Kujdes, miqtë kanë maska
Njeriu i zgjuar, që gjendet mes të marrëve, është i ngjashëm me atë që e ka orën në rregull në një qytet, ku kambanat që lajmërojnë kohën bi...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/kujdes-miqte-kane-maska.html
Njeriu i zgjuar, që gjendet mes të marrëve, është i ngjashëm me atë që e ka orën në rregull në një qytet, ku kambanat që lajmërojnë kohën bien gabim. Ai vetë e di orën e saktë, por çfarë i duhet? Të gjithë mbështeten tek ora e qytetit, madje edhe ata që e dinë se vetëm ky njeri e ka orën të saktë. Superioriteti në raportet njerëzore ka të bëjë me këtë: të mos kesh kurrsesi nevojë për të tjerët dhe t’ua bësh të ditur. Prandaj është e këshillueshme t’i tregosh herë pas here dikujt, burrë ose grua qoftë, që mund të bëhet fare mirë edhe pa të. Kjo e forcon miqësinë, madje, në shumicën e rasteve leverdis të shtosh aty-këtu një pikë përçmim, meqë siç thotë një proverb i mprehtë italian, “kush nuk vlerëson, vlerësohet”. Nëse e llogarisim shumë një njeri, është mirë ta fshehim ndjenjën tonë, sikur të ishte një krim. Nuk është e këndshme, por është e drejtë. Vetëm qentë durojnë një familjaritet të tepruar, njerëzit jo!
Natyra bën si Shekspiri me Gëten, në veprat e të cilëve çdo personazh, edhe djalli vetë, kur paraqitet e flet duket se ka të drejtë. Veprat e tyre janë konceptuar me një objektivitet të tillë, sa që na rrëmbejnë, na bindin dhe na detyrojnë të bëhemi pjesëmarrës. Dhe vërtet, sikurse veprat e natyrës, ashtu edhe veprat e artit zhvillohen nga një parim i brendshëm, në virtyt të të cilit ajo çka thonë dhe bëjnë duket e natyrshme, pra dhe e nevojshme. Kështu, ai që pret të shohë në botë djaj me brirë e të çmendur me zilka, do të vihet në lojë. Ndaj edhe njerëzit në marrëdhënie me njëri-tjetrin bëjnë si hëna, pra, tregojnë ngaherë të njëjtën fytyrë. Çdo njeri e ka dhunti të lindur aftësinë për ta shndërruar pamjen e tij në një maskë që paraqet saktësisht atë çka duhet të jetë, sepse e llogaritur për individualitetin e tij, përdoret dhe përshtatet përsosmërisht me fytyrën.
Artur SHOPENHAUER
Nuk duhet të dëshpërohemi për çdo rrenë që thuhet në shoqëri, shkruhet në libra dhe pritet mirë ose, të paktën, nuk hidhet poshtë; dhe as që duhet besuar që tanimë është një gjë përfundimtare. Duhet të ngushëllohemi me sigurinë që një çështje e tillë, pak nga pak dhe me kalimin e kohës, do të mendohet, sqarohet, ndriçohet, diskutohet dhe në fund do të gjykohet saktësisht. Kështu, pas një harku kohor të nevojshëm, që varet nga shkalla e vështirësisë së saj, gati të gjithë do të bien në një mendje mbi atë që një njeri inteligjent e dinte qysh në çastin e parë. Sigurisht, në pritje duhet durim. Njeriu i zgjuar, që gjendet mes të marrëve, është i ngjashëm me atë që e ka orën në rregull në një qytet, ku kambanat që lajmërojnë kohën bien gabim. Ai vetë e di orën e saktë, por çfarë i duhet? Të gjithë mbështeten tek ora e qytetit, madje edhe ata që e dinë se vetëm ky njeri e ka orën të saktë.
1.
Njerëzit janë të ngjashëm me fëmijët, bëhen të pasjellshëm kur llastohen tepër. Prandaj nuk na leverdis të jemi shumë mirëdashës e të përzemërt. Përgjithësisht, një mik nuk e humbim nëse s’i japim hua, madje e humbim kur ia japim; dhe po ashtu një trajtim kryelartë dhe shpërfillës e prish më pak miqësinë, sesa një dashamirësi e tepruar, e cila i bën miqtë të vrazhdë dhe të padurueshëm, duke përcaktuar kështu prishjen. Njerëzit nuk dinë ta vuajnë aspak idenë se janë të pazëvendësueshëm. Në zemrën e tyre lind përnjëherë përbuzja dhe mendjemadhësia. Për disa mjafton fakti që i kërkojnë ose i trajtojnë përzemërsisht, saqë menjëherë kërkojnë të ulet koka para çdo dëshire të tyre, duke u rrekur të kapërcejnë kufijtë e mirësjelljes.
