Makineritë marrin komandën
Sistemet kompjuterike të lidhura në rrjet, kjo prirje e madhe teknologjike shton prodhimin dhe ul kostot Për shumë sipërmarrje industriale n...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/makinerite-marrin-komanden.html
Sistemet kompjuterike të lidhura në rrjet, kjo prirje e madhe teknologjike shton prodhimin dhe ul kostot
Për shumë sipërmarrje industriale në Gjermani çështja SmartFactory është tashmë pjesë e rëndësishme e strategjisë së biznesit. Ky është rezultat i një studimi të PricewaterhouseCoopers (PwC). Në praktikë megjithatë vetëm një ndër pesë kompani përdor për drejtimin e proceseve të prodhimit dhe sisteme kompjuterike të lidhura në rrjet.
“Por gati gjysma e të anketuarve janë duke planifikuar futjen në përdorim të të ashtuquajturave Smart Factory”, – thotë Michael Rasch, ekspert i PwC-së në fushën e transformimit digjital në bisedë me DW. Një tjetër gjetje interesante e studimit ishte fakti se faza e realizimit të fabrikës së mençur zgjat më pak se një vit. Shumica e sipërmarrjeve mendonte se për këtë nevojitej një periudhë më të gjatë kohore.
Smart anything
Smart anything – lidhja në rrjet e gjithçkaje: në industrinë gjermane kjo prirje e madhe teknologjike ka kohë që ka hyrë, por ende nuk është mbizotëruese. Është e qartë se aty ku SmartFactory përdoret tashmë, mund të arrihen përmirësime të rëndësishme me rritjen e automatizimit.
Siegfried Russwurm, shef për industrinë pranë koncernit Siemens thotë se në uzinat elektronike të Siemensit në Amberg përmes lidhjes në rrjet të modeleve digjitale të prodhimit, prodhimi real ka mundur të katërfishohet. Po ashtu edhe kuota e gabimeve dhe e skarcove ka rënë në 12 gabime për një milionë produkte.
Një aspekt i rëndësishëm i këtij lloji të ri prodhimi është edhe që koha mes zhvillimit të një produkt të ri dhe shfrytëzimit të tij prej konsumatorëve ulet në mënyrë drastike. “Ne kemi klientë të cilët përdorin këtë metodologji dhe të kursejnë me të deri në 50 për qind të kohës”, – sqaron Russwurm.
Proces optimal prodhimi
Firma Weidmüller nga Detmoldi është një kompani e mesme me aktivitet ndërkombëtar dhe ka rreth katër mijë e pesëqind të punësuar. Ajo ka të ardhura vjetore prej më shumë se 620 milionë euro. Që nga viti 2012 kjo firmë është e specializuar në fushën e lidhshmërisë industriale (industrial connectivity) për rrjetet e komunikimit.
Jan Michels, drejtues projekti pranë Weidmüller, sqaron se kjo firmë ka shpikur një makineri për optimizimin e procesit të prodhimit që të mos ketë luhatje gjatë procesit të prodhimit dhe parregullsi për shkak të materialit bazë apo të amortizimit të aparaturave. Teknologjia jonë reagon shpejt dhe është e sigurt, sqaron ai.
Investime që ia vlejnë
Investimi për makineri të mençura sjell me kohë edhe efektivitetin e shpenzimeve. Sigurisht duhet njëfarë kohe deri sa të arrihet amortizimi i investimit të bërë, por kjo arrihet shpejt, sqaron Jan Michels.
Suksese me përdorimin e teknologjisë 4.0 kanë pasur edhe sipërmarrja T-Systems, një filiale e Deutsche Telekom p.sh. me logjistikën në Portin e Hamburgut. Përmes përdorimit të teknologjive kompjuterike shpenzimet për menaxhimin e logjistikës në këtë port arritën të uleshin me rreth dhjetë për qind.
Mbrojtja e të dhënave dhe mungesa e standardeve
Problem qendror për industrinë 4.0 është mbrojtja e të dhënave dhe krijimi i standardeve të përgjithshme për lidhjen mes industrisë klasike dhe industrisë së informacionit. Thënë më thjeshtë përshtatjen e spinave dhe të prizave. Arritja e këtyre standardeve të përgjithshme prej të cilave pritet të ketë një ose dy në të gjithë botën është një shtyllë e rëndësishme për industrinë gjermane, sepse me të lidhen rreth 15 milionë vende pune.
Edhe pse sipas studimit të PricewaterhouseCoopers Gjermania nuk është shumë përpara në fushën e industrisë 4.0, menaxheri Siegfried Russwurm e të tjerë mendojnë se Gjermania është ndër vendet drejtuese në këtë fushë. Sipas Russwurm në Gjermani ka shumë fabrika pilot që po kthehen si të thuash në vende pelegrinazhi për shumë të interesuar për këtë teknologji nga vende të ndryshme të botës. Ai thotë se së fundi është ftuar për të mbajtur një referat për industrinë 4.0 nga Akademia e Inxhinierëve në Pekin dhe se është i bindur se Gjermania do të paraprijë në këtë fushë të teknologjisë.