Fundet tragjike të liderëve sovjetikë, nga Stalini tek Trocki

Historitë e vrasjeve në shërbimet sekrete ruse Sistemi i Shërbimeve Sekrete Sovjetike e ka pasur veçori të vetën vrasjen apo eliminimin e kr...

Historitë e vrasjeve në shërbimet sekrete ruse

Sistemi i Shërbimeve Sekrete Sovjetike e ka pasur veçori të vetën vrasjen apo eliminimin e krerëve të tij. Kjo ishte pasojë logjike e luftës për pushtet në BRSS, por edhe brenda radhëve të shërbimit. Trocki, Beria e Jezhov janë krerët e shërbimit që janë ekzekutuar nga ky i fundit, kur ndodhej në urdhra të tjerë, ndërsa dyshime janë hedhur edhe për vetë Stalinin. Një strukturë e ngurtë me fuqi ekstreme, KGB-ja ishte padyshim edhe arma më e mirë për të ruajtur pushtetin apo për ta marrë atë. Anëtarët e Byrosë Politike e përdorën për të eliminuar kundërshtarët, konkurrentët dhe padyshim edhe krerët e vetë organizatës, kur shihnin se këta mund të sfidonin pushtetin e tyre. Historitë janë pak a shumë të ngjashme, vrasjet po ashtu.
Stalini vdiq apo u helmua?
Josif Stalin i përdori shërbimet sekrete për të eliminuar me radhë kundërshtarët dhe jo rrallë vala e eliminimeve përfshiu edhe vetë organizatorët e tyre. Dy herë u organizuan nga udhëheqësi, persekutime dhe pushkatime në masë. Dhe të gjitha këto u drejtuan nga krerë të shërbimeve sekrete. Por kjo nuk do të thotë që vetë diktatori, ai që urdhëronte masakrat dhe firmoste vdekjet e kundërshtarëve, mund t’i shpëtonte shërbimit. Zyrtarisht Stalini vdiq më 5 mars 1953, pas katër ditësh qëndrimi në koma. Diktatori ra në koma, pas një darke me Lavrenti Berian, kreu i shërbimeve sekrete dhe të tjerë lider të BRSS-së. Në kujtimet e tij, ministri i Jashtëm i kohës, Molotov, kujton se Beria e akuzoi atë për helmim. Nga ana tjetër, dëshmitarë të ngjarjes kujtojnë se Beria ndaloi që diktatorit t’i bëheshin shërbime mjekësore, duke pretenduar se ai ishte në gjumë. Fakti që Beria ishte pas vdekjes së Stalinit njeriu i dytë më i fuqishëm në vend, me pretendimin për të marrë edhe kreun e shtetit. Akuzat e tij ndaj Molotovit që ndodhej në krahun e kundërt dhe frika që ai dhe liderët e tjerë sovjetikë kishin nga Stalini, ka ngritur dyshimet se diktatori u la të vdiste apo edhe u helmua. Megjithatë askush nuk ka sjellë prova të sigurta për këtë.
Trocki u vra në Meksikë
Ata ishin të tmerrshëm dhe të paprekshëm gjatë kohës që sundonin, por po ashtu ata ishin viktima të “krijesave” të tyre. Ndërsa quhej deri vonë njeriu që do të pasonte Leninin, Trocki nuk ia doli mbanë të përballonte kulimat e Stalinit. Ai u përpoq të bënte opozitë, por shpejt i humbi pozitat e tij të larta dhe u depërtua. Megjithatë, themeluesi i shtetit të BRSS-së dhe drejtuesi kryesor i ÇEKA, që do të ishte edhe fillimi i shërbimeve sekrete, nuk u mjaftua. Ai vazhdoi opozitën deri sa u eliminua kur ishte në mërgim në Meksikë.
Ekzekutimet e Beria dhe Jezhov
Në fillim atyre u jepet fuqia. Drejtojnë shërbimin sekret, marrin në kontroll frenat e shtetit ose janë vegël e udhëheqësit dhe në një moment shpallen tradhtarë e spiunë dhe ekzekutohen. Nikolai Ivanovich Jezhov dhe Lavrenti Beria, të dy drejtues të KGB-së e organizatorë të masakrave, me urdhër të Stalinit u ekzekutuan të akuzuar për tradhti. I pari u akuzua se kërkoi të vriste diktatorin, ndërsa i dyti për spiunazh. Që të dy mbahen mend si drejtues të fuqishëm të shërbimeve sekrete.


