Rusi: Në kërkim të ushtarëve të humbur
Shumë dekada pas luftës, miliona ushtarë të ish-Bashkimit Sovjetik vijojnë të jenë “të zhdukur”. Por një grup vullnetarësh nuk ka hequr dorë...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/rusi-ne-kerkim-te-ushtareve-te-humbur.html
Shumë dekada pas luftës, miliona ushtarë të ish-Bashkimit Sovjetik vijojnë të jenë “të zhdukur”. Por një grup vullnetarësh nuk ka hequr dorë nga kërkimi i tyre
Lucy Ash, BBC
Nga mbi 70 milionë njerëz të vrarë gjatë luftës së Dytë Botërore, 26 milionë vdiqën në Frontin e Lindjes – dhe deri në 4 milionë prej tyre zyrtarisht vijojnë të konsiderohen të humbur në aksion. Një grup vullnetarësh tashmë po kërkojnë ish-fushëbetejat për eshtrat e tyre, të vendosur për t’i dhënë të vareve një varrim të denjë dhe një emër.
Olga Ivshina ecën ngadalë përmes pyllit të pishave ndërsa dëgjon zhumën e detektorit të saj të metaleve që jep tinguj në qetësinë e pyllit. “Ata nuk janë varrosur shumë thellë,” thotë ajo.
“Në disa raste ne i gjejmë ato poshtë shkurreve apo pak shtresave gjethesh të rëna. Ata gjenden ende aty ku ranë. Ushtarët po presin për ne – po presin shansin për t’u kthyer më në fund në shtëpi”.
Aty pranë, Marina Koutçinskaja është ulur në gjunjë duke kontrolluar baltën. Përgjatë 12 viteve të fundit ajo ka kaluar shumicën e pushimeve në këtë mënyrë, shumë larg shtëpisë, veshjeve prej mjekeje materniteti dhe larg djalit të vet.
“Çdo pranverë, verë dhe vjeshtë mua më kap kjo ndjesi e çuditshme e brendshme dhe shkoj të kërkoj për ushtarë”, thotë ajo. “Zemra më thotë se duhet ta bëj këtë punë”.
Ato janë pjesë e një grupi të quajtur Eksplorimi që kanë udhëtuar për 24 orë në një kamion ushtarak për të mbërritur te ky pyll pranë Shën Petërsburgut. Kushtet janë elementare – ata ngrenë një kamp në pyll – dhe me raste duhet të zhyten deri në bel në baltë për të gjetur trupat e të rënëve. Puna e tyre mund të jetë gjithashtu e rrezikshme. Bashkë me ushtarët zbulohen vazhdimisht granatat nëpër çantat e shpinës ndërsa predhat e artilerisë kanë mbetur aty shpesh të pashpërthyera. Nga grupe të tjera kërkuesish në të gjithë Rusinë ka pasur aksidente dhe të vdekur.
Marina ngre lart një objekt që ka gjetur, ngjan si një kuti sapuni, por në fakt është TNT. “Nëse gjendet pranë zjarrit është ende i rrezikshëm, megjithëse ka mbetur në tokë për 70 vjet”, thotë ajo.
Shumë vende u sakatuan nga Lufta e Dytë Botërore, por asnjëri nuk humbi aq shumë njerëz sa Bashkimi Sovjetik. Më 22 qershor 1941, Hitleri filloi operacionin Barbarosa, fushata më e madhe dhe më e përgjakshme në historinë ushtarake, që synonte të aneksonte pjesë të mëdha të ish-Bashkimit Sovjetik për Rajhun e Tretë. Shën Petërsburgu, në atë kohë i njohur si Leningrad, qe një nga objektivat kryesorë. Në më pak se tri muaj, ushtria gjermane e rrethoi qytetin dhe filloi ta bombardojë nga ajri.
Mikhail Zorin qau kur ai pa për herë të parë armën që duhej të përdorte për të ndaluar pushtimin gjerman. “Qe aq e madhe dhe e rëndë”, thotë ai. “Unë u frikësova, si mendohej se unë do të qëlloja?”
