Vietnam: Regjimi mund të rrëzohet shumë shpejt
Ndërsa protestat antikineze trondisin Vietnamin, një opozitë vendëse pro-demokratike është duke u fuqizuar në heshtje. Megjithëse një vend k...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/vietnam-regjimi-mund-te-rrezohet-shume.html
Ndërsa protestat antikineze trondisin Vietnamin, një opozitë vendëse pro-demokratike është duke u fuqizuar në heshtje. Megjithëse një vend komunist, Vietnami duket shumë i dobët për të mbijetuar përballë rebelimit popullor
STEVE FINCHMAY, Foreign Policy
Kur gazetari Pham Chi Dung dorëzoi teserën e anëtarësisë në Partinë Komuniste të Vietnamit dhjetorin e kaluar, ai ishte aq i zemëruar sa e publikoi letrën e dorëheqjes në internet. Tashmë ai është një nga disidentët kryesorë të vendit dhe akuzoi partinë për korrupsion të gjithëpërhapur, si dhe për monopolizim të pushtetit në kundërshtim me dëshirat e një numri gjithnjë e më të madh vietnamezësh.
“Asnjëherë më parë grupime specifike apo miq politikë nuk kanë përfituar kaq shumë nga bashkëpunimi i tyre [me partinë]”, shkroi ai. Agjentët me veshje civile, pretendon ai, e kanë mbajtur nën vëzhgim që nga ajo kohë. “Nëse shkoj ndokund, dy prej tyre më ndjekin”, tha ai në një dhomë hoteli në qytetin Ho Shi Min, qendra ekonomike e Vietnamit në jugun e lagësht të vendit. Takimi me të në zyrën apo shtëpinë e tij ishte shumë i rrezikshëm”, – më tha Pham.
Për 16 vjet ai ka punuar si anëtar i Byrosë së Sigurisë të qytetit Ho Shi Minh, forca policore e lidhur me partinë, duke mbledhur informacione mbi aktivistët, shkrimtarët dhe njerëzit e dyshuar si kundërshtarë të regjimit. Por kur autoritetet zbuluan se ai prej vitesh kishte shkruar në mënyrë sekrete artikuj kritikë ndaj partisë për faqe interneti të diasporës vietnameze, ata e burgosën atë pa akuzë në korrik 2012. Që nga lirimi i tij shtatë muaj më vonë dhe pushimit nga puna në byronë e sigurisë, Pham është shfaqur si një nga kritikët kryesorë të regjimit të Vietnamit. Ai shkroi në mënyrë anonime para arrestimit të tij; tashmë ai shkruan me emrin e vet për media të tilla si shërbimi i BBC për Vietnamin dhe shkruan më shumë se kurrë. “Më parë unë besoja te partia, – tha ai. – Por pas asaj që ndodhi, unë ndjeva se Partia Komuniste nuk është besnike ndaj popullit”.
Nëse opinionet në rrugë dhe në internet tregojnë ndonjë gjë, ndryshimi thelbësor i Pham është pasqyrë e një zemërimi në rritje të publikut ndaj qeverisë së Vietnamit. Stanjacioni ekonomik dhe dështimi për të dhënë më shumë liri politike kanë shkaktuar disidencë në rritje – veçanërisht në internet – duke kërcënuar legjitimitetin e partisë. Protestat antikineze të ditëve të fundit raportohet se plagosën 129 vetë dhe tërhoqën vëmendjen e medias ndërkombëtare. Por për shumë vietnamezë nuk ishte shfrytëzimi nga fqinji i vet verior ai që shkaktoi zemërimin, qe shfrytëzimi nga vetë qeveria e Vietnamit.
Ecuria e keqe ekonomike e vendit është një forcë udhëheqëse e pakënaqësisë. Pas Luftës së Vietnamit, ky ishte një nga vendet më të varfra në botë, por reformat e ndërmarra nga Partia Komuniste në vitin 1986, të njohura si Doi Moi – “rinovimi”, bëri që gjatë viteve 1990 vendi të transformohej në një nga ekonomitë me rritjen më të shpejtë në Azinë Juglindore. Brenda një periudhe të shkurtër, Prodhimi i Brendshëm Bruto i vendit u dyfishua duke arritur në 90 miliardë dollarë në vit më 2009.
