Arsimimi profesional, si mundësi punësimi dhe perspektive në karrierë
“Shumica e atyre që mbarojnë shkollën profesionale, ashtu sikundër dhe shumica e të rinjve shqiptarë, preferojnë të shkojnë në universitet, ...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/arsimimi-profesional-si-mundesi.html
“Shumica e atyre që mbarojnë shkollën profesionale, ashtu sikundër dhe shumica e të rinjve shqiptarë, preferojnë të shkojnë në universitet, megjithatë studimet nuk i çojnë te puna, por tek papunësia. Për të kapërcyer këtë prirje drejt universitetit, arsimimi dhe trajnimi profesional duhet të bëhen më tërheqës për të rinjtë për t’u ofruar jo vetëm mundësi punësimi, por edhe perspektiva në karrierë”
Një nga mangësitë e theksuara në arsimin shqiptar të periudhës së tranzicionit është zbehja e rolit dhe ndikimit të shkollave profesionale, zbatimit të sistemeve duale të edukimit përmes teorisë dhe praktikës. Impakti në vitet e fundit është i dukshëm, në mungesën e përvetësimit të profesioneve bazike në radhët e të rinjve dhe rendja e tyre më shumë drejt nivelit universitar dhe pasuniversitar, duke krijuar disproporcion të ofertës në tregun e punës. Në vitalizmin e sistemit të arsimimit dhe trajnimit profesional po bëhen përpjekje nga autoritetet për ndryshimin e gjendjes. Një prej kontribuuesve kryesorë është Shoqëria Gjermane për Bashkëpunimin Ndërkombëtar, e cila është duke zbatuar një program për arsimin dhe trajnimin profesional, i cili është i komisionuar nga Ministria Federale e Gjermanisë për Kooperim Ekonomik dhe Zhvillim dhe që synon të mbështesë cilësinë e formimin profesional në sektorë dhe rajone të përzgjedhura, në mënyrë që të rinj dhe të rritur që e ndjekin këtë program të jenë në gjendje për t’u përfshirë në tregun vendas dhe atë evropian të punës. Gjermania është një ndër vendet me shumë përvojë në këtë aspekt.
Njohja e prirjeve të tregut të punës
Drejtorja e programit, Sabine Hartig, tregon se, aktualisht, në partneritet edhe me Fondacionin Evropian të Trajnimeve, ETF, po mbështet Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë në zbatim të një studimi bazë për mbulimin e të gjitha shkollave profesionale dhe qendrave të trajnimit profesional në të gjithë vendin. Në vijimësi është kalimi i varësisë të të gjitha shkollave nga Ministria e Arsimit në atë të Mirëqenies Sociale, ndërkohë që shumë i rëndësishëm është hartimi në bashkëpunim me struktura të ndryshme i një dokumenti kuadër të politikave për përdorimin e të dhënave të rëndësishme që japin informacion për tendencat e tregut të punës në institucionet shtetërore dhe sektorin privat, “Në nivel mikro, programi ynë bashkëpunon me shkolla të ndryshme profesionale. Në Kamëz ajo mbështet zhvillimin e shkollës profesionale në një model pilot të një qendre shumëfunksionale që ofron trajnim fillestar dhe të vazhdueshëm për target-grupe të ndryshme. Në verilindje të vendit, 6 shkolla profesionale kanë qenë pjesë e programit deri në fund të vitit të kaluar dhe ne tani vazhdojmë të konsolidojnë arritjet e bëra. Bashkëpunimi në nivel shkolle përfshin kualifikimin e mësuesve, zhvillimin e kurrikulave, zhvillimin e materialeve mësimore dhe një asistencë të përgjithshme për menaxhimin e shkollës. Janë marrë masa të veçanta për rritjen e pjesëmarrjes së grave në arsimin dhe trajnimin profesional”, – thotë Sabine Hartig për “DW”.
