Mbretëria e Nikollës
Gruevski vendos se kush do të jetë në Parlament, Qeveri dhe Presidencë. Dhe jo vetëm kaq! Është ai që vendos se kur do të anëtarësohet Maqed...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/mbreteria-e-nikolles.html
Gruevski vendos se kush do të jetë në Parlament, Qeveri dhe Presidencë. Dhe jo vetëm kaq! Është ai që vendos se kur do të anëtarësohet Maqedonia në NATO dhe BE. Sepse përveç opozitës e cila mungon, në këtë katandisje ndikuan vetë shqiptarët
NGA AGIM POPOCI
Zgjedhjet presidenciale në Maqedoni dëshmuan se fuqia e liderit të VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevskit sa shkon dhe rritet, ndërkohë zgjedhjet parlamentare do thyejnë edhe mitin e shteteve lindore me betejën integruese drejt Aleancës Veriatlantike dhe Bashkimit Evropian.
Në Maqedoninë me parlament prej 120 ulësesh, pa opozitë dhe faktor politikë të përçarë Nikolla Gruevski shpiku tri mandatet për diasporën (të cilat, nëse shqiptarët nuk mobilizohen për pjesëmarrje në zgjedhje ato përkthehen në tri mandate për nacionalistët maqedonë) dhe konfirmoi absolutizmin që ka në këtë sajesë të Javier Solanës dhe Brukselit.
Pa marrëveshje ose kompromis me shqiptarët, me një arrogancë të paparë ndaj të gjithë atyre maqedonëve që nuk janë me VMRO-DPMNE, Nikolla Gruevski arriti me statujat e tij historike të vendosura aty ku u pengon shqiptarëve, me një nacionalizëm primitiv, të bëjë për vete të gjithë ata qytetarë të Maqedonisë që vazhdojnë të urrejnë shqiptarët. Pa dokrrat integruese, pa broçkullat e opozitares LSDM se si duhet të ecë shteti përpara drejt NATO-s dhe BE-së, duke përdorur gërmë për germë atë që i lejon demokracia, Gruevski angazhohet për të krijuar një strukturë shtetërore që “investohet” për anëtarësim në NATO dhe BE, dhe dy ditë pas asaj që ai e quan marrëveshje qeverisëse me BDI-në, i jep urdhër Presidentit të cilin e ka zgjedhur për qejfin e vet, të deklarojë që në ditën e parë të punës se nuk pranon kushtin e parë të integrimit euroatlantik: ndryshimin e emrit apo zgjidhjen e çështjes së emrit me Greqinë! Ndoshta, me këtë opozitë të brishtë, dhe faktorin politik shqiptar që nuk bashkohet dot, zgjidhja fatlume mund të gjendet pikërisht në këtë arrogancë madhore të Nikolla Gruevskit.
Ivanov kundër NATO-BE-së
“Kushtetuta në të cilën jam betuar më obligon që të mbroj emrin kushtetues të vendit tonë. Prandaj nuk do të lejoj ndryshimin e Kushtetutës me qëllim të ndryshimit të emrit kushtetues…”. Kështu u shpreh Gjorgje Ivanov në fjalimin e tij para Parlamentit vetëm pak çaste pas përurimit si president i Maqedonisë për herë të dytë, duke shuar në çast ëndrrën euroatlantike të shqiptarëve deri në konsumimin edhe të një katërvjeçari presidencal, për të cilin u kujdes Nikolla Gruevski. Dhe jo vetëm kaq! Ky njeri që luan me fatin e Maqedonisë për shumë vjet, me paraqitjen e parë të Ivanovit bën nul edhe marrëveshjen e arritur të koalicionit VMRO-DPMNE & BDI, që parashikonte formimin e një grupi të përbashkët me karakter pune nga të dy partitë për ndihmë, mbështetje dhe vlerësim të punës së qeverisë dhe ministrive në procesin integrues. “Në periudhën që pason, konform postulateve programore dhe të përcaktuara, sidomos deri në samitin e NATO-s dhe Këshillit të Ministrave të BE-së, përfaqësuesit e këtij grupi të punës do t’i informojnë rregullisht partitë për rezultatet e arritura dhe hapat e bërë, për masat dhe reformat e realizuara, në bazë të së cilës do të vendosen hapat e mëtejmë dhe veprimet e partive të cilat formojnë qeverinë”, parashikonte marrëveshja e arritur tre ditë para se ta hapte gojën Presidenti Ivanov, për t’i bërë të ditur BDI-së dhe Brukselit se ndryshim të emrit nuk ka. Ose thënë më thjesht, nuk ka as integrim në NATO as në BE, sepse kontestimi i Greqisë nuk i intereson çirakut të Gruevskit, Gjorgje Ivanov.
Por Ivanovit nuk i ishte dhënë vetëm kjo detyrë. Që ai nuk e meriton të jetë president dhe që kishte të drejtë BDI-ja, e vërtetoi pikërisht fjala e tij pas përurimit të dytë. Ky simbol i unitetit të Maqedonisë multietnike, nuk dha as mesazhe multietnike kortezie, por tregoi fytyrën e tij të vërtetë, fytyrën për të cilën u shqetësuan shqiptarët që nga dita e parë kur ai u zgjodh president. Dhe, ky njeri, në këtë fjalim ceremonial gjen vend edhe për këto fjalë: "Pikërisht këtë mandat, këtë besim të dhënë nga qytetarët, sot disa parti opozitare e vënë në dyshim, duke mos pranuar rezultatet e zgjedhjeve. Si president, jam i shqetësuar me këto reagime dhe veprime, sepse jam edhe presidenti i tyre. Sot publikisht them: Ata që mendojnë ta bojkotojnë institucionin President i Maqedonisë, në fakt i bojkotojnë qytetarët që kanë votuar në zgjedhjet presidenciale", thekson në fjalimin e tij përçarës me gjuhën vmro-iste, Gjorgje Ivanov duke dhënë një sinjal të qartë edhe për marrëveshjen e sapokornizuar të koalicionit qeverisës. E cila, ashtu siç parashikohej nga analistët “e hollë” do të përfundojë ashtu siç e ka menduar Nikolla Gruevski me 61 sejmenët e tij në parlamentin me 120+3 deputetë. Ndërkohë abuzimin që ky i fundit u bën edhe tri mandateve të diasporës, ishte jetëshkurtër sepse u kuptua që ato janë thjesht mandate të VMRO-së.
