“Si u shtyp revolta e Qafë-Barit, pushkatime dhe helmim”
VISAR ZHITI VISAR ZHITI Homazh të burgosurve, të dy rebelimeve antikomuniste Si u shtyp revolta e Qafë-Barit dhe akuzat e prokurorisë. Pushk...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/si-u-shtyp-revolta-e-qafe-barit.html
VISAR ZHITI
VISAR ZHITI |
Homazh të burgosurve, të dy rebelimeve antikomuniste
Si u shtyp revolta e Qafë-Barit dhe akuzat e prokurorisë.
Pushkatimi i të dënuarve dhe helmimi mes ushqimit.
“Të burgosurit i lidhën me zinxhirë dy e nga dy. Dënuan me pushkatim dhe qenin e burgut”
Plot 30 vjet më parë, të burgosurit politikë në kampin e tmerrshëm të Qafë-Barit u ngritën në një revoltë të rëndë e tragjike, duke përsëdytur atë që kishte ndodhur më përpara dhe në Spaçin famëkeq, në të njëjtën datë, në muajin maj, madje dhe me të revoltuar të njëjtë, me të burgosur që s’ishin liruar ende. Dy revolta, të vetmet në të gjithë burgjet e perandorisë komuniste, i bëjnë nder moralit kolektiv tani, kujtesës historike, njohjes së rrënjëve të demokracisë dhe treguan se shqiptarët iu kundërvunë së keqes në kulmin e saj, pse jo, dhe me një ëndërr europiane. Në kujtim dhe në nderim të atyre dy revoltave, si një përvojë sa tragjike, po aq dhe e madhërishme, po sjell pjesë nga burgologjia ime “Ferri i çarë”, ku dëshmoj tmerrin dhe emrat e atyre që u vërsulën të parët në kryengritjet brenda burgut, që, pasi i shtypën, ridënuan dhe pushkatuan mjaft nga shokët tanë. E vetmja pasuri që kanë ish-të burgosurit politikë tani, janë kujtimet, dëmshpërblimi ynë për bjerrjen e moralit dhe zhgënjimet e njëpasnjëshme…
I GJALLË NË ARKIVOL
BURGU I SPAÇIT |
Duhet të jem ca gjallë… dhe ca i vdekur. Ndoshta kështu janë të gjithë. Po ku jam kështu? Asgjë s’lëviz, s’ka gumëzhima, zhurma rrotash, puls, duhet të na kenë shkarkuar nga makina ku na hodhën njëri mbi tjetrin të lidhur. Qenkam vetëm, prapë më paskan futur në arkivol të gjallë? Ç’duan tani nga unë, do të më çojnë në gjyq, përsëri në grupin armiqësor të ushtarakëve, po a u pushkatuam një herë? Jo, jo, Zhabolli, ty të lamë gjallë, shih sa je dobësuar, zhapë të bëmë, as krahun s’e ngre dot, por të bëmë kryetar të zyrës së riedukimit në Qafë-Bar. Po pse jam me kaskë dhe me pranga si ata që do të pushkatohen? Do të ta heqim kaskën dhe do të fillojmë torturën kineze, një pikëz uji mbi kokë do të bjerë vazhdimisht, në të njëjtin vend, por ajo e bën vrimë kafkën, e çan fare. Do të flesh mbi një bambu, ajo rritet 7 cm në ditë dhe e shpon trupin tënd. Ka ca dhembje! Ti kujton se kemi marrë nga Kina vetëm makineri fabrikash, po veglat e torturave, po marifetet, llojet e torturave? Kemi marrë dhe një specialist kinez, që ka specializuar dhe një djalë tonin. Ata bëjnë dokumente të vjetra, si të vërteta fare, dhe ne i lëmë dosjet në rregull, jo tuajat, jo, kush çan kokë për to, firmosni ose jo ju, s’ka fare rëndësi, them për historinë, e bëjmë si të duam, në rregull fare, ngjarjet kanë ndodhur ashtu siç duam ne, ja dokumenti, e bën kinezi ynë më mirë se të vërtetin. Po ku jam? Brenda në