Megjithatë që nga ajo kohë, ekonomia ka ecur keq. Kjo ndodhi pjesërisht si rrjedhojë e krizës financiare botërore, por shumica erdhi si pasojë e problemeve strukturore me origjinë nga sistemi hibrid komunisto-kapitalist.
Rritja e shkaktuar nga kredia e lehtë, si dhe nga kompanitë ineficente nën pronësi shtetërore, solli inflacion të shtuar – në nivelin 18.7 për qind më 2011, më i larti në Azinë Juglindore. Për rrjedhojë, vietnamezët kanë parë reduktim të fuqisë së tyre blerëse gjatë viteve të fundit, ndërsa bankat janë përpjekur të pastrojnë borxhet e këqija, thotë Eugenia Victorino, një analiste e ekonomisë së Vietnamit.
Përpjekjet e kufizuara për reforma nuk ia kanë dalë të rinisin rritjen ekonomike. PBB-ja e vendit u rrit me vetëm 5.4 për qind më 2013, një normë që për ekonomistët është tepër e dobët për të krijuar rimëkëmbje të plotë. Të gjitha vendet fqinje raportuan rritje më të lartë: Laosi me 8 për qind, Kina me 7.7 për qind, Kamboxhia me 7 për qind.
Në tetor 2012, nën presion për të dhënë llogari për rritjen e ngadaltë, Kryeministri Nguyen Tan Dung pranoi fajin, diçka që ndodh rrallë në këtë vend. Mea Culpa e tij ishte një përgjigje ndaj disa skandaleve me korrupsion.
Që nga ajo kohë, partia është bërë gjithnjë më e hapur në përpjekje për të shtypur korrupsionin, i cili vijon të jetë i gjithëpërhapur. Deri në nëntorin e kaluar, gjykatat e Vietnamit zhvilluan 278 gjyqe për korrupsion, sipas një raporti të qeverisë. Gjatë gjashtë muajve të fundit, Vietnami ka dënuar tre bankierë me vdekje për akuza për mitmarrje pasi u zbuluan se kishin vjedhur qindra milionë dollarë nga kompanitë shtetërore, përfshirë Vietnam Agribank, kredidhënësin më të madh të vendit.
Por lufta për korrupsionin nuk po i jep efekt të plotë pozitiv Partisë Komuniste: duke shpallur hetime gjithnjë e më të mëdha, qeveria ka tërhequr vëmendjen ndaj korrupsionit në kompanitë shtetërore të vendit.
Këto padrejtësi po zhgënjejnë gjithnjë e më shumë nga populli 90 milionësh në vendin e qeverisur ende nga sistemi njëpartiak, thotë Chu Hao, një zëvendësministër në pension për shkencën dhe teknologjinë dhe një nga ish-zyrtarët më kritikë.
Pavarësisht përpjekjeve të qeverisë për të përforcuar autoritetin e vet dhe për të rritur [besimin te qeveria], kufizimet e saj të shumta dhe problemet mbeten, duke i shtyrë njerëzit të besojnë më pak dhe të reagojnë më shumë”, – tha ai.
Në janar 2013, Hanoi ftoi publikun për të dhënë opinion në amendimet e propozuara për Kushtetutën e Vietnamit – hera e parë, sipas një numri disidentësh dhe ish-zyrtarësh të partisë, që qeveria konsultohet me publikun para se të ndërmarrë ndryshime politike.
Por menjëherë pas ftesës, mijëra vietnamezë, përfshirë zyrtarë të lartë të partisë, oficerë të ushtrisë, intelektualë, priftërinj, studentë, mësues e juristë, firmosën një peticion në internet, duke i bërë thirrje qeverisë të krijojë një sistem shumëpartiak. Propozimi u injorua në heshtje nga qeveria.
