CIA: Incesti dhe arkat me flori në dhomat e Zogut

Në një letër dërguar Agjencise Qendrore të Inteligjencës në SHBA(CIA-s), avokati amerikan Edgar M.Church, shpjegon në detaje vizitën e tij n...

Në një letër dërguar Agjencise Qendrore të Inteligjencës në SHBA(CIA-s), avokati amerikan Edgar M.Church, shpjegon në detaje vizitën e tij në Egjipt në vitin 1949 dhe ofron një tablo për të gjithë personazhet që njohu atje. Në këtë letër avokati amerikan shprehet se ai personalisht nuk ka parë apo takuar asnjërën prej motrave të Ahmet Zogut, por shton se kunata e Zogut, i ka rrëfyer atij mbi marrëdhënien që kishte Zogu me të motrën e vetë. Më pas avokati amerikan raporton dhe informon se gjatë një shëtitje me Geraldinën në rezidencën e re që po ndërtonte Zogu, kjo e fundit i bëri të ditur se motrat e Zogut do të jetonin veçmas çiftit, por la të nënkuptohej se përjashtim bënte Senija, e cila do të qëndronte pranë dhomave të Zogut. Avokati amerikan përshkruan në detaje dhe arkat me florinj që mbante Zogu në shtëpi dhe historinë e një shërbëtoreje të shtëpisë që u dyshua se kishte vjedhur flori. Më pas Edgar M.Church, detajon dhe të dhënat mbi motrën e Geraldinës dhe bashkëshortin e saj amerikan të cilët thekson se nuk mund të konsiderohen “veçanërisht të besueshëm”. Por përtej këtij fakt, në dosjen e de-klasifikuar amerikane të CIA-s, avokati amerikan në disa letra të njëpasnjëshme që i ka dërguar kësaj agjencie të inteligjencës ka theksuar faktin se edhe ai vetë besonte dhe kishte krijuar bindjen se Zogu dhe motra e tij Senije(të cilën amerikani herë e shkruan Xenida dhe herë Xeneia,) kishin një marrëdhënie intime mes tyre dhe se Geraldina, gruaja e Zogut,  ishte në dijeni të plotë të këtij fakti.
Avokati amerikan nga ana e tij u afrua pranë oborrit të Mbretit Shqiptar në Ekzil nga vetë gruaja e Zogut, pasi ai ishte i martuar me kushërirën e saj. Më poshtë dokumenti i plotë i datës 11 Maj 1949 i de-klasifikuar nga CIA dhe i përkthyer në shqip:
  

