Cili është misioni i vërtetë i Fethullah Gylen-it?!

Shkruan: Osman Softiq Fethullah Gylen Edhe pse më herët aludonte në përgjegjësinë e mbështetësve të Fethullah Gylen-it se bëjnë përpjekje pë...

Shkruan: Osman Softiq

Fethullah Gylen

Edhe pse më herët aludonte në përgjegjësinë e mbështetësve të Fethullah Gylen-it se bëjnë përpjekje për diskreditimin e qeverisë së tij, kryeministri turk më në fund foli publikisht.
Rexhep Taip Erdogan-i e quajti Gylen-in dhe lëvizjen e tij “Hizmet” ose “Xhemat” si fajtorët kryesorë në përpjekjen e heshtur të grushtshtetit për përmbysjen e qeverisë turke dhe minimin e rritjes së shkëlqyer ekonomike dhe kulturore të Turqisë, të cilat ky vend i ka realizuar gjatë dekadës së kaluar nën udhëheqjen e Partisë së Drejtësisë dhe Zhvillimit (AKP).
Kush është Fethullah Gylen-i, cili është roli dhe misioni i vërtetë i lëvizjes dhe përkrahësve të tij në jetën politike të Turqisë dhe në çfarë mënyre mund të përfundojë konflikti tashmë i hapur ndërmjet qeverisë së Erdogan-it dhe lëvizjes “Hizmet” (turq. shërbimi), që është duke u përpjekur të vendos struktura paralele në vend?

Formimi i elitës së re turke

Muhammed Fethullah Gylen, dikur një imam i panjohur dhe kontrovers, ka lindur më 1941 në fshati Koruçuk në Anadoll. Ka shërbyer si imam në Izmir deri më 1981 dhe më pas është pensionuar. Edhe pse nuk ka kryer ndonjë arsim formal të lartë islam, sot atë në Perëndim e konsiderojnë si njërin ndër personalitetet më të njohura të botës islame.
Ashtu siç e ka pranuar edhe ai vetë, ndikimin më të madh intelektual ndaj Gylen-it e ka ushtruar reformatori islam turk Said Nursi, prej të cilit ai e trashëgoi edhe ndjenjën jashtëzakonisht të fortë anti-komuniste dhe prirjen drejt kapitalizmit sipërmarrës, tipare këto shumë të rëndësishme që më vonë do t’i sigurojnë atij simpati të mëdha te shokët e miqtë e tij të ngushtë në Agjencinë Qendrore Amerikane të Inteligjencës (CIA).
Në të vërtetë, pikërisht për shkak të angazhimit për kapitalizëm neo-liberal, njëri nga biografët e Gylen-it, Hakan Javuz, e ka përshkruar atë si një mendimtar mysliman që ka shumë ngjashmëri me kalvinistët në protestantizëm, megjithëse më parë mund të themi se lëvizja “Hizmet” – për shkak të mungesës së transparencës, fshehtësisë dhe ndikimit disproporcional  të ndjekësve të tij në institucionet e Turqisë – më tepër ta përkujton “Opus Dei”-n.
Gylen-i deri tani ka arritur të rekrutojë tre milionë mbështetës në Turqi, Amerikë, por edhe në pjesën tjetër të botës. Ideja e Gylen-it ishte që me arsimimin masiv të klasës së ulët dhe të mesme anadollake, të shoqëruar me vlera morale të Islamit dhe të matematikës, kimisë dhe fizikës, në plan afatgjatë të mund të formohet elita e re turke, e cila  do ta zhduk shekullarizmin kemalist nga shoqëria dhe institucionet shtetërore turke dhe atë do ta zëvendësojë me vlera islame.
Edhe pse nuk kishte asnjë kërcënim për burgosje ose paralajmërim për dënim nga autoritetet e atëhershme turke, Gylen-i më 1999 emigroi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtë e bëri me pretekst se shkon për t’u shëruar, ndërsa pastaj deklaroi se është në "ekzil të imponuar". Kështu nga rezidenca e tij në Saylorsburg, një qytet i vogël në Pensilvani, Gylen-i tashmë 15 vjet "me telekomandë" udhëheq me perandorinë e shkollave të mesme, të universiteteve dhe të korporatave të biznesit, të financave dhe të mediave që veprojnë në kuadër të lëvizjes “Hizmet” në Turqi dhe të degëve të saj në mbarë botën.
Vetëm pas largimit nga vendi, në vitin 2000, Gylen-i u dënua në mungesë për përpjekje për ta përmbysur rendin kushtetues dhe krijimin e "shtetit islam" në Turqi. Megjithëse, falë Erdogan-it dhe qeverisë së re demokratike të partisë AKP-së, në vitin 2008 aktgjykimi kundër Gylen-it u shfuqizua, ai përsëri mbeti në Amerikë.