arkivol. Dëgjo, ti do të firmosësh listën me 36 emra të grupit që udhëhoqi revoltën politike të Qafë-Barit. Unë s’e di që revolta ishte politike dhe s’di të ketë pasur ndonjë organizim a grup. Dalip, e kupton ç’po thua? E dimë ne që ishte ashtu. Asgjë nuk na kushton t’i vëmë kapakun arkivolit, 5-6 gozhdë. Të pëlqen të varrosesh i gjallë? Pra, firmos këtë letër, ja dhe tjetra, vendimi që do të lirohesh. Zgjidh mes dy letrave… S’janë kocka që thyhen. Ia thyem brinjët atij skraparlliut, por edhe Xhike Baxhinos… vetëm një këmbë, Drago Vujosheviçit… malazezit, të zi fare e bëmë. Hë, hë, po Sandër Sokoli? Ai vdiq rrugës, në makinë, atij i qenë thyer të gjitha kockat, kudo, kudo, qe bërë fërtele (Vdiq dhe partia). Po miku im Dine Fratari? E hoqëm, e flakëm në një tjetër burg, shumë e kanë rrahur edhe atë, dhe Lekë Mirakajn, dhe… po ti firmos, të thamë, kam porosi nga ministri. Nuk të pres shumë, mund ta kthejmë dhe ndryshe. Ç’bëhet kështu, hetuesí është kjo brenda në arkivol? Është ai, arkivoli i kampit, që na e bëtë peshqesh, s’duhet më për të vdekurit, por për të gjallët… Vijnë zëra nga brenda vetes. Nuk do të firmosësh? Vërini kapakun arkivolit. Mos u duhet arkivoli për të tjerë të gjallë. Ku i ka shenjat? Mos jam nën dhé?
DËNIMI I REVOLTËS
Gjatë gjetjes së eshtrave të të pushkatuarve, poshte majtas: Tom Ndoja |
Ra çanga, hekur mbi kokë. Na mblodhën në mensë prapë. Ai myzeqari aty, ku e kishim lënë, i palëvizur, kështu dukej. Mos duan të përsëritim rebelimin? Prapë erdhi ai oficeri nga jugu, zëvendëskomisari a ç’dreqin ishte, që iu rrokullis kapela me yll e iu ngatërrua nëpër këmbë si mace, si ideologjia e vet, thuaj. Policët me shenja plagësh. Gjysma kokësh të lidhura me fasha, copa krahësh të thyer. Komunikim. Zëri i komisarit donte të ngjante i fortë, i patundur dhe vetë po rrinte drejt si ato tabelat e qitjeve. Batare armësh. Diktatura e proletariatit e shtypi revoltën e armiqve… dhe… gjyqi i popullit… heshti. Uli sytë mbi letër, pa syze…
Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pasi shqyrtoi dosjen në ngarkim të të pandehurve… na u mor fryma, emra, emra… vendosi këto dënime: Sokol Sokoli, me vdekje, pushkatim; Tom Ndoja, me vdekje, pushkatim… Sokol Progri, me 25 vjet burg, Vllasi Koçi, me 25 vjet burg, Martin Leka me 16 vjet burg, Haxhi Baxhonovski, me 21 vjet burg, Bajram Vuthi, me 15 vjet burg, Ndue Pisha me 25 vjet burg, Lush Bushgjoka, me 12 vjet burg, Kostandin Gjordeni, me 10 vjet burg, Lazër Shkëmbi, me 12 vjet burg dhe Hysen Tabaku me 11 vjet burg. Për të gjithë vuajtja e dënimit fillonte më 22 maj… po e të pushkatuarve? E Sandër Sokoli… me kokën që i varej supeve, e hodhën mbi të tjerët në makinë, kufomë, kockathyer dhe të lidhur… firmat e tre gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë, Pukë, më 3.06…
Në Spaç ridënuan mbi 100 veta. Ditët e fitimit u hiqen. Nuk u quhen më. Po s’janë ditë, janë jetë… Koha s’është jona, por jashtë nesh si sendet… e grabitura. I vranë… Të gjithë të burgosurit i lidhën me zinxhirë dy e nga dy dhe i ulën përdhe.