Duhet të shmanget, mbi të gjitha, çdo raport familjar me njerëz të rëndomtë. Kush fillon të mendojë se është i nevojshëm për një tjetër dhe më i dobishëm sesa ai është për të, ka përshtypjen se i është grabitur diçka dhe do të kërkojë menjëherë të hakmerret e të rivlerësohet. Superioriteti në raportet njerëzore ka të bëjë me këtë: të mos kesh kurrsesi nevojë për të tjerët dhe t’ua bësh të ditur. Prandaj është e këshillueshme t’i tregosh herë pas here dikujt, burrë ose grua qoftë, që mund të bëhet fare mirë edhe pa të. Kjo e forcon miqësinë, madje, në shumicën e rasteve leverdis të shtosh aty-këtu një pikë përçmim, meqë siç thotë një proverb i mprehtë italian, “kush nuk vlerëson, vlerësohet”. Nëse e llogarisim shumë një njeri, është mirë ta fshehim ndjenjën tonë, sikur të ishte një krim. Nuk është e këndshme, por është e drejtë. Vetëm qentë durojnë një familjaritet të tepruar, njerëzit jo!
2.
Njerëzit fisnikë e me dhunti tregojnë shpesh, sidomos gjatë rinisë, një mungesë të habitshme njohjeje psikologjike e mençurie në sjellje ndaj botës, duke u gënjyer lehtas e duke ngatërruar rrugën; ndërsa njerëzit inferiorë përshtaten shumë më shpejt dhe më mirë me botën. Kjo ndodh sepse, kur mungon përvoja, gjykohet a priori, por gjykimi a priori nuk mund t’ia kalojë përvojës. Dhe vërtet, gjykimi a priori u këshillon atyre që janë të së njëjtës prerje “unin” vetjak si shembull. Kjo nuk mund të ndodhë për njerëzit e famshëm e fisnikë, që pikërisht sepse të tillë, janë shumë të ndryshëm nga të tjerët, ndaj gabojnë në llogari, duke vlerësuar sipas sjelljes së tyre mënyrën e të vepruarit e të menduarit të të tjerëve... Dhe pas një gjykimi serioz mbi përvojën e fituar, atyre do t’u rastisë ndonjëherë, duke marrë pjesë në ndonjë mbledhje me njerëz të panjohur, të mrekullohen duke parë sesi nga diskutimet dhe nga qëndrimet e tyre duken të gjithë të arsyeshëm, të ndershëm, të sinqertë, të nderuar, deri dhe të guximshëm e shakaxhinj. Ndërkohë që ky fakt nuk duhet të na gënjejë; natyra nuk bën si ata poetët e këqinj, të cilët kur duan të paraqesin njerëz të marrë e mizorë, veprojnë kaq trashë, saqë duken pas çdo personazhi ata vetë, autorët, për të shpjeguar vazhdimisht ndjenjat dhe bisedat, duke thirrur me ton dënues: “Ky është një zuzar! Ky është nj torrollak, mos besoni asnjë fjalë nga ato çka thotë!”
Natyra bën si Shekspiri me Gëten, në veprat e të cilëve çdo personazh, edhe djalli vetë, kur paraqitet e flet duket se ka të drejtë. Veprat e tyre janë konceptuar me një objektivitet të tillë, sa që na rrëmbejnë, na bindin dhe na detyrojnë të bëhemi pjesëmarrës. Dhe vërtet, sikurse veprat e natyrës, ashtu edhe veprat e artit zhvillohen nga një parim i brendshëm, në virtyt të të cilit ajo çka thonë dhe bëjnë duket e natyrshme, pra dhe e nevojshme. Kështu, ai që pret të shohë në botë djaj me brirë dhe të çmendur me zilka, do të vihet në lojë. Ndaj edhe njerëzit në marrëdhënie me njëri-tjetrin bëjnë si hëna, pra, tregojnë ngaherë të njëjtën fytyrë. Çdo njeri e ka dhunti të lindur aftësinë për ta shndërruar pamjen e tij në një maskë që paraqet saktësisht atë çka duhet të jetë, maskë e cila, pikërisht sepse e llogaritur për individualitetin e tij, përdoret dhe përshtatet përsosmërisht me fytyrën, në mënyrë që të rezultojë plotësisht e gënjeshtërt dhe të përdoret sa herë që kemi nevojë. Ndaj duhet të shmangim rreptësisht përshtypjet e mira që mund të krijojmë për miqtë e rinj, sepse në shumicën e rasteve bëhet fjalë për një mashtrim që kthehet në dëmin e turpin tonë.
Lidhur me këtë, edhe një fakt tjetër meriton vëmendje të veçantë. Njeriu e tregon karakterin e tij të vërtetë në gjërat e vogla, ose më mirë të themi kur nuk kontrollohet. Pra, është e lehtë të shohësh në aktet e papërfillshme, në rerthanat ku sillet më thjesht, atë egoizëm të pakufizuar që nuk njeh respekt për njeri dhe që nuk maskohet në gjërat e mëdha. Të mos lihen pas dore kurrë raste të tilla. Kur një individ sillet pa respekt në vogëlsirat e përditshme të jetës, duke kërkuar vetëm të përfitojë nga të mirat e përbashkëta në dëm të të tjerëve, duhet të jemi të bindur se në zemrën e tij nuk ka asnjë ndjenjë drejtësie dhe se ai është një zuzar edhe në gjërat e rëndësishme. Vetëm ligji e forca ia lidhin duart. Prandaj mos besoni kurrë tek ai! Kush dhunon pa frikë ligjin e klubit të cilit i përket, do të dhunojë edhe ligjet e shtetit sikur të mos kishte ndonjë rrezik.
