Arti nuk bëhet me gogla dhe llafe, duhen lekë

Valeria Dedaj  Krijimi i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit, një mundësi e mirë ku mund të zgjidhen veprat më me vlerë Intervistë me aktori...

Valeria Dedaj 



Krijimi i Festivalit Mbarëkombëtar të Teatrit, një mundësi e mirë ku mund të zgjidhen veprat më me vlerë

Intervistë me aktorin Ndriçim Xhepa për eksperiencën si anëtar jurie në Festivalin e Aktrimit në Apoloni

Shprehet se është kundër bërjes pafund të shumë festivaleve në vend, për arsye se kultura ka pak fonde. Nevoje imediate për kushtet brenda në sallë

Aktori Ndriçim Xhepa në një intervistë për “Shekullin” flet për disa problematika ku gjendet teatri sot. Ai tregon eksperiencën e tij si, anëtar i jurisë në Festivalin e 23-të të Aktrimit në Apoloni, që u zhvillua në Teatrin e Bylisit të Fierit me pjesëmarrjen e 7 trupave teatrore dhe bën thirrje për restaurimin e godinës së operës dhe teatrin në mënyrë imediate. Xhepa shprehet edhe kundër bërjes pafund të festivaleve të aktrimit, për arsyen e thjeshtë se, kultura ka pak fonde dhe këto fonde duhet të shkojnë atje ku duhet. Ai mendon se publikut, nuk mundet t’ia shesësh çdo gjë si art. “Teatri fondet i ka tejet të limituara, prandaj do të theksoja padashur që të jap këshilla të “çuditshme” për dikasterin e djeshëm apo të sotëm të kulturës, se duhet nisur nga kryeqendra, nga Tirana, këtu kemi dy institucione, teatrin dhe operën që duhet rikonstruktuar patjetër”, thotë ndër të tjera Xhepa gjatë intervistës. 



Zoti Xhepa, eksperienca juaj e fundit si anëtar i jurisë së Festivalit të 23-të të Aktrimit në Apoloni. Çfarë mund të na thoni për këtë festival?

Në Festivalin e 23-të të Aktrimit në Apoloni isha një nga anëtarët e jurisë, së bashku me Enver Petrovcin dhe Bujar Asqeriun. Të tre ishim njëlloj, kishim të drejta të barabarta dhe në fund ishim 100 për qind unanim për ndarjen e çmimeve, për çmimet kryesore dhe dytësore. Çmimet u pritën në mënyrë të shkëlqyer edhe nga publiku. Klajdi Marku dhe Adonis Filipi dy festivalbërësit e aktivitetit qysh në fillim kishin dëshirë që ne të komunikonim me njëri-tjetrin dhe të vendosnim se çfarë shfaqjesh do të përzgjidheshin. Dëshira ime ka qenë që të përfshiheshin të gjitha trevat shqiptare. Shfaqjet që u prezantuan ishin: Teatri Ferizaj “Ardiana Abdalliu” nga Kosova, Teatri “Bylis” i Fierit, Teatri “Petro Marko” i Vlorës, Teatri Metropol i Tiranës, Teatri “Aleksandër Moisiu” i Durrësit, Teatri Kombëtar i Tiranës dhe Teatri “Anton Pann” i Rumanisë. Kishim ftuar edhe Teatrin   Maqedonas, me “Armiku i Popullit”, por nuk erdhi sepse Alban Ukaj, një nga aktorët e shfaqjes ishte me xhirime. 

Mendoni se ky festival duhet të jetë më përfshirës për sa i përket trupave ballkanike?

 Mendoj se ai festival do të merrte më shumë peshë nëse do të ishte një festival ballkanik, kjo gjë do ta ngrinte “pjacën” e tij më mirë dhe do ta legjitimonte për të qenë i vazhdueshëm në 5-vjeçarët e ardhshëm. E them këtë për disa arsye, për shembull është një qytet artdashës në mes të Shqipërisë, teatrin e ka të mirë dhe përpos kësaj ka një kryetar bashkie, i cili prej dhjetë vjetësh, mbështet të gjitha aktivitet, jo vetëm teatrin, por edhe ansamblin, panairet e librit, sportin etj. Ai është një njeri që i lexohet fare thjesht, pa gërthitje, që e do artin. 

Sa të vlefshme janë këto festivale? 