Dënuan me pushkatim dhe qenin e burgut, sepse mori hapur anën e të burgosurve, jo vetëm që u lehte policëve, por u hidhej te këmbët, i kafshonte. Dhe iu bë gjyq i vërtetë. A nuk i ngjan burgu ynë një koloseu natyral, po thoshte Gëzim Çela, shkallët zbresin me vërtik teposhtë, nën ato shkallë janë zgafellet e galerive të zeza. Rrokullisen shkallët dhe ndalen në arenë, sheshet e rrethuara me tela me gjemba. Muret e këtij koloseu ngjiten përpjetë… Asgjë s’po dëgjoja dot. Breshëri plumbash gjëmonin dhe mbulonin zërat. Dhe duartrokitjet e stuhishme, brohoritjet për Partinë dhe shokun Enver nëpër salla kinemaje, kur gjyqtari jepte vendimin e dënimit, me pushkatim… binte dhé mbi supet e mia. Pas murit ranë dhe një herë miqtë e mi të vrarë, trinia llahtarisht e shenjtë e kokëve të tyre me rrëke gjaku dhe vargu i skllevërve, i të lidhurve me zinxhirë, të porsadënuar… Në revoltën e Spaçit pushkatuan katër: Pal Zefin, Skënder Dajën, Dervish Bejkon, Hajri Pashain. Duke konfiskuar pjesën e tyre nga pasuria në familje. Çfarë, karriget, lugët? Dhe me heqjen e së drejtës elektorale 5 vjet pas dënimit. Pas vdekjes? E tmerrshme, cinike. Ngaqë votuesit këtu janë të vdekur…
Ballë për ballë ishin vënë dëshira për jetë dhe etja për krim, rënkonte Shefqet Gjana. Shih në qiell Arushën e Madhe si dridhet, janë shpirtrat e tyre, katër të pushkatuarit e Spaçit dhe tre të Qafë-Barit. Po flisnim me vete. Jo, me të vrarët tanë… në shqipen e vjetër, me kumte të lashta, zjarre, britma, shenja të tjera, tym. Shpesh njeriu e ushqen vetë robërinë e vet. Po ne e thyem teknologjinë e saj dhe pamë se këtu ka lëndë të lirisë. Kjo është fitorja dhe jo vetëm jona. Nën batanije dëgjoheshin mërmërima, lutje të burgosura Zotit, përsëriteshin lutjet, Bibla, Kurani, përziheshin gjuhët, Babilonia nën batanije burgu, kurse kafka e një polici e ngulur mbi një hu, me dhëmbët jashtë, zgërdhihej në errësirë…
DHE DËNIMI I BURGUT
Pastaj u dha dënimi dhe për vetë vendin e vuajtjes së dënimit, burgun! Ashtu siç qe dënuar dhe Spaçi pas revoltës. E ç’do të bëjnë, do të burgoset dhe burgu? Si? Çfarë, do të shembin ngrehinat, shkallët, do të përmbysin fjetoret? Nëse më thua se do të shtojnë dhunën, asaj s’ke ç’i shton më.
Burg i dënuar, çudi! Truallin e tij mos do ta mbushin me tela me gjemba e do të kalojmë çdo ditë mbi to, zbathur, kur të shkojmë në punë, që do të jetë bërë edhe më e rëndë? Të dënuar malet përreth, uji, ajri.
Gjithçka do të jetë më keq, edhe e keqja. Që nga ushqimi, do të pakësohen kaloritë, megjithëse pak ishin, por familjeve do t’u vënë rregulla, për të mos sjellë gjë më dhe takimet sa më të rralla, dy herë në vit, mbase. Edhe letrat. Mund ta heqin televizorin – mirë do të bëjnë – dhe leximin e librave të Enverit, jo atë do ta shtojnë.
S’do të lejohen ecejaket, do t’i largojnë familjet përreth, s’do të ketë më grua të bukur matanë telave me gjemba, s’do…
I dënuar në një burg të dënuar.
