Yjet që mungojnë dhe rrezikojnë të mos prekin në Brazil 2014

Shumë yje të futbollit janë në garë me kohën për të arritur me skuadrat e tyre në Brazil 2014, ndërsa disa prej tyre do t’i mungojnë kompeti...


Shumë yje të futbollit janë në garë me kohën për të arritur me skuadrat e tyre në Brazil 2014, ndërsa disa prej tyre do t’i mungojnë kompeticionit më të madh futbollistik
 Brazil 2014 është kompeticioni më i rëndësishëm futbollistik. Prestigji dhe historia që ka Kupa e bën një ndër evenimentet më të ndjekura në botë. Ndeshje të mëdha dhe lojtarë të mëdhenj që mbeten në histori vetëm nga Kupa e Botës nxisin shumë yje që të kenë një emër në palmaresin e këtij kompeticioni. Mirëpo jo të gjithë kanë shansin që të jenë në Brazil 2014. Kjo, pasi sezoni futbollistik është i gjatë dhe ka shumë probleme rrugës. Dëmtime apo dhe sforcime të lojtarëve bëjnë që shumë yje të mungojnë. Disa prej tyre në këto momente janë duke luftuar me kohën, duke u trajtuar me shpresën se do të ndihmojnë ekipet e tyre për të qenë sa më në formë. Punojnë me shpresën se do të prekin finalet. Ndërsa disa prej yjeve nuk do të kenë fatin, pasi nuk kanë arritur të kualifikohen me ekipet e tyre kombëtare. Emra të mëdhenj, por jo kombëtare të mëdha bëjnë që këtë sezon të mos shohim disa lojtarë që kanë dhuruar mjaft spektakël këtë sezon.

 Luis Suarez (Uruguai)
Lajm i keq për Uruguain. Kur duhen edhe pak ditë nga nisja e Botërorit, Luis Suarez është dëmtuar në meniskun e gjurit gjatë stërvitjes së ditës së mërkurë. Sulmuesi i Liverpulit i është nënshtruar dje një kontrolli mjekësor, ku janë vënë re dëmtime në menisk, për këtë arsye është vendosur të operohet. Lojtari do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në Montevideo, por prania e tij në Botëror është në dyshim të madh. Operacioni është parashikuar për në orën 12:30 me orën shqiptare dhe nga stafi mjekësor i Uruguait ka optimizëm dhe për këtë arsye lojtari i Liverpulit do të niset së bashku me shokët për në grumbullimin e Brazilit. Do të jetë e vështirë që sulmuesi, i cili këtë sezon ka fituar Këpucën e Artë së bashku me Kristiano Ronaldon, të jetë i gatshëm për ndeshjet e para të Botërorit (Uruguai është në grup me Italinë, Anglinë dhe Kosta Rikën). Rikuperimi pritet të zgjasë 15-20 dhe nëse gjërat shkojnë siç duhet, ai mund të jetë gati për ndeshjen e parë kundër Kosta Rikës më 14 qershor.

Tiago Alkantara (Spanjë)
Edhe Tiago Alkantara humbet Botërorin. Sikurse njoftuan mediat spanjolle, 23-vjeçari u dëmtua në gju gjatë seancës stërvitore të radhës, duke e ndërprerë menjëherë atë. Kontrollet mjekësorë zbuluan se futbollisti i Bajernit të Mynihut ka dëmtuar ligamentin e gjurit, duke humbur jo vetëm finalen e Kupës së Gjermanisë, ku ai dëshironte të luante me çdo kusht, por edhe finalet e Botërorit që do të zhvillohet në Brazil. Alkantara dëmtoi pjesërisht ligamentin e gjurit të djathtë në sfidën e 29 marsit në Bundesligë ndaj Hofenhajmit, megjithatë u mendua se do të riaftësohej në kohë për të mos e humbur Botërorin. Mirëpo nxitimi për t’u kthyer sa më shpejt në fushë po i kushton rëndë lojtarit. Pavarësisht nga kjo mesfushori është i ri, kështu që do të ketë edhe mundësi të tjera për të qenë në Botëror.