Dyshimet për helmimin e diktatorit
Josif Stalin lindi më 21 dhjetor 1879 dhe vdiq më 5 mars 1953. Deri më tani askush nuk kishte dyshuar se vdekja e tij nuk kishte ardhur për shkaqe natyrale. Diktatori dhe udhëheqësi gjakderdhës, i akuzuar si një nga më të egrit që njohu historia, e ngriti dhe e bazoi pushtetin e tij mbi bazë të shërbimeve të fuqishme sekrete. Dihet tashmë se ishin pikërisht drejtuesit e këtyre shërbimeve që mbaheshin më afër nga diktatori dhe cilësoheshin edhe si më besnikët e tij. Me urdhër të tij, këto shërbime vranë Trockin, një sërë miqsh deri dhe njerëzit e drejtuesve të lartë u ekzekutuan, u helmua apo depërtuan nga shërbimet sekrete. Ai arriti që nëpërmjet komploteve të hipte në pushtet e më pas përmes depërtimeve dhe persekutimeve në masë të fuqizonte pozitat e tij. Por në mars 1953 ai mori pjesë në një darkë me njerëzit më të afërt, përfshi edhe anëtarë e drejtues të shërbimeve sekrete. Darka e fundit e Stalinit, katër ditë pasi ai të jepte shpirt, dyshohet se ishte edhe darka kur u helmua. Por jo vetëm kaq, dyshimet e hedhura kryesisht mbi drejtuesin e shërbimeve sekrete dhe pretendentin për të ardhur në pushtet Berian, thonë se Stalini u la pa mjekim. Dëshmitarët tregojnë se diktatori qëndroi katër ditë në koma, pa marrë ilaçe. Asnjë nga katë dyshime nuk është provuar.

Jezhov, komploti ndaj shefit të përgjakshëm
Nikolai Ivanovich Jezhov lindi në maj 1895 dhe u ekzekutua pas një komploti nga shërbimet sekrete në shkurt 1940. Ai ishte një nga krerët e shërbimit sekret sovjetik NKVD. Këtë të fundit e drejtoi që nga viti 1936 deri në 1938-ën. Periudha e sundimit të tij konsiderohet edhe si një nga më të përgjakshmet e këtij shërbimi, ajo është e shënuar në historinë e policisë sekrete sovjetike si “Koha e Jezhov”. NKVD-ja paraardhëse e KGB-së e drejtuar nga Jezhov, mori masa për të shkatërruar të gjithë opozitën e mundshme të Stalinit në Rusi. Operacioni do të konkludonte me dhjetëra të vrarë e mijëra të persekutuar, duke përfshirë këtu oficerë dhe profesionistët e rangjeve më të larta të shtetit sovjetik. Në nëntor 1938, Jezhov u tërhoq nga drejtimi i policisë sekrete. Në fakt në dokumente kjo tërheqje është parë si diçka normale. Ai u pasua në atë post nga një tjetër drejtues i dhunshëm Beria. Duket se me këtë lëvizje Jezhov kishte nënshkruar edhe ekzekutimin e tij. Më 3 mars 1939, Jezhov u hoq nga të gjitha postet dhe privilegjet që mbante në Partinë Komuniste dhe në Shtetin Sovjetik. Më 10 prill 1939 u arrestua pas një komploti dhe në një gjyq të mbyllur u dënua me vdekje me akuzën e kurdisur nga vartësit e tij se do të vriste Stalinin, u ekzekutua në shkurt 1940. Çudia e madhe është se ky njeri ishte përkrahësi më i madh i diktatorit dhe ekzekutuesi i pamëshirshëm i kundërshtarëve të tij.

Leon Trocki, ideologu i kuq u vra në Meksikë
“Mos e vrisni! Ai burrë duhet të tregojë një histori”, këto janë fjalët që tha udhëheqësi komunist Leon Trocki, pak sekonda pasi ishte qëlluar nga agjenti sekret i Stalinit, ndërsa ky i fundit mund të ishte vrarë nga rojet e tij. Ideologu i madh i marksizmit dhe krijuesi i Internacionales së Katërt, që do t’i bënte opozitë asaj që drejtohej nga Stalini, humbi jetën në zyrën e tij i goditur nga një shufër hekuri e përshtatur në formë thike. Ai ishte një nga krijuesit dhe komandantët e Ushtrisë së Kuqe dhe drejtues i ÇEKA-s, që luajti rolin e shërbimit sekret në ushtri, kundër Armatës së Bardhë. Trocki u vra më 20 gusht 1940, Ramon Merkader, agjent i shërbimeve të cilat Trocki i kishte drejtuar vetë. Dëshmitarë tregojnë se Merkader kishte dëshmuar në gjyq, se kishte përgatitur hekur dhe se e kishte qëlluar Trockin, ndërsa ky lexonte gazetën. Nga ana tjetër, Trocki urdhëroi rojet që të mos e qëllonin vrasësin, në mënyrë që ky të tregonte historinë dhe ngjarjen. Vetë udhëheqësi nuk vdiq menjëherë, por nga hemorragjia, pasi ishte goditur në enën kryesore të gjakut në qafë. Trocky i kishte shpëtuar një atentati të parë.

