Peter Lucas: Rishfaqjet e Enver Hoxhës tregojnë dështimin e politikës në Shqipëri

Shkrimtari i njohur Peter Lucas, i cili ka botuar tre libra për Shqipërinë, në një intervistë për “Illyria” shprehet se rishfaqja e portreti...


Shkrimtari i njohur Peter Lucas, i cili ka botuar tre libra për Shqipërinë, në një intervistë për “Illyria” shprehet se rishfaqja e portretit dhe figurës së Enver Hoxhës herë pas here tregon dështimin e politikës aktuale në Shqipëri, sesa nostalgjinë për të shkuarën komuniste. Duke folur për realitetin e ri në Ballkan, ku dy shtete të pavarura shqiptare, Kosova dhe Shqipëria po afrohen edhe më shumë me njëra-tjetrën, Lucas shprehet se me ngjarjet në Ukrainë është momenti më i keq për të menduar bashkimin e shqiptarëve në një shtet.

Tranzicioni në Shqipëri po zgjat pambarim, ndërsa ju vetë keni thënë që Ramiz Alia nuk i kuptoi zhvillimet që po ndodhnin në Lindje e që kërkonin ndryshime të menjëhershme. Mos është e kaluara komuniste që vendi edhe sot ecën me ritme shumë të ngadalta?
Fakti që tranzicioni po zgjat duhet nisur nga një periudhë më e hershme. Shqipëria humbi 50 vjet nga izolimi i saj nga Europa, një gjë e pazakontë kjo për Europën. Kur ndryshimet erdhën, vetë politikanët shqiptarë nuk dinin se çfarë të bënin, ishin si të hipnotizuar nga ky ndryshim, nuk dinin se ç’ishte demokracia, vinin vërdallë si në një rreth të mbyllur. Sali Berisha dhe Gramoz Pashko kur krijuan Partinë Demokratike edhe ata vetë nuk e dinin se çfarë po bënin. Unë kam folur me Berishën në atë kohë dhe ai nuk dinte se çfarë ishte demokracia, nuk dinte si drejtohej një qeveri, mos them se nuk dinte të menaxhonte qoftë dhe një dyqan. E keqja ishte se në kohën e ndryshimeve demokratike, Amerika nuk ndërhyri me vendosmëri për të ndihmuar se në ç’rrugë duhet të ecnin ndryshimet, çfarë duhej bërë konkretisht. Ata nuk e dinin se gjëja e parë që duhej bërë ishte zbatimi i ligjit, sepse ligji është mbi të gjithë qytetarët. Atë ç’ka bënë politikanët shqiptarë ishte një politikë destruktive duke etiketuar çdokënd “komunist, komunist, komunist…” Emri i librit tim të parë ishte “Rrumpalla”, spunton e të cilit e kisha marrë nga etiketimet e Edi Ramës për Sali Berishën, “doktor rrumpalla” dhe aty e mori spunton dhe libri im.

Ju jeni marrë gjatë me Shqipërinë, por fundi i regjimit komunist dhe nisja e lëvizjeve demokratike, mendoni se  kishte lidhje me Katovicën e Gorbaçovit, a u ndoq e njëjta praktikë e kalimit të pushtetit edhe në Shqipëri?
Jo, Shqipëria është një rast unik, i izoluar një gjë e veçantë në vetvete.

Me informacionet që keni pasur, kishte një plan gjerman për hapjen e Shqipërisë dhe shkëputjen e saj nga Lindja komuniste, që u tentua përmes kryeministrit të Bavarisë së asaj kohe, Jozeph Shtraus?
Mesa di unë jo, nuk ka pasur.

Herë pas here në Shqipëri, sidomos në festimet për çlirimin e vendit, por dhe ditës së dëshmorëve, rishfaqet figura e Enver Hoxhës, e cila nxit debat në politikën e ditës. Këto debate lidhen me ndikimin e fort të periudhës së Hoxhës apo me dështimin e politikës së sotme në Shqipëri?
Gjëra të tilla ndodhin. Edhe në Amerikë ka njerëz që festojnë Konfederatën, por rasti i rishfaqjes së Enverit nuk ka të bëjë me ndikimin e së shkuarës, me memorien e Hoxhës, por me dështimin e politikës. Kur dështon politika aktuale ndodhin gjëra të çuditshme. Kur qeveritë dështojnë, njerëzit trishtohen dhe kjo i hap rrugë ekstremizmit për disa njerwz. Por në demokraci, kur je i pakënaqur, mund t’i largosh njerëzit nga pushteti me votë. Por në rastin e socializmit në Bashkimin Sovjetik apo dhe kur ishte presidenca socialiste në Itali, ata mbeten të përjetshëm. Nuk i hedh dot me votë poshtë.

Kemi dy qeveri shqiptare në Ballkan, po unifikojnë shumë qëndrime, ligje, reforma etj. Si e shikoni të ardhmen e shqiptarëve në Ballkan, mund të kemi një bashkim të tyre?
Koha nuk është e përshtatshme për këtë. Ajo që po ndodh në Ukrainë, ku Putin mori Krimenë dhe kërkon të shkëpusë dhe pjesë të tjera të saj, është momenti më i keq që të mendohet një gjë e tillë. Ndoshta në një ditë, por kur bota të mos jetë kjo e sotmja.

Po me shqiptarët e Malit të Zi dhe ata të Preshevës, si e shikoni të ardhmen?
Ndoshta do të ishte më mirë të emigronin në Nju Jork dhe të bashkoheshin me shqiptarët e Nju Jorkut. Situata dhe për ta është e njëjtë me atë të Kosovës, është momenti më i keq për të bërë një diskutim të tillë. Duhet t’i kthehesh 1914-s që të hapësh një diskutim të tillë. Atëherë ishte koha.

Greqia përsërit vazhdimisht faktin se pronat e shqiptarëve atje mund të zgjidhen vetëm përmes rrugës ligjore, pra gjykatave. Mendoni se kemi të bëjmë me një problem politik apo gjyqësor?
Më vjen keq se nuk jam aq i kualifikuar për këtë përgjigje.

Lidhur me formacionin e OSS, mendoni se ka pasur një mungesë informacioni dhe vlerësimi gjatë kohës së diktaturës? A gjeni dhe tani një mungesë të tillë vlerësimi, pasi inaugurimi i sotëm i memorialit ishte më shumë kontribut i shoqatës së veteranëve shqiptaro-amerikanë dhe komunitetit shqiptar në Amerikë, sesa e pushtetarëve në Shqipëri?
E vërteta është se Enver Hoxha e fshehu të vërtetën kur fliste për luftën çlirimtare dhe nuk i përmendte njerëzit që i urrente. Tom Stefanin që ishte drejtuesi i OSS-së, Hoxha e cilësonte një pijanec të rëndomtë. Shqiptarët nuk e dinin të vërtetën rreth kontributit të tyre në këtë luftë. Edhe në Amerikë, askush prej këtij formacioni sekret OSS nuk fliste sepse do të thuhej: “ej, ishim ne që ndihmuam ardhjen e Hoxhës dhe komunistëve në pushtet…” Nga të dy anët u mbajt sekret. Edhe unë kur e zbulova këtë gjë u çudita. Si ka mundësi që paska pasur shqiptarë në këtë mision?! Ishte fantastike kur pamë nga afër me Agim Prodanin në Karaburun, ku ishte një nga bazat e OSS se si kanë funksionuar. Mendoj se kjo ceremoni tregon bashkëpunimin e vjetër mes Shqipërisë dhe Amerikës.

Related

Intervista 3021954543371054662

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item