Viktor Valdes (Spanjë)
Portieri i Barcelonës, Viktor Valdes, pësoi një dëmtim të rëndë në fitoren 3:0 ndaj Selta Vigos. Portieri spanjoll kryqëzoi ligamentet e gjurit dhe pritet të mungojë nga 6 deri në 8 muaj, që nënkupton se ai do të humbë Botërorin Brazil 2014. 32-vjeçari ishte vendimtar në një rast, duke bërë një pritje në minutën e 22-të, por në rënie e sipër, dëmtoi gjurin, ndërsa u konfirmua se duhet t’i nënshtrohej operimit. Futbollistit nuk i munguan lotët, pasi me këtë dëmtim u detyrua t’i thoshte lamtumirë Barcelonës, por edhe Kupës së Botës.

Robin van Persi (Holandë)
Sulmuesi i Mançester Junajtidit u dëmtua në ndeshjen kundër Olimpiakosit, por edhe pse dëmtimi u dukë i lehtë dhe dukej se do të nuk rrezikonte rrugën e lojtarit, tani sulmuesi rrezikon tani edhe pjesëmarrjen në Brazil 2014 me Holandën. Sipas asaj që shkruan “De Telegraaf”, Robin van Persi ka pësuar një dëmtim të rëndë në gju gjatë stërvitjes së fundit me “tulipanët”. Sulmuesi i Mançester Junajtidit do t’i nënshtrohet gjatë orëve në vijim një kontrolli të detajuar për të vlerësuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit.

Kevin Strotman (Holandë)
Kevin Strotman do ta humbasë Kupën e Botës së kësaj vere, për shkak të lëndimit të gjurit në ndeshjen e Serisë A ndaj Napolit. Ky lajm u njoftua nga vetë trajneri i Holandës, Luis van Gal. Tulipani mori një goditje në humbjen 1-0 të Romës kundër Napolit dhe u detyrua ta braktiste fushën vetëm pas 12 minutash lojë. Strotmaniu nënshtrua një skaneri të hollësishëm në mëngjes për të përcaktuar shkallën e problemit në gju dhe Van Gal konfirmoi lajmin e keq. Ai tha: “Ky është një moment dramatik për Kevin. Mund ta imagjinoj se bota e tij u shemb me atë dëmtim. Kevin po kalonte një periudhë shumë të rëndësishme me klubin e tij, Roma, por edhe në kombëtare, ndaj është një humbje e madhe. Ai kishte një kontribut shumë të madh për kualifikim tonë në finalet e Kupës së Botës në Brazil, por më e keqja është për Kevin, i cili sheh që ëndrrat e tij janë të shkatërruara. Klubi i Romës më pas konfirmoi se Strotman, 24 vjeç, kishte dëmtuar ligamentin krucial dhe ndoshta edhe meniskun e tij. Por përsëri ka shpresa për lojtarin se mund të luaj në botërorin e tij duke parë edhe moshën e re.

Teo Uollkot (Angli)
Gjithmonë Teo Uollkot ka qenë i ndjeshëm ndaj dëmtimeve. Lojtari gjithmonë ka qenë pre e dëmtimeve që nuk e kanë lënë të zhvillojë një lojë konstante. Mirëpo ky dëmtim duket se ka qenë fatal për lojtarin. Klubi londinez konfirmoi lajmin për dëmtimin e tij dhe shtoi se britaniku do t’i nënshtrohet një operacioni dhe do të jetë jashtë fushave për afër gjashtë muajt e ardhshëm. Një goditje e madhe për yllin e Kombëtares angleze është që nuk do të jetë në skuadrën e “tre luanëve” për Botërorin e ardhshëm në Brazil.

Radamel Falkao (Kolumbi)
Sulmuesi kolumbian, Radamel Falkao, rrezikon të humbasë Botërorin 2014 pas një dëmtimi serioz që pësoi në pjesën e parë të takimit nga një ndërhyrje e ashpër gjatë ndeshjes për kupë në janar. “El Tigre” shënoi golin e parë për klubin nga Principata në minutën e 29-të, por u detyrua të braktisë ndeshjen pasi u shtri mes dhimbjesh në fushë, vetëm 4 minuta para fundit të pjesës së parë. Një lajm që shokoi të gjithë dhe më shumë kombëtaren kolumbiane. Kjo pasi sulmuesi është edhe lojtari kyç i skuadrës. Mirëpo në lajmet e fundit Falkao është vënë re që po punon shumë për të qenë në skuadër. Shpresa ka edhe nga mjekët që po vëzhgojnë lojtarin hap pas hapi për të parë përmirësimin.