Si u pushkatua kundërshtari i Hrushovit
Lavrenty Pavlovich Beria lindi më 29 mars 1899 dhe u ekzekutua më 23 dhjetor 1953. Ashtu si paraardhësi i tij Jezhenko edhe Beria e pësoi nga një komplot i organizuar kundër tij me mjeshtëri nga shërbimet që udhëhiqte. Beria u bë shumë i fuqishëm pas Luftës së Dytë Botërore, kur bashkoi dy shërbime sekrete që funksiononin të ndara dhe krijoi bazën për themelimin e KGB-së. Sot për të ka një histori të errët me dyshime. Këto fillojnë me helmimin apo lënien për të vdekur të Stalinit dhe deri te akuzat që iu ngritën dhe ku përshkruhej si një vrasës e përdhunues pervers. Ai arriti në kulmet e pushtetit, menjëherë pas vdekjes së Stalinit, kur ndërsa drejtonte shërbimet sekrete ishte edhe zëvendëskryeministër, por lufta e Berias me kundërshtarët dhe problemet që shërbimet e drejtuara prej tij i hapën sovjetikëve në arenën ndërkombëtare, bënë që ai të kishte shumë kundërshtarë. Për Berian ashtu si për Jezhenkon u përgatitën akuza politike e pasi këto e detyruan të tërhiqej, shërbimet sekrete ngritën edhe morinë e dosjeve që do ta fundosnin duke e akuzuar si spiun të anglezëve. Më vonë, duke qenë se ky fakt pak mund të besohej, ndaj tij u hodhën akuza për përdhunim e makabritete. Deri më sot dosjet e tij nuk janë hapur, por dihet se Beria kërkonte vendosjen e një sistemi më liberal dhe heqjen e kompetencave të Byrosë Politike që drejtohej nga Hrushovi, kjo ndoshta firmosi edhe fundin e tij.