Mbretëresha Geraldinë,
bashkëshortja e Zogut
SEKRET
11  Maj 1949
-Memorandumi i dosjes: 
(me shkrim dore)  Info nga Edgar M. Church, bashkëshorti i kushërirës së Geraldinës dhe avokat i Zogut
1. Mbreti Zog jeton në adresën 16 Rue Ekbal, Ramleh, Alexandria
2. Me aq sa konstatova unë gjatë vizitës ku takova mbretin, të ftuarit e tij dhe familjarët e tij, janë këto të dhëna të mëposhtme:
a) Kemal Bey Messari: Messari është një kujdestar i cili me sa duket kujdeset për punët e grupimit të Zogut dhe protokollin. Ai ishte personi që u dërgua për të më takuar mua kur mbërrita në hotel, hoteli ishte shumë pranë rezidencës së Zogut dhe në këtë hotel ai akomodon të gjithë të ftuarit e tij.  Ai nuk mundi dot të hynte në bisedë me mua dhe më mbajti nën survejim për 2 orë përpara se të prezantonte veten. Unë e kuptoj këtë qëndrim të tij, si diçka të paramenduar që ka lidhje me protokollin e sigurisë. Ai hyn tek krahu i të fortëve, mban syze-teke, ai duket se thjesht rri kot aty dhe bën relativisht një jetë boshe.
b) George Gog: Gog është një ish-ushtarak i lëvizje së rezistencës në Shqipëri. Ai është i ri, diku tek 30 vjeç, ka flokë të zinj, sy bojëqielli dhe shtatlartë. Ai duket në një formë të përkryer fizike sa që nuk gjej fjalë ta përshkruaj.  Nga ajo që kam kuptuar unë, ai ka mbërritur në shtëpinë e Zogut, përpara 6 muajsh(Tetor 1948), pasi ka qenë shumë aktiv me rezistencën dhe organizimin e rezistencës kundër komunizmit në Shqipëri.
c) Sater Martini: Martini duket se ka qenë Kryeministri i Zogut dhe miku më i besuar i tij, në kohën kur Zogu ishte zyrtarisht Mbret i Shqipërisë. Ai me shumë gjasa ka qenë njeriu më besnik në krahë të Zogut që përpara se Zogu të bëhej Mbret. Ai është afërsisht 60 vjeç, me flokë gri dhe me kaçurela. Ka sy bojëqielli dhe është shtatlartë. Ai është  shërbëtori më i besuar i Zogut, sikundër është mëse e qartë se atij i janë lënë për administrim nga Zogu të gjitha punët e natyrës politike. Besnikëria e tij ndaj Zogut as që mund të vihet në diskutim dhe përshtypja që më la mua nga kontakti që pata me të është se ai do e jepte menjëherë jetën e tij për “Mbretin e tij”.
d) Konti Alexander(Skënder) De Villa: Villa ka nënën franceze ndërsa të atin shqiptar. Me sa kuptohet, babai i tij ka qenë ambasador në Paris për disa kohë, përpara vitit 1940. Villa është një nga anëtarët e hyrë së fundmi në të ashtuquajturin “Grupi Mbretëror”. Ai duket se merret me problemin e financave të Mbretit Zog dhe të transaksioneve Financiare. Ai shpesh në aksin Aleksandri-Paris. Gjatë kohës që po ndërmjetësonte së bashku me Zogun transferimin e fondeve  nga “Guaranty Trust Company” e Nju Jorkut, për në “National City Bank”, Villa e mori atë me vete për të përgatitur prokurën e nevojshme të përfaqësimit në emër të tij, e cila i krijonte mundësinë për të ekzekutuar transfertën e fondit. Gjatë kohës që isha në Aleksandri, gruaja e Zogut, Geraldina, më kërkoi që unë t’i bleja asaj një automjeti Cadillac limuzinë me kapacitet për shtatë pasagjerë. Ndërsa isha duke përgatitur blerjen e këtij automjeti, në mënyrë indirekte më thanë se Villa do të ishte në gjendje që të kryente të fondeve që do më duheshin mua për blerjen e këtij automjeti.
Në gjykimin tim, Villa përdoret nga Zogu, pak a shumë si një shoqërues i gruas së tij, si dhe për ta përdorur për transferua  apo transaksione fondesh në tregun e zi ndërkombëtar.
3. Nga të gjithë emrat që kam renditur, do theksoja që  Alexander De Villa është njeriu më pak i besueshëm. Ai duket se është jashtë loje për sa i takon angazhimeve dhe punëve të mia me Zogun në Shtetet e Bashkuara. Zogu e ka urdhëruar atë që të bëjë siç unë i them. Villa herë shfaqet i ngathët e herë këmbëshpejtë për punët që ai vetë ka në dorë, këtu do të shtoja se kam një respekt të konsiderueshëm për nivelin e intelektit të Gog dhe Martini.
4. Pesë motrat e Zogut duket se jetojnë në rezidencën e tij  së bashku me të. Më poshtë po rendis emrat e tyre sipas moshës, duke filluar nga më e moshuara.
a. Majide
b. Musezan
c. Xeneia
d. Naphia
e. Adele
Unë kurrë nuk jam takuar me ndonjërën prej tyre, e me sa duket në përputhje me ligjet Muhamediane ato jetojnë në një tjetër hapësirë të pallatit. Mbretëresha ma ka lënë të nënkuptuar në mënyrë indirekte, ndërsa motra e mbretëreshës, Virginia, ma ka shprehur në mënyrë fare të hapur, se motra e tij Xeneia, ka një ndikim të fortë tek Zogu. Është më se e kuptueshme dhe e dukshme se Zogu po jeton me motrën e tij në fjalë si burrë e grua dhe me shumë gjasa Villa përveç detyrave zyrtare është marrë edhe për të argëtuar gruan e Zogut. Sipas informacionit më të mirë që munda të siguroj dhe jam përpjekur shumë që ta siguroj këtë informacion, motrat e kanë mendjen që i vëllai t’i mbajë me lekë, me sa më shumë lekë që të jetë e mundur. Asnjëra prej tyre nuk ka ndonjë nivel intelekti të spikatur, me aq sa munda të kuptoj unë.
5. Zogu dhe gruaja kanë një djalë të moshës 11 vjeç. Ai njihet si Leka. Ai është biond, me sytë e zinj, shumë i afrueshëm dhe flet anglisht, frëngjisht, gjermanisht dhe shqip. Leka është shumë më i pjekur për moshën që ka. Zogu mundet të braktisë gruan dhe djalin duke menduar për rikthimin në Shqipëri, duke i lënë ata që të kujdesen për njëri tjetrin dhe Mbretëresha më tha se ajo dhe i biri duan që të shpërngulen për në Amerikë përpara se të jetë shumë vonë.
6. Ndërsa isha duke vizituar Zogun dhe gruan e tij, ajo më shëtiti tek rezidenca e re që ata janë duke e ndërtuar. Shtëpia është shumë e madhe dhe është shtrirë në një terren me hapësirë të konsiderueshme. Trualli ka kushtuar 20 mijë paund egjiptian ndërsa godina  ka kushtuar rreth 10 mijë paund egjiptian. Kjo rezidencë e re është në pozicion diagonal me rezidencën ku banon aktualisht Zogu. Të gjitha motrat, me përjashtim të Xeneia, do të jetojnë në një tjetër shtëpi e cila ndodhet të paktën 300 yard më tej.  Sipas planifikimit që kanë bërë, Xeneia do të akomodohet në dhoma pranë dhomave të Zogut ndërsa Mbretresha do ketë dhomat e saj disi më të shkëputura prej Mbretit.
7. I biri Leka ka një governante angleze që kujdeset për të dhe kjo governante me sa duket gëzon një besim të fortë në të gjithë familjen përfshirë dhe Mbretin dhe Mbretëreshën. Motra e Mbretëreshës më ka thënë muajin e fundit se kur ajo kishte ikur për disa kohë në SHBA, ndodhi që governantja ishte pushuar nga puna ose ishte duke u pushuar nga puna. Unë vetë nuk e kam parë e as nuk e kam takuar ndonjëherë këtë governante.
Kjo governante është punësuar nga Zogu, diku nga viti 1943 në Angli dhe është shpërngulur në Aleksandri së bashku me familjen, në kohën kur familja shkoi atje në vitin 1946. Duke marrë shkas nga pakënaqësia që kishte me infermieren Zogu i mban të ardhurat e tij në sasi floriri’ dhe me ç’kuptoj unë ai ka një shumë prej 800 mijë dhe i ka fshehur në arka që i mban në dhomat e tij të gjumit. Në këto arka ai mban dhe bizhuterisë e gruas së tij apo bizhuteritë e kurorës. Është një rregull i qartë për të gjithë se vetëm Mbreti dhe Mbretëresha mbajnë çelësat e këtyre arkave dhe se vetëm shërbëtorët apo njerëzit më të besuar mund të ndodhen në këto dhoma kur nuk ndodhet Mbreti dhe Mbretëresha. Me sa duket dikush tjetër ka pasur akses tek këto arka dhe që ka lidhje me vjedhjen që nënkuptova më lart. Pas hetimeve që kanë kryer ata kanë dalë në përfundimin se governantja ka qenë fajtore dhe kjo ka shërbyer për pushimin e saj nga puna.
8. Messari, Martini dhe Villa flasin që të tre një frëngjishte shumë të mirë, si shqiptarë që janë. Gog nuk di të flasë tjetër gjuhë përveç shqipes me sa kuptoj unë. Mbreti flet një frëngjishte mediokre, flet mirë gjermanisht, anglisht s’di fare, merret vesh turqisht dhe sigurisht që flet shkëlqyeshëm shqip. Motrat flasin një frëngjishte të çalë, me theks të fortë shqiptar. Mbretëresha flet anglishte perfekte,  frëngjishte perfekte, gjermanishte perfekte, hungarishte perfekte, shqipe perfekte dhe pakëz gjuhë arabe.
9. Diku nga viti 1947, duket se motrat e Mbretëreshës së Shqipërisë bënë një vizitë në Romë për një takim me Papën. Nuk mund ta marr dot vesh arsyen e kësaj vizite. Mendoj se Mbretëresha dhe Mbreti janë të prirur drejt një divorci mes tyre  dhe mund të ndodhë që Mbretëresha është e prirur për një edukim katolik të birit të saj ndërsa Mbreti synon një edukim Muhamedan. Jam i prirur të besoj se një divorc do të vinte vetëm si një vullnet i Mbretit se sa si një vullnet i Mbretëreshës. Mendoj se ajo e gjen veten më mirë në këto pozita si gruaja e Mbretit, se sa si një shtetase amerikane me të ardhura të kufizuara.
10. Mikesha më e ngushtë e Mbretëreshës jashtë familjes është Mbretëresha e Bullgarisë, Giovanna. Mbretëresha e Shqipërisë dhe ajo e Bullgarisë pijnë rregullisht çaj mes tyre të paktën 3 herë në javë, e me sa kam kuptuar nga bisedat me Mbretëreshën e Bullgarisë ajo është shume e kujdesshme ndaj Geraldinës. Duke qenë më e moshuar dhe me më shumë përvojë, Mbretëresha e Bullgarisë nuk rresht së këshilluari Geraldinën për problemet që ajo ka si gruaja e mbretit Zog. Kam një përshtypje se Giovanna është më e zgjuar nga ç’duket.
 11. Mbretëresha Geraldine, ka një motër, të cilën e kam përmendur dhe më parë( Zonja Virginia Aponnyi Blackburn) e cila është e martuar me amerikanin Joseph Blackburn. Blackburn ka lindur në Denver, Colorado, është i shkolluar në “YALE” i diplomuar në vitin 1943 dhe punon aktualisht në “TMA Airlines”, 101, Champs Elysses, Paris, France. Blackburn vjen cik si i papërgjegjshëm, është i këndshëm, tip optimist dhe shok i komunikueshëm. Virginia, gruaja e tij, ka ndikim tek Geraldina më shumë se çdokush tjetër. Me ç’kuptohet ajo ka punuar me G-2 në Hungari gjatë luftës. Ajo është shumë e dobët mendërisht dhe fizikisht edhe për shkak të eksperiencës së saj me nazistët gjatë luftës në Hungari. Virginia është shumë e kujdesshme ndaj së motrës dhe bën çdo gjë për t’iu gjendur pranë. Asnjë prej të dyve, as Zoti dhe as Zonja Blackburn, nuk mund të konsiderohen veçanërisht të besueshëm megjithëse ata ekspozohen si persona me integritet të madh.

