruante në bibliotekën e saj një sasi monedhash të lashtësisë; At Shtjefën Gjeçovi kishte një koleksion monedhash. Një të tillë kishte dhe Eqerem bej Vlora dhe dhjetëra e dhjetëra individë të shtresave të ndryshme të popullsisë. Në një bisedë me numizmatin e shquar Mark Pali, ai më ka pas thënë se koleksioni ishte vazhdim i paraardhësve në familje.
Kultura e koleksionimit të monedhave e kartëmonedhave, filloi në Shqipëri me ardhjen e demokracisë. Ligji i diktaturës për zotërimin e metaleve të çmuara, ar dhe argjend, përjashtonte përfundimisht mundësinë që ndokush të mbante koleksion monedhash të arta e të argjendta nga emetimet e Bankës Kombëtare të Shqipërisë të viteve 1926-1938. Ndërsa në Europë kultura e koleksionimit të monedhave kish përfshirë një masë të madhe qytetarësh, tek ne nuk ekzistonte. Në vitet ’60-’80, në Shqipëri, kohë kur Banka e Shtetit Shqiptar filloi emetimin e monedhave komemorative, ajo e bëri atë thjesht me qellim tregtar, ndryshe ngase është zanafilla e qëllimit të prodhimit, afrimi i tyre koleksionistëve vendas. Vetëm në rastin e emetimeve të tre emisioneve radhazi, 1968, 1969, 1970, kushtuar 500-Vjetorit të vdekjes së Skënderbeut, banka shqiptare mori sasinë e porositur dhe trajtoi tregun e jashtëm me kushtet e saj. Në emisionet që pasuan, “1987, 2600-Vjetori i themelimit të qytetit të Durrësit”, “1988, 40-Vjetori i ndërtimit të hekurudhës së parë në Shqipëri”, “1991, Lojërat Olimpike Barcelonë”, banka nënshkroi një kontratë poshtëruese për institucionin me ofiçinën e stampimit “Hungarian mint”. Banka merrte vetëm pesë kopje, ndërsa gjithë sasia i ngelej për trajtim tregtar të huajve. Koleksionistët shqiptarë për shtetin nuk ekzistonin. Ata do t’i blinin më pas dhe do vazhdojnë t’i blejnë monedhat e vendit të tyre nga të huajt. Ky skandal i paparë vazhdon. Tregu i monedhave shqiptare komemorative u zotërua për një kohë të gjatë nga firma gjermane ‘Richard Borek’, në Braunschweig.

 Kultura muzeore në Shqipëri
Në tre objektet në të cilat shtrihet grupi shoqëror më i madh i koleksionistëve, filatelinë (pullat dhe objektet e tjera të letrave me vlerë në postë); numizmatikën (monedhat dhe kartëmonedhat) dhe faleristikën (shkenca e studimit dhe koleksionimit të medaljeve e titujve të nderit), varfëria e objekteve në pronësi të shtetit është për t’u vajtuar.
Kështu, muzeut të postës Shqiptare (nëse do ta quanim të tillë magazinën ekzistuese) i mungojnë ose i ka gjysmake pothuajse gjithë emetimet e pullave postare të viteve 1913-1928. Nuk ka bërë kurrë përçapje për të pasur një koleksion të kompletuar në disa kopje të historisë së emetimeve të pullave postare.
Bankës Kombëtare i mungojnë shumë nga emetimet e saj. Kur ky institucion, me mendimin se do ngrinte muzeun e tij në ish-hotel ‘Dajti’, ju drejtua shoqatës tonë me kërkesën e bashkërendimit të një projekti, në funksionin e kryetarit të saj, i kam dërguar edhe emërtimin e monedhave e bankënotave të rralla të cilat i mungojnë dhe duhej t’i kërkonte për t’i blerë. Për ekspozitat e saj Bankës i duhet që për periudhën e hershme, posaçërisht emetimet e bankënotave lokale, të mbështetet në fondin e koleksionistëve. E njëjta situatë është dhe me presidencën, institucioni kushtetues që shpërndan titujt e nderit dhe dekoratat, të cilës i mungojnë emetimet e paraviteve të Luftës së II Botërore.

 Ebay, gjitandi online ku mund të blesh gjithçka
Një argument tjetër se ligji kërkon detyrimisht rishkrim, është Ebay, ankandi online ku mund të blesh e shesësh gjithçka. Prej tij, një masë e madhe shqiptarësh janë shndërruar në koleksionistë. Në çdo moment të klikosh ebay.com në emërtimin Albania, në kategoritë Stamps ose Coins&Paper Money, dalin jo dhjetëra mijëra, por miliona objekte në shitje. Kuptohet menjëherë, kur hyn në Ebay, se objektet më me vlerë të filatelisë dhe numizmatikës, për fat të keq tonin, nuk ndodhen në Shqipëri, por jashtë. Dhe koleksionistët tanë kanë blerë dhe blejnë pareshtur ato që regjimi i mëparshëm nuk jua jepte.
Në këto momente, koleksionimi i monedhave ka hyrë në një fazë cilësore, gjë që kërkon edhe përshtatjen ligjore. Çdo ngurrim e stepje për përmirësimin e ligjit mbi trashëgiminë përpos se pengon më tej zhvillimin. Kam ndeshur plot që thonë: ”ç’më duhet mua numizmatika, janë punë me zarar, të hapin telashe”. Ndjehet në grupin e numizmatëve shqiptarë në ‘Facebook’ nevoja për të mbajtur lidhje e ndjekur gjurmët e asaj që po ndodh në numizamtikën botërore; janë anëtarësuar në grupe nivel klubi apo në një shoqëri; kanë revista përmes ​​të cilave shtojnë kulturën dhe dashurinë gjithnjë në rritje për më shumë studime të fushës. Ata, numizmatët, brenda 20 vitesh, janë shndërruar nga një spektator i thjeshtë në një lëvizje kulturore me një rol aktiv në lëvizjen shkencore të lëmit studimor historik. Janë këto rrethana që na shtyjnë tani t’u kujtojmë politikanëve nevojën për të diskutuar një projekt-ligj tjetër, për të treguar tashmë se në këto njëzet vjet ndryshimet demokratike na bashkojnë me Europën, duke pasur dhe ligjet të njëjta. Po kaq i rëndësishme është dhe interpretimi i domosdoshmërisë së rishkrimit të ligjit “Mbi trashëgiminë kulturore” nga institucioni që do ndërmarrë iniciativën ligjvënëse, Ministria e Kulturës.

Related

Opinione 2509056417331798108

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item