Ku di unë tjetër? Diktatura s’ngopet, më keq se në kohërat e vjetra, kur kishte dhe besëtytni, por, të jesh ateist, të mos besosh në asgjë dhe të dënosh edhe kalin e zëvendësministrit tënd të Mbrojtjes pas pushkatimit të tij, ta çosh kafshën e gjorë në komunale, në Kukës, të tërheqë karrocën e plehrave, dhe çfarë kali, i bardhë, mbretëror fare, e kërkoi Kinostudioja për xhirime filmash, në asnjë mënyrë, është kalë me biografi të keqe, thanë. Po pse, veturën e zezë të vetë ministrit të Mbrojtjes, pasi e pushkatuan dhe atë, e çuan në Ersekë. E di ç’i bënë? E prenë gjysmën e veturës dhe i salduan pas një kazan të madh, e shndërruan në furgon për zarzavatet dhe shoferi s’e lante kurrë makinën, kishte frikë ta fërkonte me ujë. Dhe ngjante si një hibrid përbindëshi.
Ashtu, vërtet? Dhe rrezik se qoftë ministri e zëvendësministri i tij – si quhen? Beqir Balluku e Petrit Dume – do të kujtohen nga kali i bardhë që dënuan, dhe vetura e zezë, që e bënë si mos më keq.
Vrapojnë varret e paemra… skeletet me pranga të pakalbura…
Ushqimit i hidhej helm i butë…
…me synim pasojën e vdekjes së ngadaltë… sodë sapuni… helm ordinerësh…
“…ushqimi jepej i cilësisë së dobët, krejt jashtë çdo standardi ose cilësie… Në fund të fundit kur edhe për repartet ushtarake, restorantet ose popullatën ishte copë-copë. Por ajo që është e pafalshme, me përmasa kriminale, gjenocidiste, madje është mënyra sistematike e helmimit që është përdorur ndaj të burgosurve… që çonte në dobësim e më pas në vdekje të… Dhe, të mendosh që kjo bëhej paralelisht me punën e rëndë që të dënuarit kryenin, me dhunën e përditshme që merrnin, si dhe me izolimet e shumta, është vërtet e dhimbshme…
Në një raport të datës 27 gusht… pranohej nga komanda e burgut se ishin ankuar për toksikime… Dhembje barku e të vjella shoqëronin jetën e përditshme të të burgosurve…”
AKUZA E PROKURORISË
Në dosjen e revoltës së Qafë-Barit.
“Qëllimi i kryerjes së kësaj vepre ka qenë që me anë të hapjes së veprimeve, shpërthimit të galerive, të realizonin arratisjen në mënyrë më të organizuar. Veprat penale të kryera nga të pandehurit paraqesin rrezikshmëri të theksuar shoqërore kundër rendit shoqëror socialist dhe shtetit të diktaturës së proletariatit…”
“Të dënuarit e kampit të Qafës së Barit Sokol Zef Sokoli, Sokol Zef Progri, Tom Kol Ndoja, Lush Prel Bushgjoka, Haxhi Shefqet Baxhinovski, Vllasi Llambi Koçi, Kostandin Sotir Gjordeni, Bajram Islam Vuthi, Martin Sokol Leka, Lazër Zef Shkëmbi, Hysen Halil Tabaku dhe Ndue Martin Pisha, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprën penale të terrorit kundër përfaqësuesit të shtetit, parashikuar nga neni 50/1 e 13 Kodit Penal…
…i pandehuri Haxhi Baxhinovski shpjegon veprimet që ka kryer: Kur instruktori politik më pa thikën që mbaja në dorë, me tha ta dorëzoja atë, por unë nuk pranova dhe me të në dorë e sulmova duke e qëlluar në bark. Nuk e di nëse e thera apo jo.
…Vetëm kur dëgjuan krismat e plumbave të pushkëve, të pandehurit ndien frikën dhe forcën e madhe të diktaturës së proletariatit dhe filluan të tërhiqen…
PUSHKATIMI.
