Çka po thotë Brukseli për zgjedhjet tona

Nga Augustin Palokaj   Për më shumë se 20 vjet qytetarët e Kosovës kanë kthyer sytë dhe veshët kah Brukseli, Berlini, Vjena, Washingtoni. U ...

Nga Augustin Palokaj
 
Për më shumë se 20 vjet qytetarët e Kosovës kanë kthyer sytë dhe veshët kah Brukseli, Berlini, Vjena, Washingtoni. U interesonte në fillim se çfarë mendojnë “ata” në Perëndim për dhunën e regjimit serb, çfarë dëshirojnë të ndërmarrin, a do ta bombardojnë Serbinë, a do të na ndihmojnë për të shpallur pavarësinë, e a do ta njohin atë.
Pyetja se “çfarë po thonë ata për ne” është bërë si duket e pafund dhe tashmë është shndërruar në një opsesion.
Së fundi, pasi kosovarët e kanë kuptuar se për një kohë të pacaktuar nuk ka gjë nga heqja e shpejtë e vizave, me gjithë premtimet e pamatura dhe joreale të disa anëtarëve të Qeverisë së Kosovës, një temë tjetër është duke e preokupuar opinionin në Kosovë: zgjedhjet e hershme të shpallura për 8 qershor, që kanë lënë në hije çfarëdo teme tjetër.
E edhe nëse flitet për diçka tjetër, atëherë edhe ajo temë përmendet vetëm në kontekstin e procesit zgjedhor apo propagandës së ndonjë subjekti, i cili merr pjesë në to.
Edhe për zgjedhjet kosovarët pyesin “çfarë mendon Brukseli për to”. Thënë të vërtetën Brukseli nuk thotë asgjë. Kësaj radhe ka shumë arsye që zgjedhjet në Kosovë të mos jenë në krye të agjendës në Bruksel, edhe pse nuk mund të thuhet se nuk u intereson. Bashkimi Evropian është për momentin i preokupuar me zgjedhjet e veta.
Prej së enjtes, më 22 maj, kur hapen vendvotimet në Holandë e deri të dielën e 25 majit, në orën 23 të mbrëmjes, kur mbyllen vendvotimet e fundit, në territorin e Bashkimit Evropian votohet për deputetët e Parlamentit Evropian. Këto zgjedhje janë të rëndësishme për shumë gjëra. Pritet që në to të shënohet një rritje e numrit të deputetëve euroskeptikë në Parlamentin e ardhshëm Evropian.
Nga rezultati i këtyre zgjedhjeve do të varet edhe kush do të jetë kryetar i ardhshëm i Komisionit Evropian dhe si do të jetë ndarja e resorëve dhe posteve kyç në institucionet e BE-së në të ardhmen. Nga ana tjetër këto zgjedhje shihen edhe si një test i popullaritetit të partive politike edhe në skenat e brendshme në disa shtete të BE-së. Kështu që nuk ka shumë hapësirë që zgjedhjet në Kosovë të nxisin ndonjë interes më të madh kësaj radhe në BE.
Edhe nëse ka interes për zgjedhje jashtë BE-së, atëherë ai është për zgjedhjet presidenciale të cilat zhvillohen më 25 maj në Ukrainë. Brukseli është kureshtar të shohë se si do të zhvillohen ato, si do të veprojë Rusia dhe, nëse Rusia ndihmon në pengimin e zhvillimit të tyre në pjesët lindore, atëherë do të përgatiten sanksione të reja kundër Moskës.
E sa për Kosovën, Brukseli kësaj radhe duket shumë më pak i interesuar sesa në zgjedhjet e fundit parlamentare. Atëherë BE-së i interesonte që ato të përfundojnë sa më shpejt, sepse prioritet e kishin vetëm nisjen e dialogut me Serbinë. Madje në atë kohë diplomatët nuk fshihnin se do të dëshironin fitoren e PDK-së, sepse kryeministri i Kosovës u kishte premtuar gatishmëri për të hyrë në dialog me Serbinë e besa, nëse është për t’u besuar diplomatëve evropianë, kishte shfaqur edhe “fleksibilitet” për status special të veriut të Kosovës.
Kjo pritje në Bruksel ishte vendimtare që Brukseli të mos jetë aq i ashpër në kritikat për keqpërdorimet në procesin zgjedhor. Vetëm deputetët e Parlamentit Evropian i kishin vëzhguar zgjedhjet dhe ata ishin tmerruar me atë që kishin parë. Në raportet e tyre ata nuk përmendnin fjalën “parregullsi” apo “mangësi”, por nuk hezitonin të përmendnin fjalët “vjedhje dhe mashtrime”. Por nga Këshilli i BE-së nuk erdhën kritikat ndaj këtyre mashtrimeve zgjedhore, sepse nuk donin që të rrezikonin procesin e dialogut. Megjithatë pasojat ishin të mëdha për procesin e liberalizimit të vizave.
