Ateroskleroza, ndërlikimet e shpeshta në tru, zemër dhe veshka

Stili i jetesës me ushqime të larmishme, por me yndyra të shumta që favorizojnë krijimin e kolesterolit të keq, mbipesha, duhani dhe faktorë...


Stili i jetesës me ushqime të larmishme, por me yndyra të shumta që favorizojnë krijimin e kolesterolit të keq, mbipesha, duhani dhe faktorë të tjerë ndikojnë në mosfurnizimin e organeve jetësore me gjak të pasur me oksigjen. Për rrjedhojë në arterie krijohen pllaka, të cilat pengojnë qarkullimin e gjakut, çka çon më pas në shfaqjen e një sërë ndërlikimeve të cilat mund të jenë edhe me pasoja fatale siç mund të jenë rastet e infarkteve apo goditjeve në tru. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekia Ilda Xhelili tregon se për të frenuar këto ndërlikime ne mund të ndërhyjmë në parandalimin e shumë prej faktorëve rriskues. Në vijim të shkrimit gjeni të detajuara të gjitha këshillat që nuk duhen neglizhuar.

Si duhet ta kuptojmë sëmundjen e ateriosklerozës?
Arteriet janë enët e gjakut që bartin gjakun e pasur me oksigjen në zemër dhe në të gjithë trupin tonë. Pikërisht, bllokimi i plotë ose i pjesshëm i arterieve nga pllakat aterosklerotike shkakton sëmundjen mjaft të përhapur që sot njihet si ateroskleroza. Këto pllaka janë të përbëra nga pikla yndyre, kolesteroli, kalcium, si edhe nga qeliza apo substanca të tjera të gjakut. Me kalimin e kohës, mbivendosja e këtyre pllakave në arterie, shkakton ngushtimin e tyre duke çuar kështu në kufizimin e fluksit të gjakut të oksigjenuar në organe, dhe në të gjithë trupin tonë. Ateroskleroza mund të çojë në probleme serioze, duke përfshirë këtu atakun në zemër dhe vdekjen. Ateroskleroza mund të prekë çdo arterie të trupit duke përfshirë arteriet në zemër, tru, krahët, këmbët, legenin, veshkat, etj. Në varësi të arteries së prekur zhvillohen edhe sëmundjet me simptomat përkatëse.

Cilat janë arteriet e prekura më shpesh?
Arteriet kryesore që furnizojnë muskulin e zemrës me gjak janë tre degët koronare (e majta, e djathta dhe rrethorja ). Këto sigurojnë  fluksin e madh me gjak të oksigjenuar për muskulin e zemrës (miokardin). Pikërisht, kur pllakat aterosklerotike vendosen në këto arterie atëherë kemi ngushtim deri në bllokim të plotë të tyre. Si rezultat vjen reduktimi i fluksit të gjakut në miokard deri në bllokim të rrjedhjes së gjakut. Kjo dukuri klinikisht shprehet me dhimbje gjoksi (angina pectoris). Pllakat aterosklerotike bllokojnë edhe arteriet më të vogla të zemrës dhe në këtë rast kjo quhet sëmundje koronare mikrovaskulare.
Kur bllokohen arteriet karotidide (arteriet në të dy anët e qafës që furnizojnë trurin me gjak të oksigjenuar) atëherë kemi reduktim të fluksit të gjakut që shkon në tru dhe në këtë rast shenjat janë të larmishme (marrje mendsh, turbullim të pamjes, disekuilibër). Kjo varet nga shkalla e bllokimit nga pllakat aterosklerotike.
Këto pllaka mund të bllokojnë arteriet që furnizojnë krahët, këmbët, legenin. Nëse rrjedhja e gjakut në këto arterie është e reduktuar ose e bllokuar mund të ndiejmë mpirje, dhimbje dhe ndonjëherë mund të shfaqen infeksione mjaft problematike. Bllokimi i arterieve që furnizojnë veshkën me gjak çon në sëmundje kronike të veshkave dhe dalëngadalë çon në humbje të funksionit të veshkave.

