Melanoma, si të kuptoni nishanet e rrezikshme të lëkurës
Dëshira për të marrë ngjyrë nuk duhet të na shtyjë që të qëndrojmë për orë të tëra nën rrezet e diellit, e aq më tepër pa marrë kujdesin e d...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/melanoma-si-te-kuptoni-nishanet-e.html
Dëshira për të marrë ngjyrë nuk duhet të na shtyjë që të qëndrojmë për orë të tëra nën rrezet e diellit, e aq më tepër pa marrë kujdesin e duhur nëpërmjet kremrave mbrojtës. Kjo pasi, njollat e vogla që mund të kemi në lëkurë, apo dhe nishanet mund të ndryshojnë duke u shndërruar në forma të rënda siç mund të jetë sëmundja kanceroze e lëkurës, ose që njihet ndryshe melanoma. Për lexuesit e gazetës “Dita”, mjekja Ilda Xhelili tregon se tashmë kemi hyrë në sezonin e nxehtë dhe kujdesi ndaj nishaneve dhe qëndrimit në diell duhet të jetë maksimal. Kjo pasi ekspozimi ndaj rrezatimit ultraviolet është një nga faktorët kryesorë të zhvillimit të melanomës. Rrezatimi ultraviolet shkakton dëme në ADN-në e qelizave duke shkaktuar mutacione (ndryshime) në gjenet qelizore dhe duke u transmetuar kështu në breza. Melanoma është një nga llojet e kancerit të lëkurës. Është më pak e zakonshme se kanceret e tjera, por është ndër më të rrezikshmet. Emërtimi rrjedh nga fjala greke “Melas”, që do të thotë e errët. Pra është një tumor “i keq”, i melanociteve. Këto të fundit janë qelizat që prodhojnë pigmentin e errët të melaninës, i cili është përgjegjës për ngjyrën e lëkurës. Qelizat gjenden kryesisht në lëkurë, por janë gjetur edhe në pjesë të tjera të trupit si për shembull në zorrë dhe në sy (melanoma intenstinale dhe uveale). Pra, melanoma mund të shfaqet në çdo pjesë të trupit ku ndodhen melanocitet, të cilat janë me shumicë në lëkurë. Ajo shkakton rreth 75 për qind të vdekjeve që lidhen me kancerin e lëkurës. Sot, në të gjithë botën diagnostikohen rreth 160000 raste të reja në vit me melanoma.
Cilët janë faktorët më të njohur që ndikojnë në shfaqjen e melanomës ?
Në përgjithësi, rreziku i një individi për zhvillimin e melanomës varet nga dy grupe faktorësh: faktorë të brendshëm dhe faktorë të mjedisit të jashtëm. Në përgjithësi si faktor i jashtëm citohet historia familjare e atij individi, ndërsa faktori më i rëndësishëm mjedisor është ekspozimi ndaj rrezeve të Diellit. Studimet epidemiologjike referojnë se ekspozimi ndaj rrezatimit ultravjollcë (Uva dhe Uvb) është një nga faktorët kryesorë të zhvillimit të melanomës. Rrezatimi ultraviolet shkakton dëme në ADN-në e qelizave duke shkaktuar mutacione (ndryshime) në gjenet qelizore dhe duke u transmetuar kështu në breza. Melanoma është më e zakonshme në zonat e trupit më të ekspozuara nga dielli, si për shembull pulpat e këmbëve te femrat. Gjithashtu më të rrezikuar janë edhe punëtorët që punojnë në natyrë për shembull bujqit që punojnë në fusha, lulishtarët, pasi janë më të ekspozuar ndaj rrezeve të diellit. Rëndësi ka edhe mosha e ekspozimit dhe koha e ekspozimit. Sa më të vegjël në moshë aq më i madh rreziku i zhvillimit të melanomës. Më të rrezikuar janë gjithashtu njerëzit e bardhë e me shumë nishane, se sa raca e zezë. Por, kjo nuk do të thotë se raca e zeze nuk është e ndjeshme ndaj kësaj sëmundjeje. Edhe atyre u rekomandohet përdorimi i kremrave mbrojtës për të shmangur djegiet e lëkurës nga rrezet e diellit.
Cilat janë shenjat klinike të melanomës ?