3.
Le të pranojmë hipotezën se një person, me të cilin kemi lidhje, sillet me harbutësi e mllef kundrejt nesh. Atëherë duhet të shqyrtojmë rrethanat e të pyesim veten nëse vlera e tij për ne është e tillë, sa të na bëjë të durojmë sërish një fyerje dhe ndoshta më të keqe se e para. (Të falësh e të harrosh do të thotë të hedhësh nga dritarja një përvojë të çmuar.) Në rast pohimi, nuk kemi më gjë për të thënë, fjalët vlejnë pak. Pas një paralajmërimi, që mund edhe të mos bëhet, duhet ta quajmë të mbyllur çështjen, duke u kujtuar se në një mënyrë të tillë nxisim përsëritjen e ngjarjes. Në rast mohimi, nuk na mbetet veçse t’i prishim menjëherë e përgjithmonë marrëdhëniet me mikun e padenjë, dhe ta përzemë nëse është një shërbyes. Vërtet, sapo të paraqitet rasti, do të sillet në të njëjtën mënyrë, pa u druajtur, edhe pse tani kundërshton gjallërisht e “sinqerisht” duke pohuar të kundërtën. Gjithçka, gjithçka mund të harrohet; “uni “ vetjak, qenia personale, jo. Karakteri është me të vërtetë i pakorrigjueshëm, e meqenëse të gjitha aktet e njeriut vijnë nga një parim i brendshëm, në rrethana të njëjta, pikërisht në virtyt të tij, duhet të veprojmë në të njëjtën mënyrë, dhe as që mund të sillemi ndryshe. Të pajtohesh me një mik pasi je prishur me të, është dobësi dhe nuk do vonojë pendimi, atëherë kur, qysh në rastin më të parë, ai do të bëjë të njëjtin akt që solli prishjen, madje do ta bëjë me më shumë pafytyrësi, duke qenë plotësisht i vetëdijshëm se nuk mund të bëjmë pa të. E njëjta gjë ndodh me shërbëtorin e pushuar nga puna, kur e rikthejmë në vendin e punës.
Për të njëjtën arsye, nuk duhet të presim që në rrethana të ndryshme i njëjti individ të sillet në të njëjtën mënyrë. Njerëzit i ndryshojnë opinionet e sjelljet me të njëjtën shpejtësi, me të cilën ndryshojnë interesat e tyre. Prandaj nëse ne, duke dashur t’i japim një individi një detyrë të caktuar, dëshirojmë të dimë se si do të sillet, kurrsesi nuk duhet të mbështetemi në premtimet që jep ai. Duke pranuar faktin se mund të jetë i sinqertë, do të fliste gjithnjë për gjëra që nuk i di. Ndërsa, duhet të llogarisim sjelljen e tij vetëm nga shqyrtimi i rrethanave, ku ai do të gjendet dhe përplasjen e tyre me karakterin e tij.
4.
Për të arritur atë kuptimësi të qartë dhe të mbështetur në mjerimin e skajshëm të gjendjes së përgjithshme njerëzore, është tepër edukative të përdoret përshkrimi i sjelljes dhe veprimeve të tyre të dhëna nga letërsia, si koment ndaj sjelljes e veprimeve të tyre në jetën praktike, dhe anasjelltas, me qëllim që të mos gënjejmë as veten, as të tjerët. Shembujt e mëdhenj të marrëzisë ose të poshtërsisë, që mund të shfaqen në jetë ose në letërsi, nuk mund të jenë shkas për bezdi ose inat, duke qenë një fushë njohjeje, nga e cila mund të nxjerrim elemente të reja për të kapur karakteristikat e llojit njerëzor e për t’i ngulitur në mendjen tonë. Prandaj duhet t’i vëzhgojmë me të njëjtin kujdes që gjeologu vëren një lloj të veçantë minerali kur i bie në dorë. Natyrisht, ka edhe përjashtime, shpesh mjaft të dukshme dhe dallimet e individualitetit janë shumë të mëdha, por në mënyrë përmbledhëse, siç kemi thënë e përsëritur shpesh, bota shkon keq e më keq: të egrit shqyejnë njëri-tjetrin, të qytetëruarit mashtrojnë dhe ky është i ashtuquajturi rreth i jetës. Dhe çfarë janë shtetet me të gjitha mekanizmat e tyre artificialë, të drejtuar jashtë e brenda vetes, me sistemet e tyre autoritare, përveçse aparate për t’i vënë kufij poshtërsisë së pamatë të njerëzve?
Përktheu Erion Kristo