KANË – Kur Sofia Loren përlotet vetëm për Marçelo Mastrojanin
Një zonjë e madhe e ekranit nuk u lë hapësirë ndjenjave, i zotëron ato. Por, ky yll është në fund të fundit edhe grua që i kultivon kujtimet...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/kane-kur-sofia-loren-perlotet-vetem-per.html
Një zonjë e madhe e ekranit nuk u lë hapësirë ndjenjave, i zotëron ato. Por, ky yll është në fund të fundit edhe grua që i kultivon kujtimet si gjënë më të shtrenjtë. Kështu, pyetjes që parashikohej lehtësisht mbi raportin e saj me Marçelo Mastrojanin, Sofia Loren, e cila gjendet në Kanë për një ngjarje që pritet me padurim, nuk i mban lotët, i fiket zëri dhe arrin vetëm të përshpërisë ”është në zemrën time. E ftuara e nderit në seksionin Cannes Classics (Klasiket e Kanës) me monologun fantastik “La voce umana” (”Zëri njerëzor”), i xhiruar nga djali i saj, Edoardo dhe versioni i restauruar nga Kineteka e Bolonjës i filmit “Matrimonio all’italiana” (”Martesë ala italiane”), Loren risjell me dëshirë hapat e parë të karrierës së saj dhe pranon se kur De Sika e kërkoi për një provë për filmin “L’oro di Napoli” (”Floriri i Napolit”) dridhej nga emocioni. “Ai u mjaftua vetëm me një bashkëbisedim në napolitançe me mua dhe pas pak frazave që thashë më pranoi. Nuk arrija ta besoja, por, për të gjithë vitet e bashkëpunimit, nuk kemi patur kurrë me njëri-tjetrin ndonjë mospërputhje apo dyshim. Mjaftonin vetëm pak fjalë në dialektin tonë dhe unë e dija se çfarë duhej të bëja”, thotë Loren. Sofia Loren kujton se takimi me De Sikën i kishte siguruar role të vogla në shumë filma. “Ishte periudha më e vështirë e karrierës time sepse mendoja vetëm të gjeja punë dhe të çojë para’ në shtëpi për nënën time dhe motrat. Më pas, gjithçka ndryshoi, si në një përrallë”, thekson Loren. E veshur me të bardha dhe gjyslykë gri, diva e kinemasë vazhdon me anekdota që nga telefonata e Keri Grantit i cili i njofton Oscar-in e sapofituar dhe privilegjin që kishte punuar edhe me Çarli Çaplinin. Në paraqitjen e jashtme, edhe sot ajo përdor një ton të ngrohtë dhe jozyrtar. Por, imazhi publik në të vërtetë preket vetëm për të treguar emocionet që ka ndjerë për një monolog i konsideruar i pavdekshëm dhe për të kujtuar mikun e saj më të mirë, Marçelo Mastrojanin./ansa-atsh/