Lider pragmatik

Edhe pse Gylen-i në Perëndim portretizohet si protagonist i Islamit të "moderuar" dhe paqedashës, i përcaktuar për dialog ndërfetar, lëvizja e tij përfaqëson një lloj kulti me të cilin dominon "Hoxhë efendiu", siç i drejtohen zakonisht pasuesit Gylen-it. Interpretimi i tij i Islamit, i frymëzuar nga tradita sufiste, është imponuar si më i pranueshëm për interesat perëndimore. Në qendrat akademike dhe politike të Perëndimit sugjerohet se si atë duhet ta ndjekin edhe vendet arabe, vendet e Azisë së Mesme dhe komunitetet myslimane të Evropës, Amerikës dhe Australisë. Prandaj Gylen-i më pak është disident, e më tepër është udhëheqës pragmatik i një lëvizje fetare, që në mënyrë oportuniste e zgjodhi një terren të sigurt prej ku do të mund të menaxhojë më lehtë me perandorinë e tij globale. Aq më tepër që ai kishte marrëdhënie shumë të mira me ish kryeministrat – Tansu Çiler dhe Bulent Exhevit, që gjithashtu e minimizojnë statusin e tij të disidentit. Gylen-i asnjëherë nuk ka pasur kontakte të ngushta, madje as takime, me udhëheqësit e partive islame në Turqi dhe kurrë nuk është deklaruar publikisht në lidhje me ndalimin e veprimtarisë së Partisë Islamike REFAH, të cilën më 1988 e themeloi Nexhmetin Erbakan-i, qeverinë e të cilit regjimi kemalist e përmbysi me forcë.
Duke pasur parasysh se angazhohej për rehabilitimin e Islamit konservator dhe de-shekullarizimin e institucioneve të shtetit turk, Gylen-i i këshilloi mbështetësit e tij që në zgjedhje të votojnë për partinë AKP, pasi që ajo, si edhe lëvizja “Hizmet”, bazën dhe  mbështetjen e vet e kanë në radhët e klasave të ulëta dhe të mesme të besimtarëve myslimanë në Anadoll, që për dekada të tëra kanë qenë të margjinalizuara. Përveç kësaj, partia AKP dhe lëvizja “Hizmet” angazhoheshin njësoj për kapitalizëm liberal, si një model më efektiv i zhvillimit ekonomik.
Gjatë dekadës së kaluar, qeveria e popullarizuar e Erdogan-it, në një masë të madhe, në sajë të mbështetjes së lëvizjes “Hizmet”, në zgjedhjet e deritashme e fitoi shumicën absolute të votuesve turq. Prandaj lëvizja “Hizmet” lirinë dhe lulëzimin e saj të plotë do ta përjetojë pikërisht në periudhën e qeverisë së Erdogan-it. Ndonëse mund të flasim për një ndërvarësi dhe komplementaritet të caktuar të lëvizjes “Hizmet” dhe të partisë AKP, në bazë të interesave dhe vlerave të përbashkëta, mes tyre ka gjithmonë dallime reale politike dhe ideologjike, që gjatë muajve të fundit janë ngritur në konflikt të hapur.
Për shkak të pozicionimit me shkathtësi të simpatizantëve të lëvizjes “Hizmet” në strukturat më të ndjeshme të shtetit, kjo lëvizje ka shërbyer si një mekanizëm i përshtatshëm për destabilizim, madje edhe për përpjekjen e përmbysjes së qeverisë turke prej aktorëve të fuqishëm ndërkombëtarë, të cilët Gylen-in e përdorin si agjent për destabilizimin e Turqisë pikërisht në momentin kur Turqia, falë suksesit të madh ekonomik, demokratizimit dhe emancipimit kulturor, si dhe procesit premtues të paqes me pakicën kurde, demonstroi një politikë të pavarur dhe u bë një forcë e rëndësishme, e respektuar dhe parimore e me vlera autentike morale, që është një fenomen krejtësisht i ri në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Amerika e zhgënjyer

