Pleshti ministër
Johan Wolfgang GOETHE Dikur një mbret jetonte që kish një goxha plesht; të birin sa e donte dhe pleshtin aq e desht. Prestarit i dha urdhër ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/pleshti-minister.html
Johan Wolfgang GOETHE
Dikur një mbret jetonte
që kish një goxha plesht;
të birin sa e donte
dhe pleshtin aq e desht.
Prestarit i dha urdhër
t’i bënte një jelek,
ta vishte pleshtin bukur
me setr’ e benevrek.
Dhe pleshti bukur – veshur,
me kadife e kaftan,
me jetullat i ngjeshur,
në gjoks var një nishan.
Na u bë shpejt ministër,
vëllezër e motra ftoi;
gjithë erdhën varg e vistër,
n’oborr të art’ i çoi.
Mbretëresha dhe princeshat,
zotërinjt politikanë
pickoheshin nga pleshtat –
t’i vrasin, frikë kanë!
Kruheshin, po s’i kapnin,
s’u bënin dot asgjë.
Po ne me vrap e vrasim,
kur na pickon ndonjë.
Përktheu Skënder Luarasi