…të dy të rinj… moshatar me ta jam… nuk flas dot… s’më lënë lotët… i morën nga qelia, natën, të lidhur…
Dhe s’dihet ku i çuan, ku i vranë…
Procesverbali është nënshkruar nga gjashtë veta… përbërja e komisionit të caktuar për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Lartë… me 60 karikatorë kallashnikovi… nën drejtimin e shefit të policisë së rrethit…. Skeda më dridhej në dorë:
Sokol Sokoli, i biri i Zefit, datëlindja 1952, nga fshati Gërni i rrethit Tropojë, i dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr.888, datë 7.6.1984, nuk i fali jetën. Tom Ndoja, i biri i Kolës, i datëlindjes 1952, lindur e banues në Kllogjen të rrethit Shkodër, dënuar me vendim Nr. 3 datë 3.6.1984 të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë me vdekje (pushkatim), mbasi Presidiumi i Kuvendit Popullor me shkresën Nr. 888, datë 7.6.1984 nuk i fali jetën…
Mbi dokument janë shënuar me dorë rënkimet e fundit të të dy të dënuarve, pas mesnatës së 9 qershorit, para skuadrës së pushkatimit. Po kush i ka shkruar, pushkatarët? Ja:
Para ekzekutimit, të dënuarit Sokol Sokoli iu komunikua se nuk i falej jeta dhe në fjalën e fundit ai tha: “Mos më vrisni mbrapa. Gropën e hap vetë. Presidiumi i Kuvendit Popullor mirë ka ba. Nuk i kemi ba gja kujt”
I dënuari Tomë Ndoja në fjalën e fundit tha: “Të rrojë drejtësia!”
Në fund firmat… 30 rreshta, një faqe gjithsej…
MASAKRA E SYVE…
…Shkresa që urdhëronte ekzekutimin e Sokol Sokolit dhe Tom Ndojës, nënshkruar nga ministri Hekuran Isai, 8 qershor 1984, në anë kishte një shënim… e pabesueshme… të drejtorit të Drejtorisë së Zbatim-Vendimeve Penale:
“Me porosi të shokut ministër, dy të dënuarve që do të pushkatohen, sytë e tyre t’u jepen Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore”.
Çfarë?! E lexova prapë. Tmerr! Vura duart mbi ballë si për të mbrojtur sytë nga një shkulje mizore. Ekzekutimi është bërë më 9 qershor, ora 24:00… pa togë pushkatimi, e kanë kryer dy persona… Cilët janë? Po ja, nga ata, të gjithë… Dhe pastaj u kanë nxjerrë sytë… si? Me bajonetë? Horror! Dhe ia kanë çuar ministrit sytë? Ku? Ia kanë lënë mbi tryezë? Po ai a ka trokitur në zyrën e Enverit për t’ia treguar? Shikonte diktatori? Vërtet ia dhanë Ministrisë së Shëndetësisë për punë shkencore? Kriminale, thuaj. Ministritë e vdekjes!… Apo kanë dashur retinën a ndonjë nerv, që t’ia vendosnin syve të ngrirë të diktatorit? Si, me ç’mjet? Po ku mundin këta! Apo e kanë provuar një herë. Dhe zgjodhën sy të guximshëm, nga të maleve… Po në ata sy të vdekur ka qenë revolta, pushkatimi… mos kanë dashur t’i shohin, t’i kalonin në ndonjë mikrofilm a t’i zhduknin fare…? Po më dhembnin sytë… E ç’nuk kanë bërë këta, kanë prerë këmbë e krahë nëpër tortura, me sharrë, kanë shkulur thonj, dhëmbë, të brendshmet, rropullitë i kanë derdhur, kanë mbuluar njerëz të gjallë me kokën përjashta mbi tokë, fol, i kanë ulërirë, u kanë prerë gjuhën për të mos folur kurrë. Dhe u paskan shkulur sytë të vrarëve.
Jo, ua kanë shkulur para pushkatimit. Ej! U duheshin sy të gjallë… Mos! Po këta e paskan zhbërë njeriun fare!