ZGJEDHJET E BE / Fituesi i madh mund të jetë… Putini

Griff Witte* Kur votuesit në të gjithë Europën të shkojnë në kutitë e votimit këtë javë, për të zgjedhur parlamentin e ri europian, partitë ...

Griff Witte*

Kur votuesit në të gjithë Europën të shkojnë në kutitë e votimit këtë javë, për të zgjedhur parlamentin e ri europian, partitë e ekstremit të djathtë pritet që të jenë mes fitimtarëve. Por një prej fitimtarëve më të mëdhenj të zgjedhësve mund të jetë një njeri, emri i të cilit nuk është në fletën e votimit: Vladimir Putini.
Edhe përse udhëheqësit europianë kanë dënuar agresionin e Rusisë, votuesit me sa duket do të shpërblejnë ato parti që nuk e kanë fshehur admirimin e tyre për mënyrën se si lideri rus ka sfiduar Perëndimin dhe trazuar Ukrainën.
Rezultati mund të jetë një tjetër goditje ndaj përpjekjeve të europianëve për të mbajtur një linjë të ashpër kundër Rusisë. Për muaj të tërë, liderët europianë janë druajtur për të marrë vendimet se si dhe kur të përshkallëzojnë sanksionet kundër Moskës. Disa prej liderëve në kontinent kanë propozuar strategjinë e frenimit si mënyra më e mirë për të ndikuar sjelljen e Rusisë dhe që ofron më shumë shanse për të ruajtur lidhjet ekonomike mes Rusisë dhe Europës.
Por, shumëkush në partitë e ekstremit të djathtë – si dhe një numër më i vogël në ekstremin e majtë – kanë përshëndetur hapur lëvizjet e Rusisë në Ukrainë, duke akuzuar Bashkimin Europian dhe SHBA se kanë provokuar një krizë në një kontinent që prej kohësh ishte mësuar me paqe.
“Të djathtës ekstreme dhe të majtës ekstreme u pëlqen fakti që Putini është duke zemëruar politikanët e partive kryesore europiane”, thotë Simon Hix, një ekspert për politikën europiane në London School of Economics and Political Science. “Dhe atyre u pëlqen fakti që e gjithë kjo situatë ilustron hipokrizinë e elitës, e cila ishte “thithur” nga Putini, më pas tha që do të ashpërsonte masat ndaj tij, por nuk po e bëjnë”.
Rritja e numrit të vendeve në Parlamentin Europian nuk do i japë të djathtës ekstreme një ndikim të drejtpërdrejtë në vendimet e ardhshëm për sanksionet, të cilët do të vazhdojnë të merren nga qeveritë e shteteve të dominuara prej partive kryesore. Por edhe në Parlamentin Europian, me shumë gjasa partitë e qendrës së djathtë dhe të qendrës së majtë do të vazhdojnë të kenë shumicën dërrmuese.
Por, parashikimet tregojnë se e djathta ekstreme mund të dyfishojë numrin e vendeve dhe që së bashku me të majtën ekstreme, mund të zënë deri një të tretën e vendeve të parlamentit europian në Strasburg. Në luftën e marrëdhënieve publike, e cila ka qenë shumë e rëndësishme në betejën për Ukrainën, këto lloj rezultatesh ka gjasa që të rrisin “municionet” për Putinin.
“Putini do ta ketë më të lehtë që të vërë në lojë europianët. ‘Kë përfaqësoni ju? Ju nuk përfaqësoni as popujt tuaj’. Me këtë kartë do të luajë ai”, thotë Hix. (Pershtatur ne shqip nga bota.al)
Dhe me të vërtetë, pikërisht këtë ka filluar të bëjë media ruse, duke i paraqitur udhëheqësit e të djathtës ekstreme si përfaqësues legjitimë të Europës. Ndërsa këta të fundit kanë përqafuar me dëshirë momentin e tyre në qendrën e skenës ruse.
Ndërkohë që forcat proruse bënin kërdinë në Ukrainën lindore muajin që kaloi, kryetarja e Frontit Nacional të Francës, ndodhej në Moskë dhe u thoshte gazetarëve: “Në Bashkimin Europian është shpallur një Luftë e Ftohtë kundër Rusisë”.
Marine Le Pen, partia e të cilës është kundër imigrimit në Europë, me shumë gjasa do të triumfojë në zonën franceze të votimeve europiane. Ajo e shfrytëzoi vizitën në Moskë për t’u takuar me liderin e parlamentit rus, Sergei Naryshkin, i cili është një prej të prekurve nga sanksionet e BE-s për shkak të ndihmës që ka dhënë për nxitjen e trazirave në Ukrainë.
Zëdhënësi i Le Pen, Ludovic de Danne i kishte thënë më herët radios “Zëri i Rusisë” se sanksionet perëndimorë “nuk ishin të justifikuar” dhe që Krimea i përkiste Rusisë, sepse populli i Krimesë “ndan një ëndërr për t’u rikthyer në tokën mëmë”.