Personalisht kam qenë kundër bërjes pafund të shumë festivaleve në këtë vend, për arsyen e thjeshtë se kultura ka pak fonde, këtë po e shikojmë vit pas viti, qeveri mbas qeverish, nga të majtët apo të djathtët, nuk ka rëndësi kjo, sepse shifrat e investimit për kulturën lëvizin aty-aty. Teatri fondet i ka tejet të limituara prandaj do të thoja padashur të jap këshilla të “çuditshme” për dikasterin e djeshëm apo të sotëm të kulturës, se duke u nisur nga kryeqendra, Tirana, sepse këtu kemi dy institucione, teatri dhe opera janë dy godina që duhet rikonstruktuar.
 Është   e domosdoshme që këto dy salla teatri t’i kthejmë në normalitet. Në fazën që po kalojmë, luks nuk bëjmë dot, por nuk kemi as 12, as 22 teatro, prandaj të paktën këto duhen rikonstruktuar në mënyrë imediate. Duhet të krijohen impiantet e ngrohjes, ajrimit, ndriçimit, aspekti estetik nga jashtë dhe brenda godinave duhet rregulluar. Sipas llogaritjeve, këto restaurime nuk duan miliona, por rreth 500 mijë euro. Shteti dhe Ministria, të cilës i përkasin duhet të mendojnë më tepër për këto gjëra, sesa për harxhime fondesh të pafundme, me aktivitete të pavlera.



Si do të mbushen sallat me aktivitete?

 Përsëri kaloj te logjika e thjeshtë se, nëse teatrot do të kishin pesë lekë më tepër, një nga gjërat që mund t’i përmirësonte është lënia e 90 për qindëshit nga të ardhurat e biletave, teatrit. Përpos kësaj, për të pasur jetë veprat duhet të ketë lëvizshmëri të trupave në të gjithë Shqipërinë. Nuk ka asgjë të keqe që një premierë e Teatrit Kombëtar të shfaqet në Korçë, Vlorë, Durrës dhe e anasjella. Turnetë që kanë qenë para viteve 1990, nuk bëhen më, sepse drejtorët e teatrove nuk kanë mundësi financiare për mjete transporti, për të paguar aktorët, hotelet, dietat etj. Përpos kësaj ekziston edhe një pengesë tjetër, nëse një trup teatrore kalon 100 km duhet të ketë leje nga Ministria e Kulturës, kjo për mendimin tim tregon mungesë lirshmërie për të qenë në rrethe.

Pse nuk luhen veprat e sezonit të vjetshëm, “Ëndrra e një nate vere”, apo “Edipi Mbret”?

Sinqerisht, që të jem korrekt nuk e di arsyen konkrete të mosvënies së tyre. Mund të ketë arsye teknike apo edhe financiare, sepse drejtuesi nuk i paguan dot njerëzit e jashtëm. Por këto janë çështje burokratike, që pengojnë drejtorët e teatrove për t’i dhënë këto shfaqje mbi 25 herë. Kjo ndodh prej 20 vjetësh, në momentin që një shfaqje kalon 25 herë vënie në skenë, ti je i detyruar që të paguash ekstra për të. Teatri duke mos pasur lekë për të dhënë shfaqjen e tij 30 deri 75 herë, e mbyll atë. Vetëm këtu dëgjohet që mbyllet shfaqja, këto vijnë nga çakordimi artistiko-financiar që është në vendin tonë. 

Në TK u vu një dokumentar për nënën tuaj, Margarita Xhepa? Si u ndjetë në ato momente? 

Ime më ka rreth 60 vjet që punon në teatër dhe në film, por ajo nuk ka dashur asnjëherë që të ketë një përvjetor të tillë. Kjo ishte një dëshirë e regjisorit Kujtim Gjonaj, nuk është se mori iniciativë Qendra e Filmit, Teatri Kombëtar, apo Arkivi i Filmit, qoftë edhe për një libër. Nuk është kujtuar askush të them të drejtën, por çdo gjë e ka realizuar regjisori, me ndihmën e Postës Qendrore edhe të Bashkisë së Lushnjes, por nuk jam në dijeni për më tepër. Unë i falënderoj për këtë iniciativë të tyre, që nga organizimi i ftesave deri te koktejet.  

Festivali Mbarëkombëtar motivon edhe dramaturgët
Festivalet që mbështesni? 