Letërkëmbimi mes zyrtarëve 
Si e shikonte CIA avokatin amerikan që raportonte për Zogun
Dokumenti i deklasifikuar që zbardh korrespondencën mes dy zyrtarëve të CIA-s dhe interpretimin e tyre mbi statusin që avokati Edgar M.Church kishte në raport me Zogun dhe në raport me vetë CIA-n.
Më poshtë ofrohet letërkëmbimi sekret ndërmjet dy zyrtarëve të CIA-s, të cilin e kemi përkthyer pjesërisht. Përzgjodhëm vetëm pjesën ku sqarohet raporti i CIA-s me avokatin Edgar M.Church dhe roli i tij në planet e CIA-s për të inkuadruar dhe Zogun. Sipas këtij letër-këmbimi del e qartë se Church nuk është një punonjës mirëfilli i CIA-s por duke qenë se ka pasur marrëdhënie të afërta me familjen e Mbretit Zog, është vënë në dispozicion të kësaj agjencie për të informuar mbi të gjitha detajet dhe mbi gjithçka që kishte dijeni mbi Zogun. Nga ana e saj CIA kishte interes në përfshirjen e Zogut, dhe influencës së tij brenda Shqipërisë, për të realizuar operacionin OBOPUS/BGFIEND që synonte  rrëzimin e regjimit të Enver Hoxhës.