Ajo qe një armë antike nga koha e carëve dhe disponohej vetëm një pushkë për dy ushtarë. Tetëmbëdhjetëvjeçari Zorin duroi nëntë ditë luftime ferri në Nevski Pjataçok – një rrip i hollë toke pranë lumit Neva ku 260 mijë ushtarë sovjetikë u vranë në përpjekje për të çarë rrethimin e Leningradit.
“Ata po na vrisnin si miza”, thotë 90-vjeçari. “Kishte trupa të pajetë gjithkund. Toka qe gropa-gropa nga bombat dhe predhat dhe ne thjesht nuk ishim të pajisur për të luftuar”.
Por përpjekjet për të marrë qytetin me sulm dështuan, kështu që Hitleri vendosi ta detyrojë atë të dorëzohet nga uria. Për më shumë se dy vjet, Ushtria e Kuqe luftoi dëshpërimisht të hapte një të çarë në vijat gjermane.
Olga dhe Marina po punojnë pranë qytezës Liuban, 80 kilometra në jug të Shën Petërsburgut. Këtu, në një zonë prej vetëm 10 kilometrash katrore, u vranë mbi 19 mijë ushtarë sovjetikë brenda pak ditëve në vitin 1942. Deri tani ata kanë gjetur 2 mijë trupa.
Ilia Prokoviev, njeriu më me eksperiencë në skuadrën e kërkuesve, po shpon tokën me kujdes me shtiza të gjata metali. Një ish-oficer ushtrie me mustaqe të verdha, ai zbuloi ushtarin e parë tridhjetë vjet më parë kur po shëtiste në fshat.
“Unë po kapërceja një pellg kur papritur pashë një palë çizme që dilnin mbi baltë”, thotë ai.
“Pak më tutje, zbulova një helmetë sovjetike. Pastaj hapa ca myshk dhe pashë një ushtar. U trondita. Qe viti 1983, unë isha 40 kilometra larg Leningradit dhe aty gjendeshin eshtrat e një ushtari që nuk qe varrosur. Pas kësaj filluam të kuptojmë se trupa kishte gjithandej. Problemi qe masiv”.
Kishte shumë pak kohë në betejë e sipër për të varrosur të vdekurit, thotë Valeri Kudinski, zyrtar i Ministrisë së Brendshme përgjegjës për varret e luftës.
“Në më pak se tre muaj makina gjermane e vdekjes mbuloi më shumë se 2 mijë kilometra të tokës sonë. Kaq shumë njësi të Ushtrisë së Kuqe u shfarosën, u sakatuan apo u dorëzuan – e si mundej ndokush të mendonte për varrime, e aq më pak, të regjistronte të varrosurit në kushte të tilla?”
Menjëherë pas luftës, prioriteti iu dha rindërtimit të vendit të rrënuar, tha ai. Por kjo nuk shpjegon se pse fushëbetejat nuk u pastruan dhe ushtarët e vdekur nuk u identifikuan dhe varrosën.
Kërkuesit tashmë besojnë se një pjesë e fushëbetejave u mbajtën qëllimisht të fshehta. Këshilli qeverisës i Bashkimit Sovjetik lëshoi dekrete në vitin 1963 për shkatërrimin e çdo gjurme të luftës, thotë Ilia.
“Nëse merr një hartë që tregon se ku ndodhën betejat, atëherë shikon se ato janë pikërisht zonat ku u mbollën pyje të reja apo u ngritën ndërtesa. Ato përputhen me linjat e frontit. Asnjë nuk mund të më bindë se ata i mbollën pemët për arsye ekologjike”.
Dhe nëse shikon pemët pranë Liuban, një seri gjurmësh në tokë dallohen me lehtësi.