Jam për festivale deri tek e logjikshmja. Do të isha në mënyrë të prerë për Festival Mbarëkombëtar të Teatrit, ku të zgjidhen veprat më me vlerë të të gjitha trupave. Ku festivali një vit mund të organizohet në Tiranë, një vit në Prishtinë dhe një vit në Shkup, kështu që edhe qeveritë mund të jenë më të kursyera, sepse i bie që të shpenzojnë 1 herë në 3 vjet me vepra dramaturgësh botërorë, dhe 1 herë në 3 vjet apo 1 herë në 2 vjet me dramaturgji shqiptare. Kështu ngacmohen dhe motivohen edhe dramaturgët e mbarë trevave shqiptare, sepse nëse vepra e tyre nuk vendoset në skenën e Teatrit Kombëtar, mund të vendoset në teatrot e Tetovës, Durrësit, Vlorës etj. Nëse ky investim është i kontrolluar, atëherë Ministria e Kulturës mund ta mbështesë një Festival Ballkanik. Këto pafundësi festivalesh që duan të bëjnë këtu, për mendimin tim janë kthyer në “lopa të vogla mjelëse”, nga individë, jo të gjithë, por që në përgjithësi janë personazhe mediokre, që i kanë krijuar me “dy faqe letër” projektet në Ministrin e Kulturës. Apo projektet ku dalin individë të çuditshëm thyejnë nga 200 kokrra vezë, lyhen dhe përlyhen nëpër tavolina me të kuqen dhe me të bardhën e tyre, duke kujtuar se ky është arti, ky është emocioni,  që transmeton skena, ose kjo është ajo që do spektatori, por kjo është totalisht një rrenë. Për mendimin tim këto janë forma snobe dhe formaliste të tejkaluara, të cilat nuk ngacmojnë asgjë, por përkundrazi janë vetëm për të vjelë fonde, dhe kështu fondet nuk shkojnë në godinat ku prodhohet arti. Godina e operës dhe e teatrit, që të prodhojnë produksione të reja, duan lekë, sepse arti nuk bëhet me gogla dhe me llafe. 
Kur them se duhen lekë, nuk pretendoj shifra të çuditshme, sepse nëse u referohem teatrove nacionale në Evropë, por edhe në Ballkan diferencat janë shumë të mëdha. Prandaj ato pak lekë që jepen për artin, të mos bëhen për dhënie majtas apo djathtas, apo për gjëra të palogjikshme. Nuk mund të investohet në kuadrin e projekteve, ose shfaqjeve eksperimentale formaliste “bashkëkohore”, nuk mund të investohet për festivale që bëhen 20 km larg një qyteti të vogël simpatik shqiptar, për arsyen e thjeshtë se, frekuentimin e kemi të dobët edhe në qendër të Tiranës. Si mundet të mendosh se do të spostohen njerëzit apo të paguajnë biletat, qoftë edhe në vende që realisht janë bërë për të luajtur teatër, kur momentalisht ne nuk kemi një spektator të ndërgjegjësuar. Prandaj duhet të synojmë që, këto pak salla që kemi nëpër qytetet t’i kthejmë të frekuentueshme, një premierë mos të jepet 12 apo 15 herë, por a ka mundësi 35-40, pse jo dhe 50 herë. 

Projektet 

Po për sa i përket shfaqjeve të ndryshme që janë vënë këtë sezon në Teatrin Kombëtar, sa dakord jeni me përzgjedhjen e tyre? 

Unë nuk mund të them se shfaqjet që janë vënë kanë pasur proces përzgjedhje, se kush mund të luhet dhe kush mund të mos luhet. Duhet të them në mënyrë reale se drejtuesi ka dashur që të ketë aktivitete në fundjavë. Premierat që i janë ofruar, nga privatet apo teatrot e rretheve i ka prezantuar, dhe sipas meje nuk ka bërë keq. Por shumatorja e shfaqjeve që janë vënë në teatër tregon realisht cilësinë edhe fukarallëkun.

Përse fukarallëkun?

Ne shohim që në atdheun tonë përgjithësisht bëhen shumë monodrama. Nuk mendoj se të bërit e monodramave mund të tregojnë se ne kemi teatër të madh. Sipas meje, të realizosh një monodramë duhen aktorë shumë të veçantë, jo kushdo mund të interpretojë aty. Ky fakt për mua vjen nga fukarallëku dhe nga dëshira e aktorëve për të punuar. Bashkë me fukarallëkun shikoj se, edhe jeta kolektive është dëmtuar pak, teatri është punë kolektive, është marrëdhënie midis aktorëve dhe regjisorëve. Të dalësh në skenë  dhe të kujtosh se po bën humor dhe “gallaturina” të çastit apo të paraqitësh çfarëdo lloj problemesh që ka shoqëria, nuk mund të mendosh se do të zgjosh interesin e publikun.

Aktualisht çfarë projekti keni në duar?

Unë këto dy vitet e fundit, mbas rolit të komandantit të këmbësorisë naziste që pushton Shqipërinë, Fritz Von Shvabe te “Darka e gabuar” e Ismail Kadaresë, që është dramatizuar nga regjisori Fatos Haxhiraj, jam aktivizuar edhe në kinematografi, në rol kryesor tek “Ada” me regji të Spartak Pecanit dhe te “Milenium” me regji të Besnik Bishës, por edhe në një film të shkurtër me Luli Bitrin, “Kthim në shtëpi” të Kreshnik Saraçit, së fundmi me Gjergj Xhuvanin, në filmin e tij të fundit “Engjëjt vijnë nga larg”, aty kam një rol simpatik, rolin e një serbi. Të jem i sinqertë më kanë thënë që të jem pjesëtar i shfaqjes që po vihet nga Spiro Duni, e kam lexuar pjesën, por këto kohë kam pasur në përkujdesje nënën dhe nuk kam pasur mundësi. Besoj që me planin e ri të teatrit, ku do të vihen 4-5 shfaqje për vitin 2014-‘15 kam dëshirë që të jem pjesë e një projekti, që do ta vendos në skenë Sesilia Plasari.        

Related

Kultura 5393467756607400980

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item