Krimea u aneksua nga Rusia në mars, pas futjes së trupave ruse dhe një referendumi që sipas zyrtarëve rezultoi në një mbështetje nga 95 përqind e banorëve që kërkonin rikthimin tek “mëmëdheu”. Referendumi u dënua si farsë në kryeqytetet perëndimorë, por u konsiderua si i lirë dhe i drejtë nga politikanët europianë të partive të ekstremit të djathtë, që ishin ftuar në gadishullin e Detit të Zi për të vëzhguar votimet.
Werner Neubauer, një anëtar i Partisë së Lirisë në Austri e përshëndeti referendumin si një “tren të lirisë” që po shkonte drejt Europës dhe do të ndihmonte të çlironte shtetet nga BE. Kolegu i partisë së tij, Andreas Moelzer e krahasoi BE-në me Rajhun e Tretë dhe tha se Europa ishte në rrezik të shndërrohej në një “konglomerat zezakësh”, të cilëve u mungon etika e punës që kanë austriakët dhe gjermanët.
Nigel Farage, lideri i Partisë së Pavarësisë në Britaninë e Madhe dhe një mysafir i zakonshëm në televizionin proKremlinit, RT, e ka quajtur Putinin udhëheqësin e huaj që admiron më shumë dhe ka deklaruar në televizion kombëtar se Bashkimi Europian 28-anëtarësh “i ka duart me gjak”, për mënyrën si menaxhoi krizën e Ukrainës.
Ekstremistët e partisë Ataka të Bullgarisë shkuan aq larg sa ta nisnin në Moskë fushatën e tyre elektorale. Udhëheqësi i saj, Volen Siderov ka thënë se SHBA po përpiqen të provokojnë “një luftë të tretë botërore, përmes të cilës duan të gjunjëzojnë Rusinë”.
Ndërkohë që partitë e ekstremit të djathtë në Europë ndryshojnë në shumë drejtime, ato ndajnë dëshirën për të dobësuar ndikimin e BE dhe “ndjekur një linjë nacionaliste dhe autoritare” si ajo e Putinit, thotë Hajo Funke, një politolog gjerman dhe ekspert mbi ekstremizmin e djathtë.
Në fakt, në shumë drejtime Putini është ideologjikisiht një shpirt binjak. Ai shfryn kundër dekadencës perëndimore dhe liberalizmit dhe shprehet në favor të një nacionalizmi ortodoks dhe konservator, që hedh poshtë të drejtat e homoseksualëve dhe imponon respektimin e vlerave tradicionale.
“Partitë e ekstremit të djathtë e shohin Europën si në rënie, për shkak të kozmopolitanizmit dhe proamerikanizmit”, thotë Peter Kreko, drejtor i kompanisë së konsulencës Political Capital me qendër në Hungari. “Putini ofron një model alternativ – një udhëheqës që shprehet hapur se mbështet vlerat kristiane, që nuk mendon se të drejtat e njeriut janë kaq të rëndësishme dhe që beson tek drejtimi me dorë të fortë”.
Nëse partitë e ekstremit të djathtë do të kenë rezultate aq të mirë sa pritet në zgjedhjet e kësaj jave, ato mund të kenë një platformë shumë më të fortë, për të nxitur këtë lloj pikëpamjeje për Europën. Le Pen dhe aleatët e saj mund të kenë mbështetje të mjaftueshme për të formuar bllokun e tyre në Parlament, gjë që do u jepte akses në financat publike dhe më shumë ndikim në hartimin e legjislacionit.
“Nëse ka një grup të fortë kundër Europës në Parlament, ata mund të bëjnë shumë për të zhvendosur vëmendjen”, thotë Kreko. “Nuk do të formojnë një shumicë, por mund të votojnë për të mbështetur interesat e Rusisë dhe të artikulojnë pikëpamjet e Rusisë”.
Një fushë ku kjo mund të jetë shumë e rëndësishme do të ishte ajo e negociatave për një marrëveshje të re tregtare SHBA-BE. Administrata Obama e ka prioritet këtë marrëveshje, por e djathta dhe e majta ekstreme në Europë e kundërshtojnë me forcë, duke qenë në favor të lidhjeve më të ngushta ekonomike me Moskën.
Ndonëse atyre do u mungojnë ndoshta votat për të prishur vetë marrëveshjen, ata mund të bëjnë presion mbi partitë kryesore dhe kështu marrëveshja do të bëhej e pamundur.
“Populistët me sfurqet e tyre do të mblidhen kundër marrëveshjes”, thotë Hix, profesori nga Londra. “Atyre nuk u pëlqen globalizimi dhe nuk u pëlqen elita urbane. Do të mbështesin të voglin, gjë që do ua bëjë shumë të vështirë partive të qendrës. Gjërat do të vështirësohen shumë”. /*The Washington Post/
Pershtatur ne shqip nga bota.al

Related

Top Lajm 6346357817773445631

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item