Demokracia perëndimore përballë autokracisë aziatike

David Brooks Tashmë është e qartë se fundi i Bashkimit Sovjetik ishte njëkohësisht lajmëtar i fillimit të një epoke të vetëkënaqësisë demokr...

David Brooks

Tashmë është e qartë se fundi i Bashkimit Sovjetik ishte njëkohësisht lajmëtar i fillimit të një epoke të vetëkënaqësisë demokratike. Pa një sistem rival për t’i vënë në provë, qeveritë demokratike kanë pësuar dobësim në të gjithë globin. Në SHBA, Uashingtoni është i polarizuar, në stanjacion dhe jofunksional. Vetëm një 26 përqindësh patetik i amerikanëve besojnë se qeveria po bën gjënë e duhur. Në Europë, zyrtarët e zgjedhur janë distancuar gjithnjë e më shumë prej votuesve, duke iu përgjigjur krizës së Euros në mënyrë të dobët dhe duke dhënë një kontribut për papunësinë masive.
Sipas matjeve të Freedom House, liria ka qenë në sprapsje në të gjithë botën gjatë tetë viteve të fundit. Demokracitë e reja si Afrika e Jugut po dobësohen. Numri i shteteve që Bertelsman Foundation tashmë i quan “demokraci defektoze” (me zgjedhje të manipuluara e kështu me radhë) është rritur në 52. John Micklethwait dhe Adrian Wooldridge shkruajnë në librin e tyre “Revolucioni i Katërt”, se “deri tani, shekulli 21 ka qenë i kalbur për modelin perëndimor”.
Ngjarjet e viteve të fundit kanë nxjerrë zbuluar të metat strukturore të demokracisë. Demokracitë kanë prirjen të hasin vështirësi të mëdha kur vjen fjala tek planifikimi kohëgjatë. Votuesit kanë prirjen të kërkojnë më shumë shërbime prej qeverisë, nga sa paguajnë. Sistemi i kontrolleve dhe ekuilibrave mund të rrëshkasë drejt paralizës, teksa gjithnjë e më shumë grupe interesi fitojnë të drejtën e vetos në hartimin e legjislacionit.
Nëpër të gjithë botën perëndimore, njerëzve u ka ardhur në majë të hundës me qeveritë e tyre. Ka një hendek në rritje ndërmjet ritmit të ndryshimit social dhe ekonomik, dhe ritmit të ndryshimeve të qeverive. Në Britani, për shembull, produktiviteti në sektorin privat të shërbimeve u rrit me 14% mes viteve 1999 dhe 2013, ndërkohë që produktiviteti në sektorin shtetëror ra me 1 përqind mes 1999 dhe 2010.
Këto tendenca kanë ndezur një debat të gjerë: A ka nisur një rënie kohëgjatë për demokracinë?
Një rival i ri karizmatik po fiton forcë: Shteti Rojë. Në librin e tyre, Micklethwait dhe Wooldridge bëjnë një punë të shkëlqyer tek përshkruajnë autokracitë modernizuese të Azisë. Në disa drejtime, këto qeveri ngjajnë më progresiste se sa modeli perëndimor. Në disa drejtime, janë më konservatore.
Në vende si Singapori dhe Kina, studentët më të mirë rekrutohen në mënyrë të pamëshirshme për të shërbyer në administratën publike. Elitat teknokrate luajnë një rol më të madh në projektimin e jetës ekonomike. Rrjeti i sigurisë është më i vogël dhe ai fal më pak. Në Singapor, 90 përqind e asaj që merr nga pensioni është ekzaktësisht çfarë jep për të. Puna shpërblehet. Pritshmëria është që njerëzit të kujdesen për veten.
Këta Shtete Rojë kanë disa disavantazhe krahasuar me demokracitë perëndimore. Ata janë më të korruptuar. Për arsye se sistemet janë vertikalë, nga lartë poshtë, qeverisja lokale ka prirjen të jetë më e keqe. Por ata kanë edhe avantazhe. Janë më të mirë në të menduarit afatgjatë dhe kanë mundësinë e një lëvizshmërie të shpejtë për arsye se e kufizojnë reagimin demokratik dhe nuk hasin pengesa.
Më e rëndësishmja, janë më novatorë se demokracitë perëndimore në këto momente. Nëse do të donit të gjenit një model për shkollat tuaja shtetërore, do të shkonit në Korenë e Jugut apo në Amerikë? Nëse do të donit një model për sistemin e pensioneve, do të shkonit në Singapor apo në SHBA? “Nuk janë pyetje të vështira për t’u përgjigjur”, shkruajnë Micklethwait dhe Wooldridge, “dhe nuk ofrojnë përgjigje të mira për perëndimin”.
Atëherë si duhet t’i përgjigjen kësaj konkurrence qeveritë perëndimore? Nevojitet jo aq shumë një vizion për rolin e shtetit, se sa një strategji për ta bërë demokracinë përsëri dinamike.
Përgjigja është të përdoren mjetet e Lee Kuan Yew për të arritur qëllimet e Jeffersonit – të bëhesh më pak demokratik në nivel kombëtar, me qëllim që të bëhesh më shumë demokratik në nivel lokal. Në nivel kombëtar, politika amerikane është bërë neurotikisht demokratike. Politikanët bëjnë fushatë gjithë kohën dhe rrallëherë mendojnë përtej ciklit mediatik. Ligjvënësit janë të tmerruar se mos fyejnë këtë apo atë lob industrial, grup aktivistësh apo fraksion donatorësh. Grupe pa përfaqësim kanë një pushtet të tepruar në zgjedhjet primare.
Mënyra më e mirë për të shmangur këtë është të përdoren komisione elitash për të çuar përpara reforma populiste. Procesi i ndryshimit do të ishte elitist. Të mblidhen grupe të vegjël, të “të mëdhenjve” dhe “të mirëve” për të hartuar reforma bipartizane – imigrimi, axhenda e lëvizshmërisë sociale etj – dhe më pas të thirret opinioni i establishmentit për t’i miratuar planet. Por thelbi veç elitist nuk do të ishte. Avantazhi i madh i demokracisë kundrejt shteteve autokratikë është se informacioni dhe ndryshimi rrjedhin lirisht nga poshtë lart. Ata që kanë dije lokale kanë më shumë përgjegjësi.
Nëse avantazhi për Shtetin Rojë është shpejtësia në majë, avantazhi i demokracisë është shpejtësia në fund. Kështu që, komisionet elitistë duhet të bëjnë propozime që zmadhojnë pikërisht këtë avantazh: që ia japin kontrollin për programet e varfërisë grupeve lokalë të bamirësisë, po kështu për diversitetin në arsim, mekanizmat e tregut, kujdesin shëndetësor e kështu me radhë.
Demokracia është gjithmonë e rrëmujshme, por historikisht ka lulëzuar sepse ka qenë më fleksibël se sa rivalët. Në vitin 1787, kampionët e demokracisë u përtërinë më shpejt. A është ende e vërtetë? /International New York Times/
Pershtatur ne shqip nga bota.al

Related

Top Lajm 7612871800286277524

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item