Nga disa diplomatë të disa shteteve anëtare mund të dëgjohet edhe sot se “nuk mund të hiqen vizat për një shtet ku vidhen votat”, ndërsa argumentimi “pse i janë hequr Shqipërisë?” duket vetëm një justifikim.
Në fakt në BE pas zgjedhjeve të fundit ishin të befasuar me efektin e madh që kishin pasur këto parregullsi në shoqërinë kosovare. U bënë të vetëdijshëm se edhe populli i Kosovës e kuptoi se BE-ja në Kosovë po bën pazare me kredibilitetin e saj dhe po sakrifikon vlerat për të cilat angazhohet BE-ja vetëm për ta mbajtur në dispozicion interlokutorin për dialog me Beogradin.
Por BE-ja u angazhua më shumë në ndihmën e përgatitjeve të zgjedhjeve lokale, të cilat kaluan sipas planit dhe ishin një befasi pozitive. Ndoshta interesi i BE-së ishte edhe për faktin se ato zgjedhje ishin edhe rezultat i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe të tria palët – Kosova, Serbia dhe BE-ja – kishin interes që procesi zgjedhor të ishte i rregullt.
Në BE janë gjetur paksa të befasuar me datën e hershme të zhvillimit të zgjedhjeve të përgjithshme në Kosovë, sepse zakonisht përgatitjet zgjasin disa muaj. Brukseli është i interesuar që të krijojë një mision për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe është duke punuar në atë drejtim. Por nuk do të jetë lehtë në kohën kur BE-ja është e zënë me zgjedhjet e veta, Parlamenti Evropian ka përfunduar punën dhe pret mbarimin formal të mandateve të vjetra dhe nisjen e punës së deputetëve të rinj apo të atyre që do të rizgjidhen. Megjithatë, edhe pse është vështirë, nuk është e pamundur.
BE-ja është e interesuar që Kosova të mos shënojë ecje prapa, por të bëjë edhe një hap para pas zgjedhjeve të suksesshme lokale. Prandaj edhe interesi i Brukselit kësaj radhe kryesisht kufizohet në dëshirën që zgjedhjet të jenë korrekte dhe sipas standardeve më të mira evropiane. Kush do të fitojë nuk u intereson shumë. Deklaratat se Brukseli do fitoren e njërit apo tjetrit subjekt janë thjesht propagandë për qëllime të brendshme e jo rezultat i ndonjë dëshire të vërtetë të Brukselit.
Në Kosovë duhet të mësohen se zgjedhjet dhe mirëvajtja e tyre janë para së gjithash nevojë për qytetarët e Kosovës dhe për zhvillimin e demokracisë, llogaridhënies dhe përfaqësimit politik. Përderisa në Kosovë ende pyesin “çka mendon Brukseli për zgjedhjet tona” mund të thuhet se ende kosovarët nuk janë mësuar se Kosova është shtet i pavarur, nuk kanë besim në sistemin e tyre as politik e as gjyqësor. çështja e besimit në procesin zgjedhor duhet të hiqet sa më parë nga rendi i ditës dhe zgjedhjet e rregullta të jenë të vetëkuptueshme.
Ato shtete në të cilat procesi zgjedhor pritet me ethe dhe frikë për parregullsi, ato shtete të cilat kanë problem me këtë proces që është festë e demokracisë, nuk e meritojnë afrimin me BE-në dhe parregullsitë e dëmtojnë edhe më shumë realizimin e kësaj dëshire. Në Bruksel nuk mendohet shumë për procesin e zgjerimit në këtë moment.
Kosovën e shohin ende larg dhe, nëse dikujt i intereson se çfarë do të ndodhë në rast të mashtrimeve në zgjedhje, atëherë vetëm mund të themi se Kosova do të largohet edhe më shumë nga afrimi me BE-në. Por shpresat janë që kësaj radhe Kosova të shënojë një hap përpara, me apo pa vëzhgimin e Brukselit.
*KOHA DITORE

Related

Opinione 4772122803236004335

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item