Lëreni Lazaratin e Lirë!
Nga Endrit Avdullari Isha në Danimarkë javën e kaluar me preteksin e Eurovizionit. Përtej një numri vendesh turistike që Kopenhageni ofron, ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/05/lereni-lazaratin-e-lire.html
Nga Endrit Avdullari
Isha në Danimarkë javën e kaluar me preteksin e Eurovizionit. Përtej një numri vendesh turistike që Kopenhageni ofron, tërheqja më e madhe dalëngadalë po bëhet Kristiania. “Qyteti i Lirë” i Kristianias është në fakt një lagje e kryeqytetit danez ku konsumohet dhe shitet lirshëm hashashi si dhe ushqime me kanabis. Aty qarkullojnë lirshëm dhe tregtarë “malli” që gjithsesi rrinë me fytyrë të fshehur nën maska e syze. Drogat ishin të shumëllojshme dhe shumë preferojnë t’i konsumojnë buzë detit… Hollanda është gjithashtu e famshme për tolerancën ndaj drogës dhe prostitucionit. Lagjet Soho dhe Kamden të Londrës apo Praga (afër stacionit të trenit) janë po ashtu plot me trafikantë që shpesh ua ofrojnë këto substanca edhe adoleshentëve. Nëse dikush nga ju ka qënë në Spanjë gjatë verës në vende si Ibiza apo Magaluf e dinë se atje është më kollaj të gjesh drogë se një gotë ujë. Itali, Greqi, Maltë, Kroaci…lista e vendeve ku droga gjendet hapur edhe nga turistat është shumë e gjatë.
E megjithatë, gjithë këto vende Evropiane po na çajnë veshët për Lazaratin. Se si qenkërshka skandaloze që ne qenkemi “i vetmi” vend Evropian ku droga kultivohet hapur, se jemi Kolumbia e Evropës, larg standarteve të BE-së etj. etj. Nuk e kanë me përdorimin e drogës, nuk ua ndien për shëndetin tonë, e kanë me kultivimin. Shqipëria kultivon drogë ndërsa europianët “thjesht e konsumojnë”.
Lind pyetja “ku kultivohen këto drogëra”? Sigurisht që nuk mund të vijnë të gjitha nga Lazarati dhe Amerika Latine. Pra ky biznes është padyshim shumë i pranishëm dhe në Evropë. Problemi është që Evropianët e bëjnë në errësirë me maska e syze dhe ne e bëjmë me kokën lart në mes të ditës. A është kjo për të ardhur turp? Europa dhe e gjithë bota e kanë humbur luftën me drogërat njësoj siç e humbën SHBA-të vite më parë me alkolin. Të gjithë shtetet e kanë kuptuar këtë dhe pakkush tashmë humbet kohë dhe energji me konsumatorët e drogës. Tani e kanë inatin me prodhuesit. Plantacionet e Lazaratit vlerësohen të kenë një prodhim me vlerë tregu prej 4.5 miliardë eurosh. Sa për krahasim, ekonomia jonë në total është nën 30 miliardë euro, pra shqiptarët do jenë 15% më të varfër nëse Lazarati sulmohet. Europa do që Lazarati të mbyllet dhe ta ketë këtë 4.5 milardësh për vete. Ekonomia e zezë është e rëndësishme për të gjithë ata banorë të fshatit dhe për puntorët e plantacioneve. As evropianët dhe as shqiptarët nuk do tymosin më pak marijuanë nëse mbyllim plantacionet e Lazaratit.
Lazarati nuk duhet të jetë një çështje Evropiane sepse Evropianët nuk na pranojnë në Bashkimin e tyre dhe nuk kanë superioritet moral ndaj nesh në këtë drejtim. Se ç’duhet të bëhet me Lazaratin duhet ta vendosim vetëm ne Shqiptarët dhe ta gjykojmë sipas interesit dhe moralit tonë kombëtar si vend i pavarur. Aleati ynë më i madh, SHBA e ka të ligjëruar drogën në gati gjysmën e shteteve dhe numri vazhdon të rritet ndaj vendimi ynë për të ligjëruar kultivimin e drogës s’duhet të jetë politik. Unë si danezët mund të shoh shumë avantazhe nga kufizimi i drogës në vetëm një bashki. Ashtu si Uruguajanët, Amerikanët dhe Hollandezët vërej se taksat që mund të vilen nga kjo industri dhe paqja e përdoruesve që nuk do duhen më të fshihen urave janë një përparësi e pamohueshme.
Ka ardhur koha që Shqipëria të jetë një vend vërtet i pavarur siç ëndërronin rilindasit dhe të marrë një vendim me mendje të hapur që ndihmon ekonominë, ndihmon turizmin dhe nuk e vret mendjen për BE-në. Nëse kjo ju bën të ndiheni në faj, pyeteni veten nëse shtetet e BE-së i marrin vendimet duke patur përparësi të mirën e tyre apo të mirën tonë. LLL!