Në gjuhën e përditshme melanoma njihet me emrin “nishan. Një nga shenjat e hershme të melanomës është asimetria e nishanit, kufijtë e parregullt ose pamja me gunga-gunga, si edhe diametri më i madh se 6 milimetra (afërsisht sa goma e një lapsi). Pamje të tilla përbëjnë si urgjencë vizitën tek mjeku dermatolog.Në qoftë se sëmundja avancon, atëherë më tej do të kemi shfaqjen e pruritit (kruajten), ulceracione (çarjet), e deri te rrjedhja e gjakut. Në qoftë se sëmundja shfaq metastaza, atëherë do të kemi shenja të tilla jospecifike si për shembull ulje të oreksit, të përziera, të vjella, lodhje, rënie në peshë. Metastazat në fazat e hershme nuk janë të zakonshme dhe në rreth një të pestën e pacientëve diagnostikohen që fazat e hershme. Metastazat më të zakonshme janë ato të trurit, por kanceri mund të përhapet edhe në mëlçi, kocka si edhe në sistemin limfatik.
Kur duhet t’i drejtohemi mjekut?
Një nishan dyshues i cili po ndryshon në madhësi, formë dhe ngjyrë duhet të referohet tek specialisti për ekzaminim dermatoskopik. Kështu, këto tip nishanesh duhen monitoruar vazhdimisht sepse rreziku absolut i melanomës është i ulët dhe për këtë arsye nuk rekomandohet heqja kirurgjikale profilaktike dhe ekzaminimi histologjik përkatës, por vetëm ekzaminimi dermatoskopik. Këto raste referohen vetëm për të përjashtuar një melanomë. Pacientët me shumë nishane, sidomos ato atipike janë në një risk të mjaftueshëm për të zhvilluar melanomë (risku relativ është rreth dhjetë herë më i madh sesa ndaj atyre me pak nevuse, rreziku për jetën është 1 me 15) dhe për këtë arsye duhet t’i drejtohen sistemit të referimit për ekzaminim dermatoskopik, ekcizim dhe ekzaminim histopatologjik, edukimin e tyre për vetëmonitorimin, bazuar në rrezikun e melanomës në një meta-analizë të fundit.
Ja cilat janë masat parandaluese që rekomandohen
- Në radhë të parë rekomandohet minimizimi i ekspozimit ndaj rrezeve të diellit. Kur duhet të dalim rekomandohen masa mbrojtëse si për shembull pantallona të gjata, këmisha me mëngë të gjata dhe kapele të mëdha, me strehë të gjerë.
- Mjaft i rëndësishëm është përdorimi i kremit me faktor të lartë mbrojtës ndaj rrezeve ultraviolet (SPF mbi 50). Përbërësit kryesorë të këtyre kremrave përmbajnë zink dhe titanium që janë elemente kimikë, të cilët pengojnë pikërisht rrezatimin ultraviolet.
- Rëndësi ka edhe orari i ekspozimit. Shmangni sa të mundni ekspozimin midis orëve 10 dhe 16.
- Përdorni sa më shumë lëngje dhe ujë sidomos në periudhën e verës për të ruajtur hidratimin e lëkurës. Pothuajse të gjitha melanomat fillojnë duke ndryshuar ngjyrën dhe pamjen që kanë pasur më parë.
- Kanceri i lëkurës rrallë është i dhimbshëm, por në shumicën e rasteve është i dallueshëm që në fazat e hershme të tij. Prandaj kontrolloni vazhdimisht lëkurën tuaj dhe jo vetëm në zonat e ekspozuara ndaj diellit.
- Nëse vini re diçka të pazakontë, përfshirë çdo ndryshim në ngjyrë, formë apo madhësi, mos hezitoni të paraqiteni tek mjeku juaj. Është e vërtetë që melanomat shfaqen më shpesh në zonat e ekspozuara ndaj diellit, por ato mund të shfaqen edhe në ato zona që nuk kanë qenë kurrë të ekspozuara.
- Melanomat nuk janë ngjitëse, pra ju nuk mund ta merrni nga dikush tjetër. Pasi janë diagnostikuar dhe trajtuar, rekomandohen kontrolle të rregullta dhe këshillime pasi ekziston rreziku që të zhvillohen përsëri.