*****
Reparti me emër “Vdekje spiunëve”, si i vranë kundërshtarët e Bashkimit Sovjetik
SMERSH, seksioni i vrasjeve të KGB-së
Shërbimi sekret më i frikshëm i botës, KGB-ja sovjetike ka qenë e njohur në të kaluarën e saj me shumë emra, por fillimet i ka në Revolucionin Bolshevik të 1917-ës. KGB-ja ishte e plotfuqishme dhe operacionet e saj ishin pa kufizime ligjore dhe rregulla dhe drejtohen dhe kundër popullit rus dhe kundër “armiqve të jashtëm”. Dega më e frikshme dhe më e fuqishme e KGB-së ishte SMERSH. SMERSH-i është një seksion i armatosur i veçantë i KGB-se që merrej më dënimet dhe ekzekutimet e çdo rusi të cilësuar si “tradhtar”, të çdo informatori apo agjenti që dezertonte në Perëndim, të çdo komunisti që nuk ndiqte vijën e Partisë si dhe një numër të madh viktimash jashtë Rusisë (sovjetikë ose qytetare të shteteve të tjera).
Që nga koha e Revolucionit bolshevik të 1917, një seksion i tërë i shërbimeve sekrete sovjetike ka qenë përgjegjës për kërkimin, rrëmbimin, shantazhet ose vrasjet e çdo kujt që kundërshtonte regjimin komunist, në veçanti ruse që dezertonin në Perëndim ose rusë që jetonin jashtë BRSS. Gjithashtu jo-rusë që ishin në përgjithësi konkurrentë me sovjetikët kanë qenë gjithashtu viktima të aksioneve të kryera nga SMERSH, emri i të cilit vjen nga inicialet e “Smert Shpionam” (Vdekje spiunëve). Ky slogan ka qenë thënë nga Josif Visarionovic Stalin dhe pasqyronte karakterin e tij vrasës.
SMERSH është aktualisht Divizioni i IX-të i KGB-së, i cili është i përkushtuar Terrorit dhe Diversionit, udhëhequr dhe i përbërë nga komunistë fanatikë vrasës. Teknikat e vrasjeve të tij janë shumë të sofistikuara po aq sa ato në novelat e krijuesit të 007- Jan Flemingut, madje në shumë raste ia kalojnë. Në ndryshim me personazhet e Flemingut, viktimat e SMERSH-it kanë qenë persona realë. Megjithëse titulli “SMERSH” pushoi së përdoruri që në 1948 nga KGB-ja, organizata vazhdon të ekzistojë.
Organizata fillimisht u krijua në pesë seksione të ndryshme, sipas detyrave që kishte:
1) Seksioni i parë funksiononte brenda Ushtrisë së Kuqe, për të diktuar ushtarë dhe oficerë disidentë dhe për t’i ekzekutuar ata.
2) Seksioni i dytë i SMERSH-it mblidhte informacion dhe në kohë lufte ishte përgjegjës për kalimin e agjentëve të tij në prapavijat e armikut.
3) Seksioni i tretë ishte përgjegjës për vlerësimin dhe filtrimin e informatave si dhe për dhënien e urdhrave.
4) Seksioni i katërt hetonte të pandehurit apo të dyshuarit dhe kishte autorizimin të bënte arrestime.
5) Seksioni i pestë përbehej nga tre persona gjyqtarë, zakonisht oficerë madhor, sovjetik dhe kishte kompetenca për të gjykuar dhe për të dhënë vendime, të cilat ishin gjithmonë të formës së prerë pa të drejtë apeli. Të gjitha dënimet nga ky “gjyq” ishin përfundimtare dhe ekzekutoheshin menjëherë.
SMERSH (sot thirret “Departamenti i V-të i Drejtorisë Qendrore të KGB-së dhe është i fshehur në departamentin e sigurimit të ushtrisë, i quajtur CUKR) është përgjegjës për vrasjet e pamëshirshme dhe të paskrupullta të dhjetëra mijëra personave në 8 dekadat e fundit. Shumë lider të shteteve të ndryshme të botës kanë qenë ruajtur nga SMERSH-i dhe agjentët e tij në Konferencën e Teheranit. Ndonëse e dinin ekzistencën e një organizate të tillë, ajo u bë e njohur në publik pas dezertimit në Gjermaninë Perëndimore të kapitenit të KGB Nikolia Kholkhov në 1954. Vetë Kholkhovi ishte agjent i SMERSH-it i dërguar të vrasë Georgi Okolovic me urdhër direkt të kryeministrit sovjetik të atëhershëm, Nikita Sergejevic Hrushovit. Okolovic ishte një kundërshtar i bezdisur për sovjetikët si lideri i një organizate emigrantësh ruse(NTS) në Frankurt të Gjermanisë.
Kholkhovi, një vrasës me eksperiencë, kishte marrë trajnim special për këtë mision në veçanti. Ai duhej të vriste Okolovicin me një mini pistoletë që në vend të fishekëve përdorte blije të vogla të mbushura me helm. Vrasësi ndërroi mendjen në momentin e fundit dhe në vend të kryente misionin, u dorëzua tek CIA, duke ekspozuar SMERSH-in si organizatë dhe veprimtarinë e tij në Evropën Perëndimore. Shumë agjentë të SMERSH u arrestuan pas dezertimit të tij.
Pas dezertimit të Kholkhovit, më vonë dhe dy agjentë të tjerë të SMERSH-it, Peter Deriabin dhe Bogdan Stashinski dezertuan dhe ata. Të dy këta vrasës ishin të pajisur me armë të sofistikuara. Stashinski ishte pajisur me një tub ( në formë stilolapsi) që lëshonte acid koroziv.