“Ata qëllimisht mbollën pemë në fushëbetejë, hapën gropa dhe futën fidanët pikërisht në vendin ku gjendeshin ushtarët e pavarrosur”, thotë Marina. Ajo zbuloi së fundmi një helmetë dhe në mënyrë që të gjenin pronarin e saj, skuadra u detyrua të shkulë dy pemë aty pranë.
Unë nuk do ta harroj kurrë historinë e 21-vjeçarit Khasan Batirshin, shkruan Olga Ivshina. Khasan humbi më 1943. Familja e tij pyeti qeverinë çdo vit duke kërkuar informacion mbi të, por përgjigjja qe gjithnjë e njëjtë. “Nuk kemi të dhëna. Ushtar i humbur në aksion”.
Por familja nuk u dorëzua kurrë. Edhe në moshën 105-vjeçare, nëna e tij përsëriti: “Ai do të kthehet. Ai ma premtoi. Ai do të lëvizë edhe malet”.
Ne e gjetëm Kasan vitin e kaluar pranë Nevskaja Dubrovka. Trupat e atyre të vrarëve atje thjesht sa qenë hedhur në gropat e hapura nga bombat. Qe një nga ditët e fundit të gërmimit. Çdokush qe i lodhur, por Khasan na frymëzoi. Ne gjetëm medaljen e identitetit. Qe një mrekulli, për shkak se shumë ushtarë nuk i kishin ato. Edhe ato që i kishin, shpesh nuk i mbanin me vete. Në fund Khasan mori emrin e vet.
Kur familja e tij mori lajmin, gjëja e parë që bënë qe të vizitonin varrin e nënës së tij për t’i dhënë lajmin. E ëma pati vdekur një vit më herët.
“Kur ne hoqëm ca copa dheu nga rrënjët pamë dy duar të lidhura. Ne gjetëm disa kocka mes rrënjëve. Pra ne mendojmë se i gjithë ushtari qe nën pemë”.
Por si mundet që ndokush, – fshatar apo punëtor – të hipë në një traktor dhe të plugojë tokën që qe mbjellë me mbetje njerëzore?
“Nëse refuzonin të punonin në një fushë për shkak se kishte trupa apo kocka, ata thjesht pushoheshin nga puna”, thotë Ilia. “Nëse humbje vendin e punës në atë kohë ishe një jo person – nuk ekzistoje. Kjo qe jeta në Bashkimin Sovjetik”. Për më tepër, qe më pak se dy dekada pas lufte. Punëtorët patën përjetuar tmerre shumë më të mëdha, thotë ai.
Ka gjithashtu tmerre për kërkuesit e sotëm.
Nevskaja Dubrovka, në brigjet e lumit Neva, qe skena e një prej fushatave më të përgjakshme të rrethimit të Leningradit. Ushtria e Kuqe luftoi dhëmb për dhëmb për të siguruar një copë tokë pranë bregut të lumit në përpjekje për të thyer bllokadën. Qindra mijëra trupa, të përdorur si diçka më shumë sesa mish për top, u masakruan.
Kërkuesit zbuluan në varr masiv në zonë verën e kaluar. Ushtarët mund të jenë hedhur në gropë nga bashkëluftëtarët e tyre apo fshatarët vendës si një varrosje e shpejtë, apo ndoshta edhe nga Ushtria Gjermane, për të shmangur ndonjë epidemi.
“Mund të kishte mes 30 dhe 40 ushtarë atje. Katër shtresa me njerëz sipër njëri-tjetrit”, thotë Olga, ndërsa është ulur pranë zjarrit të kampit. “Por skeletet qenë të përzier e të thyer. Këtu kishe një kokë, atje një këmbë”.
Ajo pushon një copë herë dhe shikon te zjarri. “Kur sheh diçka të tillë, nuk e harron dot për të gjithë jetën. Nuk je më i njëjti person që ishe”.
Të kthehesh pas në jetën e qytetit pas javëve të ashpra në pyll është e vështirë. Kur shokët e saj në Moskë ankohen se nuk janë në gjendje të përballojnë një makinë më të re apo rroba me marka të mira, ajo ndihet jashtë bote.