Opozita dhe Mbreti
Ku është opozita maqedone dhe pse shqiptarët vazhdojnë të jenë të përçarë? Puna që bën Nikolla Gruevski është puna më e paguar në këtë krijesë evropiane që nuk arriti të bëhet shtet as për 24 vjet, madje as nuk u pagëzua por ngeli FYROM.
LSDM-ja opozitare me 34 ulëse në parlament ka hedhur një lumë akuzash mbi VMRO-DPMNE dhe Gruevskin, mbi mënyrën e organizimit të zgjedhjeve presidenciale dhe ato parlamentare, por kjo nuk ka reflektuar në punën e saj. Përkundër faktit se e ka kuptuar fodullëkun e Gruevskit, LSDM ngeli me mentalitetin komunist të Titos, duke mos ulur kokën për të bashkëpunuar me shqiptarët edhe pse në të kundërtën humbjen e kishin të garantuar. Në tregun politik nacional-shovinist që ka krijuar Gruevski, socialdemokratët maqedonë pa strategji dhe pa dorë të shtrirë drejt qytetarit shqiptar, u futën në garë për të humbur, dhe, për çudi, ta kthejnë dhimbjen në fitore duke e rizgjedhur liderin Zaev edhe pas kësaj humbjeje, në krye të partisë. Askush nga analistët maqedonë nuk arriti ta sqarojë këtë sjellje, vetëm se prisnin një humbje të thellë të liderit në kongresin partiak ose të paktën rikthimin e Cërvenkovskit, por asnjëra prej këtyre nuk ndodhi. Logjika e Gruevskit në Maqedoni, mbretëroi në partinë e Zaevit. Ndoshta Zaevi si socialdemokrat ka shumë për t’u kritikuar por ai nuk u bë aleat me shqiptarët, dhe kjo është karta më domethënëse që ai preu për lojën politike të Maqedonisë. Të gjithë do ta besojnë Zaevin se votat e LSDM-së i ka vjedhur Nikolla Gruevski, por askush në parti nuk do ta pyesë vehten se pse kjo parti u degdis aq poshtë, sa ra në në kuotat që mund t’i marrin edhe partitë shqiptare.
Në mungesë të një analize të këtij lloji në LSDM, shqiptarët duhet ta pyesin vehten se pse nuk i morën tri votat e diasporës. Vërtet në këto zgjedhje parlamentare BDI mori 19 mandate, PDSH 7 dhe RDK 1, por tri votat e diasporës, përkundër djallëzisë së VMRO-së dhe përzgjedhjes së shteteve për të votuar, LSDM dhe shqiptarët nuk duhet ta harrojnë rastin e Kërçovës, kur kërçovarët erdhën edhe nga SHBA për të votuar për zgjedhjet lokale. E nëse vend për të vajtuar nuk ka, dhe Gruevski edhe nënkryetarin e dytë ua jep shqiptarëve (PDSH-së,) oguri është i zi sepse skenari është i njëjtë: Ai edhe këtë herë e dhuron postin e Drejtorit të kundërzbulimit (shefit të shërbimit sekret) për partinë shqiptare! Jo se ky institucion nuk i duhet Gruevskit, por, me rendin kushtetues dhe fqinjët që ka Maqedonia, shërbimi sekret mund të përdoret vetëm për të luftuar rivalët politikë, e këtë gjë fare lehtë mund ta bëjë me postin e zv/drejtorit. Ndërsa shqiptarët, edhe për katër vjet do të bëjnë sehir pa asnjë post të rëndësishëm shtetëror. Madje as pa postin e kryetarit të parlamentit, për të cilin kishin ulur piacën në negociatat parazgjedhore 2014. Ndërkohë ata duhet të mendojnë seriozisht për këtë Mbretëri të Nikolla Gruevskit për zgjedhjet e ardhshme dhe jetesën në këtë shtet. Sepse në krahun tjetër vazhdojnë të kenë një LSDM anemike, ndërsa Mbreti në çdo moment, kur t’ja dojë qejfi, merr shumicën absolute në zgjedhje. Sepse këtu është e qartë se kush është armiku i shqiptarëve, por nuk dihet numri, ndërkohë që dihet se votat shqiptare janë ato që mund ta përcaktojnë Presidentin që në raundin e pare. Ashtu siç dihet dhe cili është numri maksimal i ulëseve që shiptarët mund të marrin në Parlamentin e Maqedonisë: 36! Nëse as në këtë rast nuk e kanë të qartë se si mund të materializohet ky numër, le të kujtojnë rastin kur në Kongresin amerikan po propozohej që ushtria e rregullt të ketë vetëm 3000 ushtarë. Presidenti i parë i SHBA-së, Xhorxh Uashington, që njihej si njeri që kurrë nuk kishte bërë shaka, në këtë propozim kishte reaguar me këtëo fjalë: “Në rregull, por vetëm me një kusht; që në ligj të futet edhe rregulli sipas të cilit në shtetin tonë nuk mund të futen më shumë se 2000 ushtarë të armikut”.