Hapen zgjedhjet evropiane, voton Britania e Madhe dhe Holanda
Zgjedhjet evropiane hapen sot me Britaninë e Madhe dhe Holandën për të vazhduar me Irlandën dhe Republikën Çeke më 23 maj, me Italinë, Qipro...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/hapen-zgjedhjet-evropiane-voton.html
Zgjedhjet evropiane hapen sot me Britaninë e Madhe dhe Holandën për të vazhduar me Irlandën dhe Republikën Çeke më 23 maj, me Italinë, Qipron, Maltën, Sllovakinë dhe Lituaninë më 24 Maj dhe vendet e tjera më 25 Maj.
Zgjedhjet evropiane në Britani do të mbahen në të njëjtën kohë me zgjedhjet lokale. 73 eurodeputetë britanikë do të zgjidhen në Parlamentin Europian, nëpërmjet një përfaqësimi proporcional. Sondazhet paraprake sipas ComRes, tregojnë një epërsi të partisë së ekstremit të djathtë UKIP (33%), Laburistët në vend të dytë (27%), Konservatorët në vend të tretë (20%) dhe Liberal Demokratët me 7%. Ndonëse ka rënie në sondazhe nga 38% në 33%, UKIP vazhdon kryesimin me vetëm 6 % diferencë nga Laburistët.
Vota ndaj Konservatorëve ka rënë në vazhdimësi me 2%, Laburistët shfaqen të qëndrueshëm dhe Liberal-Demokratët kanë rënie me 1%.
Shqetësimet e elektoratit britanik
Sondazhi rendit çështjet më të rëndësishme që shqetësojnë votuesin britanik. Ndër to më i rëndësishmi vlerësohet të jetë, ulja e kostos së jetës së përditshme (ushqim, energji, udhëtim) me 47%. Në vend të dytë, spikat imigracioni dhe kontrolli i tij me 44% dhe Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë (NHS) me 42%.
Promovimi i rritjes ekonomike, renditet si problematika që zë vendin e katërt dhe më pak të rëndësishëm janë vlerësuar zvogëlimi i deficitit buxhetor qeveritar dhe përmirësimi i sistemit arsimor.
Sipas sondazhit, në lidhje me shqetësimet e qytetarëve dhe politikat përkatëse, Laburistët vlerësohen (28%) mbi politikat për mbajtjen e ulët të kostos të shpenzimeve të jetës së përditshme si edhe për menaxhimin e NHS (29%). UKIP kryeson në vlerësim me (37%) në lidhje me politikat e kontrollit mbi imigracionin. Ndërsa Konservatorët, nuk shfaqen aspak të vlerësuar në menaxhimin e problematikave kryesore, që përbëjnë treshen kryesore. Por, ato vlerësohen si më të besueshëm në lidhje me promovimin e rritjes ekonomike (34%), reduktimin e krimit dhe sjelljeve anti-sociale (28%) dhe zvogëlimin e deficitit buxhetor (37)%).
Duhet theksuar se UKIP, kryeson sondazhet e zgjedhjeve evropiane dhe në rast votimi për zgjedhjet legjislative, po sipas sondazhit, UKIP do të renditej vetëm në vend të tretë.
UKIP ka ardhur në skenën politike britanike me synimin e vetëm, realizimin e nxjerrjes së Britanisë nga BE. Ideologjia partiake ndjek një linjë të ashpër euroskeptike kundër anëtarësimit të vendit në BE, duke konsideruar se Britania po humbet sovranitetin e saj kombëtar dhe politik në Bruksel. UKIP është kundër politikave, që vijnë nga institucionet e BE-së duke i konsideruar ato qesharake, të palogjikshme dhe imponuese për vendin. Retorika ksenofobe, anti-imigracion është përforcuar përgjatë fushatës. Shqetësimi i elektoratit në lidhje me imigracionin, ka gjetur reflektim të pasuruar edhe gjatë fushatës, ku kreu i UKIP Nigel Farage, ka kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në rritjen e frikës publike ndaj imigracionit. Konsiderimi i fundit prej tij i shtetasve rumunë si kriminelë të rrezikshëm, ndaj të cilëve shoqëria britanike duhet të shqetësohet nëse vijnë të jetojnë në lagjet e tyre, ka ngjallur polemika nga të gjithë forcat politike. Këto deklarata lidhen në kontekstin politik edhe me heqjen e barrierave të fundit mbi të drejtat e qytetarëve bullgarë dhe rumunë për të punuar në tregun e BE-së, duke përfshirë edhe Britaninë, një çështje e cila ka qenë mjaft e ndjeshme për publikun britanik.
Rritja e frikës në opinionin publik, duke lidhur imigracionin me krimin dhe shpenzimin e parave të qytetarëve britanikëve, sigurisht që duhet të shoqërohet edhe me një ‘kurë shëruese’, siç është platforma ofruese politike e UKIP: dalje nga BE, që i kushtëzon Britanisë kontrollin mbi imigracionin dhe rimarrje të kontrollit të kufijve dhe imigracionit duke e braktisur atë.
Holanda
Holandezët do të votojnë për të zgjedhur 26 eurodeputetë në Parlamentin Europian. Ndonëse sondazhet kombëtare, për një periudhë të gjatë kohore kanë shfaqur kryesim të partisë së ekstremit të djathtë, PVV të nacionalistit Geert Wilders, ato janë përmbysur lehtësisht duke nxjerrë fituese partinë D66, një parti e pozicionuar ideologjikisht midis qendrës dhe të majtës. D66 është mbështetëse e multikulturalizmit dhe e imigracionit dhe lideri i saj Alexander Pechtold shikohet si kundërshtar i politikave ekstremiste të Wilders. D66 është një parti pro-europiane, e cila mbështet gjithashtu projektin e Europës Federale.
Pavarësisht diferencave në përqindje në sondazhe mes tre partive kryesore, D66, PVV dhe VVD gara luhet respektivisht për marrjen e 4 ose 5 deputetëve. Socialistët priten të renditen në vend të katërt duke marrë 3 deri në 4 deputetë. CDA mund të marrë 2 deri në 4, Laburistët 2-3, etj.
Siç edhe pritej, rezultati i zgjedhjeve lokale të zhvilluara në mars 2014, do të shërbente si orientim për të kuptuar tendencën votuese të elektoratit për zgjedhje evropiane. Fitorja e D66 po konfirmohet sërish nga sondazhet paraprake, duke përmbysur kryesimin e PVV-së. Për PVV-në, përllogaritja shfaqej e vështirë, pasi partia konkurroi vetëm për dy bashki, ku në njërën doli fituese dhe në tjetrën në vend të dytë, duke u mundur po nga D66.
Retorika e ashpër dhe ekstremiste e kohëve të fundit, vlerësohet të ketë penalizuar rënien nga kryesimi në sondazhe të PVV-së. Përtej linjës së ashpër që ideologjia partiake mbron, kundër BE-së dhe kundër multikulturalizmit dhe “islamizimit të vendit”, dy janë momentet më të forta, që kanë pasur ndjeshmëri të lartë kohët e fundit si në pasqyrimin në media, po ashtu edhe në opinionin publik: thirrjet publike raciste të kreut të partisë Wilder drejtuar elektoratit, për më pak marokenë në Holandë (për të nënkuptuar përzënien e tyre), dhe grisja publike e flamurit evropian në Bruksel, duke shkëputur një nga yjet në të.
Pas mbylljes së sotme të votimit në Holandë dhe në Britaninë e Madhe, nesër do të drejtohen drejt qendrave të votimit Irlanda dhe Republika Çeke./im.ta/