“Çdo që duket kaq pa kuptim – edhe puna ime si gazetare – dhe në disa raste unë mendoj, ‘çfarë dreqin po bëj?’ Por këtu, në gërmime, unë ndiej se po bëj diçka që është e nevojshme”.
Për Olgën – e cila i këndoi himne komunizmit kur qe e vogël në shkollë, dhe pastaj mësoi mbi fitimet dhe humbjet në shkollë të mesme – dalja vullnetare për të gërmuar ofron edhe një frymëzim moral në kohë konfuze.
“Në disa raste duhet të dish se po bën diçka të rëndësishme, se nuk je thjesht një pikë pluhuri në univers. Kjo na lidh ne me të shkuarën tonë. Është si një spirancë që na ndihmon të qëndrojmë në një vend edhe gjatë një stuhie”.
Gjetja e të vdekurve është vetëm një pjesë e misionit të tyre. Shpëtimi nga anonimati është pjesa tjetër.
Në Moskë, një zjarr i përjetshëm digjet në Varrin e Ushtarit të Panjohur në hijen e Murit të Kremlinit, por për kërkuesit, mënyra më e mirë për të nderuar ata që humbën jetët e tyre është që t’i jepet identiteti.
“Ushtari pati një familje, ai pati fëmijë, ai ra në dashuri”, thotë Ilia. “Të qenët i panjohur nuk mbart asgjë që të të bëjë krenar. Ne jemi njerëzit që e bëmë atë të panjohur”.
Por zbulimi i identiteteve nuk është gjithmonë i lehtë, veçanërisht pasi ka kaluar kaq shumë kohë.
“Sa më shumë të dhëna ne mund të mbledhim në terren, aq më shumë shanse kemi për të identifikuar ushtarët”, thotë Aleksander Konoplov, udhëheqës i grupit të eksplorimit. Në disa raste ato gjejnë monedha të vjetra me ushtarët, të dhëna nga familjet e tyre. Besimi qe që nëse familja i jepte atij monedha, ai do të kthehej në shtëpi për të paguar borxhin.
Por ndërsa mjetet personale mund të japin një panoramë të personit, ato nuk mund t’i zbulojnë emrin apo vendin e lindjes. Inicialet e gdhendura nëpër lugë apo gaveta janë të mira. Por çelësi është medalioni i ushtarit.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtarët sovjetikë kishin medaljone identiteti, por ato nuk qenë të bëra me metal. Ato qenë kapsula të vogla ku qe futur një copë letër me detajet personale. Për fat të keq, letra shpesh është e palexueshme. Të tjera copa letre mbeteshin të bardha për shkak se ushtarët ishin supersticiozë – besonin se plotësimi i të dhënave paralajmëronte vdekje.
Aleksandër, i cili kishte biznesin e vet të shitjes së produkteve ushqimore para se të bëhej kërkues me kohë të plotë, po mban në dorë një arkë fishekësh. Ai shpreson se ajo përbën një markë identiteti të improvizuar. Por ndërsa e kthen përmbys në dorën e tij, ajo që del jashtë nuk është një copë letër, por një lëng i trashë i kaftë.
“Në disa raste të fshehura në mënyrë të tillë gjejmë mesazhe me emrin e ushtarit”, thotë Aleksandër. “Disa shkruanin, ‘nëse vritem, të lutem jepja këtë të dashurës sime apo nënës sime.’ Nuk mund të mos prekesh nga diçka e tillë”.
Ky është një nga 600 grupet e kërkuesve nga e gjithë Rusia, të cilët kanë ndihmuar për gjetjen dhe rivarrimin e 500 mijë ushtarëve deri tani. Këto skuadra njihen si “gërmuesit e bardhë”, por janë edhe ata që quhen “gërmuesit e zinj”, të cilët kërkojnë për medalje, armë, monedha madje edhe për dhëmbë floriri, të cilat i shesin në internet apo te tregtarë të specializuar. Ata nuk janë të interesuar në identifikimin e ushtarëve – ata thjesht i lënë kockat ku i gjejnë.