Të pakualifikuarit
Një mungesë e madhe do të jenë edhe lojtarët që nuk arritën që të kualifikoheshin me kombëtaret e tyre. Lojtarë si Bejl dhe Ibrahimoviç nuk kanë shansin të tregojnë potencialin e tyre në këtë eveniment të madh.

Suedi: Zllatan Ibrahimoviç
Mungesa më e madhe duket se do të jetë Zllatan Ibrahimoviç. Sulmuesi është një ndër lojtarët më të fortë në botë pa diskutim. Një spektakël i vërtetë në fushë, shumë ekspresiv dhe me një grintë që do t’i mungojë Brazilit. Ishte shumë afër kualifikimit, por që fati i nxori përballë Portugalinë e Ronaldos. Pas një ndeshjeje dramatike me një super-Ronaldo, sulmuesi i PSG-së e pa veten jashtë Botërorit. Një fat i keq për një yll të madh.

Turqi: Nuri Shahin dhe Arda Turan
Dy yje të Turqisë që do t’i mungojnë Brazilit, janë Arda Turan dhe Nuri Shahin. Turan ka zhvilluar një supersezon me skuadrën e tij Atletiko, duke qëndruar në formacion të parë gjatë sezonit. Mesfushori ka qenë një ndër pikat kryesore të skuadrës, por që fatkeqësisht nuk arriti të triumfonte me kombëtaren e tij. E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Nuri Shahinin, që ka zhvilluar një sezon të mirë me Dortmundin, por që edhe mesfushori do të mungojë në eveniment.

Uells: Garet Bejl dhe Aron Ramsej
Dy yje që kanë shkëlqyer këtë sezon ka qenë Aron Ramsej dhe Bejl. Ramsej ka arritur të realizojë një supersezon me Arsenalin. Një lojtar që u kthye pas një dëmtimi të rëndë, por që arriti të tregonte një klas të madh. Shumë lojtarë me perspektivë dhe që pritet të shpërthejë në të ardhmen, duke parë edhe moshën shumë e re. Ndërsa për Gareth Bejlin nuk mund të komentohet shumë, pasi flet vetë shifra për të cilën u transferua te Reali. Uellsiani nuk e nisi mirë, por në ndeshjet e fundit ka treguar çfarë potenciali ka, duke i dhuruar Realit edhe Kupën pasi atij goli super të shpejtë. Të dy lojtarët kanë fatin të luajnë në një kombëtare si Uellsi, duke i pasur shanset shumë të pakta për të qenë në finalet e Botërorit.

Mal i Zi: Stefan Jovetiç dhe Mirko Vuçiniç
Të dy yjet e Malit të Zi do të duhen ta shikojnë Botërorin nga televizori. Edhe pse këtë vit kanë qenë të dy në hije me ekipet e tyre, prapë do t’i mungojnë Botërorit. U munduan shumë me kombëtaren e tyre, por nuk arritën që të bënin diçka të madhe.

Poloni: Roberto Levandovski
Lojtari kyç i kombëtares polake është sulmuesi më i ri i Bajernit, Robert Levandavski. Polaku është një ndër sulmuesit më potentë në qarkullim dhe frikëson çdo kundërshtar. Mirëpo Polonia nuk arriti që të kualifikohej për në finalet e Brazilit 2014, kështu që do të duhet ta shikojmë Botërorin edhe pa këtë yll.

Austri: David Alaba
Momentalisht është një ndër mbrojtësit më të mirë të krahut. Lojtari ka dy sezone që po zhvillon një lojë shumë të mirë me ekipin e Bajernit. Një lojtar që dhuron spektakël në çdo aspekt, si në mbrojtje dhe në sulm. Mirëpo nuk arriti që të kualifikonte Austrinë e tij për në Kupën e Botës. Tashmë edhe lojtari do të detyrohet ta shikojë gjithçka nga televizori.

Related

Sport 7768455412596530824

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item