Qeveria siriane shkatërroi mijëra shtëpi
Akuza të reja për Asad, po krijon tokë të djegur për popullsinë e vendit të vet duke rrafshuar gjithçka Qeveria e Sirisë është duke shkatërr...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/qeveria-siriane-shkaterroi-mijera-shtepi.html
Akuza të reja për Asad, po krijon tokë të djegur për popullsinë e vendit të vet duke rrafshuar gjithçka
Qeveria e Sirisë është duke shkatërruar “qëllimisht dhe në mënyrë të paligjshme” mijëra shtëpi duke i hedhur në erë me eksploziv, bën të ditur organizata Human Rights Watch. Pamje satelitore duket se tregojnë shembje të shkallës së madhe me eksplozivë dhe buldozerë në bazat e opozitës në disa lagje të Damaskut dhe Hamës. Shkatërrimet besohet se kanë filluar më 2012 dhe kanë vijuar deri më 2013.
Raporti thotë se shkatërrimi i pronave private bëhet si një ndëshkim kolektiv dhe përbën krim lufte. Lajmi publikohet ndërsa qeveria dhe opozita po marrin pjesë në bisedimet e paqes në Gjenevë.
Të mërkurën, i dërguari i OKB, Lakhdar Brahimi, pranoi se ai nuk priste asnjë progres thelbësor gjatë raundit aktual të bisedimeve, të cilat pritet të përfundojnë të premten.
Raporti i organizatës për mbrojtjen e të drejtave të njeriut me titull “Të rrafshuar”, dokumenton gjashtë raste shkatërrimesh masive. Në shumë nga pamjet ndërtesat, të cilat në shumë raste qenë pallate banimi shumë kate të larta, u shkatërruan tërësisht.
Organizata tha se është dokumentuar shkatërrimi i së paku 145 hektarëve zonash urbane e barabartë me 200 fusha futbolli. Mijëra familje humbën shtëpitë e tyre.
“Rrafshimi i lagjeve të tëra dhe zhdukja e tyre nga hartat nuk është një taktikë e ligjshme lufte”, tha Ole Solvang, studiues pranë organizatës. “Këto shkatërrime të paligjshme janë të fundit në një listë të gjatë me krime të kryera nga qeveria e Sirisë”.
Ai shtoi: “Ky është një ndëshkim kolektiv i lagjeve të dyshuara se po mbështesin rebelët”. “Human Right” kërkoi që qeveria e Sirisë të ndalojë menjëherë shkatërrimet duke thënë se këto veprime bien ndesh me ligjin ndërkombëtar, si dhe të ofrojë kompensim dhe strehim alternativ për viktimat.
Ai i bëri thirrje Këshillit të Sigurisë së OKB-së të kallëzojë në Gjykatën Ndërkombëtare Penale këto krime. Zyrtarët e qeverisë thanë se shkatërrimet u kryen për shkak se ndërtesat qenë pa leje ndërtimi.
Por organizata thotë se në lagjet e kontrolluara nga qeveria nuk ka pasur shkatërrime të tilla të “ndërtimeve pa leje”. Shkatërrimet qenë mbikëqyrur gjithashtu nga personel ushtarakësh dhe shpesh të pasuara me luftime në zonën përreth mes trupave qeveritare dhe forcave rebele. Shumë banorë i thanë organizatës se disponojnë të gjitha dokumentet e nevojshme për shtëpitë e tyre. Ata shtuan se forcat qeveritare i dhanë pak kohë ose nuk dhanë paralajmërim para se të kryenin shembjet.
“Askush nuk duhet të bëhet budalla nga pretendimi i qeverisë që thotë se po ndërmerr një planifikim urban në mes të një konflikti të përgjakshëm”, tha Solvang.