Erdogan-i ka të drejtë kur thotë se rritja e shpejtë e Turqisë u pengon armiqve të saj. Në të vërtetë, për këtë ekziston bazë e mirë që përpjekja për diskreditimin e qeverisë së partisë AKP, që po realizohet nga lëvizja "Hizmet" (Shërbimi), t’u shërbejë armiqve të Turqisë. Se nuk bëhet fjalë vetëm për një teori të thjeshtë konspiracioni, që disa mediume turke, por edhe ndërkombëtare, e kritikojnë Erdogan-in, dëshmojnë edhe disa fakte interesante të ekspertëve.
Michael Koplow, drejtor programor i Institutit Izraelit në Uashington, pohon se nuk ka asnjë vend që mund ta zëvendësojë rolin strategjik të Turqisë. Megjithatë Amerika është e shqetësuar, për shkak se ajo nuk është e sigurt se sa mund t’i besojë udhëheqjes turke dhe se a mund të konsiderohet Turqia aleatja e saj më e sigurt dhe mos në këtë kontekst ajo po e humb Turqinë. Administrata e SHBA-ve nuk fsheh se është e pakënaqur me politikën turke, madje e ka akuzuar qeverinë e AKP-së për avancimin e interesave të saj afatshkurtra të politikës së jashtme në dëm të objektivave afatgjata të SHBA-ve në rajon. Me këtë, në radhë të parë, mendohet në politikën e Turqisë ndaj Egjiptit dhe Sirisë, në ofrimin e mbështetjes së opozitës siriane dhe në marrëdhëniet më të këqija dypalëshe me Izraelin në historinë e të dyja vendeve. Ajo që administrata e SHBA-ve nuk dëshiron t’ia falë Turqisë është vendimi i qeverisë së saj që marrëveshja për furnizim me sistem të mbrojtjes kundëraketore të lidhet me rivalin global të SHBA-ve – Kinën, e jo me ndonjë vend anëtar të NATO-s.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e konsiderojnë politikën e tillë turke të papjekur, të përshpejtuar dhe egoiste. Turqia sigurisht që ka të drejtë ta bëjë këtë, por administrata e Obamës nuk mund ta pranojë aq lehtë sjelljen e Turqisë, shprehet Koplow në intervistën për Qendrën Kërkimore “Strategic Outlook” në Konja.
Me fjalë të tjera, Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk e pranojnë pavarësinë e politikës së jashtme turke nga droja se mund t’i rrezikojnë objektivat afatgjata strategjike dhe interesat e hegjemonisë globale amerikane. Administrata e SHBA-ve e ka kritikuar po ashtu Turqinë për kërcënimet se mund ta dëbojë ambasadorin amerikan, gjë që në Uashington shkaktoi një shqetësim dhe konfuzion të madh në lidhje me atë se çka, në të vërtetë, Erdogan-i mendon, dëshiron, planifikon dhe se a është e nevojshme që të ndryshohet rrënjësisht raporti i politikës amerikane ndaj Turqisë. Është fort e mundur që amerikanët u përpoqën t’i shfrytëzojnë strukturat paralele të shtetit, që në Turqi i formuan përkrahësit e Gylen-it, për ta destabilizuar kështu Erdogan-in edhe në timonin e AKP-së, ndërsa me këtë edhe qeverinë turke të kthejnë në një partner më të besueshëm.

