Pogradeci çel sezonin turistik

Ministrja e ZHUT, Gjermeni gjate çeljes se sezonit turistik ne Pogradec Qyteti i Pogradecit çeli dje sezonin turistik veror, ku e pranishme ...

Ministrja e ZHUT, Gjermeni gjate çeljes se sezonit turistik ne Pogradec

Qyteti i Pogradecit çeli dje sezonin turistik veror, ku e pranishme ishte edhe Ministrja e Zhvillimit Urban dhe Turizmit, Eglantina Gjermeni. Çelja e sezonit është shoqëruar me panaire të punimeve artizanale, ekspozita në pikturë dhe gatime të veçanta.
Ministrja Gjermeni në fjalën e saj përshëndetëse me rastin e çeljes së sezonit turistik, falënderoi bizneset dhe sipërmarrjet e Pogradecit, të cilat i kanë dhënë hov zhvillimit të artizanatit dhe promovimit të vlerave të qytetit. Ministrja Gjermeni shoqërohej nga ministri i Tregtisë dhe Industrisë në Qeverinë e Kosovës, Bernarde Nikaj, kryetarja e Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila dhe ambasadori ynë në Kosovë Qemal Minxhozi.
Duke folur për rëndësinë e bashkëpunimit ajo tha se ne sot, të gjithë së bashku me miqtë nga Kosova, nisim një rrugë të përbashkët për një promovim më të mirë të potencialeve dhe produktit turistik.
“Sot turizmi është pa kufij dhe ne kemi nevojë për njeri-tjetrin jo vetëm për të mirëmenaxhuar dhe promovuar potencialet turistike por dhe për të shkëmbyer eksperiencat dhe praktikat më të mira”, tha Gjermeni.
Ministrja Gjermeni zhvilloi edhe një takim me kryetarin e Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi.
Gjatë takimit, sipas burimeve zyrtare të MZHUT, u diskutua mbi problematikën e menaxhimit të mbetjeve urbane për rrethin e Pogradecit dhe pastrimit të plazheve të liqenit.

“Këto janë përparësi në punën e Bashkisë së qytetit, që së bashku me investimet infrastrukturore dhe menaxhimin e integruar të territorit sipas një plani të mirëmenduar, do të ndihmohen shumë nga reforma administrative”, thanë burimet.
Sipas tyre, edhe funksionimi i linjës së tragetit Ohër- Pogradec do të rrisë numrin e vizitorëve në qytet këtë sezon.
Po kështu, vijuan burimet pritet që binjakëzimi i komunës Gjakovë me bashkinë Pogradec, t’i shërbejë pozitivisht promovimit të turizmit për dyja vendet tona, shkëmbimit të eksperiencave pozitive dhe realizimit të projekteve të përbashkëta.

“Pogradeci ofron atë që qytetet e tjera e kanë të pamundur ta ofrojnë, ofron qytetarë të dashur që mirëpresin dhe hapin dyert për gjithkënd që viziton qytetin. Ofron malet dhe liqenin e tij të pastër”, deklaron kreu i Bashkisë së Pogradecit, Artan Shkëmbi..

Related

Turizmi 3052717669777277189

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item