Çfarë nuk citoi Rama nga Bernard Shou
BLENDI FEVZIU Bernard Shou ka thënë: Jo të gjithë të djathtët janë budallenj, por shumica e budallenjve janë djathtas”! Kjo qe fraza me të c...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/02/cfare-nuk-citoi-rama-nga-bernard-shou.html
BLENDI FEVZIU
Bernard Shou ka thënë: Jo të gjithë të djathtët janë budallenj, por shumica e budallenjve janë djathtas”! Kjo qe fraza me të cilën Kryeministri i Shqipërisë iu drejtua opozitës së djathtë, duke bërë një lidhje mes frazës së gjetur diku në një tekst të autorit të famshëm dhe deklaratave në Parlament, që vinin kryesisht nga PD!
Nuk e di se sa etike është kjo për njeriun që drejton qeverinë e vendit dhe që pavarësisht grupimit që e ka votuar, përfaqëson si Kryeministër edhe qytetarët e djathtë;
Nuk e di çfarë ka parasysh ai me të majtë e të djathtë, kur në kuptimin klasik as vetë s’i ka përkitur së majtës (madje as ai e as Blushi e ndonjë tjetër në PS);
Nuk e di sa aktuale e gjen këtë frazë të Bernard Shout, që ka qenë aktiv në fillim të shekullit XX, kur e majta dhe e djathta kishin qëndrime shumë më të konsoliduara dhe më të largëta se sa kanë sot dhe komunizmi nuk kishte dështuar ende në botë;
Nuk e di a ka menduar që pas vdekjes së Shout e djathta në botë ka pasur figura simbolike dominuese si Regani, Theçeri apo Helmut Koli, sikurse e majta figurat e saj si Bler apo Miteran. Pra bilanci i budallenjve dhe të zgjuarve nuk është kaq i thjeshtë.
Nuk di asnjë nga këto, por di me siguri që Bernard Shou ka pasur një thënie shumë më të famshme se kjo që citon Kryeministri dhe që mund ta ndihmonte vetë Ramën për ta zbatuar dhe analizuar citimin e parë në terrenin konkret shqiptar. Shou thoshte: “Mendjet e mëdha merren me idetë; mendjet e mesme me ngjarjet; mendjet e vogla me njerëzit”! Nëse Kryeministri, një njohës i mirë i zhvillimeve politike të këtyre 24 viteve, do ta kishte analizuar këtë thënie në terrenin shqiptar, do të kishte zbuluar befas se citimi i parë i Shout duhej aplikuar në drejtim të ndryshëm me atë që e aplikoi ai.
Në këto 24 vite, e djathta ka pasur brenda saj beteja të ashpra dhe shpesh me kosto të madhe për të. Ka pasur çarje dhe largime që e kanë thyer dhe copëtuar. Por të gjitha betejat kanë qenë beteja principale dhe për çështje të demokracisë dhe aplikimit të saj. Që nga mocionistët në 1992; të djathtët e Kalakulës në 1994; grupimi i ministrave në 1997; grupimi i Pollos në 1999: Zogaj e Ngjela në 2009 e deri te Bamir Topi në 2013, betejat e së djathtës kanë qenë beteja për demokracinë. Të gjithë këta e kanë akuzuar Berishën (me apo pa të drejtë) si autoritarist, si represiv e herë-herë edhe si diktator. Por asnjëri prej tyre nuk e ka akuzuar tjetrin as si hajdut, as për afera e as për pazare. Kanë qenë beteja për të drejtën, por jo për interesin.
Në kontrast me këtë “realitet politik të djathtë”, betejat e së majtës kanë qenë më shumë beteja ku mendjet kanë folur për njerëzit. Historia politike e së majtës është mbushur me akuza për vjedhje dhe shpërdorime; me njerëz që vlejnë sa një lavatriçe apo për ministra të korruptuar. Beteja kundër Nanos në 1998 ishte betejë me akuza për korrupsion; ishte po Nano që gjithë betejën e tij për katarsis në 2001 e bëri po me akuza konkrete për korrupsion e shpërdorime; ata që sulmuan Nanon edhe nga brenda në 2005 kryesisht u mbështetën tek emrat dhe shpërdorimet. Në vitet 2005–2013 akuzat e së majtës me stilin “një pallat, një votë”, apo me deklaratat e Ramës për Metën në janar 2011 dhe të Metës për Ramën po në këtë kohë nuk dolën nga ky qark. Nuk ka asgjë të keqe edhe në këtë drejtim, sepse edhe kjo mënyrë e të bërit politikë sjell një lloj pastrimi brenda së majtës, por gjithsesi ky stil nuk është për t’u krenuar dhe Kryeministri Rama është i pari që e ka quajtur këtë një politikë pa sens.
Mjafton kaq për të kuptuar se ai citim i Shout nuk ishte në vendin e duhur! Siç mund të thuhet se beteja ideologjike në Shqipëri nuk është as kaq e qartë e as kaq e ngulitur dhe se një njeri që drejton qeverinë e këtij vendi, nuk ka të drejtë të fyejë askënd, kushdo qoftë ai, sepse beson në një ideologji të ndryshme nga e tija!