Gjatë kësaj periudhe, qeveria rriti përpjekjet për të shtypur kritikët: numri i disidentëve të dënuar për sabotazh dhe akuza të tjera të motivuara politikisht u rrit nga 40 më 2012 në 63 më 2013, sipas “Human Rights Watch”. Megjithëse arrestimet janë bërë më të rralla së fundmi, kritikët e qeverisë mbeten të rrezikuar.
Dy blogerë u dënuan me burg në mars për kritikimin e qeverisë në bazë të disa neneve të Kodit Penal të vendosura për të dënuar kritikat në internet. Media mbetet gjerësisht e kontrolluar nga shteti, por nuk është e bllokuar si në rastin e Kinës. Numri i përdoruesve të “Facebook” është rritur nga 10 në 24 milionë gjatë viteve të fundit, ndërsa vietnamezët shmangin filtrat e qeverisë.
Ndërkohë, përpjekjet e qeverisë për të shtypur kritikat në internet i kanë zemëruar edhe më shumë vietnamezët. Nguyen Thu Trang, një kameriere 20- vjeçare në Hanoi, tha se ajo ishte marrë në pyetje dhe ishte shqetësuar nga agjentët e shtetit për kritikat e saj mbi politikën dhe shoqërinë e Vietnamit. Por ajo tha se është e vendosur të vijojë të kritikojë pavarësisht se prindërit i kanë thënë se mund të përfundojë në burg. “Demokracia nuk mund të vendoset menjëherë”, tha ajo gjatë një pushimi në kafene. “Kërkon një proces afatgjatë dhe njerëzit këtu janë një faktor kyç”.
Nguyen thotë se ajo ka shokë e shoqe edhe më të reja që po përdorin internetin për të kritikuar – një gjeneratë e re zërash kritikë që janë shfaqur me rritjen e përdorimit të medias shoqërore. Megjithëse këta aktivistë të rinj dhe kundërshtarë të profilit më të lartë të regjimit si Pham, thonë se planet e tyre janë të koordinojnë lëvizjen në rritje, shteti përballet ende me shumë pak opozitë të organizuar.
Veprimet politike të drejtpërdrejta në sfidë të status quo-së njëpartiake mbeten të pamundura. Vetëm 8.4 për qind e deputetëve në Vietnam janë të pavarur nga partia. Dhe ndërsa prania e tyre ka lejuar më shumë debat mbi mënyrën se si qeveriset vendi gjatë viteve të fundit, vendimmarrja finale mbetet një proces opak i udhëheqësisë së partisë. Partia ka gjithashtu të drejtën të refuzojë kandidatë të pavarur dhe të padëshiruar.
Nguyen Canh Binh, drejtues i shtëpisë botuese “Alpha Books” në Hanoi, ishte mes të paktëve vietnamezë që u përpoq të garonte si deputet i pavarur në zgjedhjet parlamentare më 2011. Atij iu refuzua kërkesa për të garuar si i pavarur pa i dhënë arsye. Ai propagandon një mënyrë “të mesme” për Vietnamin, një përqasje joluftarake. Ai po fillon me një program edukativ jashtë sistemit shtetëror për t’i mësuar elitës së ardhshme të vendit se si duhet të udhëheqë dhe deri tani ka publikuar qindra përkthime në gjuhën vietname të librave mbi politikën perëndimore, filozofinë dhe kulturën. Ai dëshiron një ndryshim të ngadaltë dhe të vazhdueshëm, jo një Pranverë Vietnameze. “Ne nuk kemi të kuptuar të mirë të anës tjetër të demokracisë, thotë ai. – Ne po shohim se çfarë po ndodh me krizat në Tailandë dhe Ukrainë”.
Por zëvendësministri në pension Chu, gjithsesi është pesimist. Megjithëse qeveria po dëgjon më shumë ndjenjat e vietnamezëve të zakonshëm, ai thotë se nuk po i kushton vëmendjen e duhur.
“Ata kanë dy zgjedhje: të afrohen me jetën e njerëzve dhe të bëhen më demokratikë. Ose, të vijojnë shtypjen dhe mungesën e demokracisë, – thotë ai. – Nëse zgjidhjet kjo e dyta, regjimi mund të rrëzohet shpejt”.