Një nga agjentët aktivë të orëve të para të SMERSH-it në Perëndim ka qenë dhe Xhorxh Mink, lindur në Filadelfia të SHBA. Në fillim të viteve ’20 ai punonte si shofer taksie, në 1926 u bë antar i Partisë Komuniste të SHBA(PKSHBA)dhe më pas organizator në sindikatën e dokerëve të portit, sindikatë që kishte lidhje direkte me Josif Stalinin. Në 1927 ai dërgonte raporte dhe informacione direkt në Moskë. Qendra e thirri atë në 1928, të vizitonte Moskën me qëllim të kalonte trajnimin për tu bërë agjent i SMERSH-it, ndërsa një vit më vonë ai kreu vrasjen e parë për llogari të SMERSH-it në Evropë.
Në 1931, Minku gjendej në Berlin ku takoi një gazetar, të cilin me vonë do ta përshkruante si “një burrë të shkurtër, me fizik të fortë, të ri, me një gojë të vogël të shëmtuar, sy grijeshil dhe dhëmbë të parregullt”. Bëhej fjala për Hans Visenger, një spiun i cili ishte kontrollori dhe ndërlidhesi i tre agjenteve të GPU-së që punonin në linjën Hamburg-Amerikë dhe që i kishte ekspozuar ata tek autoritetet gjermane. Visengeri u urdhërua të kthehej në Moskë, por refuzoi. Misioni i Minkut ishte që ta asgjësonte.
Në 22 maj 1932, Minku së bashku me Hugo Marks, një tjetër vrasës-agjent të SMERSH-it, gjetën vendqëndrimin e Visengerit dhe e qëlluan me armë duke e vrarë në apartamentin e tij në Muehlenshtrasse në Berlin. Vrasja është cilësuar në dosjet e policisë berlineze akoma dhe sot e kësaj ditë si e pazgjidhur. Minku arriti që të shpëtonte dhe sipas raporteve të KGB-së vrau më pas rreth 7 persona të tjerë deri në 1935, kur fati i tij mbaroi. Ai së bashku me një vrasës tjetër amerikan të KGB-së u arrestuan në Kopenhagen dhe u akuzuan për spiunazh. Meqë faktet ishin të pamjaftueshme, ai bëri vetëm 18 muaj burg për ngacmimin dhe shqetësimin e një biznesmeni rus që ishte arratisur nga BRSS.
Minku u lirua në 1936 dhe u kthye në Moskë, ku është parë në shoqërinë e Xhuliet Stjuart Pojnx, njërës prej liderëve komunistë amerikanë, e cila u zhduk një vit më pas. Sipas Karlo Treskas, një antikomunisti dhe antifashisti të vendosur, njëkohësisht botues gazete në Nju Jork, Pojnx u urdhërua të vritet pasi ajo e denoncoi hapur Stalinin dhe komunizmin. Xhorxh Mink, u tha Treska miqve të vet,ishte kontakti dhe kontrollori i saj me KGB-në dhe ai rregulloi një takim të ngutur me të në Central Park. Pasi udhëtuan së bashku në veri të shtetit të Nju-Jorkut,ai e mbyti atë me duart e tija, ndërsa trupin e saj e varrosi në një pyll, afër pronave të presidentit amerikan Franklin Ruzvelt, në Dutchess County. ( Treska u vra dhe ai në 1943 duke ecur i vetëm në një rrugë të Nju-Jorkut.Vrasësi i tij u identifikua më vonë si bosi mafioz, Karmajn “Cigar” Galante, që pranoi misionin e SMERSH-it për të ekzekutuar Treskën kundrejt një pagesë prej 50 mijë dollarësh).
Më pas Minku shkoi në Barcelonë, Spanjë, ku nën aliasin Alfred Herc ai u fut në brigadën anarkiste e cila në atë kohë luftonte përkrah demokratëve të luftës civile spanjolle. Qëllimi ishte që ai të afrohej me profesor Kamilo Bernerin, një anarkist të njohur për anti-stalinizmin e tij, i cili me deklaratat e tij publike kundër diktatorit sovjetik, kishte ndjellur zemërimin e Stalinit. Stalini urdhëroi shefin e vet të KGB-së ( NKVD e quajtur në atë kohë) që t’i komunikonte Minkut urdhrin për ekzekutimin e Bernerit. Menjëherë pas komunikimit të urdhërit, shefi i KGB-së dha shpirt me shkumë në gojë, i helmuar me urdhër të Stalinit. Berneri dhe ndihmësi i tij u gjetën t vrarë me armë zjarri, ndërsa trupave të tyre i mungonin krahët dhe këmbët. Disa orë më vonë, Minku, alias Herc, u zhduk nga listat e brigadës anarkiste.
Vrasjet e politikanëve komunistë
Gjatë viteve ’30, agjentë të SMERSH-it si i pakontrolluari Oto Katc, vërtiteshin në Evropën Perëndimore duke kërkuar komunistë të penduar. Ata gjetën dhe vranë Ignas Rajsin, një nga shefat e KGB-së në France, i cili kishte denoncuar Stalinin për krimet e tij të paskrupullta gjatë periudhës së quajtur “Terrori i Madh”. Shoku i ngushtë i Rajsit, Valter Krivicki, i pari oficer madhor i GPU-së që dezertoi në Perëndim dhe që deshmoi për vrazhdësinë e SMERSH-it, u gjend dhe ai i vrarë në dhomën e tij të hotelit të Uashington në SHBA.
Vrasja e Trockit
Vrasja më e famshme e SMERSH-it ka qenë ajo e Leon Trockit, njërit prej liderëve të Revolucionit të Tetorit së bashku me Leninin. Trocki ishte dëbuar dhe internuar nga Rusia (Stalini fillimisht nuk guxoi ta ekzekutonte, sepse Trocki gëzonte një popullaritet të madh, por më vonë iu bë fiksim asgjësimi i tij) në vitin 1929 dhe vazhdonte të kryente me zell te madh një fushatë politike kundër diktatorit. Stalini urdhëroi vrasjen e Trockit.