SEKRET
MEMORANDUM PËR: 
(….)
SUBJEKTI: 
a) Propozimi për Operacionin Shqiptar
                   b) Edgar M.Churchc/o Sherman, Sterling&Wright, 20 Exchange Place,Neë York
City(residence: 16. E, 72nd St., New York City)              
1. Në vijim të bisedës sonë, mëngjesin e sotëm, po ju rendis të dhënat për subjektin tonë dhe karakteristikat e tij. Zoti Church është një avokat i cili punon në një firmë të njohur ligjore, i diplomuar në Universitetin e “YALE” dhe i angazhuar për të na ndihmuar në lidhje me ç’të mundet duke marrë shkas nga rrethanat e tij. Ai nuk ka kërkuar punësim nga CIA apo ndonjë agjenci tjetër shtetërore por ka shprehur gatishmërinë e tij me aq sa mundësi i paraqiten.  Atë e solli për të më takuar mua zoti Presçot Childs, pasi dëgjoi historinë e zotit Church ai i bëri të ditur se OPC dhe OSO do donin të lidheshin dhe të flisnin direkt me të. Momentalisht nuk besoj se ata të OSO-s kanë kontaktuar me të, por e kam referuar emrin e tij tek ( e fshirë  ) dhe tek (e fshirë) si dhe informacionin në fjalë, nëse OSO do të kishte interes. 
2. Zoti Church, ka bërë të qartë se ka lidhje të mira me Mbretin Zog të Shqipërisë. Ai thotë se është përfaqësues ligjor i Mbretit dhe se kaloi një javë me Mbretin dhe Mbretëreshën gjatë një vizite në Aleksandri. Mbretëresha është një kushërira e gruas së avokatit Church, dhe sipas Church-it, vjehrra e tij ishte mblesa e martesës mes Zogut dhe Geraldinës. Zogu i besoi Church-it mbylljen e 120 mijë dollarëve në bankë në emër të gruas dhe të birit të vetë. Church pretendon se Zogu ka një besim të madh tek ai dhe se është i vëmendshëm ndaj këshillave dhe rekomandimeve të tij.
(materiali vijon me të tjera të dhëna për planet e Zogut, shën. redaksi)

Me poshte faksimilet e raportit sekret të CIA-s



Dita

Related

Speciale 2371758369097381232

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item