- Sa më herët të ekzaminohen dhe të trajtohen aq më e mirë është edhe prognoza. Prognoza nuk është shumë e favorshme sidomos kur melanoma metastazon në kocka, mëlçi apo edhe në tru.
Shfaqja e mealnomës në duar
Njihen lloje të ndryshme melanomash. Konkretisht, melanomat akrolentigjinoze shfaqen zakonisht në shuplakat e duarve dhe shojet e këmbëve, si lezione të sheshta të pigmentuara që ngjajnë me nevuset normale, të cilat fillojnë të rriten në madhësi dhe zhvillojnë zona të parregullta të pigmentuara dhe ndonjëherë ulçerohen. Këto melanoma në përgjithësi diagnostikohen vonë për shkak të vendndodhjes së tyre dhe sepse shpesh ato diagnostikohen si një ulçer, veçanërisht tek diabetikët. Shpesh ato mund të jenë të vendosura nën një shtresë të keratinës reaktive duke u dukur klinikisht, si një kallo. Çelësi i vetëm diagnostikues është hemorragjia.
Melanomat e thoit, shpesh ngatërrohen me infeksion mykotik
Melanomat që rriten në thonj (subungueale) lokalizohen në përgjithësi në gishtin e madh të këmbës. Ato duken se rriten nga matriksi i thoit pra fillimisht duken në pjesën proksimale të thoit. Melanoma klasike subungueale duket si një vije pigmentuese në thua që me kalimin e kohës zgjerohet dhe me vonë prodhon një masë tjetër, e cila më vonë ka tendencën të ngrejë thoin dhe të gjakoset. Kjo formë e melanomës diagnostikohet shpesh si një infeksion mykotik apo dhe një granulomë pyogjene.
Këshillat për dietën ushqimore, dhe ekspozimin në diell
Nëse ndjekim praktika të tilla, si një qëndrim i kujdesshëm nën rrezet e diellit, dhe përzgjedhje të ushqimeve që këshillohen për mbajtjen e një lëkure të shëndetshme, veçanërisht ndaj sezonit të nxehtë, atëherë problemet me të cilat do të përballet lëkura jonë do të jenë të vogla. Në të kundërt jo vetëm do të përballemi me një plakje më të shpejtë, por edhe me praninë e formave të rënduara kanceroze, të cilat i përmendëm gjatë shkrimit. Dihet tashmë që qëndrimi i gjatë nën rrezet e dëmshme të diellit, dëmton dhe prish kolagjenin dhe elasticitetin që karakterizon lëkurë, çka paralajmëron edhe plakjen e saj. Sipas bluzave të bardha qëndrimi i tepruar nën rrezatimet e diellit, konsiderohet si shkaktari i parë i dëmtimeve të mëdha, siç janë rrudhat, enët e gjakut që ndodhen në sipërfaqe të lëkurës, sjellin një trashje të lëkurës, shfaqjen e njollave të errëta, etj. Ndaj është e rëndësishme që në çdo dalje të aplikohen kremrat mbrojtës. Një kujdes të veçantë duhet të tregojmë edhe ndaj ushqimeve që i servirim organizmit gjatë përditshmërisë. Mjekët këshillojnë që të mos hiqet dorë nga një ushqyerje e shëndetshme, në të cilën duhet të mos ndalet konsumi i frutave e zarzavateve, karotave. Këshillohet që të veprohet me eliminimin e karbohidrateve. Për një lëkurë të shëndetshme, rekomandohet të pihet minimalisht 2 litra ujë në ditë, çka do të ndihmojë jo vetëm në hidratimin e lëkurës, por dhe në eliminimin e lëndëve e substancave toksike të organizmit. Gjithashtu edhe stresi emocional është një faktor i shpeshtë që ndryshon gjendjen e lëkurës tonë. Një ndër këshillat që japin mjekët në këtë drejtim është: “Mund të bëni që “rrudhat e emocioneve” të vërehen më pak, nëse tentoni të ndërgjegjësoheni dhe të punoni me gjendjen tuaj emocionale, duke i kushtuar rëndësi pushimit dhe evitimit të tensioneve të ditës”./dita