Cilët janë shkaktarët e kësaj sëmundjeje ?
Ateroskleroza është një sëmundje komplekse. Shkaku i saktë i saj është ende i panjohur. Megjithatë janë kryer studime të shumta përsa i përket faktorëve të riskut, të cilët rrisin shumë rrezikun për këtë sëmundje. Ndër më madhorët renditen të jenë : “Niveli i lartë i kolesterolit në gjak, tensioni i lartë i gjakut, pirja e duhanit”. Një person që i ka të tre këto faktorë ka një risk tetë herë më të madh për të zhvilluar këtë sëmundje se sa një person tjetër. Faktorë të tjerë janë diabeti, obeziteti, mosha, historitë familjare me këtë sëmundje, mungesa e aktivitetit fizik, ushqyerja jo e shëndetshme. Sot theksohet me të madhe edhe si terapia kryesore për këtë sëmundje, ndryshimi i stilit të jetesës, të jetojmë dhe të ushqehemi në mënyrë të shëndetshme.

Cila është prognoza e sëmundjes (ecuria) ?
Aterskleroza mund të trajtohet me sukses por nuk shërohet, pra është një sëmundje kronike. Shumë studime të fundit kanë treguar se ateroskleroza mund të vonohet në kohë, të ndalet madje edhe të përmbyset në mënyrë agresive duke ulur nivelin e LDL kolesterolit ( që njihet si kolesteroli i keq ). Teknikat e reja të trajtimit (si vendosja e stendeve në aretriet e bllokuara apo by passet e tyre ) kanë zgjatur jetën e shumë pacientëve, të cilët në të kundërt do të kishin vdekur.

Faktorët e riskut që ne i kemi në dorë për t’i ndryshuar
Duhani
Duhani është mjaft i dëmshëm jo vetëm për këtë sëmundje, por edhe për shumë sëmundje të tjera të organizmit tonë. Dhe jo vetëm duhanpirja, por edhe qëndrimi në ambiente me tym duhani është njësoj i dëmshëm. Ndaj është e këshillueshme që të pakësohet sa më shumë që të jetë e mundur jo vetëm pirja e duhanit, por edhe qëndrimi në ambientet ku pihet.
Kolesteroli
Niveli i lartë i kolesterolit në gjak duhet ulur. Kolesteroli është një substancë që vjen nga ushqime të tilla si mishi veza, produktet e bulmetit (pra me bazë proteinike ). Sigurisht që organizmi ka nevojë për këto produkte, por duhen konsumuar me masë. Është mirë që të kemi në menunë tonë të ushqyerjes zarzavate dhe mishin e bardhë (pulë, peshk ).
Diabeti
Diabeti duhet mbajtur në kontroll duke respektuar terapinë dhe dietën që rekomandojnë mjekët specialistë.
Obeziteti
Obeziteti që është ndër problemet madhore të ditëve të sotme, por mund të dominohet me aktivitet fizik. Pra duhet të shmangim sa më shumë të jetë e mundur jetën sedentare dhe lëvizjen me makina, duke favorizuar ecjen sa më shumë në këmbë. Rekomandohen rreth 7-10 km në ditë ecje e shpejtë për njerëzit e shëndetshëm dhe deri në 5 km në ditë ecje e lehtë dhe me pushime për njerëzit që vuajnë nga zemra (e ndarë kjo paradite dhe pasdite).
Mosha
Ndërsa sa i takon faktorëve të tillë si mosha, (meshkujt rreth moshës 45 vjeç dhe gratë rreth moshës 55 vjeç) apo predispozicioni familjar, në të vërtet nuk i kemi në dorë, por siç e theksova edhe më lart ne kemi në dorë të ndryshojmë stilin e jetesës, të ushqehemi dhe të jetojmë shëndetshëm.
Masat parandaluese
Hani dhe jetoni shëndetshëm. Këto janë udhëzimet e studimeve të fundit. Një dietë e shëndetshme ul nivelet e tepërta të kolesterolit dhe të triglicerideve. Kjo dietë përfshin një shumëllojshmëri ushqimesh që kanë nivel të paktë të yndyrave dhe të pasura me fibra. Edhe kripa duhet kufizuar sepse ndikon në rritjen e presionit të gjakut. Hani porcione të vogla ushqimi dhe të shpërndara në disa vakte. Mos neglizhoni asnjë nga vaktet kryesore. Konsumoni 3-5 porcine me perime, deri në 2 porcione bulmeti, 2-4 porcione frutash, një porcion mishi në ditë kryesisht të bardhë, 1-2 porcione drithërash. Bëni kujdes me ëmbëlsirat dhe pijet alkoolike. I thoni stop duhanit tymit të tij. Aktivitet fizik për të mbajtur në kontroll peshën e trupit. Dhe të gjitha këto kërkojnë një konsultim në radhë të parë me mjekun e familjes sepse rekomandimet e mësipërme kanë specifikën e tyre për çdo pacient.

Related

Shëndet & estetikë 3547215597226595781

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item