Parapëlqimi për profesionet “aristokratike”
Prof. dr. Zyhdi Dervishi, shef i Departamentit të Sociologjisë në Universitetin e Tiranës, ka kryer një studim para dy dekadave në radhët e nxënësve të shkollave të mesme dhe studentët. Një ndër pyetjet e anketës ishte dhe çfarë dëshiron i riu, një profesion intelektual që merr pak të ardhura apo një punë të rëndomtë që krijon shumë të ardhura. Shumica e përgjigjeve të tyre, në masën mbi 60 për qind ishte për opsionin: punë intelektuale me pak të ardhura, thotë ai për “DW”. “Që nga ajo kohë ende ky studim mbetet aktual, sepse të rinjtë shqiptarë vijojnë të parapëlqejnë të ashtuquajturat profesione ‘aristokratike’, si juridiku, shkencat sociale, mjekësia etj. Ndërkohë që shumica duhet thënë hapur se ka neglizhuar ose evituar shkollat e mesme profesionale, me një lloj ndjenje e bindje nënvlerësimi, aq sa ndjekja e tyre konsiderohet si ‘dënim’ nga të rinjtë. Shoqëria shqiptare duhet të reflektojë dhe duhet të ndjekë reforma të thella në këtë aspekt. Duhet stimuluar frekuentimi i këtyre shkollave, për të orientuar ofertën nga nevojat që ka zhvillimi i vendit për profesione të ndryshme”. Prof. dr. Zyhdi Dervishi tërheq vëmendjen për ndjekjen e formave të planifikimit për zhvillimin shoqëror. Ai sqaron se nga abuzimet e sistemit të kaluar me planifikimet, tani ka një alergji ndaj tyre edhe aty ku ato janë të nevojshme. “Këto janë instrumente që i përdorin dhe vende që kurrë nuk kanë qenë sisteme socialiste. Me vizionet e zhvillimit shoqëror lipset që të strukturohen dhe shkollat profesionale në mënyrë që t’i paraprihet sfidave të së ardhmes. Le të marrim p.sh. nevojën e reformimit të sistemit të furnizimit me ujë të pijshëm. Shqipëria ka shumë rezerva hidrike, sidomos ato që burojnë nga lartësitë dhe që janë shumë cilësore dhe të shëndetshme. Në këtë proces ka nevojë për specialistë profesionistë në nivele të ndryshme, nga ata teknikët e thjeshtë deri tek inxhinierët e profilit apo dhe programuesit. Në Shqipëri po humbasin shumë profesione që kanë hapësira për kontribut, si mund të marr rastin e punuesve të gurit apo shtruesve të kalldrëmeve, po kështu dhe mjeshtrat e kulinarisë, të punimeve të dorës, qëndistarisë etj.”
Lehtësime për ata që nxisin formimin profesional
Sabine Hartig nga programi i GIZ për arsimin dhe trajnimin profesional mendon se një ndër qëllimet kryesore të këtij sektori mbetet rritja e punësimit të të rinjve, që do të thotë përgatitja e tyre për një punë. Nisur nga realiteti shqiptar ajo vëren se aktualisht shkollat profesionale ofrojnë mënyrën më të lehtë për në maturë dhe për në universitet, krahasuar me shkollat e mesme të përgjithshme.
“Shumica e atyre që mbarojnë shkollën profesionale, ashtu sikundër dhe shumica e të rinjve shqiptarë, preferojnë të shkojnë në universitet, megjithatë studimet nuk i çojnë te puna, por tek papunësia. Për të kapërcyer këtë prirje drejt universitetit, arsimimi dhe trajnimi profesional duhet të bëhen më atraktiv për të rinjtë për t’u ofruar jo vetëm mundësi punësimi, por edhe perspektiva në karrierë. Me qëllimin për të siguruar që të rinjtë janë të trajnuar në bazë të nevojave të sektorit ekonomik, një pjesë e madhe e trajnimit duhet të bëhet pranë kompanive. Ndërmarrjet, nga ato më të voglat lokale dhe deri te kompanitë e mëdha ndërkombëtare, duhet të jenë të interesuara për të marrë pjesë aktivisht në formimin profesional, sepse kjo nuk mund të bëhet në mënyrë të veçuar nga shkolla, por qeveria duhet të krijojë kuadrin e kushteve dhe të inkurajojë partneritetin e ngushtë në sektorin e trajnimit”. Sipas Sabine Hartig, sistemi i arsimit dhe trajnimit profesional duhet të rikonstruktohet në një mënyrë që t’u përgjigjet kërkesave të bizneseve dhe industrisë. “Investimet për në sektorin e formimit profesional janë të nevojshme për të vendosur stimuj për kompanitë që bëhen partnerë në trajnim. Ndër faktorët më të rëndësishëm për suksesin e arsimimit profesional janë mësuesit, kompetencat e tyre pedagogjike dhe teknike dhe aftësinë e tyre për të motivuar. Gjithashtu, thelbësore është dhe sigurimi i një kualiteti të lartë trajnimi për mësuesit në mënyrë të vazhdueshme”. dw.de.