Trocki ishte vendosur në 1937 në Meksikë. Një vit më parë, agjentët e SMERSH-it pranë djalit të tij, e kishin vrarë atë dhe kishin zhdukur një pjesë të arkivit të Trockit në Francë. Në 1940, me Trockin jetonte dhe e shoqja, Natalia dhe të dy ishin vendosur në një vilë në periferinë Kojoakan të kryeqytetit meksikan. Vila e tij ishte shndërruar në një fortesë të vërtetë. Përveç 10 policëve të armatosur meksikanë që ruanin vilën orë e minutë, Trocki kishte afër tij dhe një grup trockistësh besnikë, që përbenin truprojën e tij personale. Rreth e rrotull vilës së rrethuar me mure të larta,ishin vendosur dhe kulla vëzhgimi ku roje të armatosura vështronin ambientin brenda dhe jashtë vilës me dylbi gjithë kohës. Megjithatë, Trocki e dinte së ishte vetëm punë kohë derisa agjentët e SMERSH-it ta gjenin. Pak kohë më parë, përvec të birit dhe një nga përfaqësuesit e tij personal në Paris,Rudolf Klementi, ishte gjetur dhe ekzekutuar nga vrasësit e SMERSH-it.
Në 24 maj 1940, njëzet persona të armatosur rëndë me mitraloza dhe me granata, nën komandën e David Alfaro Sikejros, sulmuan vilën e të internuarit, por Trocki dhe familja e tij shpëtuan vetëm me disa plagë të lehta. Sikejros, u fsheh për disa kohë, më pas në 1942 u lejua të ikte nga Meksika. Ai shkoi në Kili ku jetoi më pas gjithë pjesën e jetës së tij dhe u përshkrua nga zyrtarët lokalë si “një element i pakontrollueshëm gjysëm i çmendur”.
Haime Merkader, nga ana tjetër, ishte një agjent i SMERSH-it që mendonte dhe llogariste çdo lëvizje të tij me gjakftohtësi dhe me logjikë. Për gati një vit, Haime Ramon Mercader del Rio Hernandez, duke përdorur aliasin Frank Xhekson, vëzhgonte nga afër Trockin, duke fituar besimin e miqve të të internuarit. Ai ishte i biri i një tregtari spanjoll dhe i një komunisteje kubaneze. Merkaderi kishte luftuar dhe ai në luftën e Spanjës përkrah brigadave të ushtrisë republikane nga ku ishte rekrutuar në SMERSH nga Leonid Eitigon, një rekrutues i KGB/SMERSH-it, i cili përveç të tjerave ishte dhe njeri prej dashnorëve të shumtë të të ëmës. Duke përdorur identitetin e një gazetari francez, me emrin Zhak Mornar, Merkaderi mori pjesë në Konferencën e IV-rt Internacionale Trockiste në Paris.
Në Paris ai krijoi lidhje intime me Silvia Agelof, një punëtore sociale amerikane, motra e së cilës kishte qenë për disa kohë sekretare e Trockit.Kur Agelof donte të kthehej në SHBA, ajo e mori Merkaderin me vete. Në atë kohë Merkaderi udhëtoi për në SHBA me një pashaportë kanadeze me emrin e Frank Xhekson, pasaportë të cilën e përdori për tu futur dhe në Meksikë, ku nëpërmjet Agelofit u prezantua me Trockin.
Ai i mbajti kontaktet me Trockin duke e vizituar atë shpesh miqësisht në vilën në Kojoakan. Pas disa kohësh, ai i tha Trockit se kishte përgatitur një artikull për në gazetë, të shkruar sipas filozofisë politike të Trockit dhe i kërkoi atij ti hidhte një sy për ti dhënë opinionin e tij. Trocki pranoi dhe mbylli takim me të në 20 gusht 1940. Merkaderi shkoi në vilën e Trockit atë ditë dhe përveç dorëshkrimit, ai kishte të fshehur në mëngët e xhaketës një bizë të gjatë 35 cm, një sëpatë të vogël alpine si dhe një pistoletë.
Trocki e priti me ngrohtësi Merkaderin , mori dorëshkrimin dhe u ul në zyrën e tij për ta lexuar. Pasi shfletoi disa faqe dhe vuri re se ai ishte shumë konfuz dhe pa kuptim ai ngriti kokën për të pyetur të ftuarin e tij. Në moment, Merkaderi u hodh nga karrikja ku ishte i ulur, nxori bizën dhe ia nguli në kokë, duke i carë kafkën. Por goditja nuk solli vdekjen e menjëhershme. I rrëzuar në dysheme, Trocki bërtiti nga dhimbja, gjë që solli menjëherë në dhomë dy truprojat amerikane të tij, Xhozef Hansenin dhe Xhejk Kuperin. Hanseni dhe Kuperi e mbërthyen Merkaderin, e vunë poshtë dhe filluan ta godisnin pa mëshirë derisa ai humbi ndjenjat. Ata në fakt donin ta vrisnin në vend, por Trocki i përgjakur u kërkoi mos ta vrisnin duke u thënë: “Ai ka një histori për të na treguar”.
I çuar në spital menjëherë, Trocki jetoi dhe për 24 orë të tjera, pastaj dha shpirt. Merkaderi u arrestua, por i arrestuar ai tha se e vrau Trockin për të sjellë në vend nderin e të dashurës së tij. Sipas deponimit të tij, Trocki kishte krijuar lidhje seksuale me Silvia Agelofin. Agelof kundërshtoi me forcë deponimin e tij dhe dëshmoi se nuk kishte pasur ndonjë kontakt seksual me Trockin, as ky i fundit kishte tentuar diçka të tillë. Agelof e denoncoi Merkaderin në gjyq si vrasës të SMERSH-it. Përveç kësaj, konfuzion solli dhe çështja e identitetit të Merkaderit, i cili në gjyq deklaroi se ishte Zhak Mornar dhe si i tillë ai u dënua dhe u gjet fajtor në 17 prill 1943 për vrasjen e Trockit. U dërgua në burgun Huarez të Meksiko Sitit.

