Historia e letërsisë, Dado: 20 vjet fjalë, asnjë veprim konkret

Akademikja Floresha Dado Ndërsa në Europën Perëndimore apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës debati është fokusuar në nevojën e të pasurit ...

Akademikja Floresha Dado


Ndërsa në Europën Perëndimore apo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës debati është fokusuar në nevojën e të pasurit ose jo të një historie letërsie, në shek. XXI, Shqipëria nuk e ka një të tillë.
Ekzistojnë nisma individuale, që sjellin tezat dhe arritjet shkencore të aksh studiuesi, por një tekst zyrtar, i një nismë institucionale, nuk ka. Pedagogia e Fakultetit të Histori-Filologjisë, akademike Floresha Dado, prej kohësh ngacmon opinionin publik dhe qarqet e shkencëtarëve përmes librave të saj, por ama duhet se ky zë ka mbetur në vesh të shurdhët. Ka diskutime, por asnjë rezultat. Kjo është arsyeja pse pak ditë më parë Dado e rimerr këtë çështje përpara një auditori studiuesish, pedagogësh e doktorantësh, duke mbajtur referimin shkencor: “Problematikat e hartimit të Historisë së Letërsisë Shqiptare”. Edhe ajo, si bashkëkolegët e huaj, shtron pyetjen provokuese: A na duhet një histori letërsie? Në një kohë që ajo është e bindur se po. Përmes disa tezash, që lidhen me metodologjinë, kriteret, periodizimin, estetikën e receptivit, evolucionin e sistemit letrar, ajo shpjegoi se përse na duhet një histori letërsie. I organizuar në formën e një debati, pyetjes së hedhur nga Dado iu përgjigjën studiues e pedagogë, si Bashkim Kuçuku, Shaban Sinani, Dhurata Shehri, Kastriot Gjika etj.
Sipas Dados, fatkeqësisht, jemi ende në stadin e fjalëve dhe jo të veprimeve konkrete, në një kohë që institucionet përkatëse janë përgjegjëse për këtë mungesë.

Nuk është hera e parë që ju ngrini shqetësimin tuaj përmes botimeve apo debateve, mbi mungesën e një historie letërsie. Çfarë ju nxiti këtë herë të realizoni një takim-debat, sërish për këtë temë?

Këto 20 vitet e fundit është folur jashtëzakonisht shumë për rishkrimin e historisë së letërsisë dhe me të drejtë, pasi është thënë që tekstet që i takojnë shekullit të kaluar nuk arrijnë nivelet bashkëkohore, nuk reflektojnë nivelin cilësor të letërsisë sonë etj. Është folur për shumë probleme, mes të cilave edhe për ideologjizim të këtyre teksteve. Por në këto 20 vite kam ndjekur shtypin, diskutimet…, por së fundi duket sikur ky debat ka rënë në qetësi. Duket sikur përgjegjësit për këtë punë thonë: e lamë, e thamë shpirtin dhe tani nuk ka nevojë të ndërmarrim ndonjë veprim. Unë mendoj që ne e kemi për detyrë që të ngacmojmë opinionin shkencor. Le ta dëgjojnë edhe institucionet që janë të ngarkuara për të organizuar këto aksione shkencore, me qëllim që të shkohet drejt hartimit të një historie të letërsisë shqiptare.

Pra, kanë kaluar më shumë se 20 vjet dhe ne ende nuk e kemi një histori letërsie…, si ka ndikuar ky fakt?

Po ta shohim më thellë, vëmë re se çdo vit dalin tekste të reja për letërsinë, botohen libra, por mungesa e një historie të letërsisë, si një botim akademik shkencor, i konsoliduar mbi parimet shkencore, reflekton edhe në nivelin e teksteve. Sigurisht tekstet shkollore kanë synimin e tyre, bazohen mbi disa kritere specifike, por ama në të vërtetat shkencore, në interpretimet shkencore, është historia e letërsisë kombëtare ajo që reflekton në të gjitha nivelet e shkollës sonë, që nga ato më të ulëta, deri në universitet.

Po përse nuk është bërë deri më sot, çfarë e ka penguar këtë proces?

Tashmë ka liri akademike dhe ka individë që ndërmarrin iniciativa për hartime historish, por sipas mendimit tim, hartimi i një historie letërsie si një monument i rëndësishëm i kulturës sonë kombëtare duhet të ketë karakter institucional. Sigurisht që do të bashkojë forcat më të mira të universitetit, të Qendrës së Studimeve Albanologjike, të akademikëve në Shqipëri, Kosovë, tek arbëreshët etj. Qendra e Studimeve Albanologjike e ka pasur për detyrë dhe e ka, që të jetë ajo iniciatore dhe pastaj të kërkojë këtë lloj bashkëpunimi, mes shkencëtarëve dhe studiuesve më të mirë.
Nismat individuale janë krejtësisht të lira dhe ne kemi autorë që kanë sjellë botime të tilla, të cilat janë vlera në mënyrë të padiskutueshme. Por, me historinë e letërsisë duhet të ndodhë si me historinë e Shqipërisë, e cila ka nisma individuale, por ama ka edhe botime akademike, apo si në rastin e Fjalorit të Gjuhës Shqipe, që ne kemi edhe botime individuale, por edhe të realizuar, nga grup gjuhëtarësh.

Sa rol ka politika në këtë nismë?

Politika për mendimin tim, në konceptin e ca njerëzve që mendojnë se e kanë kryer detyrën vetëm po të kritikojnë dhe të shajnë botimet e mëparshme. Tashmë nuk është më problem të thuash që tekstet e historisë së letërsisë ishin të ideologjizuara. Kjo është e ditur dhe e padiskutueshme. Nuk është më problem tani të thuash që një grup autorësh, dikur të ndaluar, si Fishta etj., të futen në tekstet tona. Por unë shoh dy arsye. Ka një lloj ndrojtjeje dhe një lloj nënvleftësimi nga institucionet, prej të cilave varet organizimi i një pune shkencore të tillë. Përderisa ekziston Qendra e Studimeve Albanologjike, universitetet që kanë në bërthamën e tyre edhe aspektin shkencor, Akademia e Shkencave, që në fakt është shkëputur nga autoriteti që ka ndaj instituteve, atëherë përse të mos merren këto nisma?! Nuk ka ndonjë politikë që e ndalon. Përkundrazi, thuhet që të bëhet. E megjithatë jemi në nivelin e fjalëve ende.

Pra, nuk është faji i politikës, por i politikave…?

Po, i politikave shkencore.

ALMA MILE

Panorama

Related

Kultura 8251262010008789259

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item