Soçi vihet në ndjekje të tre “vejushave të zeza”
Në Rusi forcat e sigurisë janë vënë pas gjurmëve të tre grave të cilësuara si “kamikaze të mundshme”. Një prej tyre mendohet se ndodhet në S...
https://flurudha-portal.blogspot.com/2014/01/soci-vihet-ne-ndjekje-te-tre-vejushave.html
Në Rusi forcat e sigurisë janë vënë pas gjurmëve të tre grave të cilësuara si “kamikaze të mundshme”. Një prej tyre mendohet se ndodhet në Soçi, lokalitetin në brigjet e Detit të Zi, ku midis 7 dhe 22 shkurtit do të zhvillohen Olimpiadat Dimërore. Reporterët e agjencisë së lajmeve “Associated Press”, të pranishëm në një hotel në qendër të Soçit mundën t’i hidhnin një sy njërit prej identikiteve të shpërndara nga policia, ku njoftohet për kërcënimin e madh që kanoset në qytezë. Sipas autoriteteve ruse, tri gra janë përgatitur për të hedhur veten në erë gjatë zhvillimit të lojërave. Më e rrezikshmja, 22-vjeçarja Ruzanna Ibragimova, vejushë e një ushtaraku të rebelimit islamik në Kaukaz, është raportuar se ndodhet shumë afër Soçit.
Materiali që policia i shpërndau personelit të hoteleve, përfshin fotografitë e dy të kërkuarave të tjera, me fytyrën e mbuluar me vellon islamike. Është fjala për 26-vjeçaren Zaira Aliyeva dhe 34-vjeçaren Dzhannet Tsakhayeva, të dyja të stërvitura për të finalizuar akte terrorizmi. “Me shumë gjasa janë midis nesh dhe janë të stërvitura për të kryer akte terrorizmi”, shkruhet ndër të tjera në fletëpalosje, por në ndryshim nga Ibragimova, nuk konfirmohet nëse janë në Soçi.
Pikërisht të ashtuquajturave “vejushat e zeza”, autoritetet ruse iu kanë atribuuar sulmet e fundit terroriste që po ngrenë në maksimum nivelin e alarmit për sigurinë. Qyteti jugor i Volgogradit, në fund të dhjetorit 2013, u trondit nga aksioni i dy kamikazeve, që rezultuan me vdekjen e 34 personave. Një grup militantësh islamikë nga Dangestani, shpërndau të hënën në internet një video ku mori përsipër aktin e fundit terrorist dhe lëshoi kërcënime të reja kundër sigurisë në Olimpiadat e Soçit, 500 kilometra në perëndim të Dangestanit.
Presidenti rus, Vladimir Putin, i intervistuar javën e kaluar nga televizionet e huaja, pohoi se Rusia ka bërë “gjithçka” për të garantuar rendin në qytezën e kërcënuar. Ndërkohë vijojnë kontrollet intensive nga ana e forcave të sigurisë. Frika më e madhe lidhet me të huajt, se mos nën shënjestrën e terroristëve bien autobusët e lojtarëve apo strukturat turistike.
Për të garantuar sigurinë e delegacionit të tyre, Shtetet e Bashkuara po intensifikojnë bashkëpunimin me Rusinë. Në këtë shtet është dërguar një task forcë me rreth 20 agjentë të FBI-së. Dhe sipas asaj që raporton “CNN”, SHBA-të do të drejtojnë në Detin e Zi luftanije dhe avionë në rast atentati, për evakuimin në masë të amerikanëve nga Olimpiadat.
Plani i emergjencës do të vendoset në praktikë në rastin e një “sulmi të madh terrorist”, tha një funksionar shteti për “CNN”, duke siguruar se Shtetet e Bashkuara nuk do të veprojnë pa lejen e Rusisë./D.Gjuzi