Si t’i përballojmë dhimbjet e nervit shiatik

Pranvera Kola Nervi shiatik shihet si një ndër sëmundjet e shpeshta që shfaqet në moshat aktive, kryesisht tek ata persona që bëjnë punë që ...

Pranvera Kola

Nervi shiatik shihet si një ndër sëmundjet e shpeshta që shfaqet në moshat aktive, kryesisht tek ata persona që bëjnë punë që kanë të bëjnë me ngritje peshash, si dhe tek ata që janë të detyruar që të qëndrojnë për një kohë të gjatë në këmbë, teksa së fundmi po shfaqet edhe tek ata persona që qëndrojnë për një kohë shumë të gjatë në të njëjtin pozicion, siç mund të jetë qëndrimi para kompjuteri, qëndrimi në timon për shumë gjatë, etj. Referuar të dhënave të raportuara nga institucionet shëndetësore nervi shiatik prek më shumë meshkujt. Sëmundja mund të shfaqet me dhimbje të forta, të cilat fillojnë menjëherë dhe që në gjuhën e përditshme pacienti ankohet se ka këputur mish. Në një intervistë për gazetën “Dita”, mjekja Ilda Xhelili, tregon se në përgjithësi dhimbja e shkaktuar nga nervi shiatik nis në zonën mediale dhe përhapet më pas në këmbë duke shtuar intensitetin e dhimbjes. Në vijim të shkrimit do të gjeni të detajuar këshillat e plota se si duhet kuptuar dhe trajtuar kjo sëmundje.
Si duhet ta kuptojmë sëmundjen e nervit shiatik?
Nervi shiatik është fija më e gjatë nervore në trupin e njeriut. Ky nerv fillon që nga zona e mesit, në vertebrën e katërt të belit (vertebra e katërt lumbare), vazhdon me zonën e kërbishtit, në zonën e të ndenjurave, zbret poshtë në pjesën e pasme të kofshës, në gropën pas gjurit, zbret përgjatë pulpës së këmbës, e deri poshtë në shputën e këmbës. Pra rrugëtimi i nervit shiatik është mjaft i gjatë. Trajtimi i dhimbjeve të nervit shiatik varet nga shkaktarët themelorë të dhimbjes, si edhe ashpërsia e dhimbjeve.

Cilët janë shkaktarët më të shpeshtë të dhimbjeve të nervit shiatik ?
Më së shpeshti, dhimbja e nervit shiatik është si rezultat i hernies diskale, pra i zhvendosjes ose dëmtimit të vertebrave pikërisht aty ku kalon dhe nervi shiatik, gjatë së cilës bëhet edhe komprimimi (shtypja) e fijes nervore dhe rrjedhimisht duke çuar në perceptimin e dhimbjes. Shkaktarë të tjerë mund të jenë infeksione të ndryshme (inflamacione) të kockave që janë afër me këtë zonë, hemorragji të ndryshme në atë zonë, plagosjet, aksidentet, traumat, etj. Kjo situatë mund të krijohet edhe gjatë shtatzanisë si rezultat i shtypjes së nervit shiatik nga uterusi (mitra) i zmadhuar gjatë kësaj periudhe. Faktorë risku janë edhe artritet degjenerative të vertebrave të belit, të kockave të bacinit (legenit), si edhe sëmundjet e disqeve vertebrale.

Cilat janë shenjat klinike kryesore të dhimbjeve të nervit shiatik ?
Dhimbjet mund të jenë nga më të lehtat e deri në pamundësi për të lëvizur. Lloji i dhimbjes mund të perceptohet si ndjesia e djegies, mpirjes, ndjesia si miza – miza ose shpimi si gjilpëra  pikërisht në zonën e poshtë mesit që përhapet në të ndenjurat, në pjesën e pasme të kofshës dhe drejt pulpës së këmbës. Dhimbjet mund të shkaktojnë vështirësi në përkuljen e mesit, vështirësi në të ecur deri në pamundësi. Shpesh dhimbja lirohet në pozicionin shtrirë dhe lehtësimi i dhimbjes mund të jetë i pjesshëm ose i plotë.

Si përcaktohen dhimbjet e nervit shiatik ?
Sigurisht që në radhë të parë duhet të konsultoheni me mjekun tuaj të familjes. Është ai që bën ekzaminimet e para klinike dhe pastaj bën referimin përkatës tek mjeku specialist  rheumatolog, neurolog apo ortoped. Nga pikëpamja klinike ka rëndësi rruga që ndjek dhimbja sipas rrugës anatomike që përshkon nervi, rrugë të cilën e treguam më lart. Pastaj janë edhe një sërë ekzaminimesh të tjera që përcakton mjeku specialist për të bërë diagnozën diferenciale edhe me ndonjë patologji tjetër të mundshme.

Çfarë rekomandohet për trajtimin e dhimbjeve të nervit shiatik ?
Në radhë të parë rekomandohet pushim, regjim shtrati, për të minimizuar sa të jetë e mundur sforcimet e këtij nervi. Regjimi i shtratit mund të shkojë gjashtë deri në tetë javë. Kjo varet edhe nga shkaktari që ka shkaktuar dhimbjen. Në rastin kur shkaktare e dhimbjeve të nervit shiatik është hernia diskale, në shumicën e rasteve kërkohet ndërhyrje kirurgjikale. Gjatë kësaj periudhe, natyrisht që përdoren edhe qetësues të dhimbjeve të rekomanduara nga mjeku. Në rastin kur shkaktarë të dhimbjes janë sëmundje të ndryshme që i përmendëm më sipër, merr rëndësi të dorës së parë trajtimi i tyre për të lehtësuar kështu dhimbjen. Për shumicën e rasteve me dhimbje të nervit shiatik, një program i veçantë stërvitjeje progresive i hartuar nga mjekët fizioterapistë, mund të rezultojë mjaft i dobishëm. Këto rekomandohen pasi ka kaluar faza e parë e dhimbjeve, të cilat trajtohen me regjim shtrati, qetësues dhimbjesh apo ndërhyrje kirurgjikale. Ushtrimet specifike synojnë të zvogëlojnë  dhimbjet shiatike në të ardhmen e afërt apo parandalimin e rishfaqjes së ardhme të dhimbjes. Edhe pushimet e gjata janë të dëmshme. Pa stërvitje dhe lëvizje fizike muskujt e kofshës dhe të pulpës mund të dobësohen, duke ulur kështu edhe aftësinë për të qëndruar në këmbë apo lëvizur. Ushtrimet fizike janë të domosdoshme edhe për ruajtjen e lëvizshmërisë natyrale të vertebrave të shtyllës kurrizore. Ecja e përditshme, fillimisht e ngadaltë, është mjaft e dobishme. Gjithsesi për trajtimin e dhimbjeve të tilla kërkohet një bashkëpunim i ngushtë mjek familjeje, mjek specialist dhe fizioterapist. Përveç masazheve këshillohet që të përdoren edhe kurat bimore, ku një ndër më të përdorurat është zierja e gjetheve të urthit, konsumi i të cilave ndihmon në reduktimin e dhimbjeve.

Related

Shëndet & estetikë 8472621602282013007

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item