REPORTAZH/ Ja se çfarë ndodh në një “Lazarat” tjetër

Zëri i Amerikës Lazarati i Shqipërisë nuk është i vetmi që praktikon kultivimin e hashashit nën sytë e qeverisë. Në luginën e Bekaa-së të Li...

Zëri i Amerikës
Lazarati i Shqipërisë nuk është i vetmi që praktikon kultivimin e hashashit nën sytë e qeverisë. Në luginën e Bekaa-së të Libanit, vitet e fundit, forcat e sigurisë kanë dërguar traktorë, buldozerë dhe makina të blinduara për të shkatërruar të mbjellat me kanabis, por kjo ka çuar në përleshje me fermerët e armatosur me pushkë dhe granata-hedhëse.
Libani është një nga prodhuesit më të mëdhenj në botë të bimës fitimprurëse të hashashit. Autoritetet e pranojnë se kjo është një luftë e vështirë dhe bëjnë sikur nuk shikojnë.
Sa herë që del me makinë nëpër luginën e Bekaa-së, fermeri i këtyre anëve Ali Nasri Shamas merr me vete një revole dhe një pushkë. Ai thotë se është gati t’i përdorë këto armë, në qoftë se ushtria përpiqet të shkatërrojë të mbjellat e tij me kanabis.
Por këtë vit ai mund të mos ketë nevojë. Pesëdhjetë kilometra më andej është Siria, dhe lufta civile e atjeshme ka bërë që forcat libaneze të sigurisë të kenë përparësi të tjera se sa të merren me hashashin.
“Ne duam të jetojmë si gjithë të tjerët. Nëse ata duan konfrontim, për ne nuk është problem. Nëse duan ta legalizojnë, ne do t’i falenderojmë dhe do t’i quajmë njerëz të mirë. Por nëse duan të vijnë për t’u përballur me ne, atëhere nuk do të jenë njerëz të mirë,” thotë zoti Shamas.
Ai mbjell shumë lloje bimësh në 54 hektarët e tij: elb, grurë, qepë dhe patate. Por kanabisi është më fitimprurës nga të gjitha.
Kjo është edhe një kulturë e fortë, që i bën ballë dimrit mjaft të thatë të Libanit dhe nuk ka nevojë për ujitje të shtrenja.
Të kultivosh një dynym me hashash kushton 100- 150 dollarë, shumë më pak se sa gruri. Në fund të verës, kur mbledhin prodhimin, fshatarët nxjerrin deri në 3 mijë dollarë fitim për dynym.
Zoti Shamas thotë se autoritetet duhet të bëjnë një hap më shumë dhe ta legalizojnë këtë kulturë, sepse kjo do të ishte me përfitime për të gjithë.
Megjithë qëndrimin e autoriteteve, fermeri thotë se do të vazhdojë të mbjellë gjithnjë e më shumë kanabis.
Vitet e fundit, forcat e rendit janë përpjekur të shkatërrojnë të mbjellat dhe janë përplasur me fermerët. Por suksesi ka qenë i pjesshëm, sepse kontrolli i shtetit këtu është i kufizuar, madje edhe Hebollahu ka frikë të përballet me klanet e fuqishme të fermerëve. Më parë ishte ndryshe, thotë kreu libanez i antidrogës, koloneli Ghassan Shamseddin.
“Në periudhën nga vitet 1990 deri në vitin 2012, çrrënjosja e kanabisit bëhej rregullisht çdo vit dhe për këtë qëllim përdoreshin të gjitha burimet materiale, njerëzore dhe teknike. Por në vitin 2012 operacioni u ndërpre për shkak të gjendjes në kufijtë libanezë dhe paqëndrueshmërisë në Siri,” thotë koloneli.
Shefi libanez i antidrogës thotë se për sa kohë që këto përpjekje të lihen në vend të dytë, për shkak të konfliktit në Siri, kultivimi i kanabisit në Liban do të shihet si diçka që tolerohet nga zyrtarët.
Ekonomisti Marwan Iskander thotë se legalizimi i plotë i kësaj kulture do të ndihmonte rajonin e Bekaa-së dhe pjesët e tjera të varfëra të Libanit.
“Unë mendoj se Libani ka nevojë për këtë kulturë, ka nevojë për të rigjallëruar këto rajone. Sipas vlerësimeve të mia, nga legalizimi i kanabisit dhe nga eksportimi i tij jashtë vendit, në Shtetet e Bashkuara apo në disa prej vendeve evropiane, ku është i lejuar, ekonomia libaneze do të përfitonte 2 miliard dollarë dhe buxheti i shtetit 400 milion,”thotë Iskander.
Por ai e pranon se kjo ide nuk ka gjasa të fitojë mbështetje të gjerë.
Në vitin 2011, Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogën dhe Krimin e rendiste Libanin si një nga pesë burimet më të mëdha në botë të kanabisit.

Related

Shqipëri 5534747945638749704

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item