Portalomania - shumë “informacion”, pak gazetari
Emin AZEMI Trishtimi që të kapë sot kur lexon portale të caktuara, nuk është vetëm mungesa e vullnetit për të gëlltitur material të ‘patretu...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/portalomania-shume-informacion-pak.html
Emin AZEMI
Trishtimi që të kapë sot kur lexon portale të caktuara, nuk është vetëm mungesa e vullnetit për të gëlltitur material të ‘patretur’ në xhunglën e stërmadhe të informacionit- bruto, por edhe efekti njerëzor e etik që vjen si pasojë e komenteve të çmendura poshtë shkrimeve, ku autorëve të shkretë u bëhet ‘atentat’ publik nga anonimus të frustruar, pa më të voglën mundësi që për akuzat e shpifjet idiotike ata të japin kundërpërgjigjen e tyre
Një portal i këtyre ditëve ‘informonte’ se një i dyshuar për vepër penale, ishte shpallur i pafajshëm nga gjykata. Ky ‘informacion’ kishte patur për bazë fjalët e të akuzuarit, i cili në pyetjen e gjykatësit nëse ndjehej fajtor për veprën e pretenduar penale, kishte deklaruar ‘nuk ndjehem fajtor’. Pas këtij deklarimi shfajësues, portali ‘i mirinformuar’ doli me titull bombastik: ‘Filan fisteku shpallet i pafajshëm’.
Një portal tjetër, duke u treguar shumë ‘profesional’ në shpejtësinë e plasimit të lajmit, ishte ngutur aq shumë sa nuk kishte arritur të bëjë dallimin në mes të ‘marrjes në pyetje’ dhe ‘arrestimit’ të një personi që dyshohej për një vepër inkriminuese. Sepse, jo të gjithë personat që shkojnë në polici dhe japin ndonjë deklaratë, mund të kualifikohen si të arrestuar.
Nuk mungojnë edhe rastet kur portalomania ka mbërthyer aq shumë me joprofesionalizëm informimin ditor, saqë njeriu e ka të vështirë të marrë vesh se kur, ku, në ç’rrethanë dhe kush ka qenë i përfshirë në ngjarje të caktuara. Prandaj, sot e gjithë ditën nëpër faqet e shumë portaleve ende qëndrojnë të publikuar lajmet për personat të cilët kanë qenë të aksidentuar, por që pastaj kanë vdekur, për personat që janë marrë në pyetje nga policia e që pastaj janë liruar, për ndonjë tjetër që gabimisht është ngatërruar në ndonjë incident, por që pastaj është përgënjeshtruar se nuk bëhet fjalë për personin e apostrofuar etj. etj.
‘Filani po fitojke shumë me llajka’, kështu siç e dëgjova, po e transmetoj këtë fjali e cila, siç duket përshkruan deri diku ‘zanatin’ e portalomanisë që ka kapluar një pjesë të të rinjve, të cilët pa asnjë kokërr shkollë dhe përvojë gazetarie, po bëjnë gara se cili do të jetë ‘i pari’ në plasimin e lajmeve, paçka se ata njeriun e plagosur në aksident komunikacioni ‘nuk e dërgojnë në spital’, por e lënë në vendin e ngjarjes, dhe pastaj nuk dihet nëse i aksidentuari është gjallë apo i vdekur, ose një të dyshuar për vepër inkriminuese saora e shpallin fajtor, para se këtë ta ketë bërë gjykata. Ndodh jo rrallë që një lajm i publikuar me shpejtësi, të mos dihet se kur dhe ku ka ndodhur ngjarja dhe madje të mos merret vesh se cili është burimi i atij lajmi.
‘Copy past’ gazetaria e këtyre farë portalxhinjëve, jo vetëm që po shkakton njëfarë trullosje në kokën e atyre që nuk dinë të bëjnë diferencën në mes të informacionit si ‘nus produkt’ dhe një lajmi të verifikuar në dy e më shumë burime, por po krijojnë edhe një konkurrencë jo të ndershme, joluajale dhe aspak profesionale. Marrja si në “bahçe të babës” e komplet lajmit, pa e cituar burimin se ku është marrë ai lajm, kush është ‘prodhuesi’ i atij lajmi, mund të jetë gjithçka, madje edhe matrapazllëk e tugjarllëk, por jo gazetari profesionale.
Të mësuar në shkollën e keqe të përvetësimit të punës së tjetrit pa djersë e pa mund, sikundër po shfaqet në praktikën e portalomanisë me partalle për të bërë biznes përmes ‘llajkave’, burimin duhet ta ketë në anarkinë ligjore që aktualisht po sundon tek ne. Në asnjë vend normal të botës ku ligjet janë themeli i funksionimit të shoqërisë, nuk ndodh që punën tënde ta përvetësoj tjetri dhe pa paguar për këtë as edhe një metelik, ose pa i respektuar do norma elementare të punës profesionale, sikundër janë: citimi, parafrazimi burimor, identifikimi i burimeve të informacionit, shënimi i autorësisë së fotografisë etj.
Trishtimi që të kapë sot kur lexon portale të caktuara, nuk është vetëm mungesa e vullnetit për të gëlltitur material të ‘patretur’ në xhunglën e stërmadhe të informacionit- bruto, por edhe efekti njerëzor e etik që vjen si pasojë e komenteve të çmendura poshtë shkrimeve, ku autorëve të shkretë u bëhet ‘atentat’ publik nga anonimus të frustruar, pa më të voglën mundësi që për akuzat e shpifjet idiotike të japin kundërpërgjigjen e tyre. Administratorët e faqeve të ndryshme të internetit, që për bazë kanë gjoja biznesin përmes ‘llajkave’, gjithnjë e më shumë po e shndërrojnë partalomaninë e tyre në një arenë të përgjakshme me linçime publike, ku autorë të pafajshëm dhe fare të pambrojtur, u ekspozohen sulmeve nga më bizaret prej komentuesve badihavxhijë të gjithëdijshëm e të kudondodhur, të cilët presin si hienat në pritë, të veçojnë nga konteksti ndonjë fjali, me një stil policesk e banditesk dhe, mbi të të konstruktojnë lloj-lloj monstruozitetesh, duke mos u marrë me tezat por me autorin, duke anashkaluar faktet për të ndajshtuar si ‘mish dhie’ ndonjë margaritarë kuturu për ‘lisa e fshisa’ që ama bash kurrfarë lidhjeje s’kanë me temën e trajtuar.
Që situata të jetë më e mjerë, këtë stil linçues të komentuesve të tyre të frustruar, po e përvetësojnë me lehtësi marramendëse edhe disa ‘publicistë’ portalesh, të cilët gjithë jetën e tyre e kanë vegjetuar duke qenë margjinave të profesionit të gazetarisë dhe tek tash e kanë kuptuar se bërja biznes përmes ‘llajkave’ është puna më e lehtë që i bën ata të famshëm në lagjen ku banojnë, paçka se krejt këtë marifet ata e bëjnë të zhveshur nga etika dhe minimumi i standardeve profesionale. Ka rrezik që lakuriqësia e tyre të bëhet ngjitëse për një tufë njerëzish të paedukuar mediatikisht, duke bërë prej tyre kope pa tru që lehtësisht mund të përdoret për ‘kauza’ private e krejt të padobishme për interesin publik.