Në Shqipëri vritesh edhe për një fjalë goje

Anrila Spahia   Filologia Anrila Spahia analizon efektet e gjuhës së përdorur që nga  parlamentarët e deri tek adoleshentët në rrugë. Rrëfen...

Anrila Spahia  

Filologia Anrila Spahia analizon efektet e gjuhës së përdorur që nga  parlamentarët e deri tek adoleshentët në rrugë. Rrëfen se shqipja që  përdoret sot është vrastare dhe prodhon ngjarje të dhimbshme e krime    



Çdo fundviti mësojmë për shifra të  frikshme të vrarësh në Shqipëri, si të  kishte luftë. Mbetet jo plotësisht e shpjegueshme dilema në vret plumbi, apo  mos vret më shumë gjuha në këtë vend. 
Në datën 04.12.2013 një i ri 15-vjeçar i  mori jetën bashkëmoshatarit të tij brenda  ambienteve të një shkolle të mesme. Nuk ka ngjarje më të dhimbshme për  një shoqëri sesa kjo.
Shkak ishin fjalët  dhe gjuha fyese, përçmuese, agresive,  tallëse. Kështu u tha. Vrau gjuha, pastaj  plumbi. Vrau ajo që i kushtojmë rëndësi  më pak se çdo gjëje. “E para ishte  fjala”- ky postulat biblik, qysh se njerëzimi  ekziston, na tregon për shenjtërinë  e saj. Tashmë është realitet i pamohueshëm  se në Shqipëri kryesisht mund  të vritesh edhe për një fjalë goje. 
Por,  si ka mundësi që jemi kaq të ndjeshëm  ndaj fjalës si dëgjues dhe njëkohësisht  krejtësisht të papërgjegjshëm ndaj saj,  si folës?! Edhe pse në mendësinë tonë  popullore ndër shekuj kemi artikuluar se  ajo, gjuha: “Kocka s’ka, por kocka thyen”;  se ajo, gjuha:
 “Është më e mprehtë se  shpata”; se ajo, gjuha: “Vret më shumë  se plumbi”. Në datën 04.12.2013 bashkë  me kambanat e vdekjes ranë sërish për  shoqërinë shqiptare edhe kambanat e  alarmit: 
“Larg gjuhës së urrejtjes!”. Po a  pati veshë për t’i dëgjuar? Çdo gjë u harrua.  Kambanat janë ende reminishencë  semiotike e përçmimit edhe për fenë,  ndryshe do të dinim së paku mësimet mbi  faljen. S’mësuam kurrë as të falim. Edhe  në atë rast, si në çdo rast postvdekjesh  tragjike këtu, fatkeqësisht, nekropolitika  asfiksoi reflektimin. 