Pas 17 vjetësh si i burgosur me sjellje shembullore, Merkaderi u lirua, në 6 maj 1960. Fillimisht ai shkoi në Pragë ku punoi disa kohë si gazetar, ndërsa më pas shkoi në Moskë, ku u dekorua me “Urdhrin e Bashkimit Sovjetik”. Ky ishte një pranim i hapur nga ana e Kremlinit i shërbimit politik që Merkaderi i kishte bërë BRSS duke vrarë Trockin. Disa kohë më pas Merkaderi shkoi afër Kastros në Kuba, ku edhe vdiq në 1978, duke përdorur akoma emrin Zhak Mornar.
Vrasjet e tjera
Shpesh në shtetet e huaja, SMERSH-i do të përdorte kriminelë profesionistë dhe vrasës profesionistë për të kryer rrëmbimet dhe vrasjet duke i paguar shuma të mëdha parash për shërbimet e tyre. Duke punësuar kriminelë karrieristë, rrëmbimet dhe asgjësimet dukeshin në aparencë krime ordinere, jo grushte politike, duke hequr në këtë mënyrë dyshimet nga sovjetikët dhe duke ua hedhur keqbërësve profesionale. Një nga këto çështje të kësaj natyre ishte dhe vrasja e Karlo Treskes, për të cilën gangsteri amerikan Karmajn Galante u pagua me një shumë të majme.
E njëjta taktike u përdor dhe në çështjen e dr.Valter Linzes, një avokati të shquar gjermano-perëndimor i cili ishte president i Shoqatës së Juristëve të Lirë Gjermanë. Nën drejtimin e Linzës, Shoqata kishte ekspozuar krimet e rënda të sovjetikëve nën ligjshmërinë komuniste, kishte ofruar ndihmë për viktimat kundër arbitraritetit të arrestimeve të KGB-së, gjyqeve sekrete, burgimeve për arsye false ose internimit në kampet e punës. Reputacioni i Linzës si antikomunist i vendosur ishte aq i madh, saqë SMERSH-i mori urdhra ta rrëmbente atë dhe ta sillte në Berlinin Lindor, ku ai mund të mbahej përgjithmonë për të ndaluar dëmet e tjera politike qe i shkaktonte komunistëve.
Për këtë rast, SMERSH-i përdori 4 kriminelë me famë, të gjithë të burgosur me afate të gjata dënimi në Gjermaninë Lindore: Harri Lidtke, 22 vjeç, i burgosur për grabitje me arme dhe dhunë; Herbert Novak,27 vjeç, i burgosur i përjetshëm për vrasje; Jozef Dehnert, 22 vjeç, vjedhës; dhe Ervin Knishpel, 27 vjeç, i burgosur për më tepër se 18 krime serioze.
Në 7 korrik 1952, Lidtke shkoi nga Berlini Lindor në atë Perëndimor, ku mori një taksi, shoferi i të cilës ishte Vilhelm Voiziske. Ai i tha shoferit ta conte ne Zenefelderplatz, në Berlinin Lindor. Duke ditur se taksistët e Berlinit Perëndimor hezitonin të shkonin në sektorin sovjetik, ai e joshi atë duke i ofruar një bakshish prej 20 markash. Pasi kaluan postobllokun dhe kaluan në Berlin Lindor, Lidtke i vuri afër shoferit një kuti me 10 paketa cigare amerikane tek sedilja e pasagjerit (vetë rrinte mbrapa). Voiziskja e falenderoi për bakshishin. Kur taksia arriti ne Zenefelderplatz, policë gjermano-lindore rrethuan makinën dhe i nxorën të dy jashtë saj, ndërsa një nga oficeret bërtiti: “Ju pra qenkeni ata kontrabandistët e cigareve amerikane!”
Voiziske u dërgua në zyrat qendrore të policisë gjermano-lindore ku e futën në një qeli në bodrumet e saj, por nuk e morën në pyetje. Siç doli më vonë, Lidtkja e përdori taksinë vetëm e vetëm për t’i marrë asaj targat e Berlinit Perëndimor, të cilat i vendosi në një makinë tjetër për të mos patur vështirësi për të kaluar postoblloqet në Berlinin Perëndimor, të nesërmen në mëngjes, në 8 korrik 1952. Në makinë ishin Lidtke, Novak, Knishpel dhe Dehnert. Që të katërt shkuan me makinë deri tek rezidenca e dr.Linzes, që jetonte në sektorin amerikan të Berlinit Perëndimor, në Gerihtshtrase në periferinë Lihterfelde.
Linze, një person shume i përpikte në orarin e tij, doli nga apartamenti i tij në 7.30 të mengjesit dhe filloi të ecte drejt zyrës së tij, duke tymosur i qetë llullën. Kur kaloi afër makinës, Lidtke dhe Dehnerti dolën jashtë dhe ky i dyti i’u afrua Linzës me një cigare të pandezur. Ai i kërkoi doktorit një shkrepse. Ndërsa Linze futi duart në xhepa për të gjetur shkrepsen, Lidtkja i doli nga pas dhe e goditi me forcë në kokë me një shkop gome.
Por Linze siç duket ishte me i fortë nga ç’e prisnin dhe u rezistoi, duke i shtyrë rrëmbyesit. Atëherë Lidtke e zuri nga mesi, Dehnertii mbante këmbët bashkë dhe të dy e ngritën për ta futur në ndenjësen e pasme të makines. Doktori u përpoq me të gjitha forcat të rezistonte, derisa Novaku nxori një pistoletë dhe e qëlloi Linzën në këmbë. Linze u rrëzua në sediljen e pasme, ndërsa Lidtke dhe Dehnert i hipën përsipër për mos ta lënë të lëvizte.
