MPJ dënon dhunën në Maqedoni: Para drejtësisë autorët e vandalizmit ndaj shqiptarëve

Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në Maqedoni ku pas vrasjes së një të riu maqedonas janë sulmuar dhe djegur ...


Ministria e Punëve të Jashtme ka reaguar pas ngjarjeve të fundit në Maqedoni ku pas vrasjes së një të riu maqedonas janë sulmuar dhe djegur banesat e shqiptarëve në lagjen e tyre.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat MPJ shpreh keqardhje dhe dënon vrasjen e të riut maqedonas, por ndërkohë “shpreh shqetësim të thellë ndaj përpjekjeve për ta shndërruar këtë akt kriminal në një konflikt etnik dhe sulm me baza urrejtjeje ndaj bashkësisë shqiptare”.
Deklarata e plotë e MPJ
Ministria e Punëve të Jashtme ka ndjekur me vëmendje dhe shqetësim të madh ngjarjet e ditëve të fundit në Komunën Gjorge Petrov në qytetin e Shkupit. Sipas burimeve zyrtare, në mbrëmjen e datës 19 maj, në këtë komunë, një i ri 18-vjeçar i etnisë maqedonase është goditur me thikë nga një i dyshuar i etnisë shqiptare dhe si pasojë viktima ka humbur jetën. Situata ka precipituar më pas dhe banorë të kësaj zone kanë djegur dhe shkatërruar dyqane dhe prona të banorëve shqiptarë, duke hedhur madje edhe parulla si: “vdekje shqiptarëve”, “shfarosuni”, “qofshi të mallkuar”, “shqiptar i mirë është vetëm shqiptari i vdekur” etj.
Ministria e Punëve të Jashtme shpreh keqardhje dhe dënon vrasjen e të riut maqedonas, por ndërkohë shpreh shqetësim të thellë ndaj përpjekjeve për ta shndërruar këtë akt kriminal në një konflikt etnik dhe sulm me baza urrejtjeje ndaj bashkësisë shqiptare. Ngjarje të tilla, që provokojnë acarim të marrëdhënieve ndëretnike, në dëm të bashkëjetesës mes dy popujve, duhet të marrin përgjigjen e merituar nga i gjithë faktori politik dhe institucional në vend.
Ministria e Punëve të Jashtme gjen rastin të përshëndesë reagimin e shpejtë të autoriteteve maqedonase dhe ndërkohë inkurajon hetimin e plotë të ngjarjes si dhe vënien përpara drejtësisë, të autorëve të vandalizmave dhe shkatërrimit të pronave të banorëve shqiptarë.

Related

Top Lajm 5275515723058057819

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item