Aleksandri ka një seri udhëzimesh strikte se si mbetjet duhet të zhvarrosen, të etiketohen dhe magazinohen. Çdo ushtar fotografohet dhe vendi i gjetjes mbahet shënim e hidhet në një bazë të dhënash dixhitale.
Nëse shënimet e identitetit nuk mund të deshifrohen nga skuadra në terren, ato paketohen me kujdes dhe i dërgohen selisë qendrore të skuadrës në qytetin Kazan mbi Vollgë.
Tekniku i skuadrës, Rafik Salakhiev, përdor dritë ultraviolet dhe fotografim dixhital për të zbuluar bojën e rënë nga koha. “Le të përpiqemi të nxjerrim në dukje ngjyrat e purpurta në këtë letër të verdhë”, thotë ai. “Ne mund të reduktojmë faturimin dhe po! Ne fillojmë të shohim disa germa..”.
Sapo del emri, gërmuesit përdorin një listë të vjetër të ushtrisë, dokumente të klasifikuara dhe kontaktet në ushtri apo polici për të identifikuar ushtarët me saktësi dhe për të gjetur vendndodhjen e familjarëve të tij.
“Çdo kërkim i ri më duket sikur është i pari”, thotë Rafik. Shumë nga të afërmit janë tashmë të moshuar dhe mund të mos jenë në shëndet të mirë. “Kur i merr në telefon të afërmit, para se t’u japësh lajmin, përpiqesh t’i përgatitësh ata. Edhe pse ndoshta kanë pritur prej shumë kohësh”.
Por gjurmimi i familjeve të ushtrisë mund të kërkojë vite – me raste më shumë se një dekadë – veçanërisht në rast se familja ka lëvizur pas luftës.
Kur, më 1942, njerëzit në fshatin e Leitnantit të Parë, Kustov, dëgjuan se ai qe shpallur i humbur, ata dyshuan se ka dezertuar apo ka bashkëpunuar me gjermanët. Ata shpallën djalin dhe vajzën e tij fëmijë tradhtari dhe familja u detyrua të largohet. U desh shumë muaj punë që Ilia Prokoviev të arrinte t’i gjente.
“Kur ne i thamë se kishim gjetur mbetjet e babait të tij, për ta qe një ndjenjë e papërshkrueshme. Ata e dinin se ai nuk kishte dezertuar, se nuk mund të sillej në këtë mënyrë, por nuk kishte asnjë provë për këtë deri gjashtëdhjetë vjet më vonë”.
Nga arkivat, gërmuesit zbuluan se Kustov qe komandant i një nga shtrafbatset e famshme të Stalinit, një batalion i përbërë nga të burgosur dhe dezertorë. Vetëm një oficer i besuar dhe komunist i flaktë mund të merrte një post të tillë.
“Ata ia dolën të vërtetojnë historinë dhe të nderojnë kujtimin e babait të tyre”, thotë Ilia. “Qe ngjarja kryesore e jetës së tyre, mendoj”. Fëmijët e Kustov morën mbetjet e babait dhe i varrosën ato pranë nënës, e cila pati pritur gjithë jetën për kthimin e bashkëshortit.
Pranë brigjeve të lumit Neva, në zonën e varrit masiv të gjetur nga gërmuesit, një prift ortodoks rus këndon lutje ndërsa ecën përgjatë radhëve të arkivolëve të kuq të vendosur mbi bar. Fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e ushtarëve që janë gjetur shikojnë aty, duke qarë në heshtje.
Valentina Alijeva është aty për të varrosur babanë e vet që nuk e pati parë që kur qe 4 vjeç. Për shtatë dekada, e vetmja lidhje që kishte me të atin qe një fotografi bardhezi në shtëpinë e tyre të vjetër.