Knishpel, i cili ishte në timon, i dha makinës aq shpejtësi, saqë nuk pa që këmbët e Linzës ishin jashtë derës së pasme të makinës. Ndërsa makina ecte shpejt nëpër Drakenshtrase, një furgon i një qytetari që kishte parë gjithë skenën u vu në ndjekje të saj. Më pas në ndjekje do të shtohej dhe një makinë e policisë gjermano-perëndimore. Duke parë se po ndiqeshin, rrëmbyesit hodhën nga dritaret e makinës gozhda katërkokëshe, duke shpresuar se do t’u shpoheshin gomat dhe do të ndalonin. Ndjekësit arritën tu shmangeshin gozhdëve dhe t’i afroheshin makinës së rrëmbyesve, por turmat e këmbësorëve që nxitonin të shkonin ne punët e mëngjesit, ngadalësuan shpejtësinë e ndjekësve, nga frika mos shtypnin ndonjë këmbësor. Knishpel arriti të manovrojë mes turmës së njerëzve dhe pasi u fut në një rrugicë arriti ti shpëtojë ndjekjes. Më pas makina u zhduk në Berlinin Lindor.
Taksisti, Voiziskja,u nxorr nga qelia pas disa orësh. Një zyrtar gjermano-lindor i kërkoi atij falje duke i thënë që e gjitha ishte një “keqkuptim”. Targat e taksisë ishin rikthyer dhe vendosur mbrapsht dhe ajo iu kthye Voiziskes, i cili u la i lirë. Pasi u kthye ne Berlinin Perëndimor, Voiziske lajmëroi autoritetet gjermane për eksperiencën e çuditshme që pati. CIA dhe shefi i BND (shërbimit sekret te Gjermanise Perëndimore) Rajnhard Gehlen, nuk e patën të vështirë të bashkonin pjesët që të kuptonin metodën me të cilën SMERSh-i kishte rrëmbyer dr.Linzen.
Shtypi perëndimor e denoncoi ashpër rrëmbimin dhe zyrtarët amerikanë bënë nota proteste ndaj sovjetikëve. Por rusët thanë se nuk dinin gjë rreth dr.Linzes dhe rrëmbimit te tij. Zyrtaret perëndimorë vazhduan kërkesat për kthimin e Linzes për 8 vjet rresht, derisa ne qershor 1960, Kryqi i Kuq rus detyrimisht informoi Kryqin e Kuq gjermano-perëndimor se “Valter Linze vdiq në një kamp pune rus ne 14 dhjetor 1953.”
SMERSH ngeli i fortë, megjithëse shumë nga vrasësit e tij preferonin më mirë të dezertonin në Perëndim se sa te kryenin krimet monstruoze që i ngarkonin. Por që tu jepnin vrasësve te tyre më tepër shanse për të shpëtuar dhe mos te identifikoheshin nga policia apo viktimat SMERSH-i zhvilloi një sërë armesh dhe teknika vrasëse te reja. Një viktime e ketyre armeve te reja ishte dhe Horst Shvirkman, nje teknik shume i kualifikuar gjermano-perëndimor që punonte në ambasadën e RFGJ-së në Moskë. Shvirkman ishte eksperti i zbulimit të mikrofonave përgjues që KGB kishte instaluar në çdo ambasade të huaj në Moskë. Kur ai gjente një mikrofon përgjues ai e ngarkonte atë me rrymë elektrike të tensionit të lartë, duke i bërë përgjuesit të KGB-së të pësonin një shok të fortë elektrik që u kalonte nëpër veshë.
Akoma më tepër u inatosën ekspertët sovjetikë të përgjimit me Shvirkmanin, kur ai u zbuloi një aparat te sofistikuar elektronik përgjimi të instaluar në dhomën e kodimit të mesazheve të ambasadës gjermano-perëndimore. Nëpërmjet këtij aparati, KGB-ja arrinte të kapte mesazhet dhe radiogramet e ambasadës para se ato të arrinin të shtypeshin ne aparatin e shifrimit (para se të kodoheshin). Duke i krahasuar mesazhe e koduara me ato te pakoduara, KGB-ja mund te gjente kodin e kriptografimit. Gjetja e këtij aparati nga Shvirkmani i nxehu aq keq shefat e KGB-se saqë vendosën ta hiqnin qafe me lezet. Gjermano-perëndimori u godit në kofshë nga dikush, gjoja si padashje, ndërkohë që ishte mes një grupi turistësh duke vizituar manastirin e Zagorskut jashtë Moskës në 1964. Tekniku i goditur që bërtiste nga dhimbjet, u dërgua menjëherë në ambasadën amerikane në Moskë, ku e priste një klinike e kompletuar shumë mirë. Aty doktorët morën vesh se Shvirkmani ishte injektuar me gazin mustard të përzier me nitrogjen. Pasi u kurua gjatë një periudhe shumë të dhimbshme për të, viktima e SMERSH-it u shërua dhe i shpëtoi vdekjes.
SMERSH-i besohet se ka zhvilluar armën më të sofistikuar me përdorimin e ricinës. Helmi është aq i fuqishëm dhe i padallueshëm, saqë krijon bllokimin e barkushes së zemrës, një situatë për të cilën mjekët që nuk dinë gjë, thjesht mund ta atribuojnë në një infarkt zemre.

Related

Suplement 2440038456546979695

Follow Us

Hot in week

Recent

Comments

Blog Archive

Side Ads

Text Widget

Connect Us

item