Në ditën e fjalës  

Vetëm një ditë më pas, në datën  05.12.2013, në Kuvendin e Shqipërisë u  zhvillua seanca plenare e radhës. Ngjarja  natyrisht që mori vëmendjen e politikës.
  Në atë seancë shumë më të shkurtër se  zakonisht, nga një kërkim në procesverbalin  e zbardhur, duke përjashtuar ndonjë  fjalim të vetëm me tone mëmësie lidhur  me temën, fjalët e përmendura më  shumë ishin: krim/kriminel/kriminalitet 53  herë; armë 29 herë, dhunë 27 herë, Hitler  15 herë, dhe vinin pastaj me radhë: luftë,  vrasje, armik, hakmarrje, banda, militarizim,  agresor, tragjedi, depo, drogë etj. 
 Mjeti kryesor i komunikimit, shprehësi i  vlerave dhe shpirtit të kombit që e përdor  - gjuha - po na vret të gjithëve. Debatet  e ashpra dhe aspak etike në parlament,  ulja dhe poshtërimi i kundërshtarit, si misioni  primar i gjuhës aty, urrejtja që vjen  përmes stereotipeve dhe paragjykimeve,  dhe kalimi i tyre direkt në media krijon  destabilitet në paqen sociale dhe shoqërohet  me pasoja katastrofale.
 Nëse  përfaqësuesit e politikës nuk moderojnë  dot diskutimet e tyre, a ka forcë qytetari  të përdorë filtra të tjerë mbrojtës? Po  si të mbrohemi? 
Si të mbrohen fëmijët,  të rinjtë, opinioni nga gjuha e urrejtjes,  shfaqja e së cilës në publik është formë  e hapur e degradimit të politikës? 
Është  formë e hapur e nxitjes së agresionit. Urrejtja  nuk ndërton, ajo shkatërron, sidomos  në një vend të varfër si yni. Deformimi  i unit të njerëzve me pushtet bën që  jo vetëm të kërcënojnë njëri-tjetrin nga  karriget e forcës, por po kërcënojnë edhe  paqen tonë, ndërkohë që pushtetin ua kemi  dhënë me detyrimin të mbrojnë jetët  tona, fatet tona.
 “Kur dola nga burgu dhe  u nisa drejt portës së lirisë, e dija se, nëse  nuk do të lija pas urrejtjen dhe helmin,  edhe jashtë burgut do të isha përsëri i  burgosur.” – tha Mandela. Në seancat  e stërzgjatura të buxhetit, urrejtja dhe  helmi fjalësor ishin dhurata e politikës  për shqiptarët në festat e fundvitit 2013.  

Në ditën e këngës 

 Ka njerëz sot që dëshmojnë se e nuk e  duan edhe aq shumë komunikimin e kujdesshëm.  I ashtuquajturi “Kriteri i Fischmann-  it”: Kush flet? Me kë flet?, për  një pjesë të madhe të shqipfolësve nuk  ka shumë rëndësi. Sidomos te grupmosha  e të rinjve.
 Flasin me të gjithë njësoj,  disa syresh edhe me gjuhën e rrugës, pavarësisht  në i drejtohen shokut, mësuesit,  prindit apo të panjohurve. Në ç’masë idiolekti  - sjellja gjuhësore individuale - na  tregon thelbin e personalitetit të njeriut?
 Ekzistojnë njoftime të dhënash, konvencionesh,  skemash dhe interpretimesh, që  na lejojnë t’i shpjegojmë modelet e sjelljes  shoqërore edhe përmes sjelljeve gjuhësore. 
 Ndaj, nëse do të kemi vëmendjen e duhur  si shoqëri, nuk është krejtësisht e pamundur  marrja e masave për shmangien e  agresionit gjuhësor mes të rinjve, që ai të  mos përshkallëzohet në agresion jetëmarrës.  Të gjithë e njohim pasionin e adoleshentëve  për këngët dhe për muzikën rep. 
 Por, a ka tagër t’i kontrollojë kush tekstet  e atyre këngëve? Tekste të superklikuara  në internet, ku mbizotërues është leksiku  i rrugaçërisë dhe kërcënimit:  “Nji - dy, e kom me ty, rri n’ven tat, bitch,  mos u fry;/ tre-katër, t’gjymtoj me satër,/  kujdes llapen se ta pres motherfucker!/ 
Ej,  prit, ça the? Me mu e ke? / Flet vena e shqiptarit,  zemra e ushtarit...” (Përzgjedhur  nga interneti, si teksti “më i arsyeshëm”,  për të respektuar etikën e shkrimit.)  Këtyre këngëve jo rrallë ndodh t’u jepet  edhe hapësirë televizive prej disa medieve,  në momente kulmimi të audiencës  së të rinjve. 
 Edhe ndaj kësaj gjuhe, po aq sa nga gjuha  e urrejtjes dhe rrugaçërisë politike, vetë  të rinjtë dhe opinioni publik kanë nevojë  për filtra mbrojtës.  Gjuha jo vetëm pasqyron shoqërinë, por  edhe e formon atë. Në një shoqëri si jona  duhet të ekzistojnë rregulla rreptësisht  të mirë caktuara, që të disiplinojnë marrëdhëniet  njerëzore. 
   