“Nëna ime u rimartua disa vite më vonë dhe çokush më tha mua të thërras njerkun tim babi. Por unë refuzova – e dija kush qe babai im i vërtetë”, thotë ajo, ndërsa i janë mbushur sytë me lot. “Ajo që këto kërkues kanë arritur është shumë e rëndësishme për mua. Nuk mund të them sesa mirënjohëse jam”.
Tatiana Uzareviç dhe Ljudmila Marinkina, motra binjake në të pesëdhjetat, kanë udhëtuar nga rajoni i largët i Kamaçtkas – nëntë orë larg me avion. Gërmuesit kanë gjetur gjyshin e tyre te varri masiv. Kur skuadra nuk qe në gjendje të gjurmonte familjen, grupi dha një lajm publik. Nëna e moshuar e binjakeve u trondit kur dëgjoi emrin e tij – Aleksander Golik – familja pati kërkuar më kot prej vitesh. Zhdukja e tij pati lënë bashkëshorten dhe fëmijët në dëshpërim. “Fakti që ai kishte humbur në aksion nënkuptonte që gjyshja nuk kishte të drejtë të përfitonte mbështetje financiare që u jepej të afërmve të të vrarëve pas Luftës së Madhe Patriotike. Ajo nuk mori asnjë qindarkë dhe kishte katër fëmijë për të rritur”, thotë Ljudmilla.
“Nëna ime qe aq e uritur gjatë të gjithë kohës, ajo u lutej fëmijëve të tjerë për copa buke në shkollë. Ajo mban mend vetëm formën e duarve të babait të saj, por kishte gjithashtu kujtimet e një njeriu të mirë, të butë”, thotë Tatiana. “Ne kemi ardhur për shërbimin e tij të rivarrosjes dhe për të vizituar vendin ku ai vdiq e ta shoqërojmë për te banesa e fundit”.
Muret e varrit të madh të sapohapur janë zbukuruar me pëlhurë të kuqe – një akt respekti që zakonisht u jepet vetëm gjeneralëve të ushtrisë. Të rinj të veshur me uniformat e stilit të ushtrisë sovjetike bëjnë rojën e nderit. Dukshëm të prekur, ndërsa arkivol pas arkivoli kalon aty për t’u varrosur, disa nga ta shikojnë në qiell. Ka një besim që thotë se zogjtë që fluturojnë aty pranë mbartin shpirtin e të vdekurit.
Ka më shumë se 100 arkivole – secili mbart eshtrat e 12 deri në 15 burrave. Gërmuesit do të pëlqenin që çdo ushtar të kishte arkivolin e vet, por nuk janë në gjendje të përballojnë 1500 arkivole të nevojshme për shërbimin e kësaj dite.
Ky është kurorëzimi i shumë muajve punë nga vullnetarët. Kjo është ajo për të cilën bëhet e gjitha – t’i jepet një tipar rendi kaosit moral të së shkuarës, të respektohen ata që dhanë jetët e tyre.
Në pranverë ata do të rifillojnë kërkimin në pyje dhe fusha, ku kaq shumë jetë u masakruan. Ata janë të vendosur të vijojnë derisa të gjendet njeriu i fundit. Por kjo mund të kërkojë të gjithë jetën – ose më shumë.
“Ka kaq shumë ushtarë të pavarrosur, do të duhen shumë dekada për t’i gjetur ata të gjithë. Përfundimisht do të ketë punë edhe për nipërit tanë”, thotë Marina. “Por natyra po punon kundër nesh. Mbetjet po dekompozohen dhe po bëhet më e vështirë të gjenden kocka, të dhënat identitare dhe pajisjet e ushtarit”. Sa më shumë vite kalojnë, aq më pak informacion do të gjendet.
“Ne duhet të vijojmë ta bëjmë këtë për veten tonë, në mënyrë që shpirti ynë të jetë në paqe”, thotë Ilia “Ky është bërë kuptim për jetët tona”.