Misioni i vërtetë i Gylen-it

SHBA-të në vitin 1953 e përmbysën kryeministrin e Iranit, Mossadiq, në vitin 1965 e rrëzuan Sukarno-n në Indonezi dhe në vitin 1973 vepruan njësoj me Salvador Allende-n në Kili. Në vend të këtyre treve instaluan diktatorët më të mëdhenj të shekulli XX – Shah Reza Pahlavi-n, Suharto-n dhe Pinoçe-n. Në mbështetje të kësaj analogjie janë edhe të dhënat e dokumentuara se rrjeti i shkollave të Gylen-it gjatë viteve të nëntëdhjeta shërbente si mbulesë për 130 pjesëtarë operativë të CIA-s në Uzbekistan dhe Kirgizi, të cilët si mësimdhënës të gjuhës angleze spiunonin për qeverinë e SHBA-ve.
Osman Nuri Gyndesh, ish shef i Shërbimit Informativ të Turqisë (MIT) në memoaret e tij “Koha e trazirave” e përmend madje edhe emrin e koduar "Urat e miqësisë", me të cilin vepronin operativistët e CIA-s, të cilët vepronin në shkollat e Gylen-it në vendet e përmendura. Këtë çështje e ka përpunuar hollësisht edhe Sybel Edmonds, ish përkthyese e FBI-së dhe një nga trumbetuesit më të njohur amerikan në fushën e sigurisë kombëtare në memoaret e tij “Classified Woman” (Gruaja e  klasifikuar): Sybel Edmond Story, 
Edmonds-i thekson se lidhja kryesore е Fethullah Gylen-it dhe lëvizjes së tij me CIA-n ishte Graham Fuller-i, një analist i korporatës RAND – akademik,  ish shef i CIA-s në Kabul dhe  zëvendëspresident i Këshillit Kombëtar të Inteligjencës në Amerikë.
Edhe pse i ka mohuar akuzat në fjalë në lidhje me rolin e shkollave të Gylen-it në fshehjen e agjentëve të CIA-s, Fuller-i pranon se ai i shkroi FBI-së dhe Ministrisë Amerikane të Sigurisë Kombëtare në mbrojtje të Gylen-it dhe kundër dëbimit të tij nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2006. Fuller-i është shprehur se Gylen-i nuk është një kërcënim për Amerikën dhe, në bazë të kësaj mbështetjeje, ai mbeti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Një personalitet tjetër me të cilin Gylen-i gjithashtu ka marrëdhënie të ngushta, është edhe Morton Abramowitz, ish operativ i CIA-s në Turqi dhe më vonë ambasador amerikan në atë vend.
Edhe pse gjithë kohën ai pohonte se misioni i lëvizjes së tij nuk është politik, por edukativ dhe kulturor, ngjarjet e fundit në Turqi dëshmuan se qëllimi i fundit i Gylen-it ishte vendosja e kontrollit politik mbi institucionet e shtetit turk, por jo në mënyrë transparente, përmes pjesëmarrjes në zgjedhje, por përmes infiltrimit në polici, në gjyqësor, prokurori, shërbime të inteligjencës dhe në institucionet arsimore, kulturore dhe financiare të Turqisë. Për këtë dëshmon edhe apeli i Gylen-it për ndjekësit e tij, që daton kah fundi i viteve të nëntëdhjeta: "I ftojmë miqtë tanë që janë në pozita në pushtetin legjislativ dhe në institucionet shtetërore që të aftësohen për të administruar, në mënyrë që, kur për këtë të vijë koha, të mund të restaurojmë shtetin turk që ai të jetë i frytshëm në emër të Islamit në të gjitha nivelet. Ne duhet të presim për këtë kur të vijë momenti i duhur dhe kur mundësitë për ne të jenë më të volitshme. Këtë nuk mund ta bëjmë shumë shpejt".

Veprimet e prapaskenës

Ky lloj i infiltrimit i shkaktoi dëm prestigjit të Turqisë në botë, për çka dëshmojnë arrestimet e shumë njerëzve të pafajshëm, që i bënin mbështetësit e Gylen-it në prokurori, gjyqësor dhe polici. Siç pohon Organizata për Lirinë e Shtypit, gazetarët Ahmet Sik dhe Nedim Sener u burgosën në vitin 2011 vetëm për shkak të profesionit me të cilin merreshin dhe jo për shkak të aktiviteteve subversive dhe lidhjet me elementët ultra-nacionaliste, të cilat iu përshkruan atyre.
Në librin “Ushtria e Imamit”, Ahmet Sik-u citon edhe dëshminë për ndërhyrjen e Gylen-it në punën e policisë dhe të gjyqësorit, por flet edhe për aktivitetet me të cilët merret ai në prapaskenë, në mënyrë që mbështetësve të tij t’u sigurojë pushtet politik dhe ndikim në Turqi. Ka tregues se 95 për qind e punonjësve të shërbimit policor në Turqi i takojnë lëvizjes  së Gylen-it. Disa ekspertë, megjithatë, i hedhin poshtë akuzat rreth infiltrimit të tyre, sepse edhe pasuesit e Gylen-it, siç pohon profesori i Universitetit të Nju-Jorkut, Muxhahit Bilixhi, janë qytetarë turq, kurse lëvizja “Hizmet” nuk është kurrfarë organizate sekrete.
Për dallim prej Erdogan-it, i cili seriozisht e kundërshtoi politikën izraelite, Gylen-i ka marrëdhënie të ngushta me Izraelin dhe anëtarët e lobit hebraik në Amerikë dhe ai e ka dënuar ashpër aksionin “Mavi Marmara”, kur aktivistët e saj u përpoq që të ofrojnë me forcë ndihmë për popullin e Gazës nën rrethim. Gylen-i tërhoqi vërejtjen se kjo nuk duhej të kishte ndodhur pa miratimin e mëparshëm të autoriteteve izraelite.
Suksesi i Erdogan-it dhe aftësia e tij prej burrështeti që të krijojë një Turqi ekonomikisht të fortë dhe të përparuar dhe që politikën e saj ta bëjë autentike dhe të pavarur, me sa duket e ka irrituar Uashingtonin zyrtar dhe Izraelin, andaj nuk është për t'u habitur nëse lëvizja e Gylen-it “Hizmet” identifikohet si një mekanizëm për ndryshimin e orientimit të politikës turke dhe për imponimin e versionit të ri të modelit laik për Turqinë. /Al Jazeera/

Përktheu nga boshnjakishtja: Hatvi Aliu

Related

Turqia 6214269407554012095

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item