A ka lidhje gjuha me seksin?

Ndarja e njerëzve në gjini,  natyrisht ka lidhje edhe me  gjuhën. Komunikimin e ngjyros  jo rrallë herë seksi.
Edhe pse  gratë flasin më shumë, këndojnë më  shumë, qajnë më shumë, e shprehin  gëzimin më shumë, psherëtijnë  më shumë, përdorin më shumë  fjalë llastimi se burrat, sërish vriten  më shumë se burrat. Edhe pse fjala  e tyre nuk vret.
 Ata, burrat, kanë  të drejtë të përdorin fjalor vulgar  në prani të grave, madje dhe  të fëmijëve të tyre; fjalë banale e  sharje të rënda, që ndjellin sherr  dhe mospërmbajtje.
Mikromjediset  e mjerimit dhe amoralitetit social  në përgjithësi po depërtojnë  lehtësisht edhe në familje. Fakt i  pamohueshëm është që në kushte  të tilla burrat po i vrasin gratë e  tyre. 
Dhimbshëm na ndodh sot,  pas kaq vitesh civilizim, të ilustrojmë  deformimin shoqëror dhe  vrasjen edhe përmes Kanunit.  
Por, po aq dhimbshëm, na bie të  konstatojmë se edhe në atë shoqëri  të egër, ku gruaja pas martese  s’ishte asgjë më shumë se  plaçkë, në malet ku vepronte ligji  i tyre, jeta e saj ishte më e mbrojtur,  se sa në vendin që ka përafruar  legjislacionin me Bashkimin  Europian. 
“Grueja s’bjen në gjak  - edhe me qillue se vret kënd/  Burri e blen mundin e t’jetuemt  e grues, por jo jetën e saj.” (Kanuni  i Dhandrris-nye njizetetetë).  Me gjithë konotacionin negativ që  ka shprehja “fjalë grash”, më mirë  fjalë grash sesa t’ua presësh atyre  fjalën e jetës.     

 Ligjvënësit të  zbatojnë “kanunin”  

 Ne po vrasim dhe po vetëvritemi  edhe duke përçudnuar  identitetin tonë më të  epërm - gjuhën. Po si t’ia bëjmë  gjyqin vetes? Vetëgjyqësia nuk  është thjesht një nocion që shënjon  ushtrimin e së drejtës në kohën  e kanuneve, as thjesht trashëgim  vetëm i termit.
 Madje, dënimi i parashikuar  ligjor me gjobë ose burgim  deri në tre muaj po tregon se nuk  e frik dot vetëgjykuesin shqiptar. 
 Sa kohë në këtë vend s’ka ligj që  e mbron gjuhën, gjithkush: politika,  media, opinionbërësit publikë  kryesisht, duhet të vetëgjykohet  dhe, në rast shkeljeje, të paguajë  “haraçin”. Në Rregulloren e Kuvendit,  neni 62, thuhet se anëtarët  e Kuvendit nuk duhet të përdorin    gjuhë ofenduese dhe joparlamentare. 
 Po aty, në nen 65, thuhet  se kur deputeti përdor fjalë fyese  (sipas rasteve të parashikuara  në Rregullore) masat disiplinore  ndaj tij shoqërohen edhe me efekte  financiare. E mira do të ishte që  ligjvënësit të zbatonin “kanunin” e  tyre dhe, nga starti i parë kuvendor  më 20 janar, të mos na dëgjonin  kurrë veshtët atë ç’na kanë dëgjuar  deri më tash. 
Por, edhe nëse do ta  zbatonin Rregulloren që vetë kanë  bërë, duke pranuar vetëndëshkimin  financiar, ato lekë do të ishte mirë  të përdoreshin për të hartuar politika  gjithpërfshirëse gjuhësore, të  domosdoshme në këtë vend po aq  sa ajri i ndotur që thithim, dhe ushqimi  i mjerë që hamë./shekulli     

Related

Studime 7193789359542519790

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item